-tregim-
“Kur të duash, shikojmë bashkë për një palë këpucë të tjera.”
Me tërë dëshirë ia tha këto fjalë. Tek e fundit ishte njeriu që vazhdonte të gëzohej e mundohej bashkë me të. Edhe pse po aq e vërtetë ishte se nuk ia harronte dot këmbënguljen për t’i blerë doemos këpucët që ia zuri syri befas në vitrinën e një aeroporti. Gjatë tërë kohes më pas kishin ndodhur plot gjëra të gëzuara, për të dy bashkë, por s’ia fshinë dot nga mendja ‘këpucët e aeroportit’.
- Shkojmë e shohim për një palë të tjera, edhe pse kam idenë se ke blerë së fundi.
- Ti thua se kam këpucë tepër?!
- Nuk thashë atë…
- E ke fjalën te këpucët e aeroportit, përpara shtatë vjetësh?!
- Jo, nuk i mendova ato, por pak rëndësi ka…jam unë gabim!
- Nuk je gabim por s’kupton dot kurrë që ne femrat, edhe më të kamurat, me rafte këpucësh të gjithë stinëve e llojeve, të gjitha adhurojmë një palë këpucë të tjera që ende nuk i kemi!
- Arrijnë t’i blejnë por edhe kur ndjejnë se i vrasin, nuk bëjnë zë?!
- Po pra, edhe pse i marrim me provë, nuk e këmbejmë admirimin me vrasjen e gishtave!
- Edhe pse na vrasin, i ruajmë këto këpucë, diku, se na shkon mendja t’i provojmë dikur, edhe pse e dimë se dhimbja aty fshihet, diku në to, edhe pse plagët i kemi të pa-mbyllura mirë…
- Vetja, nuk ju dhimbset vetja...?!
- Pa fund, por s’rrimë dot pa admiruar! E mbajmë gjallë dhimbjen me shpresën se herën tjetër mund të mos na vrasin, ose do mund t’i durojmë sa të kthehemi nga atje për ku u nisëm të dukemi me këto këpucë!
Tërë sa thotë zonjë e tij, dhe gjithë sa mendon ai, janë të vërteta. Si gjithë burrat, e ka parë edhe ai të bekuaren e vet kur mezi kthehet deri te makina, te stacioni urban, ku nxjerrin këpucët rezervë. Në të vertet, rezervat s’janë këpucë. Janë thjesht sheshka, nga ato të butat fare, më shumë shëmbëllejnë me pupat e fëmijëve, papuçet, a me këpucka kukllash. Të tëra gratë i kanë të gjitha brenda çantave të dorës. Çfarë s’mbajnë, një-mijë-skutat e tyre, ta merr mendja një palë sheshka, edhe kur besimi për mos-përsëritjen e plagëve të fundit është ende i fortë. Zor gjendet burrë të mos e dëshmoj këtë kalvar të zonjës së tij...
Prapë e sërish, burrat, tërë burrat e botës, kurrë s’arrijnë, s'e marrin me mend, sa e thellë është mirënjohja dhe falënderimi i zonjave të tyre për këto sheshka të urta e të pa-goja....
Sidomos ato orë të rrepta zhvokshje lëkure, dhimbjesh e mallkimesh. Vetem më në fund kur plagët janë mbështjellë me leukoplast apo thjesht me karto-peceta, qetësohen këmbkat e zonjave te tyre kur futen në sheshkat që, sado për shkurt, janë ato të admiruarat tashmë!
‘Vetëm sheshkat janë për ty, moj shushkë’, i thotë vetes edhe zonja në fjalë.
Tërë zonjat e burrave të tërë botës, këtë zhargon përdorin. Kerkon të dukesh ajo që s’je, moj qyqe, kur as një palë këpucë s'di të zgjedhësh për veten tënde! Atëherë mbaj sheshkat, sheshkave gëzoju! Ç’do bëje pa to?!”
Sa e sa herë i kanë dëgjuar zotërinjtë e tyre, por i marrin si qaravitje grash, shprehi të zakonshme të llojit njerëzor që s’e ka atë valvulën te gryka për ta vonuar sado pak fjalën. Ende e kanë zor, në mos të pamundur të arrijnë ta mendojnë: ç’janë vërtet sheshkat për to.
Gratë e ketyre momenteve janë gati t’i flakin këpucët e admiruara, ‘kurrë s’kemi për tu provuar më’, ua thonë me zë këpucëve, që tu dëgjohen fjalët edhe nga burrat, që ata tua kujtojnë më pas- si një premtim të dhënë pa shtrëngesë. Edhe pse ato janë të sigurta se, as këtyre momenteve, burrat s’janë gati për flakjen e këtyre këpucëve! Se janë blerë shtrenjtë dhe pa dëshirën e tyre! Dhe se ende nuk kane marre ndjesen per paralajmërimin si mundësi përgjakjeje…
Arrijnë në shtëpi, më në fund dhe, punë të parë, i nxjerrin kepucet nga çanta. Të mos fyejnë veten për ngulmin dikur për t’i pasur doemos, në vend t’i hedhin direkt në plehra, ua gjejnë përkohësisht një vend sa më të fshehtë diku në thellësi të rafteve të këpucëve, të mos i shohin me sy, së paku për ca kohë...
Mbase u ndodh sërish t’i shohin, pa dashje, ditë tjetër, o prapë pa dashje tu shkoj mendja për to, edhe pse do përpiqen tu jetë sa më e largët ora, dita, koha kur do të vendosin t’i flakin për gjithnjë. Në shoqëri me ndonjë mikeshë vërtet të mirë, e shkojnë ndërmend tua falin këtë version vrastar këpuce, por e shtyjne per me tej këtë akt- për deri atëherë kur të jenë gati tua dhurojmë pa mëdyshje. Se, për t’i hedhur jo, gjynah, mëkat! Ato ah-e dhe uh-et lënduese, plagët e lotëve kanë ndodhur dikur, një herë e një kohë!
- Ç’të bëj zotëria i saj me këtë grua?!”, i avitet ai keq-ardhës, nënqeshje-fshehur.
- Atë që bën çdo ditë gruaja me burrin që e admiron dhe e do, por që e lëndon pa dashur!
- Ku janë, pra, këpucët e aeroportit t’i hedh vet dhe le te shkojmë te dy për një palë të tjera!”, kërkon t’i gjendet ai, pa ditur si tjetër.
- Nuk ndodhin thjesht në dashje këto, s'porositen këpucët që lëndojnë në dashje! Shfaqen vetiu, në llojin e vet! Nuk zgjidhet dhimbja, shkohet për tek ajo!
Për një moment të vetëm dëshmie te tille, zotërisë së saj i shkon mendja të heq një paralele të dëlirë, krejt të pafajshme. Mbase burrat e mirë, vërtet të mirët - siç e mban veten edhe ai, janë si sheshkat! Sheshka le të bëhen, pse jo, që zonjat e tyre, të bekuarat për kaq pak gëzime të lëndueshme, të mund të gëzohen, me kaq pak-o-gjë që e arrijnë kaq shtrenjtë...
E shkon ndërmend këtë shëmbëllim, por nuk e bën dot zëshëm. "Ma mbyll gojën Zot, kur s’kam për të thënë gjënë e duhur...", arrin dhe e këshillon veten, në momentin e fundit.
Commenti