Nga Mihal Gjergji
Shoqëria shqiptare mes traditës dhe civilizimit
Më ndiqni me kujdes. S’jam duke afruar një punim shkencor. Është një marrëveshje mirëkuptimi mes autorit dhe lexuesve të mi. Një sprovë, që guxon të trajtojë temën e vështirë dhe delikate të dashurisë; si koncept, si ndjenjë, si marrëdhënie njerëzore. Është njëlloj si të nxjerrësh nga prushi pataten e nxehtë dhe të durosh djegien përvëluese në duar. Një qasje psikologjike nxitur nga ngjarje të ndodhura, të cilat kanë prodhuar drama. Madje çdo dashuri është dhe fillesa e një drame të mëpastajme. Para do kohësh, një miku im, profesor i psikiatrisë më telefonoi për t’i shpurë një punim të tij rreth ankthit. E kisha redaktuar dhe shkova në studion ku punonte. – Kam një rast interesant, dëgjoje, më tha...Përballë nesh qëndronte ulur një grua rreth të dyzetëepesave. Me sy të mëdhenj, pamje krenare, gjokse të kërcyera, buzët mishtake gjithë lëng dhe veshje tërheqëse. Ishte nga një qytet në afërsi të Tiranës. Më shumë sesa trazim shpirtëror ishte në gjendje konfuzioni. Arsyeja e saj e kishte humbur fillin. Po çfarë rrëfeu ajo? Po ju sjell fjalët e saj, thënë ngadalë dhe përzier me një ndjenjë turpi. “Jam e martuar dhe kam dy fëmijë, njëri 20 dhe tjetri 22 vjeç. Jam martuar me shkuesi, po burri më do, më do shumë. Edhe unë e kam respektuar. Para gjashtë muajsh jam lidhur me një burrë tjetër të martuar, rreth pesë vjet më i madh se burri im. Banon dy-tre shtëpi matanë tonës, jemi afër. Ka një vit e gjysmë që i ka vdekur gruaja. Pres sa ikën bashkëshorti në punë dhe i shkoj në shtëpi. S’duroj dot pa e parë. Seksin që bëj me të s’e kam provuar asnjëherë më parë, është i jashtëzakonshëm. S’dua të ndahem prej tij, por edhe familjen s’dua t’a prish…” Nuk ishte thjeshtë dhe vetëm skllave e epshit seksual, ndjehej e dashuruar dhe këtë e pashë në fytyrën e saj. Dashuria të zbukuron. Energjia seksuale endet mes dy kahjeve; epshit dhe dëshirës për t’u ndjerë e dashuruar. Edhe ushqejnë njëra-tjetrën, sepse imagjinata e shpie njeriun atje ku mund të arrijnë vetëm ëndrrat. Nga cila forcë zotërohej kjo grua? S’mund ta quaj “zonjë”, sepse mosha që kam ma kufizon bujarinë e pamerituar. Ana shtazore (epshi) dhe ana njerëzore (ndjeshmëria) bëjnë duel të vazhdueshëm. Duhet ta themi; ndjehej e zgjedhur mes shoqeve bashkëmoshatare për të marrë këtë bekim për të cilin po flasim. Po kë duhet të dëgjonte për të hedhur hapat vijues; zemrën apo arsyen? Kishte trokituar atje ku duhet. Psikologu dhe psikiatri janë si frati me peshkopin, njerëzit ku duhen rrëfyer brengat. Po kush më siguron se paraprakisht ajo s’është konsultur me djallin, me idenë se duhet të gjejë një mënyrë të butë ndarje nga bashkëshorti, për t’u bërë zonjë në një tjetër shtëpi. Le të jetë kjo mënyra për të vajtur fjalët atje ku duhet, kështu ka menduar. Dhe argumentin e ka; vizita e dokumentuar te psikiatri, receta me barnat mjekësore, konfuzioni dhe gjendja e ankthit. Atëherë bashkëshorti do e mirëkuptojë, do e falë, shoqëria s’do e paragjykojë, sepse thuajse të gjithë jetojmë nën pushtetin e opinionit; çdo thonë bota? Madje, ne kemi dhe një portal televiziv me këtë emërtesë. Po çfarë është opinioni? E përcakton filozofia. Është niveli më i ulët i mendimit logjik njerëzor. Ushqimi për turmën amorfe që përfaqëson rreth 90 % të popullatës në çdo shoqëri. 10% projekton progresin, hedh idetë dhe lufton për ndryshimin, në të gjitha fushat. Gruaja për të cilën flasim dhe kategoria që ajo përfaqëson, s’meriton asnjë thërrime mëshirë. As respekti. Mjafton t’i guduliset pulpa nga një dorë mashkulli dhe braktis menjëherë misionin e shenjtë të nënës dhe bashkëshortes. Nga joshje të tilla turpëruese, nuse të reja kanë braktisur foshnjën e tyre të parë 2-3 muajshe, e kanë hedhur si amballazh në çimenton e ftohtë të banesës bashkëshortore dhe kanë ikur në kërkim të një “fati” më të mirë. Kur “kthehen nga Korça”- më kot shpresojnë dhe presin që ai fëmijë, tashmë në moshë pjekurie, t’u afrojë dashuri dhe t’u falë pendesën. Ka edhe raste të tjera, të cilat e përligjin ndarjen bashkëshortore. Para 20 vjetësh kam dëgjuar rrëfimin tronditës të një nëne. Po të ishte gjallë, me siguri do i kishte mbushur të shtatëdhjetat. Ishte nuse e re. Burri e donte por jo kunata. Eh, kunatat! Kjo e fundit thurte intriga dhe detyronte bashkëshortin e saj të provokonte ndarjen. Ngaqë ishte më i madhi në moshë, kunati filloi edhe ta torturonte fizikisht nusen e vëllait, gjersa një ditë i vendosi edhe vezë të ziera nën sqetull. Trupi i butë i një nëne mavijosej nga kamzhikët e barbarëve mesjetarë. E shkreta nuse ishte bërë dhe nënë. Kishte një djalë të bukur një vjeç. I ankohej burrit, i cili s’e kishte qëlluar asnjëherë me dorë, por ai kishte mbetur skllav i traditës. Vëllai i madh konsiderohej mëkëmbës i babait. Durimi u sos dhe ajo vendosi të ikte në derën e prindërve. Po me djalin ç'do bëhej? Ishte nën torturë; të rriste fëmijën e një fisi të ndyrë, apo ta braktiste atë? Ata do vinin për ta takuar, ata të pashpirtët që ajo s’donte t’i shikonte me sy. Atëherë vendosi t’ua linte atyre, atë ëngjëll të bardhë si bora. Jetonin në një kasolle, atje ku mbanin edhe stanin e bagëtive. I dha qumësht të birit, e veshi mirë, e vuri në gjumë dhe u përgatit për të ikur, po këmbët s’i bënin. Doli nga kasollja dhe bëri disa hapa. Ju bë se i biri po qante, i dëgjoi zërin. U kthye me vrap. Ai flinte. U nis përsëri dhe mbasi u largua aq sa kasollja nuk dukej, dëgjoi qarjen e të birit, por më të fuqishme. U kthye përsëri me ngashërimë. O perëndi! I biri ishte në gjumë të thellë. Pastaj e bëri zemrën gur dhe në ikje mbylli veshët… Familja e martoi sërish në një fshat të largët. Me të birin s’u takua më, asnjëherë. Atë e kishte frikësuar njerka dhe s’guxonte t’i afrohej nënës. Njerka u bë revani dhe s’e vuri njeri në gojë. Madje kjo frikë e shoqëroi gjithë jetën. S’i shkoi as në spital kur ajo u operua nga një sëmundje e rëndë, tridhjet vjet më vonë. S’i shkoi as në varrim. Ajo dha shpirt me emërin e tij në gojë, paçka se nga martesa e dytë kishte fëmijë të tjerë. Në martesën e dytë ditët përtypen si kau kashtën, kështu thotë populli. Braktisjen e fëmijës e pagoi me indinferentizmin e tij. Buza s'i qeshi kurrë. E gjora grua! Ndodh që njeriu të përfundojë si lodër në duart e fatit. Ajo kishte personalitet dhe ky i fundit s’mund t’i hiqet njeriut si Krishtit këmisha e grisur para kryqëzimit. Martesat e pastudiuara janë të prirura të dështojnë. Viktima të traditës kanë mbetur shumë çifte, janë prishur familje dhe fise të mëdha, janë krijuar konflikte dhe gjakderdhje. Sociologjia synon të ofrojë modele civilizimi duke parë jo individin, por shoqërinë si një organizëm i vetëm. Pa ngurim e quaj absurditet atë ngulmim që shpërfill pashpirtësinë e manifestuar nga shoqëria njerëzore. Psikologjia studion individin si qënie autentike dhe sjelljen e tij në raport me të tjerët. Po a mund të lexohet brendia e njeriut sikurse bëjmë me një libër? Mund të operojmë thellë brenda subkoshiencës së tij, ndërkohë që shpirti mbetet përherë i paeksploruar, sepse njeriu shumë gjëra s’guxon t’ia thotë as vetes, jo më të tjerëve, kushdo qofshin ata. Shoqëria shqiptare përjeton krizat më të thella, endet e çorientuar mes traditës shekullore dhe civilizimit imponues...
P.S: Fragment nga libri "Traktat për dashurinë" 110 fq. Pres dorën bujare të ndonjë adhuruesi arti për ta botuar. Ngjarje të ndodhura në kohë e treva të ndryshme. Gra shqiptare dhe të huaja të braktisura nga "krenaria" mashkullore. Besa, që e predikojmë aq shumë, jep shpirt nën këmbët e këtyre zonjave.
Comments