Timo Mërkuri: Laboratori krijues i poetit Terziu i përket krijimtarisë moderniste, në një nivel të lartë artistik
Në traditën shqiptare, tryeza familjare sidomos ajo e natës së vitit të ri ka një simbolikë të thellë. Gjatë darkës, babai ulet në krye të tavolinës, duke përfaqësuar shtyllën e familjes, ndërkohë që nëna merr një pozicion më fleksibël, duke u kujdesur për plotësimin e nevojave të tryezës dhe fëmijëve, që rinë rreth tavolinës sipas moshës. Ky rend simbolik pasqyron unitetin, dashurinë dhe harmoninë e familjes shqiptare. Kjo harmoni mungon te rasti i poezisë, "Tryeza pa prindër," e Terziut për arsye që e dimë, shuarjen e prindërve për shkak të moshës. Kjo mungesë ndjehet në darkën e shtruar por më së shumti cilësohet në poezi si një boshllëk i thellë shpirtëror.
1.Poezia "Tryeza pa prindër" nga Fatmir Terziu dhfaq me ndjeshmëri të jashtëzakonshme skenën e një darkë apo dreke, që lehtësisht interpretohet si e Vitit të Ri, të cilës i mungon qenia më e shenjtë e familjes – prindërit. Tryeza prej lisi, simbolizon qëndrueshmërinë dhe përjetësinë e vlerave familjare, ndërkohë që "njolla vere" në të sugjerojnë kujtimet e një kohe të lumtur që tashmë i përkasin të kaluarës të cilat në poezi nuk janë thjesht njolla fizike, por mbartin simbolikën e gëzimeve dhe dhimbjeve të jetës.
Vargu "pushoi vallen e rëndë nën bërrylat e mia të rrudhosura" ilustron barrën emocionale të kujtimeve dhe ndjesinë e vetmisë. Përdorimi i figurës së "valles së rëndë" aludon për lëvizjet e pandërprera të jetës dhe energjinë që mbart tryeza kur prindërit janë të pranishëm, ndërsa bërrylat e rrudhosura tregojnë plakjen e subjektit lirik dhe boshllëkun që e shoqëron.
Simbolika e dy pjatave të Vitit të Ri është e fuqishme. Vargjet "Dy pjata të Vitit të Ri: / të dyja bosh, / siç ishte zemra ime" tregojnë për mungesën e thellë – jo vetëm fizike, por edhe emocionale. Pjatat bosh janë metafora të zbrazëtisë shpirtërore, të një jete pa ngrohtësinë dhe dashurinë që prindërit sollën dikur.
E parë në këtë kontekst themi se poezia mbart një mesazh njerëzor të fuqishëm: mungesa e prindërve nuk është thjesht mungesa e njerëzve, por e dashurisë, kujdesit dhe përkatësisë. Ajo shpreh një respekt të madh për rolin e prindërve në jetën tonë dhe krijon një ndjenjë reflektimi për mrëndësinë e familjes. Në rastin e Terziut kujtojmë se ikja e atit u përjetua dhe përjetësua në vëllimin poetik "AT" po ashtu dhe ikja e nënës u përjetua me cikle poezish fine, si një iso e këngë jetës.
2. Terziu ndërton poezinë me një ton melankolik, çka përpiqet të fshehë dhimbjen, por e pranon atë si rrjedhim funksional i ciklit të jetës. Madje thjeshtësisht ai përdor një gjuhë të thjeshtë në dukje, por të ngarkuar me simbolikë. Vargjet janë të shkurtra dhe të përmbledhura, duke i dhënë lexuesit hapësirë për të ndjerë dhe reflektuar mbi peshën emocionale të tyre. Ndërtimi i imagjinatës poetike përmes figurave si "flatrat e erës" thekson vetminë dhe mungesën e një force mbështetëse.
Nga ana njerëzore, poezia flet për përjetimin e humbjes së prindërve, por gjithashtu dhe për përkujdesjen për vlerat familjare që na përcjellin prindërit. Ajo i kujton lexuesit rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve familjare (qoftë dhe në një darkë të Vitit të Ri) dhe vlerave që ato përfaqësojnë, përpara se të bëhet shumë vonë.
3. Kjo poezi e Terziut i përket modernizmit, me prirje drejt intimizmit dhe reflektimit ekzistencial për arsye se:
a. Poezia fokusohet në botën e brendshme të subjektit lirik, dhe shpreh ndjenja të vetmisë, boshllëkut dhe nostalgjisë për prindërit e munguar.
b. Elementet konkrete si tryeza, pjatat bosh dhe njollat e verës kanë një kuptim të gjerë simbolik, duke përfaqësuar kujtimet, humbjen dhe zbrazëtinë shpirtërore.
c. Poezia nuk ndjek një rrëfim linear, por paraqet momente dhe ndjesi të izoluara, duke i lënë lexuesit hapësirë për shumësi interpretimi.
ç.Shohim se poezia në vend që të përqendrohet te një ngjarje apo akt i jashtëm, ajo ndërton një atmosferë emocionale, dhe përqendrohet te përjetimi personal i mungesës.
d. Tematika e poezisë është universale edhe pse ajo ka elemente specifike të traditës shqiptare, një tipar kyç ky i modernizmit.
Për këto arsye themi se poezia mund të shihet si pjesë e modernizmit intim-ist, ku përvojat individuale ndërthuren me simbolikën dhe reflektimin universal.
Publikimi i kësaj poezie në ciklin e parë poetik të këtij viti, ku porsa hymë tregon botën e pasur shpirtërore të autorit, dhe evoluimit të ndjenjave nga dhimbja drejt një arti poetik. Fakti që ky evolim shndërohet në një poezi moderniste, dëshmon më së miri se laboratori krijues i poetit tashmë i përket krijimtarisë moderniste, madje në një nivel të lartë artistik.
Comments