top of page

Tregim nga Fatmir Terziu: Fatet e gomarëve


Fatet e gomarëve

Tregim nga Fatmir Terziu

 

Nëse dikush shkon në perëndim nga Maja e Bardhë, do të kalojë pranë bunarit të Shaban Ustait. Ai është i madh, i gërmuar në tokë, dhe jashtë tij i gjerë, me plloça të mëdha dhe me gjashtë koritë, që gratë të lajnë dhe të zbardhin teshat. Poshtë, bariu ka lënë një livadh të gjelbër për të bërë sexhde. Kur gjyshi ishte djalë dhe rastësisht ngrohej nga kallamja e Shaban Ustait, i pëlqente të çonte gomarin e tij nëpër ato plloça, që gratë të bërtisnin e të shanin. Ndodhi që gomari u ndal dhe bëri dëmin më të madh duke i shkrafanjitur me dhëmbë teshat e vendosura nëpër plloça dhe duke gëlltitur copat e sapunëve. Pastaj gratë e mbytën zonën nga britmat dhe dita u bë dy herë më e vështirë. Në mbrëmje, gjyshi kishte mjaft dhimbje, dhe nuk u ngrit për tre ditë. Por gomari e goditi vetëm një herë. Dhe ai ishte me fat. E mori gomarin e tërbuar që kishte gëlltitur sapunët e lënë nga gratë mbi plloça, e nën britmat e mëdha të grave, ai i hypi dhe…

-Kur bie nga gomari, pra nuk ngrihesh tre javë, e gjyshi yt, O Zani, qenka me fat, që është ngritur pas tre ditësh, dhe aq më shumë që e ka goditur një herë, dhe jo në ndonjë vend të keq... – ndërhyri Murati.

-Po, ore po. Ashtu është kur bie nga gomari. Po kur bie nga kali? – pyeti Kazaferi, ndoshta pa e kuptuar mirë thelbin e shpotive.

-Kur bie nga kali, është si të biesh në dyshek. – foli më pas Bastriu. Një herë, më kujtohet se ishte vjeshtë, gjyshi solli një kalë të ri. Por ai ishte fluturues. Jo për plugim, por për t'u mbërthyer në kabriolet. Gjyshi ishte një djalë dhjetëvjeçar, por tashmë i njohur në të gjithë fshatin. Duke parë shtjellën qiellore, këmisha i dridhej. Ai ndjeu sikur brekushet e tij po preknin qiellin, dëgjoi erën që të përkulte çdo gjë në fushë. Ishte në një botë tjetër, kishte humbur tutje thellë ku vinin erë livallet e mbushura me luledele. Dhe pasi u kujtua, e pa veten se kishte rënë poshtë në një zgarkë… Kali i qëndronte mbi kokë.

-Kam rënë unë një herë nga kali, dhe ai rrotullohej pas meje deri sa u ngrita. – ndërhyri Kazaferi.  

-Ore, ki kujdes të themi tani, se mos rrëzohesh nga gomari! – i foli afër veshit Bastriu.

Bastriu e dinte se Kazaferi kishte vendosur të kthehej në shtëpinë e tij në fshat dhe kishte blerë me këtë rast dhe një gomar… Por, të gjithë sa ishin lanë filxhanët dhe sytë ia drejtuan ekranëve të mëdhenj që mbushnin muret e „Skampës“ së Kalasë, ku filluan lajmet dhe kryefjala e atyre ditëve ishin gomerët...

***

Në atë vit Edicioni i Disidentëve i propozoi grupit “Miqtë e Shqipërisë” në Angli një projekt modest në interes të gomarëve. Me këtë rast prej gomarëve do të përfitonin edhe mushkat e kuajt, sepse nëpër zyra pëshpëritej, se do t'u vinte në ndihmë edhe kuajve dhe mushkave të Shqipërisë. Në një vend ku veterinerët dhe veterineria, sidomos shërbimi i saj janë shumë pak, thuhej në qarkoren zyrtare që qarkullonte dora-dorazi në mjediset e Këshillit të Rrethit të Elbasanit duhet një sy më shumë për këtë punë. Në të njëjtën kohë në Elbasan, në afërsi të ish Spitalit të vjetër Obsetrik-gjinekologjik një grup Norvegjez, kishte marrë përsipër të plotësonte këto mangësi në dobi të veterinarisë shqiptare. Në Mollas dhe në Shirgjan të Elbasanit ky grup kishte anoncuar një shtysë të projekteve në dobi të lopëve. Ndërsa projekti i gomarëve, kuajve dhe mushkave ishte piketuar për zonat malore, ku mendohej se kjo kafshë ngarkese duhej trajtuar më mirë, pasi zëvendësonte transportin e munguar në ato anë. Projekti ishte menduar nga Tirana të fillonte në Funar, për të cilin kryetari i Komunës ishte njoftuar edhe me shkrim, por ai përfundoi në Gjinar. Si rezultat i kësaj inisiative dhe e fondeve të Edicionit të Disidentëve, paratë u derdhën nga sekretari dhe organizatori i FOA-as, zonja Primrose Peacock. Veterinerët nga Anglia, dhe Austria afruan humanisht ndihmën e tyre pa asnjë shpenzim dhe në të njëjtën kohë SPANA, shoqëria për mbrojtjen e kafshëve në botë, sponzorizoi veterinerët e Skocisë dhe afroi literaturë në shqip, mjete dhe medikamente. Karitasi Britanik, The Donkey Sanctuary, refuzoi të ndihmonte projektin.

Njoftimi erdhi së pari në ambientet e Televizionit, pastaj iu dha edhe gazetarëve të mediave të tjera. Në të njëjtën kohë, një lajmërin në shqip ishte i pranishëm edhe në zyrat e Prefekturës së Elbasanit ku thuhej: Zyra e Diaconia Agapes, në bashkëpunim me organizatën angleze BESA: Miqtë e Shqipërisë organizon në zonën e Shpatit Projektin 'GOMAR'. Tre specialistë nga Anglia, Zelanda e Re dhe Austria do të trajtojnë kafshët tuaja të punës (gomerë, mushka, kuaj) për probleme të ndryshme që kafshët mund të kenë si probleme me thundrat, dëmtime nga samari probleme të gojës etj. Jeni të mirepritur më DATË 10 TETOR 2000, ORA 9.00 në Gjinar”. Lajmërimi postohej dhe shpërndahej nga Diakonia Agapes.

Kështu nga 9-13 tetor 2000, veterinerët dhe ndihmësit e tyre, shqiptarë dhe të huaj punuan dhe folën në rreth pesë fshatra të rrethit të Elbasanit. Ata ishin në Balëz, Gjinar, Gjergjan, Thanë dhe Papër. Ata u ndihmuan nga një staf veterinerësh nga Elbasani dhe Tirana dhe nga dy punonjës të (Diakonia Agapes: „Service of Love“ (Shërbimi i Dashurisë)) në Gjinar. Mjaft të interesuar për kafshët e tyre, gomarë, mushka e kuaj afruan kafshët në shërbimin e afruar dhe u ndihmuan me mjete mjekësore, këshilla dhe ndihmë reciproke. Shërbimi ishte i organizuar shkëlqyeshëm dhe fliste për korrektësi dhe disiplinë. Ai fillonte në orarin e duhur dhe vetëm punohej, nuk kishte orar mbarimi. Përshembull në Gjergjan, ku ne asistuam me kamerat tona të televizionit, u deshën të ndizen edhe dritat natën të mbaronte trajtimi i kafshëve të ngarkesës. Veterinerët kontrollonin kafshët për sëmundje, dhëmbët e tyre dhe për parazitë në trupin e tyre. Përpos këtyre bënin edhe shërbimet përkatëse. Vendasit morën këtë eksperiencë prej të huajve dhe të huajt morën prej vendasve një mesazh bashkëpunimi me interes për qëniet e gjalla edhe në kushtet që ata ishin. Ata gjetën, pra vendasit dhe të huajt dyfish eksperienca.

Mirëpo këto eksperienca sollën edhe xhelozi. Në disa fshatra, sidomos në fshatrat afër Elbasanit filluan të shtohen gomarët…

***

Lajmi i kishte lënë të gjithë ata që mblidheshin mëngjeseve tek „Skampa“ me sytë nga ekrani.

-Eh, o Bastri, eh, erdhi përsëri koha e gomarëve. – foli duke gjerbur kafenë Murati, njeriu rreth të cilit mëngjeseve mblidheshin të gjithë ish-punëtorët e Ndërmarjes „Rruga Ura“ që të kalonin dy a tre orë e të bisedonin si dikur, sepse tashmë ishin pensionistë dhe…, koha nuk ishte e zënë si asokohe.

-Po ore po, e pashë dhe e dëgjova në Televizion mbrëmë, e me sa duket po ripërsëritet edhe tani në mëngjes. Këtu duan t'i kënaqin ata që i urrejnë gomarët dhe zemërojnë të tjerët që i duan. – shtoi Murati.

- Po kush i ka dashur gomarët? E kush i do sot? – ngriti filxhanin Kazaferi, dhe shtoi, - Sot njeriu e do veten, makinën, fëmijët, ... Dhe një herë e një kohë...

- Në fakt, dikur gomarët nuk ishin aq të nderuar, gomari do të thoshte njësoj si sot, një memec, i paaftë, i lig. – ndërhyri sërrish Murati.

- Ne jemi njerëz të malit e të fushës, - tha Kazaferi, - Në shtëpitë tona, asgjë e kotë nuk kalonte nga porta, veçanërisht një gomari.

- Po, ore Kazafer, po, - ndërhyri më i urti Zani, që fliste pak, por që i mbante mend shumë gjëra nga e kaluara e gjyshit të tij dhe i nxirrte si shpoti të bisedave, - Nëse mësoheni të hipni në gomar, do të dukeni si i tillë dhe nëse ndodh që të hipni në kalë, do t'ju duket marramendje.

-Aha, - ndërhyri Murati, ndërsa të qeshurat vazhdonin, - po këto gomerë që shikoj në këtë ekran, ngjanë si pulishta, more. Po nejse, gomerë janë, gomerë, de. Kafshë, si të thuash…, edhe ato kanë shpirt.

- Ja pra që fole tamam, o Murat. E vazhdoi bisedën Kazaferi. - Një kafshë është si një njeri, një njeri që lind për respekt, një tjetër për një shkelm.

- Ede, e … ashtu, ashtu. Miratuan gati njëzëri.

- Gomari është gëzimi i ciganit, një mik i qenit dhe një ... Më saktë për këtë do tu tregoj si më ka rrëfyer gjyshi - përsëriti Murati.

***

Ata tashmë janë në rrugën e tyre. Gomari ecën, Gjyshi është duke udhëtuar mbi të. Në dorën e tij ka një thupër, që i arrin deri te veshët. Këmbët e gomarit janë të tendosura, ritmi është i barabartë. Por gomari nuk do që shkopi ta godasë, vetëm ti afrohet hija e tij aty afër nga veshët. Ai tund kokën dhe përpëlitet. Gjyshi tërheq zinxhirin dhe e kthen shkopin në anën tjetër. Kthen përsëri kokën, bën një kthesë përsëri. Kështu duket se ecën në treshe dhe diku edhe në tetëshe.

Nëse dikush duhet të kalojë nëpër një gropë të rrugës, ose një kanal, kafsha frikacake zvogëlohet, zvogëlohet dhe papritmas hidhet sipër. Shikoni këmbën tuaj! Përsëri në kurriz të tij, përsëri luftë dhe ikje. Dhe nuk e mban atë gomarin, vrapon me vete, dhe gjyshi ngrihet dhe dëgjon erën që turfullon nga larg.

Kafsha ngriti veshët, fryu gjoksin dhe pasi pluhurosi me një bisht të ngritur dhe duke e tundur fort vrapon nëpër ugar dhe shkon në arën me jonxhë. Përpëlitet. Ha diçka. Nuk ha, nuk prek qepët, hudhrat, … grindet me mizat që e bezdisin, kthen kokën dhe është i lumtur, i lumtur, se pas pak do të shohë, miqtë e tij, kushërinjtë, të afërmit e tij, gomarët e atij vendi pranë varrezave. Aty është rrënja e tyre, Varri i Shenjtë, aty është si një disko për ta. Asgjë që është e konsumuar dhe e gërvishtur, se është e njëjta kohë dhe ende u vjen era e aroma e qirinjve të padjegur. Por liria, vëllau, barazia, intimiteti njerëzor nuk u duhen gomerëve. Nuk i duhen as gomarit të gjyshit. Gomari… Ai nuk do të jetojë vetëm për bukë. Rreth varrezave ka gjithmonë njëzetë veshëgjatë, të martuar dhe të divorcuar, beqarë, të lodhur e të raskapitur, gomerë të harruar e të përkujtuar. Aty është Parlamenti i gomarëve, ndoshta më i papërmenduri në kohë të kohërave. Aty gungojnë, gërhijnë, ulërijnë, trokasin, ndjekin, kafshojnë, shkelmojnë, i ofrojnë dashuri njëri-tjetrit.

Zoti dhe Mbreti Solomon e dinë se për çfarë po flasin, për çfarë ankohen dhe çfarë po mendojnë, ata, pra gomarët e atij vendi, vetëm për ne njerëzit. Ne qeshim me ta, i pështyjmë, ua atribuojmë cilësitë tona, ata na habisin mendjen dhe qeshin me ne dhe bëjnë shaka me ne njerëzit, ndoshta shkruajnë në mendjen e tyre përralla e fejtone, e ndonjëherë histori të trishta, por të vërteta, që i lidh e anasjellta. Njerëzimi është fajtor për gomarët, nuk ua dëgjon zërin, nuk i sheh sytë, nuk e ka ndjenjën e korit polifonik të veshëve të gjatë. Jam i sigurt se gomarët po shohin të tronditur zhdukjen e livadheve dhe pyjeve, tharjen e burimeve, helmimin e barërave. Edhe gjembaçët, që atyre u jepnin shijen e mjaltit po zhduken dhe në vend të tyre po mbesin ato gjëmbat e thata, administrative, që nuk marrin erë, nuk ushqehen, por nëse thumbojnë, rrjedhin gjak.

Po gomari i Gjyshit ishte ndryshe. Ai e kishte shkruar vetë fatin e jetës dhe të ikjes së tij. Ai vdiq si pak gomarë të tjerë. Ndoshta si asnjë më parë! Vdiq nga pleqëria, në livadhet e vendlindjes, në mesin e tij. Gjyshi gjithnjë e përmendte me lotë… Eh, shtonte ai, e pata thënë unë, e pata thënë, lëkura e tij nuk do të bëhet daulle, kockat e tij nuk do të zhvishen, kafka e tij e dhëmbëzuar nuk do t'i trembë sorrat, as qentë nuk do të tërheqin zvarrë copë nga trupi i tij i ikur....

Ky ishte një ngushëllim për gjyshin, për meritën e tij ndaj atij gomari në jetë të jetës. Kafsha kishte punuar, kafsha e kishte ndjekur, ama edhe e kishte rrahur, edhe e kishte sharë, fundja të paktën për të pasur një fund të nderuar.

Murati e përmendi përsëri së fundmi dialogun e gjyshit me gomarin, kur i pati pëshpëritur: „Po të ishe njeri, nuk do të ishte aq i zgjuar!“. Dhe unë e pyesja gjyshen në kërshëri e sipër.

„Gjyshe, pse e urrente gjyshi, gjithnjë gomarin e tij?“.

„Ai u rrit me kuaj“. Asnjëherë nuk kishte ndërmend ta kalonte jetën me gomarë... Hakmerret..., se nuk ia dëgjonte asnjëherë fjalën. - më thoshte gjyshja.

„Por gomari vdiq me vdekjen e tij, apo jo?“ – pyesja përsëri.

„Mirë që nuk e vrau! E ku merrte vesh gomari se si janë punët e kalit…“ – psherëtiu Gjyshja.

„Gomari mund të kishte jetuar më gjatë nëse gjyshi nuk do ta kishte kujtuar se ai vazhdonte të ishte gomar edhe pas aq vitesh investimi për të, për ta bërë kalë! Fundja a bëhet ndonjëherë gomari kalë?“

 
 
 

5 Comments


Guest
Jan 09

Shpresa Fundo Gjergji

Sa e bukur, urime!

Kenaqesi te lexosh tregime te tilla. Respekte prof. Fatmir Terziu!

Like

Guest
Jan 09

Ylli Pollogati

Bukur..

Suksese pa fund!

Like

Guest
Jan 09

Petrit Dano

Eshte mire nga te gjithe gishtat qe jane gishta po njelloje nuk jane ,te shkruaj me gishta mendja e shkrimtarit ta ndjeshe kenaqesine ne shumice shkruajne gishtat pa mende prandaj quhen gishta.

NDER RESPEKT PER JU DHE PENEN TUAJ

Like

Guest
Jan 09

Fatmir Terziu

Ramazan Hushi Faleminderit për leximin dhe më së shumti për thelbin e komentit tuaj. I dashur Ramazan, unë gjithnjë pajtohem me artin e tëshkruarit, me atë art kur thellësia e mesazhit ënuk është thjesht galeri e alegorisë, por një gjuhë e letërsisë, dhe me përdorim të gjuhës alegorike, pra jam më së shumti që tregimi i shkurtër duhet të përdorë gjuhë alegorike, kur bëhet fjalë për të tërhequr lexuesin në një shkallë më lartë e më profesionale leximi. Edhe në ato raste kur gjatë tregimit ndodh „të goditet me shkelm jorgani i mesazhit“, pra të zbulohet alegoria, duket se ka një shans më të ngushtë me atë që e shtron dhe e mbulon mesazhi nga gjuha dhe stili…

Like

Guest
Jan 09

Ramazan Hushi

Tregimi me pelqen: ka nje subjekt te thjeshte ne dukje, por mbi shtratin e nje allegorie, e cila ne ndonje rast na. duket krejt e zbuluar, ky tregim merr vlera te vecanta, artistike dhe ideore. Me pelqen menyra e te rrefyerit, me finese, me plot nota nga humori yne popullor, nga ai lloj, qe na ben te qeshim e te qajme njekohesisht.

Pergezime, Fatmir Terziu!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page