top of page

Timo Mërkuri: SHENJTËRIMI I MIQËSISË DHE POEZISË




Nga Timo Mërkuri

Në këto minuta të para të vitit 2025 që porsa hyri, dy miq më erdhën në një poezi të botuar te ExLibris. Në fakt është një cikël poetik nga Aleksandër Bardhit, por mua më tërhoqi vemëndjen poezia “Bie shi në Ardenicë” kushtuar mikut të tij Nuri Plaku, leximi i të cilës më bëri të ndjehesha edhe unë si i tretë mes tyre, apo më mirë  të themi: në mes të vargjeve. Kjo ndjesi mu krijua pse kjo poezi është më shumë një himn delikat për miqësinë dhe spiritualitetin, është nga ato poezi ku natyra dhe ndjeshmëria njerëzore ndërthuren mes tyre në një atmosferë të qetë. Madje poeti përmes figurave të thjeshta, por të pasura artistikisht na sjell imazhe të një vendi të shenjtë dhe ndjenjat e mallëngjimit për një mik të dashur, duke krijuar një poezi që reflekton shpirtërim dhe ngrohtësi njerëzore.

1.Le t'a shohim këtë poezi në dy aspekte shkurtimisht në këtë orë të vonë, ku porsa është thyer mesnata e gjumi s'po më vjen. Arti poetik i  poezisë bazohet në një harmoni të qartë mes gjuhës së përdorur dhe ndjenjës së transmetuar. Figura e shiut, që “shkund krahët bilbili,” sjell një ndjesi delikate e ritmike, duke e ndërlidhur natyrën me një qetësi melankolike, por mua më befasoi vargu “Plot me hire manastiri”, madje dhe përsëritja e tij edhe në strofën e fundit për shumësinë kuptimore dhe ndjesore dhe bukurinë e ngjyrave që ai përthyen në lexueshmëri. Ky varg është një portretizim poetik dhe i thellë i mikut të tij, Nuri Plaku, i cili nuk i referohet vetëm portretit të rregullt të tij, por së pari thellësisë shpirtërore dhe qetësisë që rrezaton, duke e krahasuar me hiret, bukuritë, qetësinë e shënjtërinë e një manastiri, duke shfaqur ndërkohë edhe vetë këndvështri-min shpirtëror të poetit mbi mikun e tij. Kjo metaforë e fuqishme sintetizon fizikisht dhe shpirtërisht natyrën e Nuri Plakut dhe konkretisht:

a.Përdorimi i "manastirit" sugjeron një bukuri jo vetëm estetike, por dhe shpirtërore të pastër, të paqtë e të ndritëshme, duke e ngritur Plakun në një dimension pothuajse të shenjtë.

b."Plot me hire" përfshin bukurinë, elegancën dhe qetësinë e lëvizjeve të tij, duke i dhënë një aspekt thuajse të përkorë, të kujdesshëm për gjithçka që prek, përfshirë dhe përjetësinë e natyrës.

c.Shikimi i ëmbël dhe buzëqeshja e qëndrueshme e Plakut shfaqin një shpirt të pasur dhe melodik, element ky, që përforcohet nga përqasja e "manastirit" si një hapësirë ku harmonia dhe paqja janë gjithmonë të pranishme. Nuk e di pse por mendoj se dhe Pikaso po ta skiconte portretin e Nuri Plakut kaq të përsosur nuk do ta realizonte dot.

Ky varg jep edhe efekte  të tjera në përsëritjen e tij, dhe konkretisht:

a.Në strofën e parë, vargu vendos tonin e poezisë, duke krijuar një ndjesi admiruese dhe nostalgjie për mikun poet. Kujtimi i Plakut është i lidhur ngushtë me një vend shenjtërie, duke nënvizuar marrëdhënien e tyre shpirtërore dhe nderimin e thellë. Ky vend shenjtërie lidhet me Manastirin e  Ardenicës,i njohur në historinë kishtare e atdhetare të vendit tonë.

b.Në strofën e fundit, përsëritja e vargut shërben si mbyllje ciklike, duke rikthyer lexuesin në ndjenjën fillestare të mallit dhe respektit, duke krijuar një efekt ritmik dhe melodik,madje duke theksuar se portretizimi i Plakut është qendror për emocionin dhe mesazhin e poezisë. Në tërësi, ky varg përforcon imazhin e poetit Nuri Plaku si një figurë të jashtëzakonshme, duke e ngritur atë në lartësitë e një frymëzimi të pastër artistik dhe njerëzor

c.Poeti ndërthur dhe elemente të tokës e qiellit, si “tymi mbi çati”, që simbolizon jetën e përditshme, manastiri, i cili bart  dimensionin shpirtëror dhe universal, ndërthurje që shton pasurinë e simbolikave në poezi, të cilat i flasin sa ndjeshmërisë personale të lexuesit, ashtu edhe një lidhjeje më të gjerë shpirtërore. Duhet të dimë miqësinë e herëshme të Bardhit dhe Plakut për të kuptuar arsyen e këtyrë vargjeve kaq shpirtërore.

2. Mund të soditim disa veçanti te poezisë që qëndrojnë në ndërthurjen e një përdi-tshmërie të thjeshtë me përmasat më të larta shpirtërore. Përshfaqja e takimeve miqësore përmes kafes që pihet “në kryq,” që lehtësisht mund të nënkuptohet si udhëkryq, një vend fizik ku ndoshta mund të ketë ndonjë kafene. Mirëpo duke parë që vargu "Njeri tjetrit i bëjmë gjyq" aludon për debatet dhe shkëmbimet kritike që ndodhin midis dy  poetëve për poezitë e tyre, kuptojmë se ky "gjyq" është një metaforë për analizën dhe kritikën krijuese që, edhe pse mund të jetë e ashpër, buron nga një marrëdhënie miqësore dhe respekti reciprok. Kjo ndjenjë miqësore i jep debatit një cilësi shenjtërimi, ku diskutimi nuk është për të ndëshkuar, por për të ndriçuar dhe përmirësuar artin poetik.

Në këtë kontekst edhe  vargu "Nga një kafe pimë në kryq" nuk e ka fjalën për ndonjë kafene në ndonjë udhëkryq, por ndonëse është një moment të përditshëm, ai është i ngarkuar me simbolikë. "Kafja" shndrohet në një ritual ku shkëmbehen mendime, ide dhe ndjenja, ndërsa "Kryqi" mund të interpretohet si një vend simbolik që përfaqëson rëndësinë dhe peshën e “gjyqit” të tyre poetik. Pra  ky kryq nuk është thjesht një vend fizik, por një simbol i krijimit dhe sakrificës së poetit për artin. Kjo është e kuptueshmë nga vargu "Në një kryq ku s’shkohet dot / e çdokujt s’i hapet dera"  që e ngre kryqin në një dimension më të lartë, duke aluduar për Kryqin e Kryqëzimit të Krishtit. Këtu kuptojmë dhe ndjejmë se ky kryq përfaqëson vuajtjen dhe sakrificën në procesin e krijimit poetik, por edhe shpëtimin e shenjtërimin. Për poetët, poezia është një formë kryqëzimi: një proces i vështirë, i ngarkuar me peshën e kërkimit të së vërtetës dhe të bukurisë. Poezia është gjithashtu një "tempull shenjtërimi," ku hyjnë vetëm ata që janë të përkushtuar dhe të aftë për ta kuptuar dhe ndjerë atë. Duke e qasur poetikisht “kryqin” me kryqëzimin në kryq të Jezu Krishtit vetiu na lindi mendimi se dhe Jezu Krishti, vetëm pas kryqëzimit në Kryq në Golgotha u kompletua si Krisht, Biri i Zotit që e përfundoi misionin e tij në tokë dhe më pas u ngjit te Ati i tij në qiell. Aleksandër Bardhi e njeh mirë historinë e Krishtërimit dhe zotëron talentin e shprehjes poetike të këtyre njohurive, madje në mënyrën më befasuese.

3.Këto vargje të Aleksandër Bardhit kanë një shumë kuptimshmëri të ndërthurur, që ju shton bukurinë dhe konkretisht :

a."Gjyqi" mes miqve poetë nuk është për të dënur, pse ai përfaqson debatin dhe kritikën miqësore, pra është për të ndihmuar njëri-tjetrin në përmirësimin e artit, një akt që kërkon ndershmëri dhe përkushtim.

b. Poezia si kryq është një gjetje brilante, vargjet sugjerojnë se procesi krijues është një akt sakrifice, ku poeti merr mbi vete barrën e artit, ngjashëm me Krishtin që mbajti kryqin mbi shpinë. Kryqi bëhet simbol i përjetimit dhe i transcendencës poetike. Poezia, si kryq,( jo rastësisht e cilëson vendin si kryq, ku edhe mund të kryqëzohet një miqësi për hir të poezisë) është një hapësirë e veçantë (dhe e shenjtë pë rata) ku ata shkëmbejnë mendime dhe përjetime, duke krijuar një dialog krijues dhe shpirtëror.

c. Poezia shfaqet si tempull, pse jo të gjithë mund ta kuptojnë apo të arrijnë në nivel të lartë poetik, pasi ajo kërkon ndjeshmëri dhe një shpirt të hapur, duke krijuar një ndarje midis atyre që janë “të thirrur”, të përkushtuar ndaj artit dhe atyre që mbeten jashtë.

Këtu vargje ndërthurin përditshmërinë e miqësisë me sublimitetin e artit, duke theksuar se poezia është një akt i madh dhe i shenjtë, që kërkon përkushtim, vuajtje dhe harmoni shpirtërore.

4.Le të shohim vargjet "Ku të shtron bukë e shpirt / Bukuroshe Shën e Djela" të cilat mbartin një simbolikë të thellë, duke ndërthurur elemente të mikpritjes, shenjtërisë dhe bukurisë:

a.Vargu: "Ku të shtron bukë e shpirt": evokon një ambient ku ofrohet jo vetëm ushqim fizik ("bukë"), por sidomos ngrohtësi shpirtërore ("shpirt"). Pra, vargu flet për një vend ose moment ku miqtë ndajnë jo vetëm ushqimin, por edhe ndjenjat, mendimet e përvo-jat e tyre, duke krijuar një lidhje të thellë njerëzore.

b. Fraza vargore: "Bukuroshe Shën e Djela" ku bëhet përdorimi i fjalës "Bukuroshe" për të shfaqur "Shën e Djela" sugjeron se e diela është një ditë e veçantë, e bukur dhe e shenjtë. Kjo ditë, tradicionalisht e lidhur me pushimin dhe reflektimin shpirtëror,është një ditë e bukur ndaj lehtësisht personifikohet si figurë femërore e bukur dhe e shenjtë.

c.Për më tepër, në traditën ortodokse shqiptare, ekziston Kisha e Shën e Dielës në fshatin Nartë, Vlorë, e cila është një nga objektet e kultit më të vjetra në këtë zonë. Kjo kishë është simbol i rëndësishëm për komunitetin lokal dhe lidhet me traditat dhe festimet e tyre fetare.

E parë në këtë kontekst në një nga interpretimet e poezisë themi se: Duke pasur parasysh se e diela është tradicionalisht dita e pushimit, dhe dita e takimeve familjare e miqësore, vargjet sugjerojnë se poetët takohen në këtë ditë për të ndarë mendimet dhe krijimet e tyre. Këto takime janë të mbushura me mikpritje ("bukë e shpirt") si dhe zhvillohen në një atmosferë të shenjtë dhe të bukur ("Bukuroshe Shën e Djela"). Mirëpo, duke personifikuar të dielën si një shenjtore të bukur, vargjet aludojnë se poezia dhe krijimtaria janë akte të shenjta që kërkojnë përkushtim dhe respekt. Takimet poetike të së dielës shndërrohen në rituale shpirtërore, ku ndarja e "bukës" dhe "shpirtit" simboli-zon ndarjen e mendimeve, frymëzimit dhe pasionit për artin poetik. Në thelb,vargjet "Ku të shtron bukë e shpirt / Bukuroshe Shën e Djela" krijojnë një imazh të fuqishëm të takimeve poetike që zhvillohen në një atmosferë mikpritëse dhe të shenjtë. Përdorimi i personifikimit dhe referencave fetare thekson rëndësinë e këtyre momenteve si akte të shenjta krijimtarie dhe bashkimi shpirtëror.

5.Poezia përshkohet nga një sinqeritet prekës dhe një përshkrim që flet për një mall të heshtur e të pastër, psh. në vargjet: “Bie shi në Ardenicë / Sikur shkund krahët bilbili.” Në këto rreshta, shfaqja natyrore bëhet metaforë e përjetimeve shpirtërore, duke e kthyer manastirin e Ardenicës në një simbol të miqësisë dhe qetësisë së përhershme.

Në këtë këndvështrim, poezia “Bie shi në Ardenicë” shfaqet si vepër e thjeshtë në formë , por e thellë në ndjenjë dhe me një simbolikë të ndjeshme që të prek. Malli për mikun dhe për vendin e shenjtë ndërthuren për të krijuar një botë ku spiritualiteti dhe miqësia janë të pandashme. Elementet poetike dhe artistike e bëjnë këtë poezi një përjetim të pasur për lexuesin, që mund të ndiejë atmosferën e shiut mbi Ardenicë dhe miqësinë që përshkon vargjet e saj.

Nga sa thamë më sipër shohim dhe ndjejmë se kjo poezi i qaset modernizmit simbolist, duke përdorur simbolika të fuqishme si kryqi, Shën e Djela, dhe shiun, për të shprehur ndjenja të thella miqësie, krijimtarie, e shenjtërimi. Në të njëjtën kohë, vargjet përzihen me një ton intim dhe meditim poetik, karakteristikë e modernizmit me ndikime ekzistencialiste dhe shpirtërore.

Një vlerë e shtuar e kësaj poezzi qëndron në faktin se:në një kohë kur shumë poetë shpërfillin dhe shprehen negativisht për vlerat e njëri-tjetrit, Aleksandër Bardhi dhe Nuri Plaku manifestojnë një model të rrallë respekti dhe vlerësimi të ndërsjellë, që shkon deri në shenjtërimin poetik të njëri-tjetrit. Në këtë poezi, miqësia dhe poezia ndërthuren si akte të shenjta,(jo vetëm poetike) ku debati krijues është një dialog frytdhënës e vlerësues, dhe jo përçarës. Përmes një gjuhe simboliste dhe me thellësi shpirtërore, Bardhi shfaq jo vetëm bukurinë e artit, por edhe të shpirtit njerëzor, i cili është një poezi më vete që nderon çdo autor.


Sarandë, 01.01.2025


Aleksandër Bardhi

BIE SHI NË ARDENICË

Mikut tim poet, Nuri Plaku



Bie shi në Ardenicë

Sikur shkund krahët bilbili.

Më mer malli për ty mik

Plot me hire manastiri.


Miku im që cdo ditë

Njeri tjetrit i bëjmë gjyq,

Kur del tymi mbi çati

Nga një kafe pimë në kryq.


Në një kryq, ku s’shkohet dot

E çdo kujt s’i hapet dera,

Ku të shtron bukë e shpirt

Bukuroshe Shën e Djela.


Bie shi në Ardenicë

Sikur shkund krahët bibili,

Më mer malli për ty mik

Plot me hire manastiri.

115 views1 comment

1 comentario


Natasha
3 days ago

Pershendetje poetit Aleksander Bardhi.Sikur isha nen kete shi te Ardenices .Te fillonte viti me kete ndjellje kaq sqimtare miqesije, ,mund ta dhuronte vetem Timo Merkuri per ne te tjeret.

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page