top of page

Tregim nga Fatmir Terziu: Folie à Deux*


Folie à Deux

Tregim nga Fatmir Terziu

 

Endri ishte në tualetin e punës. Ishte në atë tualet ku dyert me shenjat e këpucëve, që përcaktojnë atë të femrave dhe atë të meshkujve për çudi nuk janë mjaft larg. Madje këto tualete i ndan vetëm një mur. I ndan thuajse muri në kurriz të njëri-tjetrit. Sa u ul, ai e pa për herë të parë atë. Ishte një e fryrë e kuqe, e gjatë, e varur mes kofshëve të tij të bëshme e tejet sportive. Ajo mishtinë e kuqe iu duk sikur të ishte një domate gjatinë e shtypur aty mes kofshëve. Pasi e thau gishtin e tij në tharrësen e varur në mur e fshiu me kujdes me një pecetë të bardhë. Ajo copë e kuqe ishte shtrydhur vetvetiu. E pa me kujdes e me frikë, edhe njëherë atë dhe iu duk në sy sikur po ngrihej si një varg malor në atë zonë mjaft delikate. Qëndroi si i hutuar derisa dëgjoi kollitjen e lehtë të një femre në anën tjetër të derës. Pastaj ngriti të brendshmet, ashtu bëri edhe me pantallonat dhe doli nga tualeti.

U kthye në tryezën e tij të punës, por nuk mundi dot më ta shohë atë gjënë e kuqe, të gjatë, e të varur mes kofshëve të tij poshtë pantallonave. I dukej vetja sikur po i zverdhej fytyra dhe koka i varej vetëm poshtë e më poshtë.

-Si dreqin e paskam çarë këtë gjë të kuqe? - u habit me vete.

Më vonë, pasi e la punën, në dhomën e tij të gjumit, larg syve të gruas dhe fëmijëve, nën dritën e llampës së vogël, u mundua që ta shikonte më me kujdes. Por, ndërsa po largonte pantallonat e tij, pa se një pjesë e saj ishte bërë palë me një hartë të madhe të kuqe në rozë të zbardhur, pikërisht aty ku fërkohen më së shumti kofshët me pantallonat. Ishte vetëm një e çarë e lehtë, por pa me kujdes se edhe lëngu i verdhë i infektuar bashkë me gjakun në të zezë kishin kapërcyer mbi pantallona, ku formonin një ngjyrësi ndryshe. Vendosi të mos bënte zhurmë menjëherë. Nuk donte të shqetësonte gruan, nuk donte t’i mërziste as fëmijët e tij, që kishin jo pak ngarkesë me punët dhe shkollat e tyre.

Dhe ashtu bëri. Heshti, fundja shtrydhja e vetvetishme e kishte ulur dimensionin e asaj të kuqeje dhe iu duk se ishte kalimtare. Por prania e saj në atë vend mjaft delikat, mjaft intim e bëri të mos flinte gjumë fare atë natë. Me gruan e gjeti justifikimin e lodhjes dhe me fëmijët e shpëtoi si gjithnjë buzëqeshja dhe përqafimi. Nuk ra në sy fare. Fundja, ai e dinte se e gjitha ishte në dorën e tij. E që të mos binte fare në sy, vazhdoi të rrëkëllente dhe gotën e tij të zakonshme të verës së bardhë, para se të flinte me disa fistikë, e disa bajame të sheqerosura lehtë.

Ditës tjetër, si zakonisht hëngri mëngjesin e tij të zakonshëm bashkë me gruan e fëmijët dhe kur pa se ishin shtuar në tavolinë dhe disa petulla u habit fare.

-Po këto? Kur e zure brumin dhe kur i mbarove Berta?

-Nuk më ndjeve. U ngrita në mesnatë, diçka po flisje në gjumë. Më saktë sapo kishe mbyllur sytë dhe…, dhe pastaj nuk më zinte gjumi. Nisa të lexoj një libër, por jo, asgjë nuk m’i mbyllte sytë. E kështu zura brumin dhe thashë të bëja petulla. Pastaj e di se ti i pëlqen, apo jo?

Nuk e dinte dhe as nuk e kuptonte as vetë si të sillej. E megjithatë buzëqeshi, iu afrua dhe e përqafoi. Më pas bëri sikur vërtet donte të kollofiste sa më shumë prej atyre petullave, që ende digjnin. Ishin të bëra me kujdes dhe shkrinin në gojë. Thua, se ishin urdhëruar në atë ditë të ishin të atilla, aq të shijshme dhe aq të mira. Pastaj i delegoi një këndvështrim të shpejtë fytyrës andej nga këndi ku varej pasqyra dhe e ndjeu se fytyra ishte krejt në rregull, të paktën ajo nuk mund ta tradhëtonte në çast.

-Je mirë? - e pyeti Berta.

-Mirë fare, mjaft mirë. Apo s’më shijuan ato petulla. Sikur i kishe bërë me porosi.

-E di, e di. Me porosi. A nuk më thua se unë ta lexoj mendjen?

-E de, e. Eh, pëshpëriti shpejt me vete; “sikur të ma lexoje vërtet mendjen, eh”.

-Sikur the diçka?

-Jo. Thashë se …

-The se? Apo…, do të më thuash ndonjë gjë?

-Jo, sinqerisht nuk thashë gjë. Po ti nuk po bëhesh gati për punë?

-Do bëhem, dhe sot do të ikim bashkë. Thashë ta provoj këtë rrugën këndej, pastaj kam më shumë kohë sot.

-E kështu mirë. Mjaft mirë. Ikim atëherë bashkë. Por hajde bëhu gati.

-Gati jam. Ja shikoje çantën e kam gati, vetëm pallton do të vesh.

-Nuk lyhesh?

-Ja shpejt e shpejt, pak sa për të nakatosur pak sytë dhe ja, gati jam.

-Mirë atëherë, dhe unë gati jam.

Të dy bënë bashkë nga dera. Kapën dhe trenin e orës shtatë e tre minuta që të shpie në Qendër të Qytetit, pikërisht aty ku pastaj merrnin autobuzë të ndryshëm, ku duhej të shkonin në punë si gjithnjë të ndarë, ajo në shkollë e ai në Bankë. U përshëndetën dhe u ndanë.

Ai iku në autobuzin e tij të linjës, dhe si gjithnjë u gjend në orarin e duhur në zyrë. Instinkti gërryente një pjesë të ekzistencës së tij nga brenda. Kjo e bëri që pas pak minutash të ngrihej dhe të shkonte në tualet. Uli pantallonat menjëherë dhe u habit. Nuk pa asgjë. Fshiu sytë. Atë gjënë e gjatë e të kuqe si domate të shtrydhur nuk ia zunë më sytë. E uli kokën më shumë, por asgjë. Asgjë nuk kishte. Vetëm, ndoshta vetëm paksa pos syve, vendi ku ajo ishte shtrydhur, iu duk disi e kuqe. E menjëherë ngriti të brendshmet dhe pas tyre pantallonat. U gjend në tavolinën e punës. Dhe sa bëri të ndizte kompjuterin dikush e thirri me zë.

-Endri? Ju kërkon gruaja në hyrje të godinës. Në recepsion…

-Gruaja?

-Pse habiteni? Gruaja më thotë recepsionisti.

Dhe menjëherë bëri nga ashensori. Për gati pesë minuta u gjend pranë saj. E pa. E vështroi me kujdes. Nuk dalloi ndonjë shenjë të dyshimtë. Pastaj bëri të fliste…, por ajo iu afrua mjaft afër dhe nisi ta puthte në buzë.

-Më thuaj dhe mos luaj më me mua? Më thuaj?

-Çfarë të të them?

-Mos të dukem gjë e huaj?

-Çfarë po më thua?

-Ja po ta them dhe një herë nuk jam thjesht grua. Jam gruaja jote. Dhe ndaj shkurt po të them: Më thuaj!

-Çfarë të të them?

-Më thuaj si ndihesh?

-Mirë, fare mirë. Ja nuk më sheh?

-Atëherë, me mua shpejt... 

-E pse? Pse?!

-Sepse dua që të shkojmë tek doktori…

-Tek doktori?! Nga na doli kjo tani?

-Nga nata e mbrëmshme. Nga ajo që e dëgjova dhe e pashë si një film.

-Si një film?

-Po. Madje mjaft profesional, tamam interpretim, pa imitim.

-Për këtë lashë sot punën dhe ta dish mirë se kam qenë vetë më parë tek doktori….

-Ke qenë tek doktori? Si e bëre këtë? Pse?

-Ja, do ta mësosh menjëherë, sa të shkojmë atje.

Doktori i dëgjoi e i dëgjoi. I dëgjoi të dy. Në fillim Endrin dhe pastaj Bertën. Pastaj hoqi syzet dhe filloi t’i sqaronte të dy menjëherë.

Këtë javë po rishfletoja disa libra. Midis tyre libra të shenjtë si “Bibla”; “Kurani”; “Gita”; “Talamudi”… Dhe e dini se çfarë mësova? Mësova se në një individ në kontekstin e një marrëdhënieje të ngushtë me një person tjetër, zhvillohet pa u kuptuar një iluzion. Dhe ky iluzion rritet brenda kësaj marrëdhënieje në një keqkuptim, që ka brenda vetë iluzionit një mashtrim. Një mashtrim për sytë, për veten, për atë që tashmë është e vendosur sikur ndodh, ka ndodhur, apo do të ndodhë. Është pra një zbulim. Zbulimi është i ngjashëm në përmbajtje me atë të personit që tashmë ka mashtrimin e vendosur në vetvete. Çrregullimi nuk llogaritet nga ndonjë çrregullim psikik, efektet e drejtpërdrejta janë fiziologjike dhe krijohen prej një substance, apo nga një gjendje që quhet e përgjithshme mjekësore. Dhe kjo zakonisht shihet në marrëdhëniet mes dy njerëzve. Dhe me ndarjen midis dy njerëzve, iluzionet zhduken.

Doktori mori frymë thellë, sikur donte të çlirohej nga një makth dhe ua nguli sytë të dyve që e dëgjonin me vëmendje. Pastaj vazhdoi sërrish…

U kujtova se kisha mbajtur shënime. Ndërsa po rilexoja shënimet e mia pashë se asgjë nga kjo nuk kishte të bënte me çrregullimin psikik, por kishte lidhje tek dashuria. Dhe e pashë përfundimisht, se nëse aplikojmë këto kritere diagnostikuese, kuptojmë se jemi gabim nëse nuk gjejmë efektin se lidhja mes dy personave aq shumë me njëri tjetrin është më shumë se sa të ribiesh në dashuri. Pas kësaj shkova tej disa pyetjeve dhe tek të gjitha pyetjet, rileximi i librave më jepte një përfundim. Askush tjetër nuk e ndan besimin tek ekzistenca dhe mosekzistenca, vetëm dy njerëz në marrëdhënie të mirë dashurie, gati të çmendur.

Doktori u ngrit nga vendi dhe iu drejtua dritares gjysëm të hapur nga gjelbërimi rrethues i godinës dhe vazhdoi të fliste disi i përhumbur. Dhe kur personi tjetër në këtë duet dashurie, ndan këto besime në forma të pavetëdijshme, a duhet të kuptojmë se po fsheh një mashtrim? Apo po bie në dashuri i diktuar nga një çrregullim i përbashkët psikotik?

-Doktor?! - ndërhynë gati të dy njëzëri. Dhe pastaj i hodhën një shikim njëri-tjetrit me një të drejtëpërdrejtë të syve.

Doktori buzëqeshi lehtë dhe sërrish vazhdoi, duke folur tashmë në këmbë para të dyve…

Ja, pra përfundimisht, kjo i riplotëson të gjitha kriteret. Ja pra, pse ky mashtrim, kjo fshehje e një anomalie në shpirt, e një ndjenje, e një dukurie të trishtë, tek personi që e do shumë çfarë krijon. Ai mashtrim është më shumë se dashuri. Nuk është shqetësim! Pra kur një mashtrim është i tillë ne mund ta quajmë mjaft mirë, pa u mekur, një folie à deux, një dashuri e çmendur.

 

*Shënim sqarues për titullin: Folie à deux (frëngjisht për 'çmenduri e të dyve'), e quajtur edhe psikozë e përbashkët ose çrregullim deluzional i përbashkët (SDD), është një sindromë psikiatrike në të cilën simptomat e një besimi deluzional "transmetohen" nga një individ te tjetri.

19 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page