Poezia "Mona Liza" e Fatmir Terziut është një krijim konçiz i tipit modern që ndërthur figura tradicionale me një ndjeshmëri bashkëkohore. Poezia është e shkurtër, por çdo varg ka peshën e vet kuptimore, duke lënë hapësirë për lexuesin të sjellë përvojat dhe imagjinatën e vet në analizë. Realisht ka shumë kohë që Terziu shfaqet me poezi të shkurtëra, që u ngjajnë shkretëtirave të rrufeve të befta, thua se ato shkrepin sa për të hedhur një fashë drite poetike mbi një moment errësire.
1.Veçantia e saj qëndron së pari në koncizitetin poetik të shprehjes, gjithsejtë katër vargje por me një dendësi figurash poetike me të cilat transmeton një përvojë universale dhe personale njëkohësisht. Me një gjuhë metaforike, Fatmir Terziu ofron një reflektim mbi artin, kujtesën dhe nevojën njerëzore për përjetime shpirtërore. Poeti na fton të meditojmë mbi raportin tonë me bukurinë dhe përjetësinë, duke lënë në këtë mënyrë gjurmë të thella në mendjen tonë si lexues e qytetarë.
2.Kjo poezia i qaset simbolizmit modernist, pasi mbështetet në figura të fuqishme simbolike si Mona Liza, çezmat dhe pusi, të cilat evokojnë ndjenja të thella dhe përvoja universale, duke krijuar një atmosferë enigmatike dhe introspektive, shmangur rrëfimin e drejtpërdrejtë dhe duke u fokusuar te përjetimet shpirtërore dhe lidhjet estetike me artin.
3.Poezia "Mona Liza" është një krijim që mbështetet mbi një ndërlidhje të ngushtë mes figurës së njohur të artit, Mona Lizës, dhe një ndjeshmërie të thellë njerëzore, duke pasqyruar dialogun e shpirtëror të poetit me simbolikën e artit.
4.Veçantitë stilistikore dhe artistike
a. Simbioza e simboleve është së pari e dukëshme në poezi.
Ndjehet fakti që Mona Liza është më shumë se një portret në poezi; ajo shfaqet si simbol universal i bukurisë enigmatike dhe magnetizmit shpirtëror. Poetizimi i saj krijon një raport midis artit të pavdekshëm dhe përjetimeve personale të autorit, duke e bërë artin pjesë të jetës së përditshme.
b. Metaforat dhe simbolika janë organike në poezi, Metafora:"Dyzetë çezma yshtën rininë time" sugjeron një burim të shumëfishtë frymëzimi. Çezmat simbolizojnë burimet e rinisë, (ndoshta vendet, kujtimet, ose emocionet) që kanë ushqyer jetën dhe ndjesitë e poetit.
Vargu: "Të dyzeta mbushën një pus" shfaq përqendrimin e tyre në një pikë të vetme, sintezë e përvojave dhe kujtimeve në një qendër kuptimore, apo emocionale.
c. Intertekstualiteti dhe thjeshtësia evokuese është vlerë më vete e poezisë.Referimi ndaj Mona Lizës si një "e ëmbël e fotografive" shton dimensionin bashkëkohor të figurës klasike, duke nxjerrë në pah përjetësinë dhe ndikimin e saj përtej kornizës. Ajo bëhet një kujtim në universin personal të poetit, prani që sjell qetësi dhe shuarje të etjes shpirtërore.
ç. Pyetja retorike në fund të poezisë "më shuajte etjen me sytë e tu?!" jo vetëm që nuk kërkon përgjigje, por ajo i jep një tingull lirik dhe introspektiv poezisë, duke shfaqur një ndjesi pafundësie në dashuri dhe art, duke shfaqur jo vetëm admirimin e poetit për pikturën e saj, por edhe një kërkim për një përgjigje që ndoshta nuk mund të jetë kurrë plotësisht e qartë.
Shpesh herë këto poezi të "vogëla" të ngjajnë me ca çupka që të shohin plot ëmbëlsi nga xhamat e dritareve të shtëpive përdhese dhe të ngelen në kujtesë me atë çiltërsinë e tyre të magjishme, dritare e një bote të bukur.
Poezia: „Mona Liza“ nga Fatmir Terziu
Dyzetë çezma yshtën rininë time
të dyzeta mbushën një pus
Mona Liza e ëmbël e fotografive
më shuajte “etjen” me sytë e tu?!
Comments