Titulli më i lartë!
Nga Fatmir Terziu
Lind
belbëzon
nënë e babë
dhe jeta të ysht në garë.
Ti je në rrjeshtin e madh të jetës,
përtej shkallarëve
ditës,
dritës,
zhurmës,
punës,
fjalëve, reklamave,
dashurisht, mes sharjeve,
dashurisht, mes halleve,
dashurisht mes ngjyrave,
dashurisht me të ngrohtin e të ftohtin,
dashurisht, auditoreve dhe zyrave,
mes sharmit dhe kollareve,
e buzëqeshja tret lotin,
bëhesh personazh i ekraneve
me Tituj, ndere, lavdi, që vetëm të joshin…
…Rilind
kur titullin më të madh përtej fjalëve
ta jep të qënit Prind!
Por kjo forcohet prapë
kur ke të thërrasësh Nënë e Babë,
ky është titulli më i lartë!
Më pas mbetesh vetëm një personazh
në lojën e rrethit të madh
duke u konsumuar si një ingranazh
jeta të sjell vërdallë deri sa të ngre atje Lart:
Të Tjerë janë në radhë
për Titullin më të Lartë!
(Kujtimit të prindërve të mi të shtrenjtë: Hafize dhe Dail Terziu)
Qofshin të xhenetit. Një dedikim gjithë përfshirës. Për mua vlerësimi është që këto vargje janë vetë jeta e çdo të linduri. Është filozofia e jetës. Portali "Fjala e lirë", është një bibliitekë ku gjithçka gjen të gatshme. Janë kryesisht shkrimet e profesorit Fatmir Terziut. Këtu shkruhen dhe lexohen tema nga më të shumtat dhe nga penat e inteligjentëve të nivelit të lartë, mendimtarë, profesorë, akademikë dhe nga të tjerë pa tituj shkencorë por me përvoja të jetës të cilat ngrejnë dijet e lexuesve të ndryshëm. Falenderime profesor Fatmiri që ke shumë vite që na dituron me portalin vërtet të "LIRË". RESPEKTE.