Nga cikli “Kur flasim për Artin Jonian” për vëllimin “Mos e shiko fundin e detit” të poetit Andrea Zarballa
Nga Timo Mërkuri
1-Pata lexuar me kureshtje historinë e poetit grek Janis Ricos, që i internuar në ishullin Makronizos, groposi në një shishe poezitë e tij, të shkruara në atë ishull të shkretë. Ishin disa dhjetra poezi, që po ti binin në dorë juntës ushtarake të kolonelëve, ato fije letre ku qenë shkruar do shndroheshin në litar rreth qafës së poetit. Heshtja e shpëtoi poetin dhe poezitë e panë dritën e botimit vetëm pas rrëzimit të juntës. E lexova dhe e admirova Janis Ricos, jo vetëm si poet. Edhe ky fakt ndikoi tek unë që shumë nga poezitë e tij ti mësoja përmëndësh, ti recitoja e ti citoja edhe nëpër biseda me miqtë.
Por ndërsa admiroja Janis Ricos, kursesi nuk më shkonte ndër mënd se të njëtin akt po kryente dhe një miku im, duke groposur po në një shishe, në vendlindjen e tij, në Llazat të Sarandës, jo disa poezi, por një vëllim të tërë poetik. Do mjaftonin vetëm publikimi i dy-tri vargjeve të ndonjë poezie të këtij vëllimi, që miku im ta quante veten fatlum, po qe se …do dënohej vetëm me… burgim të përjetshëm, ose siç quhej atëherë, të dënohej me…101 vjet, duke shpëtuar kështu nga litari ose skuadra e pushkatimit. Sepse lejtmotivi poetik ishte gdhendur dukshëm te vargjet rrënkuese : O zot, them se do të durrojmë, ishte i lexueshëm te … krahët e zogjve të hapura si kryqe.
Ishin ditët kur fushave të Vurgut rendnin si ujqit në dimër, gazet e degës së diktaturës.
Të uritur për të shqyer …intelektualët minoritarë. Vetëm e vetëm pse guxonin…të ëndëronin. Duheshin shkulur ëndërat, që hendeku i frikës të ishte sa më i thellë.
...Ku të shkoj?Asnjë portë nuk më prêt/ Para pragjeve frika ka hapur një hendek të thellë/si hendeqet rreth kështjellave mesjetare. …Të gjithë mund të jenë spiunë…
Do mjaftonin të lexoheshin këto vargje si dëshmi në gjyq, që trikëmbëshi të ngrihej… edhe tri këmbë më i lartë. Se po qe se do lexohej poezia Pemë dimri me vargjet akuzë….Vrasin gjyshërit tanë që vdiqën në shekuj/vrasin fëmijët tanë që nuk kanë lindur akoma...”Si na vrasin kështu/ dhe ne bëjmë sikur nuk i dëgjojmë armët…, atëherë poeti do ishte vërtet fatlum, në qoftë se do ti gjendeshin eshtrat diku, në ndonjë rrëpirë mote e mote më von.
2-Por miku im, një natë dimri, nën shikimin plot dhimshuri të së shoqes, i groposi poezitë pranë një rrënje ulliri, duke shpëtuar kështu poezitë dhe veten, duke shpëtuar kështru diçka shumë të madhe, duke shpëtuar poetin njeri dhe njeriun poet. Ishte e vështirë kjo groposje, ishte shumë e rëndë kjo varrosje. Se nuk ishte fjala për groposjen e një shisheje me disa fletë fletoreje të shkruara me një shkrim të imët, brenda saj. Në atë shishe ishtin futur vetë ëndërat e poetit, ato filiza ëndrash që s’mund të bulëzonin në atë dimër diktature. Në atë shishe ishte futur shpirti i poetit, thua se s’kishte vend për të mbi dhe. Aty ishte zemra e tij dhe mendoni pak, ju lutem, aktin e groposje-varosjes së zemrës. Është e thjeshtë të varosësh këdo, sado të dashur e të afërt ta keshë, por të varosësh zemrën tënde, të vetëvarosesh dhe ta mendosh është …lemeri..
Tashmë ai vërtitej rrugëve …i ftohtë, ftohtësi që shumë miq të tij e kujtonin si një reagim normal ndaj dhimbjes së madhe, shkaktuar nga largimi nga kjo jetë i së shoqes.
3-Shumë vite më von, pas rrëzimit të diktaturës, e shoqja zbriti nga qielli një mbrëmje vere dhe si zakonisht, u ul në ëndrat e tij, duke i kujtuar edhe vendgroposjen e poezive. Dhe miku im, si për të çuar në vend ritualin e mundimshëm të ecjes drejt Golgothasë, i botoi poezitë në një vëllim me një titull të lemerishëm, që të kujtonte dënimet e përjetëshme, “101 poezi dhe një grusht dhe”. Shumë kollaj lexohet: Të dënuarit me 101 (burgim i përjetshëm) ti hedhim një grusht dhe mbi…var(gje).
Enigma vijoi edhe me faktin se libri u botua në Athinë dhe poezitë ishin në gjuhën greke, por kjo ishte një enigmë për ne, jo më për artin.
Tashmë poezitë ishin… ringjallur.
Shumë pak veta e dinë këtë histori të mikut tim Andrea Zarballa, dhe unë vendosa ta tregoj për ju, sot që nisa të flas për librin e tij poetik “Mos e shiko fundin e detit” ku ndodhen edhe një numër i madh i poezive të …ringjallura.
Vendosa të flas edhe për këtë fakt, sepse unë, ndryshe nga sa porosit poeti, dua ta shikoj …fundin e detit.
4-Unë, ndryshe nga disa studiues dhe lexues të poezive të Andrea Zarballas nuk do të flas për simbolikën e pemës në krijimet e tij, ndonëse kjo simbolikë është e pranishmë kudo nëpër vargjet e tij, si rrepet në brigjet e lumenjve, si ullinjtë në brigjet e deteve a në prag të shtëpive tona.
…i groposi poezitë pranë një rrënje ulliri…
Po të lexosh vargjet …Ullinjtë tanë nuk janë pemë/janë gjyshërit tanë/të rrudhosur/ shekullorë. Nuk kanë ndërmënd të ikin nga kjo jetë…atëherë e kupton se poeti, poezitë nuk i varosi në harrim, por “ua dha” për ti ruajtur, për ti mbajtur fshehur, këta gjyshër shekullorë. Ashtu siç ruajnë rëndom gjyshërit lodrat e rezikëshme apo armët e nipërve rebelë.
Sepse pemët gjithmon e kanë dashur poetin…Në më zëntë stuhia udhëtimeve/Vendlindja më nxjer një lis për çadër…sepse pemët janë më shumë se një simbolikë te poeti (Likurgu…duhej të vdiste në një tokë tjetër/që në Spartë të rrënjoseshin ligjet si ullinjtë), sepse pemët pasqyrojnë ligjësinë humane të natyrës, përkundër agresivitetit njerëzor (Molla nuk i shtyn gardhet të zgjerojë kopështin/Mëndja e saj ditë e natë është te kokrat)..
Unë nuk do të flas për simbolikën e pemëve si studiuesi P.Barka, (me disa përkthime të të cilit nga vëllimi “101 poezi dhe një grusht dhe” jam konsultuar dhe madje i kam cituar në këtë shkrim) i cili analizon funksionet poetike dhe estetike si dhe funksionin e shumëfishtë në realitet të rrënjës së pemës në raport me tokën etj etj, dhe as do theksoj konstatimin se te poezia e Zarballasë, poeti edhe veten e personifikon me një pemë, me një lis, të cilit erozionet e kohës i kanë nxjerrë rënjët: Kur i lidhje duart rreth qafës sime /varem te siguria, thoshje/nuk besoje se vareshe te nje lis rrënjëdalë, ose…Durimi ynë bëhet rrapi i ngulur thellë bri brigjeve të lumenjve/krenaria qipariz…
5-Unë nuk do të flas sot as për “detin” në poezinë e Andrea Zarballait, ndonëse në krijimtarinë e tij deti është shtrirë në të në mënyrë të tillë, që titujt e vjershave ngjajnë së largu si varka peshkatarësh pas një gjuetie të bollëshme….E ndjej/deti u shtri pambarimisht brenda meje/Disa gjëra i nxori në anë si lëvore/Ca të tjera i hodhi fare jashtë jetës sime…
Madje, jo vetëm kaqë, por vetë motivet duket sikur frymojnë vetëm ndaj pranisë së “erës” së detit nëpër to. …Shamitë dropullite janë si vela të bardha/dhe Dropulli lundron/ mer zvarë spirancën,zvarë kavot…shkruan poeti në një poezi, dhe po mos ta dishë gjeografinë, lehtësisht mund ta kujtosh Dropullin si ndonjë fshat bregdetar.
…Afrohu dhe pak, edhe pak/të kap një degë prej ullinjve të tu/të përkëdhel çatitë e shtëpive të tua/….Pse u ndale si një anie e murme tejë në det të hapur?! shkruan në poezinë “Korfuzi” duke i dhënë “jetën e detit” edhe një ishulli.
Unë mund tju citoja dhe magjinë e guackave detare …Më thuaj,mos kërkon/guackën që i fryjnë, i fryjnë dhe dalka dashuria…apo faktin se …udhëtimin për në botën tjetër/do ta nis nga deti..
Mund tju flisja edhe për faktin se, si një dallgë e stërmadhe u përplas në vetëdijen time poezia “Argjend”, kushtuar poetit të talentuar, të ndjerit Spiro Llajo me vargjet…Si s’i dëgjove pulëbardhat/që thyen sqepat duke të trokitur në dritare/aqë sa u tremb maçoku yt dhe vrapoi duke mjaullitur/deri sa u ul në gjunjët e shën Pjetrit?...poezi që më shkaktoi një vullkan kujtimesh për këtë mikun tim të rinisë.
6-Por unë nuk do të flas sot për “detin” dhe kaltërsinë e tij në poezinë e Andrea Zarballait, për valët e pulëbardhat përmbi to.Unë do të shkoj më tejë se syprina e tij e ndritëshme, ku me varkën e hënës shëtisin yjet si adoloshentë të papërmbajtshëm.
Unë do të shikoj fundin e detit dhe si bir i bregdetit, do flas për ato rryma detare të cilat, jo vetëm që krijojnë dallgët e detit, por mbartin në vetvete dhe atë muzikë magjike, ku bën pjesë edhe kënga e sirenave.
Sepse duhet të dini, që janë pikërisht këto rryma të thellësive, ato që krijojnë florën dhe faunën detare, të ndryshme nga njëri det në tjetrin. Janë këto rryma detare që shkëmbinjtë e disa deteve i veshin me korale magjike apo ku pinat ritin brenda vetes margaritarët, ndërkohë që shkëmbinjve të deteve fqinjë riten algat, si qimet në fytyrën e të vdekurit.
Ashtu siç ka deti rymat e thellësive, ashtu dhe Arti Jonian ka rrymat e thellësive të tij…
Prandaj dhe unë dua të shikoj fundin e detit, aty ku kalojnë rrymat, ku pinat si gra shtatëzëna ritin brenda vetes margaritarët, aty ku pranë anieve të mbytura, koralet lëkunden si vajtoret në mort.
7-Qysh në momentin që lexova titullin e librit “Mos e shiko fundin e detit”, në mënyrë të pavetëdijëshme shtova grupzanoren “oi,oi”. Mos u habitni pse vargu i mësipërm i shoqëruar me grupzanoren e përmëndur, nuk është gjë tjetër veçse një varg vajtimi, i cili lexohet (vajtohet) i plotë… Mos e vështro fundin e detit, oi, oi, i ngjashëm me vajtimet e njohura të viseve tona…mos shko nëpër varre (Hanko), mos i prek plagët e djalit…etj etj.
Dhe si për ta vazhduar këtë konstatim, poezia “Anijet e mbytura” mbyllet me vargun tejet të trishtueshëm … Mu mbush fundi i shpirtit me gjemi të mbytura…ku lehtësisht mund të shtosh edhe këtu grupzanoren oi,oi dhe duke e rivendosur kështu gjithë poezinë në një shtrat muzikor vajtimi.
Le të lexojmë poezinë Guriçkat e cila në këtë koncept është një simfoni dhimbjeje.
…Deti i Litohorit pikturonte gjithë ditën guriçkat/nuk e dinte se Meri, që i mblidhte, kishte ikur/ Përderisa detrat e tjera ia kanë fshehur/as unë sia tregova/se mos trishtohej dhe humbiste përgjithnjë ngjyrat e tij.
Ju ftoj të riktheheni leximit të kësaj poezie(dhe jo vetëm kësaj) të Andrea Zarballait dhe njëherë, jo si poet, jo si studiues por me një këndvështrim tjetër, thjeshtë njerëzor. Do konstatoni menjëherë faktin se këto vargje janë lehtësisht të këndueshme (përfshi këtu edhe vajtimin), sepse janë plot melodi. Më vjen keq që unë s’jam kompozitor, por ju lutem të gjeni ju një kompozitor të zotin, që të zbulojë (jo të vendosë) brenda tyre notat muzikore dhe ti hedhë në pentagram, ( pak a shumë atë që bëri Miki Teodoraqis me “18 distikë për atdheun e varfër” të Janis Ricos), dhe ju siguroj që do kemi kryevepra.
Sigurisht që unë do t’i rekomandoja që të kompozonte edhe poezinë “Gjumi” me vargjet që pikojnë dhimbje nëpër zanore…Përse të thosha se i ngjan një sanalleje/që udhëton detrave të bardha të çarçafëve?/ Dhe ti, për hatrin tim, ke fjetur përgjithnjë.
(Me kompozim në këtë rast nuk nënkuptoj hedhjen e vargjeve në nota pentagrami, por zbulimin e këtyre notave dhe të kësaj muzike brenda vargjeve dhe nxjerrjen në pah të kësaj melodie).
Sepse po tua lexoj këtë poezi grave dhe plakave të fshatit tim, ato pa e ditur se kush është Meri apo Andrea dhe cila është historia e dhimbëshme e tyre, do ti shndronin këto vargje lehtësisht në një vajtim që do bënte të dridhej dhe guri. Sigurisht duke e ngritur zërin një oktavë më lart te ligjërimi i vargut të fundit…Dhe ti…ke fjetur përgjithnjë, ( moj bijë). Oi,oi,
E njëjta strukturë poetiko-muzikore që të kujton zhaurrimën e valëve të detit është dhe te poezia “Zogj shtegëtarë”…Zogjtë shtegëtarë kaluan mbi stere/kaluan mbi det/me flatrat të hapura si kryqe….Ku po shkojnë me kaqë ngut këto kryqe/në cilin cep të botës u hapën rishtazi vareza? Që nga vargu i parë gjer tek i fundit gërmat ngjajnë si nota mbi pentagram, duke e bërë më të thellë dhimbjen që poeti i përcjell lexuesit.
A nuk tingëllon si melodi e trishtuar klarinete poezia “Sheshet e valleve”? Le ta lexojmë bashkë….Poshtë barit që mbiu në sheshet e valleve/është varosur klarineta… Poshtë barit që u rit në sheshet e valleve/janë hiret e vashave/kërcimet e djelmoshave/ dhe sehiri i njelmët i pleqve…
Por muzika në poezinë e Andreas nuk është vetëm e trishtuar. Provojmë të lexojmë qetësisht poezinë “Jam këtu”…me vargjet….Po të dua dëfrim/ sjell detin në dritarezën time/që të luajë pambarim basot e tij. Vë erën në lisat e Dumës, në pyjet e Dhrovjanit / të dirigjojë një orkestër me flaute dhe fyej. Më sjell një lëndinë me njëmijë zile/një luginë me njëmijë këmborë/dhe Panin me cule e dyjare/të hidhet, të përdridhet në mes të kopeve…
A nuk e ndjeni muzikën nëpër vargje kur del nga gryka e zanoreve si nga fyelli. Dhe të vjen të fërshëllesh melodinë e gëzueshme që vetëm shpirti e kap dhe e ndjen, sepse vetëm ai di ta lexojë pentagramin e Artit Jonian, gdhëndur nëpër vargje poezie.
Sigurisht, instiktivisht. Por gjithsesi, mjeshtërisht.
8-Unë do ta shikoj fundin e detit edhe sepse aty ndodhet dashuria e poetit për Merin e magjishme, e vetmja dhe e pazvëndësueshmja dashuri e poetit, që dhe sot, dhjetëvjeçarë pas vdekjes, rritet e rritet si margaritari brenda pinave, duke zbukuruar emrin dhe kujtimin e saj.E pra, çdo femër do ishte e lumtur po ta mbante këtë margaritar qoftë dhe një ditë mbi flokët apo mbi emrin e vetë.
Por ai margaritar ritet e ritet vetëm për Merin dhe neve s’na ngelet gjë tjetër veçse ta shohim me admirim. Dhe me zili, sigurisht.
9-Prandaj unë do ta shikoj fundin e detit, o Andrea Zarballa.
Patjetër që do ta shikoj.
Sarandë, më shtator 2012
P.S. Marrë nga libri im “Kur flasim për Artin Jonian”
Comments