top of page

Timo Mërkuri: Saranda është për Terziun një nimfë e bukur



 

Jemi mësuar tashmë me shpërthimet poetike të Fatmir Terziu për përjetimet e tij në qytetin e Sarandës dhe ardhjen e tyre si dallgë Joni plot ngrohtësi e çiltërsi. Duke qenë pjesë e manifestimeve poetike Trirema Joniane, që organizonte Klubi i Krijuesve Jonianë të qytetit të Sarandës, Terziu ka fituar një ndjeshmëri të veçantë për qytetin dhe krijuesit e tij, përfshirë dhe poetët që kanë ikur nga kjo botë, si miku i tij i afërt, Agim Mato.

1. Te poezia "Joni në Sarandë": Poeti na jep një përshkrim të Jonit, por vala e Jonit dhe shkumbardhësia e tij nuk janë thjesht fenomene natyrore. Ato përfaqësojnë përvojat dhe emocionet që Terziu ka përjetuar në Sarandë, veçanërisht gjatë pjesëmarrjes së tij në "Trirema." Valët e Jonit i shfaqen si një "pajë," një dhuratë shpirtërore që mbart frymëzimin krijues. Shkumbardhësia, me penelatën e saj, simbolizon fuqinë e parë të dashurisë për këtë qytet dhe për poezinë. Saranda është për Terziun një nimfë e bukur, një burim qëndresës dhe bukurie artistike, e ngjashme me atë që shpreh ky aktivitet krijues.

2. Poezia "Limanin e gjerb": poezi shpreh lidhjen intime të poetit me limanin e Sarandës, i cili është vendtakim i qetë, por i mbushur me kuptim për poetët. Diskursi poetik për Terziun është një aspirancë që "gatuhet" ngadalë, duke reflektuar përvojat e tij në "Trirema." Anijet në liman përfaqësojnë poezinë që mban plagë, përkujtim për përvojat dhe kujtimet që poetët jonianë kanë ndarë në këtë festival. Limani, me simbolikën e tij të paqes dhe reflektimit, është një vend ku poeti mund të gjerb dhe të futet në poezi me trishtim, ndërsa i kujton miqtë dhe poetët që kanë kaluar në këtë rrugë artistike. Sigurisht që është vend real me ngjarje e përjetime reale, të shkrira mjeshtërisht në poezi.

3. "Bukovilja": Bukovilia, një bimëme lulëzim gjithëvjetor në klimën e ngrohtë të Sarandës, shërben si simbol për dashurinë dhe takimet e poetëve jonianë. Ajo përfaqëson ndjenjën e vazhdimit të lidhjeve poetike, një përjetim që Terziu e ka përfituar përmes manifestimit "Trirema." Këtu, pulëbardhat që ndjekin vargjet e poezisë janë metafora për krijuesit që përpiqen të kapin aromat e frymëzimit artistik. Ky zjarr që ndriçon mbi bukovile është zjarr i përjetshëm i dashurisë për artin dhe miqësinë krijuese, një zjarr që ndriçon çdo takim të syve të poetëve në Sarandë.

4. "Trirema": Trirema, si titull i kësaj poezie, i referohet në mënyrë të drejtpërdrejtë Manifestimit poetik "Trirema" në Sarandë, një aktivitet i cili mbledh poetë nga të gjitha anët për të shkëmbyer krijimtarinë e tyre. Për Terziun, ky manifestim është një simbol i fuqisë së largësisë, por edhe i afërsisë poetike. Udhëkryqet e jetës, me pesha dhe dilema të mëdha, kërcënojnë çdo ditë, por "Trirema" ngre një përmendore për poezinë, një mrekulli që kalon përtej çdo sfide. Poezia dhe arti mbeten të përjetshëm, duke sjellë një ndjenjë pavdekësie për poetët e bashkuar nga deti Jon dhe Saranda.

5. "Në kujtim të poetëve të ikur": Kjo poezi është një homazh prekës për poetët që kanë kaluar në amshim, si Agim Mato, një nga figurat qendrore të poezisë joniane dhe mik i afërt i Fatmir Terziu . Saranda nuk është thjesht një qytet, por një vend ku kujtimet e poetëve mbeten të gjalla. Mato dhe poetë të tjerë të ikur janë bashkuar në kaltërsinë e përjetshme, dhe vargu i tyre nuk është zhdukur nga kujtesa joniane. Kjo poezi është një reflektim mbi pavdekësinë e poezisë dhe të trashëgimisë që krijuesit lënë pas, të cilët gjithmonë do të jenë të pranishëm në Sarandë, një qytet që vazhdon të frymëzojë edhe përtej jetës. Me këtë rast një falënderim më shumë për poetin Terziu specifikisht për këtë poezi.

6. "Pakujdesi të rërta": Dy plagët e pakuptueshme janë dhimbjet e fshehura që shoqërojnë çdo krijues, plagë që nuk janë të dukshme për të tjerët, por mbeten thellë në shpirtin e tij. Rëra e Jonit që ka mbetur në çorap bëhet simbol i kujtimeve të vogla, por të paharrueshme, që poetët përfitojnë nga pjesëmarrja në "Trirema." Kjo kujtesë është një përvojë e thellë dhe personale për Terziun, e lidhur ngushtë me qytetin dhe kujtimet e tij me miqtë e ikur dhe të pranishëm. Këto detaje të vogla simbolizojnë ndikimin e madh që Saranda dhe ky aktivitet krijues kanë lënë në shpirtin e tij.

Poezitë e Fatmir Terziut mbi Sarandën, lidhur dhe me kontekstin e Manifestimit poetik "Trirema", ofrojnë një tablo të gjerë të përvojave artistike dhe shpirtërore që poeti ka përjetuar në këtë qytet. Saranda për Terziun është më shumë se një vend gjeografik; është një hapësirë e gjallë ku poezia dhe kujtimet bashkohen për të krijuar një trashëgimi të përjetshme. Përmes këtij cikli poetik, Terziu nderon jo vetëm qytetin dhe natyrën e tij të bukur, por edhe krijuesit që kanë kaluar dhe kanë ndihmuar në formësimin e kësaj trashëgimie të përbashkët poetike.

Për mua ky cikël është së pari një portret shpirtëror i vetë poetit Terziu, portret të cilin ne e ruajmë në kujtesën tonë dhe e shohim çdo ditë te fjalaelirë dhe Albanian Post dhe që na trondit me ciklet e poezitë e tij të shpeshta që na kujton se një mik të shtrenjtë e kemi matan detit, në një ishull , që ne e mbulojmë emrin e tij me dashuri dhe për qënien e Terziut aty.

Për ciklin e parë poetik të Fatmir Terziu për përjetimet e tij në dhe nga Saranda, në komentin që bëmë u shprehëm se na erdhi si një dallgë Joni. Nuk ishim gabuar në cilësimin tonë dhe mqse dallgët vijnë njëra pas tjetrës, ja ku erdhi dhe dallga e dytë nën okeljon: Një cikël tjetër nga Joni i ditëve të Triremës Poetike". Ky cikël shfaq një frymëzim të thellë poetik, ku Joni dhe Saranda janë më shumë se peizazhe, ato janë burim meditimi dhe frymëzimi për poetin. E parë në kontekstin e një analize artistike themi se : Në këtë cikël, natyra dhe përvoja njerëzore ndërthuren në mënyrë delikate, ku detajet e përditshme marrin një dimension filozofik dhe ekzistencial. Nëpërmjet figurave artistike dhe simbolikave, Terziu krijon një botë ku realiteti dhe imagjinata bashkohen në mënyrë poetike, duke i ofruar lexuesit një përjetim emocional dhe estetik.

1. "Xhirot e Jonit": Poezia hapet me një imazh të fortë, ku "stërkalat e uritura" personifikohen, duke reflektuar mungesën dhe dëshirën për të depërtuar në rrënjët e jetës. Speciet e kequshqyera mund të simbolizojnë elemente të brishta dhe të pafuqishme që jetojnë në një botë të ashpër, duke kërkuar burimin e mbijetesës. Flatrat e pulëbardhave janë një metaforë për lirinë dhe përpjekjet për t’u ngritur mbi kufijtë fizikë, ndërsa nata që i pikturon mbi telajon e Jonit shpreh një ndjesi të thellë meditimi dhe reflektimi mbi jetën. Penelimi me dritat e neonit krijon një kontrast mes natyrës dhe urbanizmit modern, ndërsa takat e gjata, ison dhe këngët nënkuptojnë elemente të përditshmërisë që bashkëjetojnë me natyrën. Ky imazh artistik krijon një tablo ku qytetërimi dhe natyra ndërthuren në mënyrë harmonike.

2. "Poshtë palmës": Poezia shpreh një moment intim, një çast qetësie dhe introspeksioni. "Për disa minuta askush nuk më ka prekur" reflekton një ndjesi vetmie dhe izolimit, por jo domosdoshmërisht në kuptimin negativ; përkundrazi, është një çast ku poeti gjen paqe në vetmi dhe krijimtari. "Një ëndërr më ka strukur në poezi" përfaqëson shpërthimin e frymëzimit poetik, ndërsa "dyshemeja e sekretit tim ka mbetur e pashkelur pikërisht nga Ti" shpreh një ndjesi të papërmbushjes, një ndjenjë që poeti ndan me dikë që nuk ka arritur ta prekë në atë moment intim. Kjo poezi krijon një atmosferë delikate, duke ndërthurur përjetimet personale me ndjesinë e misterit dhe fshehtësisë.

3. "Në plazh":Këtu, udhët dhe qyteti shndërrohen në simbolikë për përvojat e jetës, të cilat nuk ndjekin gjithmonë rrugët e zakonshme. "Udhët nuk shtrihen mbi udhë" krijon një imazh paradoksal që sfidon logjikën, por pasqyron ndërlikimet dhe papriturat e jetës. "Në sqetullën e ngrohtë të qytetit të urtë" shfaq një ndjesi qetësie dhe sigurie, ndërsa "një shezllog me një unazë në gishtin e madh" mund të simbolizojë stabilitetin dhe angazhimin, duke sugjeruar një moment reflektimi në jetën e përditshme. "Tymi i një anijeje" bëhet kryefjala e këtij udhëtimi figurativ, duke përfaqësuar lëvizjen dhe kalimin e kohës. Ky simbol i anijes dhe udhëtimit është një metaforë për jetën, me të gjitha ndryshimet dhe kalimet që ajo sjell.

4. "Fruta deti": Poezia e përditshmërisë këtu ndërthuret me filozofinë dhe meditatën. "Ky restorant nuk është një Sinagogë ku të pyes veten pse u ndodha në det" shpreh një ironi të hollë, ku realiteti i një restoranti përballet me pyetje ekzistenciale. Frutat e detit nuk janë thjesht ushqim, por një metaforë për përvojat që deti i jep njeriut – një "arkeologji e hapur" ku zbulohen thellësi të reja të jetës dhe identitetit. Terziu këtu krijon një kontrast të gjallë mes asaj që është e zakonshme dhe asaj që është e thellë, duke e kthyer përvojën e thjeshtë të një vakti në një përvojë të zbulimit të vetes dhe historisë.

5. "Miqtë e Jonit": Poezia përmbyll ciklin me një reflektim mbi miqësinë dhe lidhjet që ndodhin nëpërmjet poezisë. "Me një varg, por poezi të ngjeshura me vakum mjeshtërisht" përfaqëson fuqinë dhe përqendrimin e ndjenjave dhe mendimeve të shprehura përmes vargjeve poetike. Miqtë dhe vargjet e tyre, "një det në mendjen time", përbëjnë një dimension të gjallë ,një Zanafillë që rikthen një fillim të ri poetik. Këtu, vargjet nuk janë thjesht fjali të shkruara, por një mënyrë për të ndërtuar miqësi të thella dhe përjetime shpirtërore.

Ky cikël poetik i Fatmir Terziut mbart një ndërthurje të bukur miqësive të përjetuara, natyrës, përjetimeve të jetës së përditshme dhe filozofisë ekzistenciale. Nëpërmjet figurave artistike dhe gjuhës së hollë poetike, ai krijon një botë ku përvojat e zakonshme të jetës së përditshme shndërrohen në momente frymëzimi dhe introspeksioni. Një ndikim i fortë i Jonit dhe Sarandës vërehet në të gjitha poezitë, duke i dhënë ciklit një karakter të veçantë që përqendrohet në marrëdhënien mes njeriut dhe natyrës, si dhe mes poetit, miqve të tij në Sarandë dhe lexuesit kudo në botë.

42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page