Pelegrinazhi shpirtëror i Albina Idrizit.
Nga Timo Mërkuri
Jemi mësuar që të shohim poeten Albina Idrizi në qasjet filozofike e psikologjike të rrugëtimin shpirtëror të njeriut në jetë, por poezinë "Në Pelegrinazh" të saj mund ta cilësojmë si një rrugëtim i vështirë në kërkim të vetvetes, që shpesh herë ndihet si një pelegrinazh i gjatë dhe i lodhshëm. Veçse duhet të shtojmë se në këtë rrugëtim poetik, cakun nuk e shënon mbërritja në një pikë të caktuar fizike, por përjetimi i vetë procesit të udhëtimit, i cili shndërrohet në një përvojë të thellë reflektimi dhe vetëzbulimi. Me këtë akt, poetja ndërthur natyrshëm dimensionin filozofik me artin e fjalës, duke krijuar një tekst që i kalon kufijtë e poezisë tradicionale, romantike e klasike dhe ngrihet në sferën e mendimit të thellë. E parë në këtë aspekt, udhëtimi bëhet jo thjesht lëvizje drejt një pike mbrritjeje, finishi, por një hapësirë ku ndërthuren meditimi dhe arti, duke na ftuar të reflektojmë mbi veten dhe kuptimin e qenies njerëzore. Ne e kemi takuar Albina Idrizin në vargje moderniste, duke na krijuar përshtypjen se ajo përshkon vetëm ato lartësi krijuese, por në këtë poezi duket se ka tejkaluar vetveten, duke ndërthurur modernizmin dhe postmodernizmin në një harmoni të tillë që kufiri mes tyre shfaqet thuajse i papërcaktueshëm. Në poezinë “Në Pelegrinazh”, Idrizi shpreh ide që rezonojnë me filozofinë ekzistencialiste, ku theksi vihet te rëndësia e pyetjeve dhe eksplorimit të vetvetes më shumë sesa arritja e një përgjigjeje të saktë.
Duhet të themi se: në kuptimin real, termi "pelegrinazh" shfaq një udhëtimi fizik ose shpirtëror drejt një vendi të shenjtë apo me rëndësi të veçantë, drejt një qëllimi, ku individët kërkojnë qartësim, plotësim ose ndriçim shpirtëror. Albina Idrizi përdor "pele-grinazhin" për të shprehur një udhëtim shpirtëror ekzistencial, një proces kërkimi të kuptimit të jetës dhe të vetes, pra ky pelegrinazh i saj nuk është një udhëtim fizik drejt një vendi apo qëllimi të shenjtë, por një rrugëtim në thellësinë e ndërgjegjes, ku individi përballet me pyetje të rëndësishme e sfidën për të zbuluar kuptimin e brendshëm. Ndaj themi se te poezia e saj termi “Pelegrinazh” përfaqëson një metaforë për udhëtimin shpirtëror të njeriut dhe përballjen me boshësinë dhe errësirën e jashtëm për të kuptuar vetminë e qenies së tij.
I-Duket se qëllimisht poezia fillon “pelegrinazhin” vargor me synim shmangien e cakut fizik (“Tashmë nuk ka rëndësi nëse e arrijmë cakun”), duke e cilësuar atë “një gur idiot,” një simbol të cilin autorja e përdor për të shprehur kotësinë dhe absurdin e përpjekjes për përgjigje absolute. Ky gur, që dikur u vu nga "urtia", ndoshta njerëzit e urtë dhe të ditur apo pëërvopja njerëzore, sugjeron se njerëzit kanë krijuar ide të të vendosura si gurë sinori, për ti patur si mbështetje, por realisht kuptimi i jetës nuk mbaron te ajo pikë, por vijon të jetë në një udhëtim.
Kështu, poetja duke vijuar eksplorimin, ndjen se distanca midis pikës së nisjes dhe cakut simbolizon një hapësirë reflektive, e cila “rruga që duhet kaluar për të ardhur në vete” bëhet element artistik, që tregon se udhëtimi është thelbësor për të arritur gjendje të vetëdijshme.
Në kontekst të këtij pelegrinazhi metafora e "syve të shpirtit" dhe e "kanatave të heshtjes" krijon ndjesinë e një hapjeje shpirtërore dhe ilustron zgjerimin e vetëdijes, ku njeriu mëson të “qepë vetminë” dhe ta pranojë si pjesë të qenësishme të ekzistencës së tij. Kjo vetmi, e shfaqur si diçka që “na bie tamam” (thua si një veshje) simbolizon pranimin dhe njohjen e vetes. Nuk thonë më kot shprehjen “njih vetveten”, pse ajo njohje është çelësi i ecjes përpara në jetë. Njeriun që njeh dhe kapërcen vetveten nuk ka pengesë njerëzore që ta ndalë.
Në mbyllje, autorja shfaq kulmin pelegrinazhit shpirtëror: “guximi të jemi të vërtetë edhe para vështrimit të tjetrit” duke përforcuar idenë e pranimit të vetvetes dhe shfaqjes së saj të vërtetë, dmth vetveten, pavarësisht perceptimit të të tjerëve për ne. Ky varg i fundit i jep poezisë mbyllje të fuqishme, pasi sugjeron se: kur e njohim dhe e pranojmë veten, jemi të aftë të paraqitemi të tillë edhe përballë botës, sugjerime që më së shumti u ngjasojnë sentencave filozofike.
Poezia është e thjeshtë në formë, por e pasur në përmbajtje filozofike dhe ndjesore, duke përcjellur mesazhin e fuqishëm të reflektimit e përkushtimit ndaj vetes. Me një stil meditativ dhe përdorimin e figurave artistike që nxisin përsiatje të thella, Albina Idrizi përcjell një qasje ndaj jetës ku qëllimi nuk është arritja e një caku të jashtëm, por njohja dhe pranimi i një përsosmërie shpirtërore.
II-Në këtë kontekst ndjejmë se poezia e Idrizit është një poezi mesazh dhe mesazhi poetik i autores qëndron te vlera e procesit të njohjes së vetvetes, përmes udhëtimit shpirtëror që kalon fokusin: nga mbrritja e një caku të jashtëm, në përjetimin e çdo hapi të rrugës.Albina Idrizi shpreh pjekurisht dhe mjeshtërisht idenë se vetë rruga drejt vetë-dijes e pranimit të vetes është thelbi i pelegrinazhit poetik; dhe për këtë nuk ka një përgjigje absolute apo një cak, finish për t’u arritur si në garat e atletikës. Mesazhi poetik na fton të kuptojmë se përgjigjet e udhëtimit tonë nuk gjenden tek ndonjë “gur idiot,” por te përjetimin e vetë rrugëtimit. Përmes udhëtimit të heshtur, ku mësojmë të “qepim” (përsosim) vetminë dhe të reflektojmë në shpirt, gjejmë guximin për të qenë të vërtetë, jo vetëm me veten, por dhe përballë të tjerëve. Ky mesazh i Idrizit është një thirrje për njohjen e vetvetes dhe për marrëdhënie të sinqertë me atë, vetveten, reflektim që na bën të ndihemi të plotë për të qëndruar ashtu siç jemi, dhe në sytë e të tjerëve. Këtu e kanë patur kuptimin këshillat e prindërve apo më të rriturve në adole-shencën tonë, kur na thoshnim se: shfaq vetveten tënde, ji vetvetja, mos kopjo apo imito të tjerët. Idrizi si mësuese sigurisht që është përballur me këtë fenomen te nxënësit e saj, por te kjo poezi na tregon se është një fenomen më tepër se shkollor.
III-Poezia "Në Pelegrinazh" e Albina Idrizit ka një profil të theksuar filozofiko-psikologjik, të shprehur përmes një stili artistik të admirueshëm. Aspekti filozofik i poezisë qëndron në trajtimin e pyetjeve të kuptimit të jetës dhe identitetit, duke shtruar dilemat ekziste-nciale të kërkimit për kuptim përtej objektivave të fiksuara teorikisht apo nga përvojat e kaluara. Kjo në poezi është e dukëshme te fakti se: në vend të fokusit tek arritjet konkre-te, poezia eksploron idenë se: e rëndësishme është procesi i vetë njohjes dhe përpjekjes për të kuptuar thelbin e qenies.
Në aspektin psikologjik, poezia prek çështjen e vetmisë dhe përballjes me brishtësinë e vetes, duke sugjeruar se njeriu ka nevojë të pranojë dhe përqafojë aspekte si vetmia apo heshtja, si mënyra për të krijuar një qetësi shpirtërore, për të jetuar në paqe me veten. Poezia përdor figura artistike që ndihmojnë shprehjen e këtij introspeksioni, duke krijuar imazhe të ndjeshme e meditativë, si “kanatat e heshtjes” apo “syve të shpirtit,” të cilat e thellojnë dimensionin psikologjik të përjetimit të udhëtimit të brendshëm.
Kështu pra, poezia e Albina Idrizit është ndërthurje harmonike filozofiko- psikologjike, ku elementi artistik konkretizon idetë dhe ndjenjat e kërkimit të kuptimit dhe të njohjes së vetvetes në një formë poetike.
IV- E parë në këtë aspekt poezia "Në Pelegrinazh" e Idrizit mund të shihet si reflektim i postmodernizmit përmes qasjes filozofiko-psikologjike dhe mënyrës introspektive të shprehjes artistike. E shtjelluar më hollësishëm themi se: në aspektin tematik e stilistik poezia ndërthur tipare të rëndësishme të postmodernizmit, pse sfidon idenë e kuptimit absolut dhe nxit lexuesin të përqendrohet te përvoja individuale e kërkimit të kuptimit dhe njohjes së vetvetes dhe konkretisht:
Së pari, poezia shpreh skepticizëm ndaj ideve “të mëdha”, të cilësuara si absolute, dhe këtë e realizon përmes imazhit të "gurit idiot," duke ironizuar me këtë simbol idenë e një qëllimi të pandryshueshëm. Kjo pikëpamje postmoderne thekson se e vërteta nuk është ide apo send i fiksuar, ajo më tepër është përvojë e lëvizshme dhe e përkohshme, e cila i përket udhëtimit dhe jo domosdoshmërisht cakut, finishit. Nuk ka rëndësi në cilin cak arrin (në karierë psh), por ka rëndësi si arrin (ndershmërisht apo pa ndershmë-risht).
Së dyti, poezia përdor një gjuhë që flet në terma abstrakte dhe të fragmentuara, duke krijuar ndjesi hapësire kuptimore të hapur për interpretime të ndryshme. Kjo strukturë e rrjedhshme, por jo-lineare përputhet me estetikat postmoderne, të cilat venë në qendër të vëmendjes përvojën personale dhe individualizmin si përvojë e kuptimit.
Për më tepër, ideja e udhëtimit introspektiv dhe përqendrimi te reflektimi shpirtëror janë tipare të postmodernizmit, që e shikojnë identitetin si të ndërlikuar e të ndryshue-shëm, për të inkurajuar kërkimin e kuptimeve të reja. Kjo poezi nuk ofron një zgjidhje përfundimtare; përkundrazi, i lë lexuesit hapësirën për të eksploruar dhe për të gjetur kuptime të tjera brenda procesit të leximit të saj. Në këtë kontekst, poezia e Albina Idrizit qëndron okej në postmodernizmin, duke përmbushur parimet e tij kryesore përmes përmbajtjes që sfidon strukturat tradicionale.
V- Pra, duhet të kemi parasysh se kjo poezi mund të quhet ekzistenciale në thelbin e saj, ndërsa përqasja dhe forma e saj mbart elemente postmoderniste, pse ajo eksploron pyetje themelore ekzistenciale mbi kuptimin e jetës, identitetin dhe njohjen e vetvetes, përqendrohet te përvoja e individit që kërkon kuptim, ndërkohë përballet me boshësinë dhe kufizimet e cakut të "gurit idiot" imazh që nënkupton zhgënjimin ndaj pritshmërive për një qëllim përfundimtar.
Nga ana tjetër poezia përdor teknika postmoderniste për të shprehur përvojën ekziste-nciale: përdor fragmentaritetin, strukturën e lirë dhe një sens relativizmi, duke refuzuar ofrimin e një përgjigje të vetme absolute. Është pikërisht kjo qasje e hapur për shumësi interpretimesh dhe përqendrim te përjetimi i udhëtimit shpirtëror, karakteristika postmoderniste, që ndihmojnë poezinë të dalë përtej kuadrit tradicional. Prandaj themi që poezia është ekzistenciale në tematikë dhe qëllim, por shprehjen e saj e ndërton në një mënyrë postmoderniste. Por ajo që të bën më tepër përshtypje në këtë ndërthurrje është talenti i poetes që realizon atë në një poezi moderniste, gjë që na shfaq një dimension të gjerë të vizionit të saj poetik, i cili nuk mësohet në shkolla por zhvillohet brenda poetit. Nga sa po shohim, Albina Idrizi shfaqet si një poete e kompletuar, e aftë për “pelegrinazhe” të ndërlikuara poetike.
VI- Në këtë poezi, figurat artistike jo vetëm që forcojnë thellësinë ekzistenciale, por ato ndërthuren natyrshëm me njëra-tjetrën për të krijuar imazhe shumëdimensionale, ku metaforat shpesh shndërrohen në simbole të fuqishme dhe imazhet marrin një kuptim të thellë simbolik. Poetja mjeshtërisht shfrytëzon këtë strukturë komplekse për të ndërthurur shtresa kuptimore që nxisin lexuesin të zbulojë jo vetëm shtigjet e mendimit filozofik, por edhe emocionet e pyetjet universale që burojnë nga udhëtimi i brendshëm i individit. Kjo përzierje artistike e figurave krijon një harmoni që pasqyron jo vetëm kërkimin e kuptimit, por edhe natyrën komplekse të vetëdijes dhe të qenies njerëzore, ndaj ftojmë lexuesin ta shohim bashkërisht këtë te disa nga figurat kryesore:
1. Metafora e "gurit idiot" shfaqet si një imazh ironic që përfaqëson një pikë të fiksuar, e cila dikur mund të ketë pasur vlerë, por tani është një pengesë e pakuptimtë ose e pashpresë në kërkimin e përgjigjeve. Përmes kësaj metafore, autorja shpreh zhgënjimin ndaj idesë së qëllimeve të paracaktuar, një koncept që përputhet me ekzistencializmin duke vënë në pikëpyetje rëndësinë e kuptimeve të jashtme dhe të ngurta.
2. Personifikimi i "syve të shpirtit" shfaqet si imazh që krijon një ndjenjë introspektive, ku "sytë e shpirtit" përfaqësojnë aftësinë për të parë përtej pamjeve sipërfaqësore dhe për t'u zhytur në vetvete. Ky personifikim pasqyron pikërisht kërkimin ekzistencial për veten dhe për një kuptim të brendshëm, duke e paraqitur udhëtimin e brendshëm si një akt të ndërgjegjshëm dhe të vazhdueshëm.
3. Metafora e "kanatave të heshtjes”shfaqet si imazh që simbolizon një hapësirë të mbyllur të introspeksionit dhe heshtjes së brendshme, ku individi qëndron larg zhurma-ve të jashtme për të medituar dhe për t'u ballafaquar me veten. Kjo figurë krijon një atmosferë reflektimi, duke shprehur nevojën për të kuptuar veten përmes vetmisë dhe heshtjes, një element kyç në ekzistencializëm.
4. Metafora e "rrugës që duhet kaluar për të ardhur në vete" simbolizon rrugëtimin ekzistencial që individi duhet të përshkojë për të arritur te vetëdija për të pranuar vetveten. Ky udhëtim, i shfaqur si diçka që "nis nga ne" përmban një ndjenjë vetënjo-hjeje dhe kërkimi të kuptimit personal përmes kalimit të pengesave.
5. Simbolika e "vetmisë që na bie tamam, njësoj si fjalën" tregon procesin e pranimit të vetmisë si një gjendje e natyrshme dhe e nevojshme. Në këtë kuptim, vetmia nuk është më barrë, por bëhet pjesë e vetë qenies, një ide që pasqyron vetminë ekzistenciale dhe përpjekjen për të gjetur kuptim përmes përballjes me veten.
6. Figura e kundërtisë në "të jemi të vërtetë edhe para vështrimit të tjetrit" sugjeron ekzistencën e një kundërshtie të brendshme ndërmjet asaj që jemi për veten dhe asaj që dukemi për të tjerët, duke nënvizuar dilemën ekzistenciale të persosnalitetit të individit dhe qenies së tij të vërtetë përballë shoqërisë, një përpjekje për të kapërcyer frikën e gjykimit dhe për të pranuar veten në mënyrë të plotë.
Këto figura artistike, që të befasojnë me ndërthurjen e shumëfishtë të tyre, ndihmojnë në konkretizimin e temës ekzistenciale të poezisë, duke sjellë në pah ndjesitë e kërkimit për kuptim, përballjes me boshësinë, dhe përpjekjes për të arritur një të vërtetë të brendshme.
VII-Duke qenë një ndër lexuesit dhe njohësit e poezisë së Albina Idrizit, duke e parë këtë poezi në këndvështrimin e mësipërm, vlerësojmë se ajo përfaqëson një ngjitje artistike në trajektoren e saj poetike, ku ka shfaqur aftësinë për të kapërcyer kufijtë e poezisë konvencionale dhe ka shndrruar përvojat filozofike dhe psikologjike në art të ndjeshëm. Duhet të pranojmë dhe të theksojmë se përmes këtij krijimi, poetja shpalos pjekuri artistike, pse ka krijuar një poezi që nuk synon thjesht të shfaqë ndjenja apo përvoja të zakonshme, por synon të depërtojë në hapësira më të thella të mendjes dhe shpirtit. Dhe për ta realizuar këtë duhet të jesh paisur sa me talent aq dhe me kurajë krijimi, të cilat janë evidente te kjo poezi.
Albina Idrizi ka realizuar një ngjitje në nivel të lartë artistik përmes mjeshtërisë me të cilën ndërlidh elementët filozofikë të kërkimit të kuptimit me elementët psikologjikë të përballjes me vetminë, madje duke e shprehur këtë ndërlidhje në mënyrë të përsosur artistike. Struktura dhe stili i saj meditativ pasqyrojnë përkushtim të ri ndaj përmbajtjes filozofiko-psikologjike, çka e bën këtë poezi një shprehje të thellë të pjekurisë krijuese të poetes.
Kjo poezi, përmes forcës së saj artistike dhe përmbajtjes reflektive, pasuron trajektoren e krijimtarisë së Idrizit dhe e afirmon atë si zë të veçantë që guxon të eksplorojë thellë-sitë e shpirtit njerëzor dhe pyetjet më themelore të ekzistencës. Kjo ngjitje është, në të vërtetë, dëshmi e evolucionit të saj poetik dhe e përkushtimit për të sjellë poezi që rezonon jo vetëm emocionalisht, por edhe intelektualisht.
Sarandë, më nëntor 2024
Albina Idrizi
NË PELEGRINAZH
Tashmë nuk ka rëndësi
nëse e arrijmë cakun,
oh është veç një gur idiot
të cilin dikur e vuri urtia
në vend të përgjigjeve,
sepse pyetjet ishin të tilla
dhe mendja duhej kapur diku.
Thjesht një pikë hapësire është
për të krijuar distancën e nevojshme
që nis nga ne,
aq sa për thënë;u bë rruga
e cila duhet kaluar
të vijmë në vete.
Ndërkohë që nisim
të gdhijmë ditët
syve të shpirtit,
ku hapen kanatat e heshtjes
dhe mësojmë të qepim
vetminë që na bie tamam,
njësoj si fjalën.
Kështu, kemi guximin
të jemi të vërtetë
edhe para vështrimit të tjetrit.
Comments