top of page

Timo Mërkuri: Përshëndesim poeten Armela Hysi për risitë e saj poetike



 

Rastësisht lexova poezinë “Dy ditët e fundit” të Armela Hysit pas një mungesë të gjatë leximesh prej saj. Arsyeja është e thjeshtë, ajo banon e punon në Athinë ( siç kam dëgjuar nga shokë e miq) dhe mqse nuk e njoh, nuk kam patur mundësi të gjej krijime apo botime të saj. Madje dhe këtë poezi e shkëputa nga një cikël poetik i publikuar te fjalaelirë nga Fatmir Terziu. Sigurisht qëë tërhoqi vëmëndjen më shumë se moderniteti i saj poetik risitë poetike që ajo sillte në poezinë shqipe me vargun e saj. Duke patur parasysh se poezia është shkruar në vitin 2002, pra para 23 vjetësh të tërheq vëmëndjen rinia e risive të saj, që mbajnë "aromë" moderniteti të kohës së sotme, larg kohës së çeljes.

Poezia e saj përbën një risi në poezinë shqipe për mënyrën se si e trajton temën e vdekjes, duke e shndruar atë në një moment poetik të ndërlikuar dhe të ngarkuar me simbolizëm. Realisht poezia dallohet për disa veçori që e bëjnë atë të veçantë:

1.Portreti i gjyshes nuk paraqitet në mënyrë dhe trajtë tradicionale, por përmes një gjuhe metaforike, e cila krijon një imazh të fuqishëm:

“Ligështia bëri një rrotullim të plotë / Narcisian rreth vetes, / Duke u kthyer sërish / Në formën e ca rrudhave ngjyrë ndryshku / Mbi gërmadhat e rrufepritësit, ballit të saj”

Siç po shohim, rrudhat nuk janë shenja fizike  pleqërie, ato marrin kuptimin e një ‘rrufepritësi,’ një figurë që e lidh ballin e gjyshes me një simbol mbrojtës, që përballoi goditjet e kohës dhe të jetës.Të jemi të sinqertë, kjo prurje është e re në poezinë shqipe, pse poetja e ngre gjyshen në një status gati mitik, pasi  i jep asaj dimensionin e një force  madhore, ndonëse të heshtur.

Ndërkohë, trupi i saj shfaqet si:

“Qe një pirg me kocka të mallëngjyera / Monumentale.”

Kjo hiperbolë i jep figurës së gjyshes një përmasë madhështore, dhe e shndërrom atë në ‘monument’ të dhimbjes dhe historisë familjare. Kështu kemi në poezi ndërtimin e një peisazhi të brendshëm me imazhe novatore.

2. Shkrirja e kohës dhe hapësirës në një perceptim subjektiv

2.Në këtë poezi, koha nuk rrjedh në mënyrë lineare, por shkrihet në një përmasë që përzihet me përjetësinë:

“Në ato dy, njëzet e katër njësi shekullore / Përpjesëtimesh, ajo kish kaluar disa herë e nemitur”

Shikoni pak, momenti i vdekjes nuk paraqitet si një çast i veçuar, por si një cikël që përsëritet,(kish kaluar disa herë e nemitur) sikur vetë ekzistenca e saj të ishte shndërruar në një proces të pafund. Dhe sidomos mos kaloni pa vëmëndje te "ato dy njëzetekatër njësi shekullore" që e qas kohën me relativitetin.

Kujtimet janë shfaqur në mënyrë të veçantë, ku imazhi i ‘valixheve’ krijon një ndjesi nostalgjie dhe përgatitjeje për një udhëtim përfundimtar:

“Buzëqeshjet e fjetura në çipat e buzëve / Mbushur në ca valixhe të stërhapura me copëza / Qielli” duke na treguar se gjyshja nuk largohet bosh, por me të gjitha kujtimet e saj, të cilat i merr me vete, të sistemuara në ‘valixhe qiellore.’ Thua vërtet se ishte ormisur me kohë për atë udhëtim, që sot mund t'a përfytyrimin edhe si një udhëtim turistik diku.

3. Simbolika e dritës dhe errësirës si shenja të kalimit mes jetës dhe vdekjes

3.Risi më vete është simbolika e dritës dhe errësirës di shenja të ikjes mes jetës dhe vdekjes. :

“Ndriçimi farkëtues i kishte mbetur / Në vesën e lotët të rrudhnajës rrëzë / Tëmthave.”

ku ndriçimi i mbetur në ‘vesën e lotëve’ e bën figurën e saj të ndritshme, që gjithsesi nuk humbet, por mbetet e pranishme në një formë tjetër.

Gjithsshtu, në vargun: “Si dikur nuse, paja, / Me qëndisje ledhatuese gugatjesh / I kishte prirë hapave të saj tantellëbardhë” poetja krijon një kontrast mes imazhit të nusërisë dhe momentit të vdekjes, kontrast që e shfaq vdekjen jo si një fund të errët, por si një shfaqje të ngrohtë, me kujtime të bukura në këtë udhëtim të fundit.

4. Innovacioni në përdorimin e detajeve të vogla për të krijuar një tablo të madhe

4.Një risi interesante e poezisë është se ajo kap detaje të vogla, intime dhe i bën ato universale. Një prej momenteve që përbën risi është përshkrimi i lamtumirës së fundit të saj:

“Si na puthi me duar të gjithëve / Bëri një shenjë të qetë”

Shikoni, lamtumira nuk shoqërohet me fjalë apo emocione  shpërthyese, lotë, vajtime, klithma dhimbjesh apo gjeste vetë dëmtuese të ritit zakonor të momentit të vdekjes së dikujt , pjestar i familjes. Ajo shfaqet me një veprim të thjeshtë: një shenjë që përmban në vetvete ikjen në paqe dhe pajtimin me fatin.

Interesant është se  edhe prania e mjekut është paraqitur përmes një simbolike të veçantë:

“Me kokën e thinjur të mjekut / Që u lëkund në hapësirën ngadhënjyese / Të ngashërimave fluturake të dhomës.”

Vargu tregon se në çastin e fundit edhe vetë figura e mjekut humbet përballë emocioneve të fuqishme, dhe bëhet pjesë e një bote ku logjika dorëzohet para ndjenjave.

Ajo që duhet të themi përfundimisht është se te poezia “Dy ditët e fundit” e Armela Hysit  rrjedha e vargjeve dhe ndërtimi i figurave poetike krijojnë një ndjenjë përjetësie dhe  kalimin nga të përjetësisë dhe të kalimit nga jeta në vdekje jo si një fatkeqësi, por di një ikje të qetë, në një udhëtim tek të afërmit diku jo shumë larg. Mënyra e ikjes shprehur me një gjuhë metaforike dhe me dritësim të kujton poezinë e Fatos Arapit " Vdekja e gjyshes" veçse te gjyshja e tij, për shkak të formulës së vargut të krijohet përshtypja se je në kortezh duke ecur. Në përfundim ftoj t'a përshëndesim poeten Armela Hysi për risitë e saj poetike që t'a bëjmë më të këndshëm leximin dhe meditim për poezinë.

 
 
 

1 comentário


Armela Hysi
a day ago

Zoti Mërkuri ju përqafoj ngrohtë edhe pse nuk njihemi, siç përqafuat ju shpirtin tim dhe ndjesinë që mbart për poezinë. Është nderim i pamasë për mua që pena juaj të cilën prore dhe veçanërisht admiroj, shkroi këto mbresa të vyera për mua. Faleminderit ju dhe zotit të nderuar Terziu, që përzgjodhi me profesionalizmin që e dallon poezitë e mia të bujtin në vatrën e tij Bujare, sepse kur vihen re nga personalitet si ju, të gjitha krijimet marrin nxitje sublime e të shumfishtë! Vazhdim të mbarë të veprës suaj të shumtrajtëshme dhe mbarësi e shëndet!

Curtir

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page