top of page

Tregim nga Fatmir Terziu: Një lidhje e largët me pafajësinë


Një lidhje e largët me pafajësinë

Tregim nga Fatmir Terziu

 

Askush nuk mund ta kuptojë atë kartolinë. Vetëm dy palë sy e ndjekin sa herë që Skype i lidh në largësi. Kartolina shfaqet dëshimtare e kësaj lidhjeje të largët me pafajësinë. Kartolina, lidhja, dhe pafajësia shtriqen trinitisht netëve të shukatura mbi një komodinë të ngritur në cepin këndor të dhomës. Mbi të si një shoqëri e pandarë është një orë. Ora bie me një këmbëngulje të butë elektronike. Për veshët e Benës bie gjashtë orë. Zgjimi i saj vjen si në një kuti Parajse. Ja si duket Parajsa në mëngjes. E glazuruar nga shiu që bie si gjilpërëza të vogla. Gjithçka në këtë kënd duket si një mjegull xhami. Shfaqet, kapërcehet, deh ata që parakalojnë nxitimthi, si fytyra të animuara e të thyera, mbi rroba të shkreta,e tek aroma e McDonald's. Çifti i sapolidhur, ka zëvendësuar çiftin që iku duke u grindur në apartamentin ngjitur. Por ky çift bërtet me një zë të dyfishtë të pakuptueshëm. Qeni i plakut të verbër matanë rrugës urinon me një shprehje fajtore dhe të gjymtuar. Është ditë e dielë.

Bena duhet të nxitojë për në lavanderinë publike. Duke i futur rrobat e saj në kazanin e përbashkët të nikeltë dhe duke u shtirur se kupton thekset që i tështijnë nga të katër anët e botës. Pastaj, në mënyrë të padukshme, me vetullat e saj të përhumbura nën kapelën pa formë nis e shtyn në kazan një çorape, pastaj ato që zakonisht i vesh për punën e saj, dhe që janë shumë e shumë të asojllojshme, duke ulur kokën sa të mundet si një mbrojtje e përkohshme kundër shikimit të kalimtarëve. A mund ta njohë dikush atë? Lagjja nuk është e madhe. Hutimi i banorëve të saj në rrugë shpërngulet me të gjitha format tek mbeturinat e fundjavës që lamë pas. Gazetat dhe grumbujt me lecka, lecka…, nga rrobat e dikurshme shumëpërdorimëshe dhe  lecka të shkelmuara nga fatet e tyre mes koshave të plehrave. Trotuari, gëlltit hutimin e vetë personal, duke zhgënjyer një endacak që mpreh dhëmbët mbi një leckë të shkelur qindra herë. Aty në të duket se është shtrati i të dënuarve, që nisin fatin e tyre në shi dhe e mbarojnë po në shi, por që ashtu mbi fate të shtriqura, edhe pse janë lecka duket se kanë një arsye të shikojnë vetëm qiell. Mirë se ka vetëm qiell lart, kështu që shpirtrat e tyre mund të ngrihen dhe të kthehen në mënyrë narkotike të lirë nga normaliteti i përgjithshëm, i mërzitshëm.

Të hënën, Bena nuk vendos grim. Trupi delikat dhe orkid, i fshehur në një pulovër të lehtë dhe xhinse, rrezaton mirënjohje ndaj botës që e nderon me padukshmëri. Flokët, të mbledhura në një bisht të mprehtë në shpinë dhe baluket që pushojnë, sa herë që pushon era. Shpërqëndrimet boshe dhe hera herës anonime, i duken si zbritje e ngjitje të engjëjve të thërrmuar në turmën e mendimeve dhe ajo nxiton drejt kafenesë buzë bulevardit kryesor për të bërë dolli ditën me lëngun e ngrohtë ekspres në një filxhan prej kartoni. Mundësia e saj e vetme për të menduar për Genin, i cili e ka të pamundur të gjej ndonjë vizë e të jetoj afër saj. Disa herë ka provuar me maune dhe gomone, por ka qenë i pafat. Por, diçka në këto minuta i përhumb pak vetveten. Vetëm një pikë. Sa për të turbulluar gënjeshtrat e shtresuara duke përparuar nëpër përhumbjen e zakonshme. Dy vjet trillime të bukura, një dietë kafshërore për shpirtin, e dehidratuar nga mungesa e lotëve.

„I dashur,“ klikoi miushi i Benës, „a je akoma në zyrë“?

„Po e dashur,“ gishtat e Genit përgjigjen me nxitim, „Sapo po ndez kompjuterin tim.“

„Thjesht për të të thënë se sa shumë të dua,“ fryn ajo, e papërshtatshme për koston e dashurisë në botën e saj.

„Edhe unë,“ ofron ai, në pamundësi për të bërë ndonjë rrëfim tjetër. Tingulli dhe zilja histerike e mesazhierit e ndërpresin këtë lidhje të largët, që ndjek fytyrat që sapo kanë filluar të ndizen e trupi të hyj në pjesën e parë të një zjarri të padukshëm. Është zëri që Bena e njeh tashmë prej dy vitesh. Copëzat e këtij zëri përçojnë dëgjimin me udhëzime pa gjëra të sakta, pa gjëra të qarta, tashmë për Lolën. Bena këtu quhet Lola.

- Përshëndetje Lola. Më vjen keq, por ju do të duhet të punoni sot. Ne kemi një klient shumë të pasur nga Dubai. Ai ka nevojë për një shoqërim të gjatë gjatë gjithë ditës dhe shoqëri më pas. Paguan para të mira. Ia vlen të prezantosh veten siç duhet. Ju e dini se çfarë të bëni. Do t'ju dërgoj adresën dhe kodin e veshjes me mesazh. Shikoni përreth për policët. Ju pothuajse u kapët herën e fundit, mos e bëni më këtë gabim!

- Por - vazhdon zëri i Genit andej matanë....

Sinjali i gjatë dhe jopersonal përballë e ndan atë në dy gjysma të paarritshme, një shpirt i shurdhuar nga britmat dhe një trup që punon i destinuar, ndoshta mund ta quajmë pa dështuar. Jo, nuk dua. Asgjë, është e hënë.

“Është një pranverë e çmendur këtu në kryeqytet, - shkruan Geni, - kryeqyteti duket si një buqetë marule. Freski dhe zhurmë. Jam i ... nuk ma paguan sërish rrogën. Kalofshi një ditë të mbarë, dashuria ime”.

Bena vendos telefonin dhe bashkë me të edhe ndjenjat e saj në xhep. Ajo, pra Bena e vërtetë, ka nevojë për një gjumë të mirë para se të kthehet në një Lola, anonime. Për të pastruar çdo gjurmë të vetes. Para se të shkojë e mumifikuar me grim, kur të gjithë ata që kur ajo kalon në rrugë do të duan ta blejnë atë.

Geni refuzon të jetojë diku tjetër. Ai është strehuar në kryeqytet si në një fole, në të cilën zbrazëtia e problemeve të mbartura me jetën në vendlindjen e tij të largët rurale, po qetësohet dalëngadalë. Foleja është e rëndësishme, këmbëngul ai. Ne do të kemi gjithçka kur të ktheheni. Pasi të kesh mbaruar studimet, dhe do të jesh gati për karrierën e madhe dhe të ndjehesh se më do vetëm mua.

„A do që të të dërgoj para” – shkruan Geni – “E ndjej se po lodhesh duke punuar si kameriere dhe duke studiuar në të njëjtën kohë”.

„Jo! Mos. Kurse për dasmën. Do të bëj kursime…“.

Geni është çmenduria e vetme e Benës që e mban gjallë. Një lidhje e largët me pafajësinë. Pjesa tjetër janë fatura dhe kursime. Gjëra që ata i quajnë se janë thjesht kalimtare, ikëse, harxhuese. Ushqimi. Pajisje tualeti. Kozmetikë. Dasma... Mendimet për familjen...

Ajo ndezi ujin e nxehtë dhe derdhi xhelin e lëngshëm në vaskë. Një aromë ekzotike me nuanca të Dubait. Pastaj hoqi mbulesën e saj jopersonale dhe qëndroi lakuriq nën llambë. Mermer. Bardhësi. Tamam si një Priftëreshë e Dashurisë. Nuk ka rëndësi se sa burra e kanë pasur atë. Bukuria i duron të gjitha. Koha dhe mosha. Dashuri dhe Përbuzje.

Dhjetë minuta relaksim. Një pilulë rozë. Pikërisht dy orë shkëputje nga realiteti. Errësirë ​​dhe gjumë pa ëndrra. Fustani i vogël i zi varet në një varëse rrobash përballë. Errësira dhe silueta noton drejt Parajsës në mjegullën e zgjimit si një fantazmë e humbur pa skicat e mishit. Ajo po vishet. Pastaj ajo ndez Skype dhe qëndron përballë imazhit të pikselit të Genit, dhe ai i duket asaj hyjnor, i paarritshëm, i vetëm.

- Je verbuese - i thotë - të gjithë në këtë darkë pune do të bien kur të të shohin. Krenare për ty! Ju jam mirënjohës që më doni…

- Për sa - pyet Bena - për sa je gati të më duash?

- Përgjithmonë - përgjigjet ai - është e kotë të numërosh përjetësinë.

Bena mbyll me kujdes derën e banesës së saj. Ajo zbret shkallët e lyer me erë të keqe nga shiu dhe urina e gjithëfarësojshme e asaj godine ku jeton ajo për të kursyer paratë. Kalon vjedhurazi përmes daljes. Dhe ecën në rrugë. Një mbretëreshë e natës, e ndjekur nga oborrtarë të rreckosur.

- Hej Lola - fishkëllen qyteti pas saj - telefono kur çmimi të bie përgjysmë.

Do të thërrasë. Ai patjetër do të telefonojë. Na duhen edhe para për dasmën. Dhe për atë përjetësi pas saj, ku ajo dhe Geni do të bëjnë dashuri. Derisa të vërtetën e shëmtuar ta kthejnë në një gënjeshtër të bukur. Dhe derisa vdekja t'i ndajë ata, ajo kartolinë e shukatur mbi atë komodinë të ngritur në cepin këndor të dhomës do të mbetet një simbolikë nga kjo lidhje e largët me pafajësinë.

34 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page