top of page

Timo Mërkuri: VALSI I DASHURISË




Nga Timo Mërkuri

Ilirian Zhupa është një poet që gjithmon të tërheq vëmendjen me krijimet e tij dhe të bën të ndalosh para tyre, si para një magjie natyrore. Kështu, poezia “Ëndërr” e tij, e shkruar më 1984, paraqet një krijim cilësor modernist në poezinë shqipe, ku si rrallëherë ndërthuren lirizmi i hollë, ndjeshmëria estetike dhe simbolika ekzistencialiste . Si gjithmon, përmes detajeve të shfaqura në formë e lëvizshëmri dhe një tensioni shpirtëror, poeti ndërton një krijim të pasur me imazhe të gjalla e thellësi filozofike, i cili pasqyron një moment sa intim aq dhe të përjetshëm mes natyrës e ndjeshmërisë njerëzore, duke e vendosur poezinë në një hapësirë introspektive dhe universale. Nqse do kërkonim veçantitë e kësaj poezie unë do shënoja:

1. Estetika e detajeve dhe shfaqjet intime janë elemente të harmionisë artistie që ndërtojnë atmosferën e veçantë të veprës. Figura e vajzës në poezi shfaqet me ndjeshmëri të rrallë, ku natyra dhe trupi i saj ndërthuren në një harmoni poetike dhe syri i poetit mbetet i "gozhduar" mbi ato: "Krihte flokët mbi pasqyrat e harruara të pellgjeve, / Përkëdhelte supet me sy.” Përshkrimi i flokëve si “një myshk i njomësht, i artë” krijon një ndjesi  butësie dhe delikatese, ndërsa shfaqet edhe gjallëria e trupit të vajzës përmes frazave si “nën ta fërgëllima e fshehtë e gjinjve, / Diç fliste qartë.” Këto vargje shfaqin një estetikë ku detajet përshkruajnë jo vetëm lëvizjet fizike, por kryesisht përjetimin shpirtëror, sa që lexuesi mund të hamendësojmë dhe ndonjë idil të poetit. E pse jo, djalosh i ri ka qenë kur e ka shkruar, ndaj ndjehet nëpër vargje një drithërimë zemre, ndërkohë vajza shfaqet si simbol i natyrës dhe spontanitetit, duke i dhënë poezisë një ndjenjë çiltërsie të pastër.

2. Poezia pasqyron ndikimin e imazhizmit modernist përmes përqendrimit në çastin e vallzimit dhe në detajet e tij estetike. Skena e vajzës, që në lëvizjet e lira e natyrale, duket sikur loz me erën (apo me ëndrrën) reflekton një moment të ngrirë në kohë: “Vërtitej mbi pulpët e saj të arrira, hepohej, / Kërcente dhe mbi tokë peshonte me njërën.” duke shpalosur lirinë dhe aerobinë e trupit të saj dhe lidhjen me natyrën. Elementet e thjeshtë si toka, era dhe lëvizja krijojnë një skenë vizuale të fuqishme, duke shmangur tepri të panevojëshme emocionale apo moralizuese, në përputhje me parimet e imazhizmit modernist. Gjithashtu, vargjet: “Përkulej, vraponte, përzinte, dorëzohej / Dhe puthej me erën,” ofrojnë ndjenjën e një harmonie mes lirisë së individit dhe natyrës, duke e ngritur përvojën personale në një dimension më të gjerë universale. Lexuesi sigurisht ndjek me mendje gjatë leximit të vargjeve lëvizjet e vajzës dhe kjo është një karakteristikë e poezisë së Zhupës për të cilën kemi folur.

3. Një nga bazat kryesore të poezisë është shfaqja e tensionit shpirtëror të poetit, i cili nis e ndjen gradualisht një dashuri të pastër, por refuzon ndërhyrjen ( e tij si djalosh, hero lirik dhe poet), e cila mund të prishë harmoninë e asaj që sheh, dilemë kjo që shprehet kryesisht në strofën e fundit, për të cilën do flasim më pas. Lirizmi ekzistenci-alist i kësaj poezie shfaqet në përballjen midis dëshirës dhe ndrojtjes, ku poeti zgjedh të largohet për të ruajtur të paprekur atë çka i duket e shenjtë.

4. Poezia “Ëndërr” shumë lehtë mund të krijohej në frymën e romantizmit, pasi linjat e saj janë të dukëshme, por poeti e krijon në formën moderniste përmes përqendrimit në përvojën individuale dhe shmangies së narrativës tradicionale. Shfaqiet e imazheve janë të ndërlikuara, por asnjëherë të mbingarkuara, duke e larguar poezinë nga epika apo temat patriotike të letërsisë tradicionale. Vargjet: “Do shkelja ca bisqe të blerta, të njoma” dëshmojnë ndjeshmërinë e poetit ndaj natyrës dhe delikatesës së vajzës, apo  thënë ndryshe: unitetin mes njeriut dhe botës që e rrethon. Kjo lidhje shpirtërore dhe estetike e vendos poezinë në linjën moderniste, ku ndjenjat intime dhe përjetimet e vogla zënë vendin e mesazheve të mëdha epike.

Mund të themi se kjo poezi e Zhupës vlen të shihet si një testament i fuqisë së modernizmit për të kombinuar imazhe të thjeshta me ndjeshmëri të thella filozofike dhe ajo që ka më shumë rëndësi është ti kushtohet vemendje kohës së krijimit, e cila flet shumë dhe e vendos autorin në avagardën moderniste të poezisë shqipe në luftën për shëmbjen e mureve të soc.realizmit. Zhupa te kjo poezi ndërton një univers të ndjeshëm, ku natyra dhe dashuria shndërrohen në simbole të lirisë dhe të pastërtisë ekzistenciale. Përmes figurave dhe një lirizmi të fuqishëm, poezia i flet jo vetëm ndjeshmërisë estetike, por edhe reflektimit shpirtëror të lexuesit, duke e vendosur atë në qendër të traditës moderniste të poezisë shqipe.

II-Sigurisht që  lexuesi do pyesë veten se ku dhe si shprehet në vargje lindja e dashurisë së poetit për vajzën, sepse ai nuk na flet për ndonjë dashuri që “shkrepi” si rrufeja. Sigurisht që nuk ka ndodhur kështu, dashuria e poetit për vajzën që vallëzon me erën lind në mënyrë graduale, madje me një delikatesë që reflekton përqendrim të veçantë të tij mbi detajet e momentit. Kjo dashuri nuk është një ndjenjë e menjëhe-rshme apo një shpërthim pasioni i papritur, ajo lind si ndjesi që përforcohet me vëzhgimin e lëvizjeve të saj. Në qoftë se do ta ndjekim nëpër vargje lindjen e kësak dashurie atëherë do thoshnim se pikërisht strofa e parë është skena që krijon një atmosferë intime: “Pashë një vajzë që i gëzohej vetes, / Diku mes brigjeve, duke menduar se s’e shihte njeri.” Pikërisht në këtë moment, poeti fillon të ndërtojë një lidhje me vajzën përmes vëzhgimit të tij të ndrojtur. Ai nuk është ende i dashuruar, por ndjeshmëria dhe qetësia e saj e tërheqin si një art që thërret shpirtin e tij. Dashuria fillon të lindë qartazi te strofa e dytë, ku bukuria fizike e vajzës dhe detajet e shfaqura poetikisht ndezin një admirim estetik: “Flokët gështenj mbi kraharorin e plotë i binin, / Si një myshk i njomësht, i artë.” Në fakt,vëzhgimi i flokëve të saj dhe krahasimi me një element natyror, "myshkun e artë", sugjeron një përzierje të natyrës me humanitetin e saj, duke e shndërruar atë në një person të idealizuar. Këtu ndjejmë momentin e parë të një ndjesie dashurie, të shtyrë nga bukuria dhe harmonia e saj me natyrën.

Dashuria si ndjenjë intensifikohet te strofa e tretë, kur vajza shfaqet duke vallëzuar: “Kërcente dhe mbi tokë peshonte me njërën, / Përkulej, vraponte, përzinte, dorëzohej / Dhe puthej me erën.” Pikërisht këtu, lëvizjet e saj dhe bashkëveprimi me natyrën krijojnë një vallëzim që tërheq poetin, pse ai ndjen se ky vallzim i saj me erën nuk është vetëm një akt fizik, por është një komunikim emocional dhe shpirtëror që zgjon tek ai ndjenjën e dashurisë së pastër, pse jo dhe të njëfarë xhelozie rivaliteti kur e sheh që “puthej” me erën. Në këtë moment, poeti nuk dashuron thjesht pamjen e saj, ai dashuron mënyrën se si ajo është bërë “një” me botën që e rrethon.

Në poezi dashuria arrin kulmin në strofa e katërt, kur poeti ndjen një ndrojtje për të thyer këtë harmoni, ashtu si djemtë e dashuruar së pari që ndruhen tu afrohen apo tu flasin vashave: “Sa mua më erdhi keq ta thërrisja/ Sa mua m’u duk se me dashurinë time prej burri / Diçka shumë të shtrenjtë do t’i vrisja.” Sa e thjeshtë, sa e qartë, sa reale paraqitet bota djaloshare te ky varg. Duhet të ndjejmë se këtu, dashuria e poetit për vajzën nuk është fizike apo estetike, ajo shfaqet si përkushtim ndaj qenies së saj të tërësishme, ndaj lirisë dhe natyrshmërisë së saj. Ai e ndjen dashurinë aq thellë dhe aq pastër, sa zgjedh të mos e ndërpresë harmoninë e momentit. Kjo dashuri e poetit është një dashuri që lind nga një akt poetik vëzhgimi, ku çdo gjest i saj, qoftë lëvizjet e flokëve, vallëzimi, apo harmonia me erën  bëhet një arsye për t’u dashuruar me të, jo vetëm si vajzë, por si një simbol të bukurisë dhe lirisë.

Në strofat vijuse, dashuria e poetit merr përmasa të thella, duke kaluar nga tërheqja fillestare drejt një ndjenje të pasur dhe komplekse. Këto strofa eksplorojnë lidhjen mes poetit e vajzës, dhe përforcojnë idenë e një dashurie të krijuar  përmes adhurimit dhe shfaq ndrojtjen e poetit për të mos prishur magjinë e momentit me praninë e tij fizike. Kjo është e dukëshme te strofa e pestë ku dashuria duket si vëzhgim i ndrojtur i një djali të çiltër, që e sodit vajzën por nuk guxon ti flasë: “Ish aq e natyrshme në lëvizjet e lira të trupit, / Sa mua më erdhi keq ta thërrisja.”, pra këtu dashuria shfaqet si ndjenjë që tejkalon dëshirën për kontakt fizik. Arsyeja është e thjeshtë, në adhurimin djaloshar vajza shfaqet si mishërim i lirisë, bukurisë e natyrshmërisë, dhe poeti zgjedh të qëndrojë në distancë për të ruajtur pastërtinë e soditjes. Dashuria e tij shndrohet në një ndjenjë e heshtur dhe delikate, e cila nuk guxon të ndërhyjë në spontanitetin e saj. Nuk e di në se vajza e ka dalluar djaloshin, se po ta dallonte do ti ndjenjte aromat e luleve të shpirtit të tij. Por poeti nuk afrohet: “Sa mua m’u duk se me dashurinë time prej burri / Diçka shumë të shtrenjtë do t’i vrisja”,do ti prishte harmoninë e momentit dhe natyrën e vajzës, si këngën e një zogu në korie që e ndërpresin hapat e gjuetarit. Këtu shohim dhe ndjejmë se dashuria e djaloshit është e epërme. Madje dashuria e tij  te strofa e gjashtë shfaqet si sublime: “Sa mua m’u duk se me dëshirën time të pafaj, / Do shkelja ca bisqe të blerta, të njoma.” duke marrë dimensionin e një ndjenje të shenjtë, shprehur me finesë me një metaforë natyrore. Bisqet e njoma përfaqësojnë diçka të brishtë e të paprekshme, siç është edhe dashuria e tij. Ai e ndjen që një ndërhyrje e drejtpërdrejtë mund ta dëmtojë këtë lidhje delicate apo të prishë këtë magji. Kjo është më e kuptueshme të strofa e fundit ku dashuria dhe largimi ofrohen si afrim shpirtëror: “Besoj shumë e desha... Ndaj ika si i verbër prej saj/E dua... dhe iki akoma.” duke shprehur kulmin e ndjenjave të poetit.  Dashuria e tij nuk zhduket me largimin, përkundrazi, ajo forcohet përmes këtij akti. Largimi i tij nuk është një refuzim, por një mënyrë për ta dashuruar vajzën si tërësi. Ky largim paradoksalisht bëhet afrim, pasi poeti e ruan imazhin e vajzës dhe e bën atë pjesë të përjetshme të përfytyrimit të tij dashuror.

III-Unë ju ofroj dhe një lexueshmëri tjetër për këtë largim të poeti, i cili mund të shihet si një formë e veçantë e afrimit. Mqse në këtë poezi, dashuria nuk përjetohet përmes afrimit fizik, por përmes përqafimit shpirtëror dhe estetik, largimi është një përpjekje për të ruajtur pastërtinë dhe përmasën ideale të saj, duke mos e kufizuar  në formatet e zakonshme të prekjes fizike. E parë në këtë aspekt, largimi i poetit shndrohet në një akt sublim respekti e adhurimi, një “vetëflijim” për ruajtjen e imazhit të vajzës si simbol i bukurisë, artit dhe dashurisë. Në këtë kontekst duhet lexuar vargu: "Besoj shumë e desha... Ndaj ika si i verbër prej saj," ku largimi nuk është shenjë mungese guximi, por shenjë e një dashurie që kapërcen kufijtë e të zakonshmes. Poezia, si një mjet artistik, e lejon poetin të përjetojë këtë dashuri nga një distancë që është në të vërtetë një afrim i tij. Përmes saj, ai arrin aty ku fizikisht apo emocionalisht s’guxon të shkojë vetë: në hapësirën e një ndjenje të pastër, të pakushtëzuar, të shenjtë. Largimi, pra, nuk është një lëvizje paradoksale, duke u larguar fizikisht, poeti afrohet më shumë me thelbin e asaj që dashuron, jo vetëm vajzën si qenie fizike, por me idenë e saj, energjinë që ajo përfaqëson, dhe lirinë që shfaq në lëvizjet e saj. Ky largim-afrim pasqyron atë që poezia arrin të bëjë: të na çojë aty ku s'guxojmë të shkojmë vetë, duke na lidhur me ndjenjat më të thella dhe më të epërme që shpesh mbeten të pashprehura në jetën e përditshme.

IV-Ajo që të tërheq vëmendjen te poezia “Ëndërr” e Zhupës është melodiciteti dhe muzikaliteti që ndërthuren harmonikisht me lëvizjet e vajzës. Përmes një gjuhe të butë e të rrjedhshme, poeti krijon atmosferën e një valsi dashurie të përjetshëm, ku vajza dhe natyra duken si dy partnerë në një vallëzim dhe poeti i shoqëronte me sy në një distancë emocionale. Kjo ndërthurje e melodisë dhe ritmit, e ngjizur në detaje poetike, i jep poezisë një ndjesi vallëzimi që tejkalon dimensionin vizual dhe përshkon atë shpirtëror.

1.Lëvizjet e vajzës në poezi nuk janë thjesht veprime fizike; ato janë një harmoni shpirtërore, një ritëm i natyrshëm që lidhet ngushtë me elementet e natyrës. Vargjet: “Vërtitej mbi pulpët e saj të arrira, hepohej, / Kërcente dhe mbi tokë peshonte me njërën” jo vetëm që shfaqin hiret e vajzës por pasqyrojnë dhe ritmin e një vallzimi. Veprimi për të “kërcyer dhe peshuar me njërën” krijon ndjesinë e një valsi, ku çdo hap është i sinkronizuar dhe elegant. Në këtë sfond, toka është skena e vallëzimit, ndërsa lëvizjet e vajzës marrin trajta muzikore, të shoqëruara nga zërat e natyrës dhe ritmet e erës. Arti me të cilin e ka dhënë poeti detajin e vallzimit të krijon ndjesinë se dikur, diku e ke parë në realitet këtë magji koreografie, në ndonjë shfaqje baleti apo ndoshta dhe në kinematografi. Po të mbyllni sytë dhe të ëndërroni, me siguri do ju kujtohet.

2.Ka dhe elemente të tjera që përforcojnë ndjesinë e vallzimit të një valsi: natyrshmëria e lëvizjeve të vajzës mbart ndjesi muzikore që përforcohet nga detajet poetike. Përshkrimi i flokëve si “një myshk i njomësht, i artë” krijon një imazh të butë, i cili shoqëron melodinë e brendshme të trupit të saj. Vargjet: “Krihte flokët mbi pasqyrat e harruara të pellgjeve, / Përkëdhelte supet me sy” vizualizojnë veprime të ngadalshme dhe ritmike, ku çdo lëvizje ka muzikën e vetë, shpirtërore dhe të qetë. Pellgjet, si pasqyra të natyrës, përfaqësojnë një piano të heshtur, ku lëvizjet e vajzës shfaqen si nota të buta(vizualisht dhe melodikisht) duke e mbushur hapësirën me një melodi engjëllore.

3. Te kjo skenë e vallzimit ka kaq shumë ndjenjë e fantazi sa që ta bën çdo gjë reale, të pranishme apo të përfytyruar në momentin e leximit. Kemi të drejtë të vizualizojmë me mendjen tonë gjatë leximit, pse ndjeshmëria e Zhupës mbi lëvizjet dhe bukurinë e vajzës i jep poezisë dimensionin e një vallëzimi. Vargjet: “Dhe puthej me erën” tregojnë se vajza nuk vallëzon vetëm mbi tokë, por edhe në harmoni të plotë ndjesore me elementet e natyrës. Për poetin, kjo skenë shfaq një ndjesi pasioni të përmbajtur me vështirësi: “Sa mua m’u duk se me dashurinë time prej burri / Diçka shumë të shtrenjtë do t’i vrisja”. E lexova këtë varg dhe diçka më krisi brenda shpirtit, si një xham që thyhet, besoj, pse ky pasazh na thotë se poeti e sheh veten si një partner (të padukshëm në këtë vals), dhe ndjen se ndërhyrja (fizike) e tij mund të prishë këtë harmoni melodike dhe natyrale, mund ti prishë vajzës momentin e lumturie që ajo po përjeton. Ndaj ai largohet që ta lejë atë në lumturinë e saj dhe unë e ndjej duke ikur, me kokën ulur dhe një pikë loti që përgjon nga cepat e qepallave se mos e sheh ndonjë kalimtar i rastit.

4. Sepse poeti e do këtë vajzë, ndonëse dashuria e tij nuk manifestohet në fjalë apo veprime active, por në një tërheqje të tij dhe admirim të heshtur për së largu. Vargjet: “Besoj shumë e desha... Ndaj ika si i verbër prej saj.” sugjerojnë se largimi i poetit është mënyra më poetike për të ruajtur pastërtinë dhe imazhin e asaj çka vëren, duke përforcuar idenë se valsi i dashurisë nuk ka nevojë për kontakt fizik mes tyre; muzika dhe lëvizjet janë të mjaftueshme për të ndërtuar një marrëdhënie shpirtërore. Poeti largohet i shoqëruar me ndjenjën e vazhdueshmërisë së dashurisë: “E dua... dhe iki akoma” që shfaq idenë e dashurisë që jeton më shumë në distancë dhe në idealizim, duke e shndruar vajzën në simbolin e një dashurie të përjetshme dhe të paprekshme. Për nga shkalla e sinqeritetit që shfaqin këto vargje, na kujtojnë  përjetimet e çiltëra të adoloshencës. Kjo ndjesi e qases me adoloshencën  më solli në vëmëndje se poezia jo vetëm është shkruar më moshën rinore të poetit (1984), por vazhdon dhe sot pas gati  dyzet vjetësh të mbajë në vargje ngrohtësinë dhe çiltërsinë e rinisë. Kjo në fakt është një arritje e madhe e poetit dhe mund t'a quajmë  rinia e pafund në krijimtarinë e tij.

Duhet të theksojmë se në këtë poezi Zhupa arrin të ndërthurë përjetimin e lexuesit me detajet poetike, melodicitetin dhe muzikalitetin me lëvizjet e vajzës, duke krijuar si rrallëkush një atmosferë poetike, jo vetëm në poezi por edhe në lexim, që të kujton një vals dashurie në një sallë plot të rinj adoloshentë. Valsi nuk është thjesht një akt fizik; ai është një dialog melodik midis natyrës, trupit dhe shpirtit të poetit.

V-Në poezi vajza dhe vallëzimi i saj shfaqen si simfoni e gjesteve dhe ndjenjave ku ato, gjestet e vajzës në lëvizjet vallëzuese formojnë një melodi të pashkruar, një harmoni mes trupit, natyrës dhe ndjenjave të poetit. Këto lëvizje, të shfaqura me një detaj të ndjeshëm, përçojnë jo vetëm një bukuri vizuale, por edhe një muzikalitet që poetika e Zhupës e bën të dëgjueshme në shpirtin e lexuesit.

1. Realisht në poezi lëvizjet e vajzës shfaqen si të lehta e të natyrshme, ku çdo veprim ndjehet si një tingull i ngjizur me harmoninë e natyrës. Në vargjet: “Përkulej, vraponte, përzinte, dorëzohej / Dhe puthej me erën,” vajza duket sikur kërcen një vals të lirë, duke u ndërlidhur me elementet e natyrës. Çdo hap, përkulje apo lëvizje, është një notë e këtij valsi, që krijon një simfoni të heshtur, por të ndjerë. Ky muzikalitet buron jo vetëm nga lëvizjet e saj, por dhe nga mënyra se si ato ndërthuren me erën, e cila bëhet partneri i saj (i padukshëm) në këtë vallëzim. Fryma poetike e Zhupës, në këtë rast, përcjell ndjenjën se trupi dhe natyra janë dy elemente që harmonizohen në një përjetim estetik unik.

2.Duke i kushtuar rëndësi paraqitjes së flokëve të vajzës: “Flokët gështenj mbi kraharorin e plotë i binin / Si një myshk i njomësht, i artë,” ndjejmë në vargje një lëvizje ritmike, që ngjan me një melodi që shoqëron gjestet e saj. Flokët, që i "vallëzojnë" mbi trup, krijojnë një val(l)ëzim vizual që ndjehet muzikor. Pikërisht kjo shfaqje e flokëve sjell një dimension tjetër të muzikalitetit: ai i ndjenjave që zgjojnë harmoni brenda shpirtit të poetit. Po ashtu, gjoksi i vajzës, i shfaqur si: “E prapë nën ta fërgëllima e fshehtë e gjinjve, / Diç fliste qart”, tregon  se edhe gjestet e saj më të heshtura mbartin një tingull të brendshëm, një puls melodik që rezonon me emocionet dhe mendimet e poetit.

3. Poeti tronditet nga pamja dhe ndjen se vallëzimi i vajzës është më shumë se një akt fizik: është manifestim i një lumturie të lirë dhe të paprekur. Poeti vendos të largohet jo për mungesë ndjenje, por për të ruajtur harmoninë e këtij çasti. Në vargjet: “E dua... dhe iki akoma,”poeti zgjedh të adhurojë këtë melodi të gjesteve dhe ndjenjave nga larg, duke ruajtur të paprekur bukurinë e saj. Duhet të ndjejmë se gjestet e vajzës dhe muzikaliteti që ato krijojnë janë thelbi i kësaj poezie ndaj ne e quajtëm këtë poezi “Valsi i dashurisë”. Çdo përkulje, lëvizje apo kontakt me erën është një notë e një valsi të padukshëm, një melodi që poetika e Zhupës e përcjell me mjeshtëri tek lexuesi. Në këtë poezi, lëvizjet trupore dhe muzikaliteti ndërthuren në një mënyrë të tillë që lexuesi jo vetëm i sheh, por edhe i ndjen si një melodi të heshtur dashurie.

VI- Nuk di pse befas më lindi dëshira që ky moment i përshfaqur në poezi të jetë një moment i jetuar nga poeti. Sigurisht që kjo është thjeshtë një dëshirë që lindi nga përjetimni i poezisë, por sidi pse mu përforcua ky mendim se është plotësisht e mundur që ky moment i shfaqur në poezi të jetë përjetim real, një kujtim i përjetësuar përmes vargjeve. Poeti Ilirian Zhupa shquhet për aftësinë e tij për të kapur fragmente jete dhe për t’u dhënë dimension artistik, duke i shndërruar në poezi që rezonojnë me lexuesin. Ndjeshmëria me të cilën ai vizualizon lëvizjet e vajzës, harmoninë e saj me natyrën dhe emocionet që zgjon ky moment, sugjerojnë një përjetim të drejtpërdrejtë që e ka frymëzuar poetin të krijojë.Vërtet që do dëshiroja që ky vallzim poetik të ishte real, pa çka se I ndodhur dyzetë vite më parë, madje do dëshiroja sinqerisht që pas erës, poeti të ishte partneri i vajzës në vals.Vargjet:“Përkulej, vraponte, përzinte , dorëzohej / Dhe puthej me erën,”kanë detaje të tilla të ndjeshëm dhe të gjalla, sa që ma përforcojnë dëshirën time për rolin aktiv të tij. Ka dhe një element tjetër që e mbështet hamendësimin tim: Ilirian  Zhupa është poet  dhe si i tillë ai nuk krijon thjesht një imazh të bukur, por transmeton energjinë dhe shpirtin e vallëzimit, çka lë të kuptohet se ky çast mund të ketë qenë një përjetim i vërtetë që ka lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e tij. Ndërkohë, vendimi i tij për t’u larguar, i shprehur në vargun: “E dua... dhe iki akoma,” thellon idenë e një momenti të ndjeshëm dhe intim, ku poeti përzgjedh të ruajë distancën për adhurimin e kësaj bukurie, pa e ndërprerë ritmin dhe harmoninë e saj. Nëse ky moment është real, atëherë poezia bëhet një testament artistik i fuqisë së një përjetimi të thjeshtë të shpirtit krijues të poetit. Një lëvizje, një frymë ere, një përkulje flokësh mund të jetë gjithçka që një poet ka nevojë për të krijuar një kryevepër të ndjerë si kjo.

Nëse ky moment është fryt i fantazisë, është mirfilli një “Ëndërr” atëherë poeti dëshmon një tjetër dimension të mjeshtërisë së tij: aftësinë për të krijuar një botë të ndjeshme e të gjallë nga asgjëja, duke krijuar një skenë që tingëllon reale për lexuesin. Në këtë rast, vajza dhe vallëzimi i saj nuk janë thjesht portretizime të një kujtimi, por një metaforë e ndjenjave dhe ëndrrave të poetit, një përfaqësim artistik i dashurisë, harmonisë dhe lirisë. Fantazia e poetit lind në vargje të tilla si:“Krihte flokët mbi pasqyrat e harruara të pellgjeve, / Përkëdhelte supet me sy,” ku krijohet një imazh pothuajse magjik, i një bukurie që sfidon realitetin dhe flet me gjuhën e poezisë. Pamja e vajzës që shfaqet në natyrë është më shumë se një personazh; ajo shndrohet në simbol i një ideje të epërme, i një harmonie të paprekshme që ekziston vetëm në botën e artit. Gjithashtu, momenti i saj duke “puthur erën” dhe vallëzimi me një lehtësi engjëllore, ngjan më shumë me një skenë të krijuar për të përcjellur emocione të pastra. Nëse vajza nuk ekziston fizikisht, ajo është fryt i një imagjinate poetike që kërkon të mishërojë një dashuri ideale, një liri që mbetet gjithnjë e paprekur.Në fakt edhe vendimi i poetit për të mos ndërhyrë, shfaqur në vargjet:“Sa mua m’u duk se me dëshirën time të pafaj, / Do shkelja ca bisqe të blerta, të njoma,” përforcon idenë se kjo vajzë dhe ky moment nuk janë fizike; ato janë krijime të brishta  fantazie, të cilat duhen ruajtur të paprekura për të mos humbur bukurinë e tyre.

Në këtë interpretim, poezia bëhet një manifest i fuqisë së artit për të ngritur mbi realitetin një botë ideale, ku ndjenjat dhe bukuria përjetësohen përtej përvojës së drejtpërdrejtë. Kjo aftësi e poetit për të ngjizur një realitet fantastik, por që ndihet kaq i prekshëm, është një dëshmi e vizionit të tij artistik dhe pasurisë së botës së tij të brendshme.


Sarandë, fund dhjetori 2024


Nga Ilirian Zhupa

ËNDËRR      

Pashë një vajzë që i gëzohej vetes,

Diku mes brigjeve, duke menduar se s’e shihte njeri,

Krihte flokët mbi pasqyrat e harruara të pellgjeve,

Përkëdhelte supet me sy.


Flokët gështenj mbi kraharorin e plotë i binin,

Si një myshk i njomësht, i artë,

E prapë nën ta fërgëllima e fshehtë e gjinjve,

Diç fliste qartë.


Vërtitej mbi pulpët e saj të arrira, hepohej,

Kërcente dhe mbi tokë peshonte me njerën,

Përkulej, vraponte, përzinte, dorëzohej

Dhe puthej me erën.


Ish aq e natyrshme në lëvizjet e lira të trupit,

Sa mua më erdhi keq ta thërrisja,

Sa mua m’u duk se me dashurinë time prej burri

Diçka shumë të shtrenjtë do t’i vrisja.


Sa mua m’u duk se me dëshirën time të pafaj,

Do shkelja ca bisqe të blerta, të njoma.

Besoj shumë e desha... Ndaj ika si i verbër prej saj.

E dua... dhe iki akoma.


1984

Nga libri: “Mos më pyet ku kam qenë”-  Ilirian Zhupa  , Botimet “Naim Frashëri” - 1988; Toena - 2016

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page