top of page

Tipare apo ‘tre-pare’ të ‘individualitetit poetik’ shqiptar


Tipare apo ‘tre-pare’ të ‘individualitetit poetik’ shqiptar


Dr Fatmir Terziu


Tiparet e veçorive të një individualiteti poetik’ kohët e fundit janë bërë një objekt i guximshëm studimi. Më parë rreth tyre kritikë shqiptarë si Xhezair Abazi(1981), Bashkim Kuçuku(1982), Bestar Kongoli(1982), Fisnik Sina(1984), kanë bërë përpjekjet e para në lidhje me individualitetin poetik, por nuk kanë mundur të shkëputen nga aspekte që politizonin analizat dhe kritikat e tyre. Abazi e sheh individualitetin si ‘larmi dhe pasuri të poezisë së realizmit socialist’ (1981:39). Ndërsa Kuçuku, Kongoli, Sina e disa të tjerë e shohin këtë në ‘një tablo të gjallë dhe të gjerë të luftës’ sërrish në kuadrin e letërsisë së realizmit socialist.

Duke marrë shkas nga ky orientim i hershëm në lidhje me individualitetin poetik shihet qartë se ‘politizimi realo-socialist shqiptar’ ka tentuar dhe ‘politikisht’ e sheh këtë mes perceptimit të përbashkët se madhështia e një poeti qëndron në largimin e tij nga paraardhësit e tij. Pra me largimin nga tradita, pasuria dhe mjaft orientime të tjera praktike që vijnë e ndërrojnë vend gradualisht në ecjen dhe zhvillimin e artit të fjalës. Kështu duket apriori se interesi ishte disi diktant.

Ishte ai teorizim i diktuar, për të cilin, mjaft mirë janë shprehur e debatuar kohët e fundit, Bejko (1995), Pepa (1996), Pipa (1997), Premçi (1999), Ymeri (2009), Dervishi (2009) e mjaft të tjerë që e shohin këtë teori shumë afër me atë që sjell fakti, ose më saktë fakti i mirënjohur teorik me të cilin Eliot (1993) ka argumentuar shkencërisht.

Në teorinë e Eliot argumentohet se “pjesët më të veçanta të tij (poetit), siç është stili, paraqitja, ideja, puna e tij e mjaft të tjera, mund të jenë ato didakte në të cilat poetët e vdekur, pra paraardhësit e tij, pohojnë pavdekësinë e tyre më të fuqishme.” Eliot pohon se kjo ka "kuptim historik," pasi që është, jo vetëm një ngjashmëri me punët e tradicionales, por një dukuri e vetëdijes dhe të kuptuarit nga lidhja e tyre tradicionale me poezinë e tij.

Pra, është ajo rrugë e gjatë dhe e respektuar në të cilën është hedhur shtrati i poezisë së hershme shqiptare, dhe jo ‘kanali’ i gërryer politik me forcat e veta, për të ‘sfiduar njeriun e ri me botëkuptimin marksist-leninist’. Në fakt më saktë vjen sërrish në ndihmë Eliot kur thekson se kjo besnikëri ndaj traditës nuk i kërkon poetit të këtij individualiteti të veçuar, që të konfiskohet kjo risi në një akt të dorëzimit për një përsëritje. Përkundrazi, Eliot ka një konceptim shumë më dinamik dhe më progresiv të procesit poetik.

Këtë e ndeshim herët në lëminë e kritikës botërore, ku spikat mendimi kritik i britanikëve Sir Philip Sidney (1554-86), Thomas Campton (1567-1620), Samuel Daniel (1562-1619), Francis Bacon (1561-1626), Ben Jonson (1573-1637), John Milton (1608-74) e mjaft të tjerë.

Në kulturën shqiptare mendimi i tillë i përafërt kritik vjen nën emra dhe studime të autorëve shqiptarë si Lasgush Poradeci (1896-1987), që solli ‘Poezi et Coetera’në Gushtin e vitit 1940-të tek “Shkëndija” numër 2 në Tiranë, në faqet 22-24 ku midis të tjerave theksonte me të madhe shtyllat e kuptimit të kësaj teorie të lidhura me termat “ndjenjë qendrore”; “element estetik themeltar i romantizmit Europian” etj.

Më pas ishte Jolanda Kodra (1912-1963) që i shihte ‘vlerat e poezisë në letërsi’ në lidhje me atë që sot teoria e Eliot na dikton se risia është e mundur, dhe vetëm e mundshme, përmes përgjimit në traditë.

Në këtë mënyrë autorë të tjerë si Nexhat Hakiu, Xhemal Broja, apo Maroi Skanjetisollën dhe ritransmetuan afërsisht idetë e Eliot që lidhen me një angazhim tërësor të poetit dhe kur kritika lypset të shohë këtë angazhim. Eliot na vjen më shumë në ndihmë të kuptojmë edhe atë që Muzafer Xhaxhiue shihte si një shkollë tjetër në vitin 1980, teksa sillte përvojën e poetëve të tillë me emër në krijimtarinë poetike si Kadare, Agolli, Arapi, Spahiu etj. Edhe pse Xhaxhiu e sheh disi në një kënd paksa jashtë kornizave të traditës, ajo që Eliot na dikton mund të kuptohet kështu: “Kur një poet angazhohet në krijimin e një punë të re, ai realizon një ide estetike të lidhur me mënyrë "ideale", ashtu siç është vendosur nga ana e traditës letrare që ka ardhur para tij (Eliot, 1993).

Si e tillë, në aktin e krijimit artistik kjo risi e re nuk ndodh dhe nuk vjen nga vakumi në vakum. Futja e një pune të re ndryshon kohezionin e kësaj, por e rendit atë në rrjeshtin ekzistues, dhe shkakton një përshtatje të re me mënyrat e vjetra, pra afron një skajesë diskursive më efikase, në mënyrë që të akomodojë më qartë individualitetin e ri në një kënd e një sfumim më të ri, aspak jashtë me dimensionin perceptues të traditës. Pra, përfshirja e punës së re ndryshon mënyrën në të cilën kjo është gatuar në të kaluarën, ndryshon këndvështrimin në të cilin është parë, por zbulohet vetëm mes elementëve të së kaluarës që janë vërejtur në ecurinë e saj studiuese dhe e kanë realizuar mes diskursit historik të traditës, ku formacionet e e fuqisë janë parësore (Foucalt, 1980).

Duke parë disa krijime poetike në vite të autorëve Met Dervishi, Teodor Keko, Pano Çuka, Xhemal Borova, Silvana Gjebrea, Natasha Bega, Loreta Tepshi, Ali Podrimja, Gjokë Babaj, Konstandin Dhamo, Agim Haxhiraj, Feti Zeneli, Vladimir Zoto, Jaup Zenuni, Aleks Çaçi, Qazim Shemaj, Qeverim Çeli, Agim Spahiu, Klara Kodraetj., shohim qartë se spacialiteti teorik që lidhet me filozofinë e lidhjes mes individualitetit dhe traditës edhe pse është disi i riskuar, prapë ndikohet nga faktori bazë me të cilin Eliot e quan në mënyrë të drejtëpërdrejt "Teoria e papërcaktuar" e poezisë, pra teoria ku hapësira, koha dhe vendi janë faktorë filozofikë të lidhur me traditën.

Në studimin e tij studiuesi Dronke, duke analizuar poezinë në kohën e Mesjetës, ka paraqitur në mënyrë të qartë se ‘individualiteti poetik vjen në një riskim me traditën, por jo si një krisje’, që sjell faktin e qartë dhe të kuptueshëm, pse politika e kohës pesëdhjetëvjeçare e kërkonte këtë ‘krisje’, për të krijuar edhe në fjalën e artit dominimin klasik të m-l. Këtë pozicionim praktik, por edhe teorik e ndeshim ende në disa mendime të quajtura kritike, kur flasin pa kuptuar individualitetin në poezi. Kam parasysh kritikën që shpesh qaset në ambiencën metaforike shqiptare, ku zërin e ngrejnë disa çantashëtitës, me libra e blloqe pa kriter.

Në këtë sakatim kritik të individualitetit, edhe psë sëpata që bie mbi të është shumëzhurmësjellëse, askush nuk shqetësohet, askush nuk riskon një fjalë, por mjaftohen vetëm me kaq nëpër intervistat e tyre: “Mungon kritika e mirëfilltë në Shqipëri?!”. A thua ti se këta ekspertë e kanë gjetur fillin e humbur të litarit aq të kuq sa ende s’po i zbardhet boja, që ua lanë mbi ‘varr’ diktatët e tyre polito-lektorë?

Kur bëhet fjala për të kërkuar ndonjë ‘mendim’ për librat që botohen pa kriter sot, pako dhe thasë drejtohen në adresa të ndryshme. Ndërsa kur u kërkohet për ekzistëncën e kritikës, natyrshëm…, harrojnë thasët që u kushtojnë në postim…

Këtu më vjen në ndihmë një pikasje e studiuesit shqiptar, poetit dhe shkrimtarit Nehas Sopaj, Shef i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Shkupit që shprehej afërsisht kështu në një poezi të tij: “…ata dikushët, ata kërkuesit, harrojnë se edhe unë jam, se edhe unë ekzistoj në këtë botë letrash…, harrojnë se jam edhe unë që fola për ta…, jam edhe unë poet…”.

Dhe këtu duket se mbyllet ende pa u hapur ajo që lidhet edhe me ‘Tiparet e veçorive të një individualiteti poetik’, për të qenë disi perceptues teorikisht edhe me fatin e praktikës sonë allashqiptare. Dhe natyrshëm pyesim, këto janë “tipare” apo ‘tre-pare’ të ‘individualitetit poetik’ shqiptar…


39 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page