top of page

Tre poezi elitare nga Fatmir Terziu


HARRESA

Nga Fatmir Terziu

 

E ka lënë furçën vëllai im bojaxhi,

pompën e fryn në ajrin e pastër gëlqere

të bardhë,

pret të harroj përsëri,

pomadën e një reklame të madhe,

për murin e vjetër sa shpina ime,

që ngriti gurin e parë,

dhe e vuri në qoshen që babai e kishte piketuar,

vite e vite me radhë.

Mesele harrese

poshtë një nënkrese

gjumi

si dëshirë e madhe rikthehet 360 gradë

në vëmendje,

më zgjon të harroj

copat e arnuara të një ëndrre.

Tjetri pret të shukatet në harresën time

ku kërkoj,

kërkoj nëpër albume si lypësi nëpër kosha

thërrmoj e thërrmoj,

trosha,

që të ushqej kush më ka ushqyer

harresën që e josha.

 

PLAZMA E KAFESË

Nga Fatmir Terziu

 

Bredh hunda ime e shastisur. Objekti

bëhet më i rëndësishëm se subjekti

me bulbla të lëvizshëm,

në kaftinën e shtruar,

urim e ngushëllim

tymi cigaresh.

Hyrja është pa vizë,

pa certifikatën e Gjëndjes Civile,

ajo grumbullzë e lagur,

materie e shkulur prej Amerikës Latine

nga trupi i kokrizës

më shqet qiellzën time,

për hir të ditës,

mendja lëviz mes errësirës,

të lexojë fate

që ulen e ngrihen si puna e minaresë,

dhe shenja. Dhe gunga, që ti i lexon inate

te plazma e kafesë.

 

PËR HIR TË DITËS

Nga Fatmir Terziu

Dhe Ti e sheh. E vështron kollaren time

derdhet shigjetë poshtë xhaketës sime.

Pjesë sublime e syve

brenda elegancës së kostumit. Më ysht

ajo ndjenja e lartësive,

ngritje dhe ulje,

trokitje,

dehje,

përkitje në zanafillën e një dite

demokracie,

trajtë e shquar dhe e pashquar lirie

për hir të ditës,

na prek qafuar të dyve.

Dhe shenjëzat një lloj ëmbëlsire

të dala për një çast

prej mendjes

nga blloqet e shumta të shënimeve,

karrigja, kolltuku, mikrofoni,

përkushtimi i dedikuar,

një kockë më shumë e Njeriut,

që pikturohet në muzgun e errësuar,

prej jugut drejt veriut,

prej lindjes, drejt perëndimit,

dhe gjithkush si Ai,

troket,

bërtet të bëhet më i forti përditë,

pas një hekuri tra që shenjon

ikje, ikje, ikje,

ardhjen askush nuk e di,

prej frikës, demokraci

pasi vetëm atje s'mendohet për ringjallje

për hir të ditës. Kush e di?!

18 views0 comments

Σχόλια


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page