top of page

Tregim nga Fatmir Terziu: Kaljana


Kaljana

Tregim nga Fatmir Terziu

 

 

Ky njeri i sëmurë, një i njohur i rastësishëm i kushëririt tim, gjatë një qëndrimi në një spital për trajtimin me të meta mendore, një ditë kishte ngelur në mes të katër rrugëve. Prindërit e kishin lënë dhjetë vjetë më parë. Mësova se gruaja i kishte vdekur muaj më parë. Mësova se nuk kishte asnjë fëmijë. Nuk kishte as edhe një të afërm tjetër në këtë jetë, përveçse dy prindërve të moshuar të gruas së tij. Por, kur ai kishte vendosur që të shkonte ti vizitonte ata, kishte mësuar se ata kishin ndërruar jetë njëri pas tjetrit, dy a tre muaj më parë. I ndodhur atje, dhe në atë situatë, i shpërqëndruar dhe i përhumbur, kështu s'kishte rrugë tjetër, ai trokiti në derën e tij më të afërt. Ua shpjegoi arsyen dhe ata e pranuan. Nuk e dinin se ai njeri i sëmurë kishte qenë i njohur me të zotin e shtëpisë, kushëririn tim, në kohën kur ata të dy, ishin të shtruar në spitalin e trajtimit të njerëzve me të meta mendore. Familja nuk e dinte, por ata të dy, sikurse mësova njiheshin dhe kishin mbajtur kontakte.

Sikurse e kemi zakon andej nga anët tona, kur na vjen një mik ne e thërrasim njëri-tjetrin të bëjmë muhabet, pra që të kalojmë natën dhe që miku i ardhur të mos mërzitet. Unë pranova ftesën e kushëririt dhe shkova atje. Pamja e tij në atë gjendje më shqetësonte. Shqetësimi më vinte nga përrallat dhe rrëfenjat me frikë që na tregonte mua dhe kushëririt tim gjyshja jonë e përbashkët, kur ne ishim fëmijë të vegjël. Në këto përralla dhe rrëfime njerëzit si ai lëviznin ngadalë, shikonin si të hutuar dhe nuk qeshnin kurrë. Ndonjëherë ata udhëhiqeshin nga instikte të mistershme bisedash, që i bluanin në vetvete dhe kur i nxirrnin dilnin si mielli kur dilte nga gurët e palatuar të mullirit. Një i tillë, i shpërqëndruar, i tmerruar dhe i humbur nga të gjitha në shtëpinë e kushëririt tim të parë nuk ishte diçka që e prisja me padurim në këtë natë, dhe as që mendoja se mund të bënim ndonjë bisedë të këndshme me të.

Atë natë në mendjen time gjërat silleshin si në ato lojërat tona të mistershme të fëmijërisë. Nuk e di pse kisha mbetur një fëmijë më i pabindur se në kohën kur isha i tillë e i rrëfehesha fëmijërisë si një hapësirë kur shtrija fjalët dhe mendimet si të më donte mendja ime. Edhe kushëriri im, në atë fëmijëri ishte i atillë. Ndoshta në atë natë ai u bë ndryshe. Nuk e di pse e them këtë. Por që në takimin e parë me të, pasi erdhi nga puna, në praninë time, se pothuajse u qasëm para tij në të njëjtën kohë. Kushëriri im u la dhe u ndërrua. Unë sa kapërceva rrugën që na ndan. Dhe kështu u bëmë bashkë.

Sa e pa i tha se ishte surprizë. Vërtetë i kishte thënë që ta vizitonte një ditë, pasi kishte dalë nga spitali ku ishin shtruar bashkë, por kësaj here, as që i kishte shkuar nëpërmend një surprizë e tillë. Por ata kishin mbajtur kontakte, mësova nga biseda. Kushëriri im kishte bërë kontaktin e parë pas një viti, apo më shumë, nga dalja nga spitali. E kishte takuar në një kafene. Aty kishin folur gjatë, gati tre orë.

Kushëriri im në atë takim të parë, pas daljes nga spitali, i kërkoi atij t'i dërgonte ndonjë letër dhe t'i shkruante më shumë për jetën e tij. Ai e bëri këtë. Ai dërgoi letrën. Në letër, ai i tregoi kushëririt tim edhe për lojërat që kishte luajtur me shokët e tij, kur ishin të vegjël. I thoshte se një nga lojërat më të bukura ishte ajo që quhej, të krijojmë shtete. Dhe si. Ja e merrnim një shkop. Me të bënim një rreth. E ndanim rrethin në aq pjesë sa fëmijë që ishim në atë lojë. Pastaj e bënim tek a çift se kush do ta hidhte shkopin më larg. E ne turreshim kush ta kapte e ta sillte i pari. Ai që e bënte këtë me shkopin në dorë dhe me këmbët e hapura, por me të dy duart duhej të bënte një hapësirë në atë rreth. Aty me atë shkop, me atë rreth bënte një shtet. Eh, sa shtete kemi krijuar, eh. Unë isha më i shpejti. Dhe kështu kisha më shumë shtete se të tjerët. Ngaqë kisha aq shumë emra shtetesh të konsumuara, një ditë nuk gjeja më emër për shtetin e radhës. E di pse? Ne luanim përditë nga një lojë të tillë. Ore, nuk dija më ndonjë emër. E kështu me mundimin për të gjetur një emër, iu afrova një burri të panjohur, që bridhte nga anët tona dhe bërtiste aty nga fundi i gushtit, me sa fuqi që kishte: „Hajde dru me pre!“

Kur iu afrova atij burri ai e kishte bulën e djersës në ballë sa një kokërr vezë. Iu luta që të më diktonte ndonjë emër shteti, por ai më pa një herë dhe heshti. Pastaj iu luta e iu luta prapë. Dhe ai sikur të ishte ndonjë egërsirë më shfryu me të madhe: „Po ti ore fëmijë qenke trap!“. Por unë nuk e lashë me kaq. Iu qepa nga pas. Kur iu afrua derës së Kaljanës, gruas bukuroshe, që kishte mbetur nga koha e prishjes me një shtet të madh, kuptova se ai kishte tjetër hall. Iu afrua dritares së pasme, nxorri një krëhër, dhe nisi të të krihte flokët. Pastaj buzëqeshi me veten dhe mori rrugën drejt e për tek dera. Sa u bë gati ti binte derës, unë sërish e pyeta nëse dinte ndonjë emër. Ai gati ngriu, por si i zënë ngushtë shfryu dhe më tha: „Kaljana!“ Unë renda me vrap, drejt rrethit, ku kisha autoritetin e shtetit dhe bërtita sa të mund „Kaljana!“. Shokët qeshën dhe e qeshura u bë pjesë e turmës. Dikush bërtiti me sa fuqi që kishte ky i paska vënë emrin e kurvës… Unë u nxiva. Nuk dola përjashta për javë të tëra. Nuk luajta më më shtete. Dhe më ngeli ai shtet pa emër. Dreq, dreq, e dreq… më ka mbetur pishman në mendje.

Kushëriri im sa ia kujtoi letrën mikut të tij, ai kësaj radhe, filloi të qeshte me të madhe. Ai e shikonte. Unë e shikoja. Tanimë nuk më bënte përshtypje pamja e tij. As që doja ta shkoja më në mendje. Kisha ngrirë shikimin tim. Kur pushoi kushëriri e shpjegoi ngadalë e me urtësi, pse qeshi me aq të madhe. E njëjta gjë më ka ndodhur edhe mua. Por jo me një njeri në rrugë. Mua më ndodhi në shkollë. Më ndodhi në orën e gjeografisë. Flisnim për hartën e Botës. Dhe mësuesja më tha të merrja shkopin e ti tregoja se ku ishte shteti për të cilin ajo fliste, në hartë. Unë ngrita shkopin, por nuk e gjeta saktë. Mësuesja u tërbua, ngaqë unë nuk e kisha vëmendjen dhe më tha: „Po ti qenke trap!“ Ky shteti që godet ti me shkop është … ah, nuk ta them dot për hir të punës.

Pastaj filloi të qeshte mysafiri i asaj nate. Të dy qeshën me të madhe. Vetëm unë isha jashtë kësaj teme kësaj radhe. Vetëm unë. Unë nuk sillja ndërmend ndonjë lojë me shtete. Por ata të dy, kushëriri im dhe miku i tij, që ishin kuruar bashkë në spitalin për njerëzit me të meta mendorë, kishin shumë lojëra të tilla ende. Për ta loja me shtete nuk kishte mbaruar akoma. Miku i kushëririt tim, pasi dëgjoi për letrën që i kishte dërguar, i tha se ishte shumë i lumtur që e kishte lexuar. Në të njëjtën kohë i tha se ishte duke shkruar dhe një letër tjetër. Ai ishte ende duke e shkruar atë. I tha se do të ia dërgonte nga fundi i vitit.

Po pse në fund të vitit? - e pyeti kushëriri im.

Ai i tha se kishte kohë që ta lexonte mirë e mirë dhe për të kaluar edhe ditët e dimrit. I tha se kjo puna e shteteve nuk është thjesht një lojë, ajo është edhe përgjumje në kohë. Por këto do të ti shkruaj patjetër, më qartë në ndonjë letër tjetër.

Kur u zbardh pashë që ai miku i kushëririt tim kishte mbyllur sytë dhe pëshpëriste në gjumë e sipër 'një emër për këtë shtet, një emër për këtë shtet…“. U zbardh dhe fytyra e tij më shpuri sërrish në rrëfenjat e përrallat e gjyshes, kështu nuk munda dot ta pyesja në të vërtetë, a kishte gjetur në ëndërr ndonjë emër për atë shtet!

15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page