
Nga Timo Mërkuri
Qysh te fjala e parë e titullit të poezisë “Puthjet vijnë nga malli” e Fatmir Terziut mu kujtuan vargjet e Eseninit : “Puthjes emër djemtë si kanë gjetir/Puthja s’është mbishkrim qivuri i ngrirë/ Puthja është një lule e porsaçelur/Që mbi buzë petalet i ka shtrirë” dhe si për t’i bërë shoqëri më erdhën në kujtesë dhe vargjet e Kacalidhës: “Me siguri Parisi s’e ka puthur Helenën/ Se po ta kishte puthur do të zbuteshin dhe detet”. I dritësuar nga këto poezi dhe i provokuar nga titulli i poezisë së Terziut nisa ta lexoj me një kureshtje të shtuar pse sigurisht që diçka të re do sjellë poeti. Nuk u gabova , pasi në këtë poezi Terziu sjell disa risi poetike në nivelin e figuracionit, ndërthurjes së imazheve dhe trajtimit filozofik të ndjesive njerëzore.
I-Kjo poezi me një qasje ndaj simbolizmit poetik, ndryshe nga dy poetët e sipërcituar, puthjen nuk e përshkruan thjesht si një akt dashurie, por si një simbol kompleks i emocioneve, kohës dhe artit.
1. Poezia e Terziut e zgjeron konceptin e puthjes përtej aspektit fizik, dhe e lidh me situatën ndjesore: me zgjedhjen, kujtesën dhe sfidën e ndjenjave:
"Puthjet janë si agimet,
pasaportë e shkruar me buzë, me tru e me zemër,
lejekalime të përkohshme për zgjimet"
Këtu puthja nuk shfaqet si një gjest sensual, por si një pasaportë kalimi mes gjendjeve të ndryshme ndjesore dhe mendore. Është një “lejekalim” nga përhumbja në ndërgjegjësim, një reflektim mbi rolin e ndjenjave në formësimin e përjetimeve njerëzore. Lehtësisht mund të parafytyrohet një tra ndalimi midis gjëndjes së përhumbjes dhe dhërgjegjësimit të dy personave që realizojnë puthjen.
2.Një nga risitë interesantë të poezisë është përdorimi i ngjyrave për të dhënë intensitetin e ndjenjave:
"Edhe puthjet kanë ngjyra
peneli është një shëtitje e lazdruar me buzë"
ku, në këtë rast puthja shndërrohet në akt artistik, ku buzët janë penel dhe fytyra është kanavaci. Është një imazh i bukur për tu përfytyruar, madje të nxit të ëndërrosh dhe për ngjyrrat e ndryshme të puthjes mbi kanavacë, të kuqen, të verdhën, jeshilen… Në poezi ngjyra simbolizon ndryshueshmërinë e ndjenjave, duke kaluar nga bardhësia e pastërtisë në bruzin e ftohtë:
"herë çel si pranvera, herë digjet nëpër dimra,
me ngjyrë të bruztë."
ku imazhi e shndron ndjenjën në një element vizual dhe të prekshëm, duke krijuar një sinestezi mes shqisave, ku ndijime të ndryshme përzihen mes tyre dhe krijojnë një efekt poetik më të thellë. Sinestezi krijon te kjo poezi edhe vargu: “Peneli është një shëtitje e lozdruar mbi buzë” apo vargjet: "Puthjet janë si agimet,/pasaportë e shkruar me buzë, me tru e me zemër,/lejekalime të përkohshme për zgjimet".
3. Puthja te poezia e Terziut kalon nga sfera e tokësores në atë të mbinatyrshmes:
"Ti më sheh dhe unë të ëndërroj si që moti,
më puth në ëndërr dhe ti s'je as djalli,
po më ripikturon me trup dhe ti s'je as Zoti!"
ku, akti i puthjes bëhet një forcë krijuese, që ndodhet mes njerëzores dhe hyjnores. Sigurisht që nuk është një veprim i shenjtë,(ndonëse të rinjtë e vlerësojnë si një akt hyjnor, një lloj ripagëzimi në dashuri) por as diçka djallëzore; është një formë e rishfaqjes së identitetit, një mënyrë për të rindërtuar lidhjet dhe për të ripërjetuar mallin. Ky rikrijim i puthjes si një proces artistik dhe shpirtëror është ajo që i jep poezisë risinë dhe veçantinë e saj.
Pra Fatmir Terziu e trajton puthjen si një simbol të ndërlikuar që shkon përtej romantizmit tradicional, pse ai e lidh atë (puthjen) me kujtesën, artin dhe metafizikën, duke sjellë një qasje moderniste që ndërthur imazhet dinamike dhe filozofinë e ndjenjave.
II-Fatmir Terziu nuk është piktor, por ai është poet dhe si i tillë është mjeshtër i pikturimit të portreteve me artin poetik. Kështu në këtë poezi Terziu ndërton një galeri të pasur portretesh të puthjeve (sigurisht që kemi një shumësi puthjesh) përmes figuracionit dinamik dhe shumëdimensional. Çdo portret i puthjes i dhënë nga Terziu nuk është thjeshtë një imazh i ngrirë ( “Puthja s’është mbishkrim qivuri i ngrirë”. Esenini), por një gjendje që shfaqet , transformohet dhe mbart tensionin mes ndjenjës dhe artit, trupores dhe shpirtërores. Le ta soditim këtë gaaleri puthjesh poetike të Terziut:
1. Në vargjet hyrëse, puthja përshkruhet si një agim – portreti i zgjimit, dritë e re, një kalim nga errësira në ndriçim: "Puthjet janë si agimet,/pasaportë e shkruar me buzë, me tru e me zemër,/lejekalime të përkohshme për zgjimet" ku puthja nuk shfaqet një akt fizik, por një shenjë kalimtare, një akt që zgjon shpirtin, kujtesën dhe mallin. Ky portret poetik i puthjes i afrohet idesë së përjetimit që prek të gjitha shqisat de përfshin mendjen, trupin dhe zemrën, i zgjon ato nga “gjumi” në një agim të ri.
2. Një imazh tjetër i puthjes shfaqet në formën e stuhisë, që përmban tensionin e brendshëm dhe shpërthimin emocional:
"puthjet janë stuhi,
shpërthime të një bote të brendshme"
ku puthja nuk është e qetë apo harmonike, por është një shpërthim, herë i kontrolluar dhe herë spontan (kujtoni puthjen e parë), një energji që shpërthen nga thellësia e shpirtit. Kjo e bën atë një akt të fuqishëm, të pakontrollueshëm, që nuk ndjek rregulla apo logjikë, por vjen si një forcë natyrore.
3. Në një tjetër shfaqie, puthja merr një dimension artistik, dhe shndrrohet në një akt krijues: "Edhe puthjet kanë ngjyra/peneli është një shëtitje e lazdruar me buzë". Sigurisht që ky është një nga portretet më poetike të puthjes, ku ajo shfaqet si një akt pikturimi. Pra, në këtë rast puthja nuk është thjesht ndjesi, por një gjurmë e dukëshme, një penelatë mbi fytyrën e tjetrit, ku ndjenjat lënë ngjyra dhe përkufizojnë një përjetim emocional të veçantë. A i kini vënë re vajzat pas puthjes së parë, u bie një përskuqje e hollë ëngjëllore. Bëhen shumë të bukura dhe dëshiron t'i puthësh prapë e prapë. Puthuni të bëheni të bukur.
4.A e dinit që puthja shfaqet herë si dritë dhe herë si shkatërirm? Poezia e Terrziut ndërton një tension mes puthjes si dritë dhe puthjes si shkatërrim:
"nëse do të më puthje Ti do të bardhënusërohej natyra,
nëse do të ndodhte ndryshe Bota bëhej tërkuzë"
Sigurisht që këtu puthja përshkruhet si një akt që mund të transformojë realitetin – ajo ose e pastron, e ndriçon botën, ose e fundos në kaos. Unë mund tju tregoj ngjarje që për një puthje janë vrarë njerëz (jo vetëm çifti) dhe ka lindur një hasmëri që ka vazhduar me vite, por mund tju tregoj dhe histori ku një puthje ka mbyllur një hasmëri dhjetravjeçare vjeçare, me dhjetra varre të hapur. Ky dualitet e bën puthjen një forcë të madhe emocionale dhe jetësore, që lidhet jo vetëm me ndjenjat personale, por edhe me një ekuilibër të jetës, të botës.
5. Në përmbyllje, poeti e shfaq puthjen si një formë rindërtimi, por pa fuqi hyjnore absolute:
"më puth në ëndërr dhe ti s'je as djalli,
po më ripikturon me trup dhe ti s'je as Zoti!"
Nuk di pse kjo më kujton një këngë popullore ku rapsodi e quan vajzën që kthehet në shtëpi as takimit: “vajzë e puthur”. Duhet të dimë se një vajze “të puthur” doket zakonore I njohin disa të drejta por ndërkohë i linrin disa detyrime, një nga të cilat ishte t’ja bënte të ditur nënës së saj faktin e puthjes. Ky informim e ngarkonte nënë me detyrimin që ta ndalonte menjëherë, nqse kishte afërie gjaku, ndryshe kishte detyrimin që ta njoftonte atin e vajzës për këtë puthje në çdo kërkesë që mund ti bëhej për dorën e vajzës. Në poezi, puthja nuk lidhet në skajet e të mirës apo të keqes, por me artin e krijimit, me rindërtimin e përjetimeve dhe kujtimeve, si tek ajo kënga popullore që i shton një cilësor vajzës. Puthja në vetvete nuk është e përjetshme, por është një akt që lë shenja, krijon dhe transformon, p.sh. hap dyert e fejesave.
Përmes kësaj shumëllojshmërie imazhesh, poezia arrin të japë një kuptim të thellë të puthjes si një përvojë që kalon përtej trupores dhe bëhet pjesë e artit dhe ekzistencës. por kjo mund ta lidha këtë poezi me Paul Valéry, veçanërisht me mënyrën se si Valéry trajton ndjesitë si procese artistike dhe intelektuale, duke i shndërruar në akte krijuese dhe filozofike.
III-Ndonjë lexues me të drejtë mund të pyesë: poeti i këndon mallit jo dashurisë. Në këtë aspect Terziu ka një qasje me poetët arbëreshë të cilët dashurinë e quanin thjeshtë “mall”I shpirtit. Në poezi, malli nuk është thjesht një mungesë apo nostalgji e thjeshtë, por ai përfshin dhe ushqen dashurinë. Malli nuk do të kishte kuptim pa dashurinë, ai është produkt i dashurisë sepse është pikërisht ndjenja e fortë dhe e gjallë e dashurisë ajo që lind mallin mes dy personave.
Në vargjet: "Puthjet janë si agimet,/pasaportë e shkruar me buzë, me tru e me zemër"poeti e qartëson se puthjet nuk janë thjesht akte fizike, por një përzierje e ndjenjave, kujtesës dhe dëshirës, të cilat lidhen drejtpërdrejt me dashurinë. Po ashtu në vargun "puthjet janë e sotmja, e nesërmja është kotësi," mund të kuptohet se dashuria e shprehur përmes puthjeve është ndjenjë e fuqishme dhe e përjetshme, që kapërcen kohën. Kjo sugjeron se malli dhe dashuria janë të pandashme; malli lind sepse dashuria ekziston, dhe puthjet janë mënyra për ta rikthyer ose përjetuar atë dashuri. Në këtë kontekst, puthja bëhet shumë më tepër sesa një akt i thjeshtë, ajo ka ngjyrë, ajo shndërrohet në aromë, ajo shndrohet në këngë, (e kush nuk i ka kënduar puthjes), ajo është dritë, sepse zgjon shpirtin dhe sjell ngrohtësi; është bukuri, sepse përfaqëson një ndjenjë të pastër dhe të thellë; është shëndet dhe jetë, sepse ushqen shpirtin dhe trupin me energjinë e dashurisë. Duke e parë në këtë aspekt, vargu përmbyllës mund të shndërrohet në një filozofi të jetës: "Prandaj puthuni, të jeni të bukur e të kini jetë." Kjo është një ftesë për të mos e kursyer ndjenjën, për ta përjetuar dashurinë dhe mallin në formën më të plotë, sepse ato e mbajnë njeriun të gjallë dhe të ndritshëm. Por ne le ta shndrojmë në një sentencë poetike mendimin: Puthuni të jeni të lumtur!
Sarandë, më 19.03.2025
Puthjet e tilla vijnë nga malli
Nga Fatmir Terziu
Puthjet janë si agimet,
pasaportë e shkruar me buzë, me tru e me zemër,
lejekalime të përkohshme për zgjimet,
nga përhumbja e natyrshme në sfidën për të mbjell,
mallin, dashurinë, dhimbjet,
ndonjëherë në shi,
ndonjëherë në lagié të mistershme,
puthjet janë stuhi,
shpërthime të një bote të brendshme
puthjet janë e sotmja, e nesërmja është kotësi,
shenja që i struk si vemje.
Edhe puthjet kanë ngjyra
peneli është një shëtitje e lazdruar me buzë,
nëse do të më puthje Ti do të bardhënusërohej natyra,
nëse do të ndodhte ndryshe Bota bëhej tërkuzë,
puthjet janë kanavaci ku fytyra,
ngjyros dhe pikturon një stinë shpuzë,
herë çel si pranvera, herë digjet nëpër dimra,
me ngjyrë të bruztë.
Puthjet e tilla vijnë nga malli,
Ti më sheh dhe unë të ëndërroj si që moti,
më puth në ëndërr dhe ti s'je as djalli,
po më ripikturon me trup dhe ti s'je as Zoti!
Nje nga analizat me te bukura per nje poezi POETI.