top of page

TOKA JONË E BEKUAR


Vullnet Mato

Vullnet Mato


(Poemë)

Toka, më e shtrenjta,

nga gjithë pasuritë,

meriton më të madhen,

nga gjithë dashuritë.


Tokën tonë të pjerrët,

oaz mes shkëmbinjve,

kemi medaljon floriri,

mbi zemër, mes gjinjve.


Tokën na e mbollën

pushtuesit me hekur,

erdhën të na vdesin,

mbetën vet të vdekur


Këtu kështu ka ndodhur

nga kohët më të lashta,

bëmë plugje, parmenda,

me heshta dhe shpata.


Sot kjo tok’ e shenjtë,

s’duron tanke të huaj,

veç traktor, kombajna,

plugje, me qe dhe buaj.


Kur toka vesh ngjyrat

për mbjelljet në maj,

duket si në dasmën

e kurorëzimit të saj.  


Qielli i tund shamitë,

me re të bardha lart,

shiu hedh kokrra oriz,

dielli, dritën e artë.


Feston gjithë natyra,

ushton hare e madhe,

vetëtima djeg shami,

dhe oshtijnë malet.


Toka nuse e begatë,

shtatzënë gjithë jetën,

pjellorinë e saj,

s’e bën nuse tjetër.


Në barkun e dheut

rrit gjelbërimin,

toka bëhet nënë,

dhe na lind gëzimin.


Toka shpirtmadhe,

gazmon si i gjalli,

rrudhat e çdo brazde,

na bën kurorë te balli.


Piqet misri e gruri,

era flladit kallinjtë,

tej shtëpitë e bardha,  

bëjnë gati drapërinjtë.


Toka gjallon njerëzit

gjallon krejt bagëtinë,

na shëron sëmundjet,

vuajtjet dhe urinë.


Dhe kur kemi halle,

dëshpërim të madh,

gjithë helmin idhnak

na e kthen në mjaltë.


Po e lamë djerrinë,

rrit barishte e ferra

që t’u zgjatë jetën,

gjallesave të tjera.


Toka thërret njerëzit,

në kurbet ku shkuan

që punojnë tokën,

në vendin e huaj;


Mos lënë këtë tokë,

si vejane të urtë,

për të jetuar larg,

me toka mantenutë.


Mos të lënë shterpë,

tokën te shtëpia,

sa t’i zënë frymën,

barishtet e këqija, 


Se mbulohen varret

me ferra e gjemba,

s’kanë ku vënë lule,

motrat dhe nënat.


Kur nuk mbjell njeriu

për gra e çiliminj,

toka mbjell vetveten,

për breshka e zhapinj.


Edhe dielli e shiu

e humbasin vlerën,

po nuk i thith toka,

t’i bëj’ bukë për njerëz.


Për kufijtë e tokës

shekujve u shuam,

prapë nga toka lindëm

dhe u trimëruam.


Të gjallët te lastarët,

të rënët te rrënjët,

përgjërojmë zemrat,

drithërojmë këngët.


Ndaj, o djema, bota

është ku keni tokën.

Te toka keni nderin,

keni të gjithë botën.


Se dhe vetë Anteu,

kur iu shkëput tokës,

humbi madhështinë,

krenarinë e forcën.


Toka që kur lindim

syve na përkundet,

na shfaqet e para,

na shuhet e fundit.


Toka na jep thelbin,

toka na bën pjekjen,

aty ne kemi jetën,

aty kemi vdekjen.


Kthehuni, o shqiptarë,

se toka po ju lutet,

me shalle ylberësh,

t’i mbështillni supet.


Me mjete të reja

po t’i bëni tualetin,

kjo toka jonë bëhet,

miss e kontinentit.


Mos braktisni tokën

dhuratën e bekuar,

që vet zoti i madh

na e ka dhuruar!


Mos lini këtë tokë,

me ujë të kulluar,

me ajër që të shëron

me delli të praruar;


Mos braktisni tokën,

do pendoheni patjetër!

Mos lini pjellën tuaj,

jabanxhi të përjetshëm!


19 views1 comment

1 Comment


Maxhun Osmanaj Nje thirrje, nje reflektiim i bukur per thesarin e jetes, Token.Te lumte mik Mato!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page