top of page

Timo Mërkuri: UNIVERSALITETI NË POEZINË E NATASHA LAKOS




Leximi i titullit të poezisë “Më ka dashur vërtet” ngjall natyrshëm pyetjen naive të pavetëdijshme: kush e ka dashur vërtet heroinën e poezisë? Ndërsa kërkojmë përgjigje në vargjet e saj, kuptojmë se poetja nuk na jep një emër specifik. Në vend të kësaj, ajo na drejton drejt konceptit të dashurisë si një ndjenjë që nuk përkufizohet nga një figurë e vetme njeriu, por merr formë nga thellësia e përvojave, kujtimeve dhe elementëve të natyrës që e pasurojnë jetën. Kështu pra, poezia flet për një dashuri që nuk vjen nga një individ, por nga ekzistenca në tërësinë e saj, dashuri që ngrihet nga botët e vogla e të mëdha që na rrethojnë, nga kujtimet e shkuara, nga përjetimet dhe lidhjet e fshehta me gjithçka që jeton.

I-Në këtë poezi të Natasha Lakos, dashuria nuk rri brenda  kufirit apo ndjenjës për një individ të vetëm, por shkrihet në një ndjeshmëri të pasur simbolike dhe na fton në një univers të hapur interpretimesh. Poezia nuk është një përcaktim konkret, por është një përjetim i imazheve që ndjehen dhe interpretohen lirshëm, ku çdo detaj natyror apo kujtim mbart thellësi kuptimore të veçanta, duke krijuar për lexuesin një hapësirë poetike të gjallë e shumëdimensionale. Në këtë mënyrë, ajo shpalos për ne një dashuri universale, të cilën secili prej nesh mund ta përjetojë përmes kujtimeve e përjetimeve vetjake. Kjo përvojë poetike shfaqet përmes katër përmasave estetike, që mbështjellin dashurinë në një strukturë të përjetuar e ndjerë:

1.Fillimisht, dashuria shfaqet si një udhëtim drejt të panjohurës, rrugëtim që shfaqet me shenjat e natyrës. Rruga "që i bie andej nga e panjohura" simbolizon atë ndjenjë të përhershme kureshtie dhe shpalosjeje që e ka çdo njeri, sidomos gjatë udhëtimit të pare, ku çdo element, si sytë e zogut, puplat e lejlekëve apo sqepi i dallëndyshes, krijon një ndjeshmëri të thellë për botën dhe për të fshehtat e jetës. Poetja e përjeton këtë dashuri si një soditje dhe përkujdesje për natyrën, si një udhë që lidh zemrën e saj me çdo gjë të gjallë rreth saj.

2.Një përmasë tjetër dashurie shfaqet në kujtimet e fëmijërisë dhe shkollës, ku poetja kujton çastet e para të formimit shpirtëror e intelektual. Në ato banka shkolle, ku "e bukura dhe e soditura" qëndrojnë pranë saj, ndjesitë dhe përjetimet e hershme janë shenjat e para të një lidhjeje me të kaluarën. Kujtimet e shokëve, shoqeve, mësuesve të fëmijërisë, shkollës së mesme apo dhe në fakultete janë gdhendur në ndërgjegjen e saj si ura të fuqishme që ndërtojnë një lidhje dashurie me të kaluarën dhe me formimin e saj emocional.

3. Dashuria përjetohet dhe si përvojë gjithëpërfshirëse e jetës dhe ndjesive të saj, një ndjesi kjo që ndërlidhet me gjithçka që e rrethon. Poetes i duket sikur është "e lidhur me dy pika syri zogjsh" dhe i përfshin “ të puthurat e vogla, të mëdha,” duke e bërë të ndiejë një përqafim të butë nga gjithçka përreth saj. Kjo ndjenjë është e ngjashme me përjetimin rinor, kur gjithçka duket sikur është veç për ne, madje duke parë si çelin gonxhet e para, na duket sikur nëpërmjet atyre pranvera na buzëqesh. Kështu dashuria merr kuptimin e përjetimit të harmonisë së ndërsjellë mes individit dhe botës.

4. Ndërkaq, poetja përmend një figurë enigmatike, një "dikë" të paprekshëm fizikisht, thua një hije, që qëndron në një turbullirë fëminore, të cilin nuk e ka njohur, por që në fëmini e ka magjepsur me "syrin e ndritshëm të milingonave." Ky “dikush” i heshtur, i largët, por i pranishëm në kujtesën e saj, përfaqëson një dashuri të çiltër, te pastër e të gjallë në përjetësinë e mendimit dhe vëzhgimit të thjeshtësisë.

Në këtë mënyrë konceptimi, poezia nuk është thjesht e Natasha Lakos; ajo shndërrohet në një përjetim të përbashkët për të gjithë ne që e lexojmë dhe na flet për çaste të ngjashme, të cilat  secili prej nesh ka ndier, në  fëmijëri apo në rini. Lako, vetëm sa e ka shkruar poezinë, por ne e kemi përjetuar atë. Dashuria nuk ka një emër individi; dashuria ka një univers. Me këtë rast, ndoshta vlen të theksojmë se ne nisim leximin e poezive te Lakos me një drojë, që buron nga mendimi se nuk do ta kuptojmë, se është e largët, e misterëshme. Ne hyjmë në poezinë e Natasha Lakos me ndjesinë se po hyjmë në një observator modern, ku me teleskopët vargojë do shohim yjësitë e artit diku larg, në mes të mjegullnajave, por mahnitemi kur në vend të yjeve të largët e të panjohur shohim veten tonë, shpirtin tonë. Me siguri  që do jetë ndonjë magji e Zonjës së Parë e Poezisë shqipe.

II-Në këtë poezi vërehet përqafimi i postmodernizmit përmes përdorimit të figurave letrare që krijojnë një ndjeshmëri të fragmentuar dhe ndriçojnë përjetime të shumë-fishta të dashurisë. Kështu, Lako e shtrin ndjesinë e dashurisë përtej një koncepti të përkufizuar, e fragmenton atë në elemente të natyrës dhe kujtimeve, duke j’u hapur interpretimit të lirë dhe qëndruar parimeve postmoderniste. Konkretisht:

1. Poezia nis me një imazh të udhëtimit drejt "panjohurës," i cili përfaqëson një ndjesi lirie dhe përvojë të shndërruar në ndjenja të vogla e të fragmentuara. Ajo i jep "syve të një zogu të vogël" një kuptim që tejkalon përjetimin individual dhe përfshin dashurinë si ndjesi të përgjithshme. Me këtë imazh, poetja tejkalon dashurinë konvencionale dhe e shfaq atë si përjetim që gërshetohet me çdo gjë që e rrethon, dukuri karakteristike e postmodernizmit sepse: a.Udha drejt të “panjohurës” dhe shfaqja e ndjenjave  si përvojë e fragmentuar përputhen me konceptin postmodern të realitetit të copëtuar. b. Dhënia e “syve të një zogu të vogël” një kuptim të shumfishtë përfshin dashurinë në një nivel universal. c. Poezia shmang përkufizimin konvencional të dashurisë si përjetim i drejtpërdrejtë i dy  njerëzve dhe e paraqet atë si ndjenjë që gërshetohet me eleme-ntet e natyrës përreth, shprehje kjo e qartë e stilit postmodern që kapërcen kufijtë tradicionalë.

2.Në vargjet si "kuptim i gjeja sqepit të një dallëndysheje të uritur," ndjeshmëria e fragmentuar përfaqëson një qasje postmoderniste që sfidon ndjenjat e plota dhe lineare të dashurisë, a. duke e fragmentuar atë në imazhe të thjeshta, simbolike.b.Duke përdorur figura të thjeshta simbolike që mund të interpretohen në disa mënyra, poetja i jep më shumë hapësirë interpretimi lexuesit se sa vetes.c. Poetja eksploron përmes figurave një dashuri që nuk është e plotë, por gërsheton elemente të vogla të natyrës dhe vëzhgimeve, duke e çuar lexuesin drejt kuptimeve të ndryshme, të cilat bashkohen përmes perceptimit dhe jo përmes shkrimit.

3.Në vargjet si "e lidhur me dy pika syri zogjsh, si nota të pakënduara ende," poetja ndërthur ndjeshmërinë personale me atë universale dhe krijon një imazh që simboli-zon bashkimin e subjektit me universin. a. Ndërthurja e ndjeshmërisë personale me atë universale dhe bashkimi i subjektit me universin përfaqson një ide postmoderniste, ku identiteti nuk është i përcaktuar qartë. b. Përmes metaforës “ dy pika syri zogjsh, si nota të pakënduara ende” Lako sugjeron shpërndarje dhe ndërlidhje të ndjesive indivi-duale me natyrëm, një aspekt tipik postmodernist.c. Simbolika e notave të pakënduara sugjeron një potencial të paplotë, një ndjesi lirie të hapur për shumësi interpretimesh.

4.Në përmbyllje, vargjet e fundit ofrojnë një ambiguitet, ku "dashuria e vërtetë" shfaqet si ndjenjë që nuk ka kufij të qartë dhe nuk është e lidhur me një person apo objekt të vetëm. b.Figura e “syrit të ndritshëm të milingonave” sado që ta vrasësh mendjen, mbetet e paqartë për lexuesin, dhe shton një hapësirë të lirë interpretimi, ku kuptimi i dashurisë mund të jetë shumëdimensional dhe relativist.c. Mungesa e një përkufizimi të qartë të dashurisë dhe e lidhjes së saj me një person të vetëm reflekton shumëdimensionalitet dhe relativitet të ndjenjave.

Në tërësi, përmes ndërthurjes së imazheve dhe strukturës së hapur, poezia i qëndron postmodernizmit dhe pasuron hapësirën e poezisë shqipe. Kjo qasje estetike,nuk synon të japë përfundime të qarta, por sfidon lexuesin të bashkojë fragmentet, e bën poezinë një pasqyrë të postmodernizmit dhe përvojë të thellë e të shumëkuptimtë.

III-Në një lexim me synim zbërthimin e elementeve poetikë, shohim se në strofën e parë të poezisë "Më ka dashur vërtet", poetja niset drejt një udhëtimi të brendshëm, duke shfaqur një lëvizje metaforike në hapësirën e panjohur dhe  të largët, ku përjeti-met marrin formë e kuptim përmes  vrojtimit të thellë e shumë personal mbi botën që e rrethon. Duke përdorur simbole të natyrës dhe ndjeshmëri të rrallë, ajo përfton një vizion të veçantë të dashurisë e bukurisë, duke i zbuluar lexuesit botën përmes lenteve të shpirtit të saj të ndjeshëm.

1.Vargu hyrës, "Rruga më binte andej nga e panjohura dhe e largëta," është një ftesë shpirtërore për t’i ikur përditshmërisë, ndjek një rrugë drejt të panjohurës, ku çdo hap e sjell pranë një bote misterioze që kërkon të zbulojë. Gjithshka ishte e panjohur për atë, me këtë udhëtim ajo nisi ti njihte. Kjo metaforë thellon përvojën e një udhëtimi që nuk ndjek një vijë lineariteti të njohur, por hap një univers përtej horizonteve të zakonë -shme dhe sjell përjetime të ndjesive të panjohura.

2.Në vijim, poetja përfton një lloj afeksioni të pazakontë për botën e natyrës, siç shihet në vargun "u jepja kuptim syve të një zogu të vogël, si shkronjave të para prej frikës dhe së bukurës." Syri i këtij zogu të brishtë bëhet një simbol i ndjeshmërisë së poetes ndaj gjërave të vogla dhe delikate, ndaj atyre që shpesh mbetet pa u vënë re.  Ky detaj simbolik shpreh lidhjen e thellë dhe intuitive që poetja krijon me natyrën dhe aftësinë e saj për të parë thellë në elementët e natyrës. Syri i zogut bëhet një lloj dritareje, përmes së cilës poetja sheh frikën dhe bukurinë, duke na sjellë në mendje ndjesinë e pafajësisë dhe të përjetimit të frikshëm që ndonjëherë shoqëron procesin e njohjeve të reja dhe zbukurimit të botës përmes njohjes. Përmes kësaj figure, poetja eksploron fillimin e përjetimeve të reja që burojnë nga një përzierje e dridhshme emocionesh dhe nga misteri që zbulohet para saj përmes shikimit të kujdesshëm.

3.Ndërsa vazhdon, tensioni midis butësisë e fuqisë së natyrës shihet në vargun "kuptim u jepja puplave të lejlekëve edhe në fluturim, ku butësia bëhej e egër." Lejlekët, me puplat e tyre të buta, në fluturimin e tyre bëhen simbol i një force natyrore, sa e  mëshirshme aq dhe e fuqishme. Puplat e lejlekëve përfaqësojnë butësinë dhe delicate-sën, por kjo butësi shndërrohet në egërsi gjatë fluturimit. Ky kontrast ndërmjet butësisë dhe egërsisë reflekton tensionin shpirtëror në vetëdijen e poetes dhe përvojat emocionale, ku aspektet e ndryshme ndonjëherë ndihen të kundërta, të buta e të egra, të lidhura me frikën dhe bukurinë njëkohësisht. Ndoshta gaboj, por mendoj se poetja shfaq këtu botën e adoloshencës ku ndjenjat janë shpesh të kundërta nga mungesa e përvojës jetësore.

4.Në vargun "kuptim i gjeja sqepit të një dallëndysheje të uritur e doja si e kisha parë," poetja shfaq një tjetër imazh natyror që e shikon me simpati dhe dashuri. Dallëndyshja e uritur, përveçse një imazh i thjeshtë i natyrës, mund të simbolizojë edhe dëshirën e vetë poetes për të kuptuar botën në mënyrë më të thellë. Dashuria që ajo përjeton për këtë krijesë të vogël dhe të brishtë duket si reflektim i ndjeshmërisë së saj ndaj nevojës për ushqim shpirtëror, për kuptim. Përsëri te ky varg poetja shfaq dhimshurinë e një adoloshenteje për çdo gjallesë të vogël e të pafuqishme që gjen dhe njeh rastësisht.

Ka diçka që duhet specifikuar në këtë strofë të parë, ajo mund të cilësohet si "strofa e dhënies së kuptim gjërave" për arsye se fraza "u jepja kuptim" përsëritet në mënyrë të qëllimshme dhe simbolike disa herë dhe  jo rastësisht. Në këtë strofë, poetja jo vetëm që vë në qendër të vëmendjes aktin e vëzhgimit, por edhe atë të një procesi thellësisht personal të interpretimit e njohjes së botës rreth saj. Kjo frazë përsëritet për të nënvizuar një  lloj krijimi të brendshëm, një përpjekje për t’i dhënë natyrës e përvojës një kuptim, i cili del përtej asaj që duket në sipërfaqe.

Kështu, duke "u dhënë kuptim" elementeve të natyrës, syrit të zogut të vogël, puplave të lejlekëve dhe sqepit të dallëndyshes, poetja zhvillon një proces perceptimi të botës, duke i kthyer objektet e zakonshme në burime kuptimesh të reja e personale. Ky akt sugjeron se çdo përjetim, ka nevojë për interpretim për t’u përthithur plotësisht; është pra si një zbulim përmes së cilës ajo zgjeron njohuritë dhe kontaktin me botën. Thua se është një fëmijë I klasës së parë që mëson shkrimin gërmë pas gërme. Kjo qasje ndaj kuptimit është reflektim i ndjeshmërisë së saj artistike: poetja nuk e sheh botën si një realitet të palëvizshëm, por si një hapësirë të pafundme, e cila duhet të njihet përmes ndjenjave dhe përjetimeve personale. Prandaj themi se strofa e parë është akt poetik i “dhënies shpirt natyrës” duke krijuar kuptimin si një prani që e shndërron çdo imazh në pasqyrim të brendshëm të shpirtit të poetes.

IV-Në strofën e dytë të poezisë "Më ka dashur vërtet," Natasha Lako sjell një ndjesi të thellë introspektive dhe ndërthurje të ndjeshmërisë estetike me përvojat e fëmijërisë. Përmes figurave të fuqishme dhe simbolikës së pasur, poetja trajton konceptet e bukurisë dhe soditjes si pjesë të identitetit të saj. Strofa ofron një portretizim të formimit të individit përmes përvojave dhe ndjenjave, duke e vendosur atë në kërkim të vazhdueshëm për kuptim dhe unitet në këtë botë të turbullt e të paqartë.

1. Në strofën e dytë të poezisë Natasha Lako ndërthur simbolikën e "soditjes" dhe "të bukurës" me përvojën intime të fëmijërisë dhe formimin e identitetit të saj. Vargu “E bukura dhe e soditura uleshin me mua në bankën e shkollës” nxjerr në pah ndërthurjen midis estetikës dhe mendimit refleksiv, duke vendosur këto koncepte në kontekstin e shkollës (fillore?). Kjo shprehje lë të kuptohet se, për të, shkolla është më shumë se një mjedis për mësim formal;  ajo është  hapësira ku ndjeshmëria dhe soditja bëhen pjesë e formimit të saj të brendshëm dhe mënyrës së përjetimit të botës. Poetja nuk është thjesht një nxënëse që mëson, ajo është një vëzhguese që përthith botën përreth, duke kthyer çdo mësim dhe vrojtim në një zbulim të thellë të bukurisë dhe përjetimit.

2. Poetja u jep këtyre koncepteve një trajtë të veçantë përmes personifikimit, duke i bërë "e bukura" dhe "e soditura" si dy qenie të pranishme në jetën e saj, gjatë dhe pas fëmijërisë. Këto nuk janë thjesht ndjenja të përkohshme, ato bëhen shoqërues të përhershëm në udhëtimin e saj shpirtëror, duke përfaqësuar një pjesë të identitetit të saj. Nëpërmjet këtij përfytyrimi, poetja na fton të shohim bukurinë dhe soditjen jo thjesht si përjetime të çastit, kalimtare, por si forca që ndikojnë në formimin dhe frymëzimin e saj të përhershëm, duke i ndihmuar të gjejë kuptim që në vegjëli.

3. Në vargjet “e lidhur me dy pika syri zogjsh, si nota të pakënduara ende,” shfaqet një ndjeshmëri fragmentare, ende në proces të plotësimit. Poetja shfaq veten të lidhur me dy pika syri zogjsh, duke përcjellur një lidhje me lirinë dhe intuitën, por që është ende e heshtur, si një melodi ende e pa kënduar. Zogjtë këtu përfaqësojnë jo vetëm lirinë dhe shpresën, por edhe një perceptim të mprehtë dhe intuitiv të botës që poetja ka qysh në vegjëli. Duke e lënë këtë melodi të pa kënduar, poetja sugjeron potencialin e fshehur të përjetimeve, mundësitë e pashprehura, që i japin jetës së saj një thellësi të veçantë dhe e çojnë lexuesin drejt një kuptimi më intim të përvojës njerëzore.

4. Në vargun “u jepja kuptim të puthurave të vogla, të mëdha, që më bënë një,” poetja ndalet në peshën e çdo gjesti të vogël, madje u jep rëndësi edhe puthjeve më të zakonëshme. Këto puthje bëhen simbole të përjetimeve të ndryshme që e kanë formësuar dhe e kanë bërë të ndjejë një unitet shpirtëror, duke shprehur një dashuri për botën përmes gjesteve të vogla dhe përvojave që formojnë  identitetin e saj. Poetja “na bind” se  çdo përvojë, dhe ajo më e vogëla, është pjesë thelbësore e këtij uniteti, që i jep ndjesi të harmonisë së qenies.

5. Duke përmbyllur strofën, ajo thotë “kaq e turbullt mbeti jeta që më donte,” një varg që përcjell ndjesinë e pasigurisë së ekzistencës. Kjo jetë, që i është shfaqur përmes dashurisë e ndjeshmërisë që ka përjetuar, mbetet përherë e paqartëj. Ky imazh shpreh një kërkim të pandërprerë për kuptim, një përpjekje për të përballuar kompleksitetin e përvojave që e kanë prekur dhe që vazhdojnë ta formësojnë.

Në qoftë se do kërkonim të shihnim ndryshimin midis strofës së parë dhe asaj të dytë  do thoshnim se: qëndron në qasjen ndaj përjetimeve dhe në raportin që krijon poetja me botën përreth. Në strofën e parë, siç thamë, poetja përpiqet tu japë kuptim përvo-jave dhe objekteve, duke përccjellur një qasje sa aktive aq dhe krijuese, ku çdo element i botës merr një formë kuptimore në sytë e saj.

Ndërkohë në strofën e dytë, qasja zhvendoset nga dhënia e kuptimit tek përjetimi i ndërlikuar dhe i ndjerë, lidhur ngushtë me formimin e saj shpirtëror. Këtu poetja nuk përpiqet thjesht të kuptojë realitetin, por tregon se si bukuria dhe soditja janë bërë pjesë të natyrshme të qenies së saj. Ato shfaqen si shoqërues të identitetit të saj, duke e ndihmuar në njohjen e botës dhe në zbërthimin e së bukurës. Në këtë mënyrë, strofa e dytë paraqet jo vetëm përvojën e kuptimit, por edhe atë të formimit të individit përmes ndjenjave të ndërlidhura me fëmijërinë e rininë dhe përvojat estetike. E thënë më shkurt, heroina është rritur dhe pjekur, por jo gjer në moshën kur mund të drejtojë jetën e saj.

Këtë analizë na e kushtëzoi leximi artistik i vargjeve, ndaj edhe vazhdojmë se: duket sikur Natasha Lako nuk është rritur përtej botës ndjesorë  të fëminisë dhe rinisë, ose ajo ende ka mbetur brenda saj ajo fëmija që habitej me çdo pamje që shihte për herë të parë dhe që ëndërronte botën, por dyshonte në vetvete në se: do ishte e zonja ta  mbante dot dhe jo si do ta mirte atë.

V- Përmendëm më sipër universalitetin e elementeve të poezisë, por duhet të shtojmë se ai merr formë të dallueshme përmes gërshetimit të përjetimeve personale të cilat shpërthejnë përtej individualitetit, duke rezonuar në një ndjesi që prek lexuesin. Si zakonisht edhe te kjo poezi Natasha Lako ndërton një botë poetike ku përvoja bëhet universale, ku fjalët kalojnë nga ndjenjat e përveçme drejt një shtrirjeje të përgjithë-shme njerëzore. Ky universalitet i dhënë përmes vargut ngjan si thirrje e përjetshme, ku çdo përvojë dhe ndjenjë e njeriut gjen një hije dhe përmasë të vetën në universin poetik të saj, ose e thënë më ndryshe kjo poezi na tingëllon sikur është e jona, sikur jemi ne që e flasim dhe Lako vetëm sa e shkruan atë. Në qoftë se kërkojmë të cilësojmë elementet që e ngrenë këtë poezi në nivelin universal, ato janë të dukëshme dhe ne na duhet ti shfaqim:

1. Në poezinë e Natasha Lakos, dashuria shfaqet si një koncept universal që përfshin gjithë qenien dhe përvojën njerëzore, duke e bërë të pakufijshme në kohë, hapësirë dhe ndjesitë e saj. Pra, në këtë poezi, dashuria nuk është një përjetim i kufizuar tek një marrëdhënie personale apo moment specifik; përkundrazi, ajo shtrihet përtej individit, duke u bërë pjesë e gjithë botës dhe të gjithëve dhe kjo është e dukësshme në vargjet, “E bukura dhe e soditura uleshin me mua në bankën e shkollës”. Këtu, dashuria e lidhur me “të bukurën” dhe “soditjen” tejkalon përvojën individuale dhe i bashkohet një ndjenje të përbashkët njerëzore që e nxit shpirtin të kërkojë kuptim dhe harmoni në çdo aspekt të jetës.

2. Në vargun “E lidhur me dy pika syri zogjsh, si nota të pakënduara ende,” Lako prek thelbin e universalitetit, pse  kapur një moment përjetimi të përbashkët për çdo qenie njerëzore, atë të ndjesisë së lidhjes me diçka të madhërishme dhe të pashpjegueshme, që mbetet e pacënuar dhe e paplotësuar. Kështu: “Dy pika syri zogjsh” ndërsa përfaqë-sojnë diçka të imët e delikate, në të njëjtën kohë shfaqin një hapje të jashtëzakonshme drejt botës së natyrës. Sytë e zogjve mund të simbolizojnë lirinë dhe aftësinë për të parë larg (në fluturim), për të ndjerë thellë. Kjo frazë shfaq një imazh që nuk kufizohet tek një individ, por i referohet diçkaje që çdo njeri mund ta njohë në mënyrën e vet. Kështu, ndjesia e të qenit “i lidhur” me natyrën merr karakter universal , pasi shfaq ndjesinë e të qenit pjesë e diçkaje të madhe.

Vazhdimi i vargut “si nota të pakënduara ende” lë hapësirë për të imagjinuar aftësinë  e pa shfaqur (të të kënduarit, këtu), harmoni që nuk është dëgjuar ende. Krahasimi me notat shpreh se brenda çdo shpirti njerëzor ekziston një melodi e pashprehur, një ndjenjë që pret të realizohet, duke u bashkuar me përvojat e ndjesitë e njerëzve në tërësi. Kështu, në këtë varg universaliteti qëndron në idenë se brenda çdo individi gjendet një ndjenjë që tejkalon atë vetë dhe kërkon t’i përkasë gjithë botës, duke qënë ndërkohë në pritje të realizohet  .

3. Le të shohim vargun: “u jepja kuptim të puthurave të vogla, të mëdha, që më bënë një”, këtu puthjet kapërcejnë domethënien individuale dhe bëhen një mënyrë për të përkufizuar përjetimin universale të dashurisë. Puthjet shfaqen si simbole të përjetë-shme, i japin formë dhe identitet gjithçkaje që përjetojmë, një lidhje kjo universale e krijuar për të bashkuar ndjesitë njerëzore në një tërësi të përbashkët.

4. Ka një varg në fund Natasha Lako që thotë: “kaq e turbullt mbeti jeta që më donte” duke shprehur një turbullirë që e kalon ndjesinë individuale dhe bëhet përvojë e gjithë njerëzimit. Jeta, e cila shfaqet si një “turbullirë” përballë përpjekjeve tona, është thelbi universal i pasigurisë dhe misterit të përhershëm, jo vetëm të vajzave të reja. Kjo shprehje përmbledh përvojën njerëzore në një shprehje të përbashkët që na shoqëron të gjithëve, pavarësisht se ku jemi dhe çfarë përjetojmë.

E parë në këtë aspekt, Natasha Lako, nëpërmjet elementeve universale, fton lexuesin të përjetohet përtej ndjenjave të zakonshme, duke i parë përvojat si pjesë e tërësisë universale. Vetëm duke i parë në këtë mënyrë ndjern se, universi i saj poetik nuk është hapësirë vetëm për ndjenjat individuaale, por edhe një mundësi ku lexuesi zbulon  universalitetin e përjetimeve të veta dhe gjen qetësi shpirtërore. Duhet të shtojmë se pikërisht universaliteti i poezisë e çon atë përtej kufijve të postmodernizmit, pse ofron hapësirën ku ndjesitë individuale shndërrohen në përvoja të përbashkëta, dhe të kuptueshme për çdo njeri, pavarësisht kohës dhe vendit, ashtu si ujët e lumit shndrohet në pjesë të oqeanit. Ndryshe nga postmodernizmi, universaliteti e bashkon lexuesin dhe poetin përmes një përvoje të përbashkët njerëzore.

Duke parë këtë poezi të Natasha Lakos,  ndjejmë se ajo nuk ndalet te subjektiviteti apo fragmentet e veçanta të jetës, por i tejkalon ato, duke krijuar një realitet të përbashkët që rezonon me përvojat universale të shpirtit njerëzor. Kështu, përmes vargjeve që kapërcejnë kohën, poezia e saj shkon përtej veçorisë së epokës dhe fton lexuesin të jetë pjesë e një përjetësie, të cilën postmodernizmi nuk e kap dot me të njëjtën ndjesi. Pra, universaliteti e ngre poezinë në një nivel tjetër, duke e bërë jo vetëm reflektim të brendshëm, por edhe një thirrje për bashkim  shpirtëror,  qasje që postmodernizminuk e eksploron plotësisht.

VI-Universaliteti poetik i Natasha Lakos qëndron edhe në forcën e figurave artistike, të cilat gjithashtu kalojnë përtej përjetimeve individuale. Për këtë qëllim ndërtimi i këtyre figurave dhe qasja e saj estetike krijojnë imazhe që kanë rezonancë universale, ku përvoja personale  shfaqet si pjesë  e të përbashkëtës njerëzore. Kemi thënë që figurat artistike të Lakos çelin si lule në poezitë e saj, por aroma, ngjyrat e petaleve  dhe vetë petalet ndjehen dhe shihen në gjithë universin ( ku këto poezi lexohen.

Kështu, në vargun “e lidhur me dy pika syri zogjsh, si nota të pakënduara ende” psh, Lako shfaq një ndjenjë përkatësie ndaj gjithësisë. Pikat e syve të zogjve dhe notat e pakënduara krijojnë një imazh ku dashuria dhe perceptimi për botën janë të pazbuluar, një gjendje që nxit lexuesin të ndjejë një përvojë universale të dashurisë dhe ndjeshmë-risë që tejkalon individin.

Gjithashtu, figurat e përdorura janë të përjetshme dhe i japin karakter universal veprës poetike. Në vargun “E bukura dhe e soditura uleshin me mua në bankën e shkollës,” poetja nuk shfaq një moment personal, por krijon një imazh që personifikon bukurinë dhe soditjen si bashkëshoqërues të përhershëm të njeriut, ndjenjë kjo e përjetuar nga të gjitha vajzat dhe djemtë e moshës. Ky akt i bëhet një alegori e përvojës universale të kërkimit të kuptimit dhe soditjes së botës, çfarë e ngre poezinë e saj në një nivel të lartë të përvojës dhe ndjeshmërisë kolektive.

Në shumë vargje , Lako krijon imazhe që nuk përfaqësojnë thjesht përvojën individuale, por shfaqin një ndjenjë të përjetshme të përbashkët, psh., dashuria, malli  etj. ndjenja shfaqen në formë të përgjithshme, ku çdo lexues mund të gjejë pjesë të vetes, gjë që e bën poezinë e saj një univers. Kështu psh.në vargjet “kaq e turbullt mbeti jeta që më donte”, poetja shpreh një ndjenjë pasigurie të jetës,  që ndjehet dhe kuptohet nga çdo njeri, pavarësisht vendit dhe kombësisë, duke marrë kështu statusin e një ndjenje universale. Në këtë mënyrë, themi se universi poetik i Natasha Lakos pasqyron përvoja dhe emocione të njohura e të përjetuara, ndërsa vargjet e saj shfaqin një universalitet që kapërcen kohën, vendin dhe individin.


Sarandë, më nëntor 2024

Më ka dashur vërtet

Rruga më binte andej nga e panjohura dhe e largëta,

u jepja kuptim syve të një zogu të vogël, si shkronjave

të para prej frikës dhe së bukurës,

kuptim u jepja puplave të lejlekëve edhe në fluturim,

ku butësia bëhej e egër,

kuptim i gjeja sqepit të një dallëndysheje të uritur

e doja si e kisha parë.


E bukura dhe e soditura uleshin me mua

në bankën e shkollës,

në gojë dhe buzë të shumëfishuara të jetoja,

e lidhur me dy pika syri zogjsh,

si nota të pakënduara ende,

u jepja kuptim të puthurave të vogla, të mëdha,

që më bënë një,

kaq e turbullt mbeti jeta që më donte.

Më ka dashur vërtet ai që të vogël nuk më pa,

i mahnitur kur ka qenë nga syri i ndritshëm i milingonave.


Kundërpërfytyrim. Onufri 2023


12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page