top of page

Tragjedi në Maqedoninë e Veriut! Të paktën 51 persona të vdekur si pasojë e zjarrit në një klub nate



16 Mars, 2025 08:44

Të paktën 51 persona kanë vdekur në orët e vona të natës në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, kanë thënë autoritetet maqedonase për agjencinë e lajmeve MIA.

Numri i të plagosurve nuk dihet, por një pjesë e tyre janë transferuar në klinikat në Shtip dhe Shkup.

Autoritetet ende nuk kanë treguar se si është përhapur zjarri dhe çfarë e ka shkaktuar atë.

Sipas mediave lokale, zjarri është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga bendi maqedonas DNA. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me njerëz.


Mediat lokale kanë thënë se pas shpërthimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë arritur zjarrfikësit, ambulanca, dhe zyrtarët policorë.

Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.

“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim të Krizave, Stojançe Angellov ka bërë të ditur se është në Koçan, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pançe Toshkovski dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.

Autoritetet kanë thënë se do të deklarohen më vonë gjatë ditës.


____


Kryeministri: Ditë e trishtueshme, qeveria është plotësisht e mobilizuar

 

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski ka reaguar në rrjetet sociale për zjarrin e tmerrshëm në Koçan të Maqedonisë së Veriut që la pas 51 viktima. 

Ai shprehu dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet për familjet e të ndjerëve, duke bërë thirrje për unitet dhe mobilizim të institucioneve për përballimin e plotë të pasojave.

Tragjedia në Maqedoni të Veriut, Rama: Të gatshëm për çfarëdo lloj ndihme! Begaj: I tronditur! Spiropali: Kurajo popullit maqedonas

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për tragjedinë e tmerrshme në Koçan. Kjo është një ditë e vështirë dhe shumë e trishtueshme për Maqedoninë. Humbja e kaq shumë jetëve të të rinjve është e pariparueshme dhe dhimbja e familjeve, të dashurve dhe miqve të tyre është e pamatshme.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski
Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski

Mickoski theksoi se Qeveria dhe institucionet do të bëjnë gjithçka që është e mundur për t’i ndihmuar familjet e prekura.

“Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe familjeve të të ndjerëve forcë për të përballuar këtë humbje të paimagjinueshme”. “Populli dhe Qeveria do të bëjnë të pamundurën që të paktën t’ua lehtësojnë sadopak dhimbjen”.

Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente, përfshirë shërbimet shëndetësore, policinë dhe autoritetet lokale, që të marrin masa urgjente në mbështetje të viktimave dhe familjeve të tyre.

“Qeveria është plotësisht e mobilizuar dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përballuar pasojat dhe për të përcaktuar shkaqet e kësaj tragjedie”. “Pas marrjes së të gjitha informacioneve, do t’i drejtohem publikut me më shumë detaje për hapat e ndërmarrë”.

“Në këto kohë dhimbjeje të thella, kur zemrat tona janë thyer nga kjo tragjedi e tmerrshme, bëj thirrje për unitet, solidaritet, humanizëm dhe përgjegjësi. Zoti qoftë me familjet e viktimave, të lënduarve dhe me gjithë popullin e Maqedonisë”.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page