top of page

Timo Mërkuri: POEZIA “KËRKON NJË RRUGË ARRATIE…?” SI REFUZIM DHE PËRBALLJE



Poezia e Odise Kotes, "Kërkon një rrugë arratie…?", hapet me një titull që provokon mendimin dhe nxit reflektimin, pse e formuluar si pyetje, në pamje të parë, duket si një adresim i hapur që kërkon një përgjigje nga heroi lirik apo edhe nga vetë lexuesi. Pyetja bart në vetvete një dyzim: një dyshim mbi nevojën për të ikur dhe një thirrje për introspeksion mbi arsyet që e shtyjnë këtë arratisje. Me këtë hapje të dykuptimtë, poeti krijon një tension filozofik, duke i dhënë gjithë poezisë një karakter meditimtar, thellësi reflektuese mbi raportin e individit me botën që e rrethon, me sfidat e ekzistencës dhe me dëshirën për liri e transcendence, diçka që shkon përtej kufijve të mendjes njerëzore ose botës materiale. Titulli shërben si hyrje e fuqishme në një rrëfim poetik ku arratisja realisht nuk është ikje, por është një refuzim total i mediokritetit dhe përpjekje për t’i tejkaluar, kapërcyer kufijtë që shoqëria, koha apo vetë njeriu i kanë vendosur jetës së individit. Vlen të theksojmë se dhe forma pyetësore e titullit është krijuar për efekte artistike, pse poezia në këtë mënyrë hap një hapësirë mendimi dhe ngre dilema, krijon një dialog me lexuesin ose mes heroit lirik dhe ndërgjegjes së tij e të lexuesit. Në vetvete pyetja nënkupton pasiguri ose kërkim për një përgjigje që nuk është e qartë, ngre dilema ekzistenciale dhe mqse arratisja është refuzim, titulli shpreh një moment kritik të vendimit: a do përballet apo do largohet heroi, dhe se përmes pyetjes, titulli le të hapur pyetjen se kush është subjekti, mund të jetë heroi lirik, por mund të jetë çdo individ që synon të kapërcejë kufijtë e mediokritetit që e rrethon. Kjo gjithashtu e bën poezinë universale dhe vargjet:

"Të shohin se je gati të hipësh mbi kalë,

A mundesh shurdhimet, pandehmat ti lësh pas,

a ti ndalësh?"

janë tepër domethënëse.

I-Kote e cilëson ikjen në titull si një arratisje, por në thelb ajo përfaqëson një refuzim të qartë ndaj mediokritetit të jetës, gjë që lexohet në gjithë vargjet e poezisë. Madje mund të konsiderohet dhe si rikthim për ti parë situatat ndryshe. Heroi lirik nuk kërkon thjesht të ikë për t’i shpëtuar ndonjë rreziku, ai synon të distancohet nga një realitet që e shtyp, e zvetënon dhe e shurdhon shpirtërisht. E parë në këtë aspekt, kjo nuk është ikje e zakonshme, as një refuzim formal, ky në thelb është një akt rebelimi, që shpreh revoltën e individit kundër monotonisë, pasivitetit dhe shpërfilljes shoqërore që e rrethon, kjo reflekton një ikje të vetëdijshme dhe të guximshme nga mediokriteti, banaliteti dhe ngurtësimi i jetës së përditshme, madje përmban edhe tiparet e një ftese për një rebelim civil, thirrje për ndërgjegjet e përgjumura apo të tulatura. Në këtë kontekst te vargjet: "Arratia ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur" lexojmë qartë se “arratisja”jo vetëm që  nuk është fizike, por përkundrazi është një lëvizje heroike, e ndërgjegjshme drejt një qëllimi më të lartë, ku ndërgjegje "e çmendur" simbolizon dëshirën për mos ju nënshtruar normave kufizuese të shoqërisë. Po në këtë kontekst te vargu: "A mundesh shurdhimet, pandehmat ti lësh pas, a ti ndalësh?" heroikja e individit shfaqet në aftësinë për të refuzuar gjithë zhurmat e kota dhe thashethemet që pengojnë zhvillimin. Poetikisht ky refuzim shndrohet në një simbol të shpëtimit shpirtëror.

Revolta kundër mediokritetit është më e dukëshme në vargjet:"Dikush poshtë barkut pret rrypin e kalit, të biesh, të thyesh kokën,"pse shfaq veprimet mediokre të të tjerëve që synojnë ta ndalojnë heroin nga përpjekja e tij për t'u ngritur mbi medriokitetin e shoqërisë. Është ky akt që simbolizon presionet shoqërore për ta penguar individin në ngjitjen e tij (në jetë, profesion, art etj) dhe për ta mbajtur atë në nulitetin shoqëror të përditshëm. Ndërkohë në vargun “Ç’farë tundimi ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së pjellës,"refuzimi shfaqet si formë ekzistence, si një proces i ngadaltë shuarjeje për ata që nuk guxojnë të refuzojnë këtë mediokritet dhe të ecin përpara në rrugën e tyre. Refuzimi i kësaj lloj ekzistence është thelbi i heroizmit në arratisjen e individit.

Pra, në thelb arratisja e shprehur nga Kote nuk është një arratisje në kuptimin literal të fjalës, nuk është një largim nga jeta, por një akt refuzimi (të mediokritetit) dhe përpjekje për të arritur një ekzistencë më të pasur shpirtërore dhe sidomos më vetiake, më individuale. Poeti shpreh idenë se për të gjetur kuptimin e jetës, njeriu duhet të ketë guximin të refuzojë konformizmin dhe të përballet me pasigurinë e rrugës së tij të zgjedhur. Vlen të themi se këto poezi, për nga mënyra dhe arti i trajtimit të temës dhe idesë janë nga ato poezi që revolucionarizojnë letërsinë drejt universalitetit dhe Odise Kote ka një kohë të gjatë që fton lexuesin në udhëtimin universal.

II-Heroi lirik i Kotes nuk do thjesht të mbijetojë, ai do të jetojë si njeri. E parë në këtë aspekt Kote nuk krijoi një poezi për temat dhe termat filozofike, ai krijoi një poezi për realitetin shqiptar dhe në këtë kontekst është normale pyetja se: cilat dukuri refuzon poeti? Heroi lirik i poezisë së Odise Kote që "Kërkon një rrugë arratie…?", refuzon jo thjesht vuajtjen dhe mediokritetin vulgar, por së pari refuzon një sistem vlerash të degraduara dhe një realitet shqiptar të ngulfatur nga padrejtësitë, shtypja dhe mungesa e shpresës. Duke dëshiruar jo vetëm të mbijetojë, por të jetojë me dinjitet njerëzor, ai refuzon ato dukuri që përfaqësojnë kufizimet e shoqërisë shqiptare.

1. Heroi lirik kërkon t’i shpëtojë realitetit ku individi është i ndëshkuar për guximin e të menduarit ose të vepruar ndryshe, dhe në këtë aspekt jemi dëshmitarë të ndëshkimeve të tilla vetëm pse individi kurajoz nuk është I pëlqyeshëm nga shteti dhe partia në pushtet. Varësia nga pushteti  dhe shteti politik lexohet lirshëm te vargjet  :

"Retë enden të zeza, klithin kur të shohin gati për të ikur,

Dikush poshtë barkut pret rrypin e kalit, të biesh, të thyesh kokën…”

Këto imazhe shfaqin pengesat e qëllimshme që i vihen individit për të mos arritur lirinë e vërtetë, duke simbolizuar një mjedis të ashpër dhe mosbesues.

2. Në realitetin shqiptar, shpesh individi përballet me një shoqëri të mbyllur në mendësi mediokre, ku ndryshimi e përparimi shpesh konsiderohen apo vlerësohen si kërcënime. Kemi qenë dëshmitarë të fakteve ku mendimi novator është refuzuar vetëm e vetëm pse ishte mendim i dikujt tjetër dhe jo i “personalitetit” të menduar apo emëruar. Në poezi, refuzimi ndaj këtij mediokriteti pasqyrohet në pyetjen retorike:

"A mundesh shurdhimet, pandehmat ti lësh pas,

a ti ndalësh?"

duke dëshmuar përpjekjen për t’iu larguar një shoqërie të ngurtësuar në disa kode e doke, që në heshtje jo vetëm që nuk pranon transformimin, por pengon dhe ata individë që synojnë.

3. Heroi refuzon të nënshtrohet ndaj realitetit që pengon vetërealizimin dhe ëndrrat. Kushdo mund të sjellë shembuj që vërtetojnë këtë rast pengimi të ëndrrave të individit të penguara nga “shoqëria” zyrtare. Kjo nënkuptohet në vargun:"Arratia ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur," të cilat sugjerojnë një rebelim të brendshëm kundër kushteve që e kufizojnë shpirtin krijues e me inisiativë dhe dëshirën për të jetuar një jetë kuptimplotë.

4.Në disa rreshta, poeti kritikon mungesën e solidaritetit e mbështetjes, madje dhe sabotimin e përpjekjeve të atyre që kërkojnë ndryshim, kritikë që shfaqet te vargu: "kurse tjetri i shkul patkojtë dhe merr kamxhikun…" ku ky imazh aludon për kundërshtinë dhe egërsinë që individi përjeton nga të tjerët në një shoqëri të ngurtë dhe mosbesuese.

5.Duhet të kemi parasysh një gjë, është shumë e vështirë të luftosh një praktikë jete të ngurtësuar në mediokritet, kjo kërkon një heroizëm civil të njerëzve me kurajo e vizion, mungesën e të cilës (heroizmit) poeti refuzon ta pranojë. Poezia përmend një figurë mitike si shprehje e dëshirës për të rigjetur heroizmin e dikurshëm dhe e sjell te vargjet:

"Më bujari, ai që zëra lumi dëgjon, rrjedhën e rrjedhës,

afrohet të shndërrohet në lëndë miti, me armë në dorë."

Kjo dukuri më shumë simbolizon nostalgjinë për kohën kur vlerat shqiptare mbështete-shin te trimëria, nderi dhe përpjekja për liri, të cilat në kohën e sotme, jo vetëm që janë zbehur, por kujtohen si diçka e prapambetur.

E parë në këtë aspekt poezia e Kotes nuk është thjesht një shprehje filozofike; ajo është shnedrruar në një akt denoncues ndaj dukurive frenuese të realitetit shqiptar si: shtypja, mediokriteti, mungesa e solidaritetit dhe vlerave heroike. Poeti përmes pasazheve të fuqishme dhe simbolike, shpreh jo vetëm refuzimin, por edhe një dëshirë të thellë për një jetë aktive, të ndershme, dinjitoze dhe të lirë.

III-Duke e parë poezinë si një akt denocues, natyrshëm lind pyetja në se mund të shihet ajo si një poezi sociale? Në përgjigje themi se kjo poezi mund të shihet si një poezi që përfshin elemente sociale, por ajo nuk kufizohet vetëm në këtë dimension. Ajo shpreh shqetësime të thella njerëzore dhe universale që ndërlidhen me lirinë, ekzistencën dhe identitetin, duke kaluar përtej kornizave të poezisë tipike sociale.

1.Aspektet sociale shihen te fakti se poezia reflekton qartë mbi një realitet shqiptar, ku individi përballet me mediokritetin dhe mungesën e shpresës. Vargjet që shfaqin psh. sabotimin dhe mungesën e solidaritetit, siç i cituam më sipër: "kurse tjetri i shkul patkojtë dhe merr kamxhikun..."sugjerojnë një mjedis shoqëror (shqiptar) ku individi pengohet të arrijë lirinë dhe të realizojë ëndrrat e tij, duke shprehur një kritikë e fshehur ndaj strukturave të ngurta dhe të padrejta të shoqërisë.

2.Përtej dimensionit social, poezia nuk kufizohet vetëm me denoncimin e dukurive shoqërore. Ajo zhvillon një reflektim të thellë mbi ekzistencën njerëzore, duke u fokusuar te ndjesitë individuale të refuzimit dhe dëshirës për të kapërcyer kufijtë e shpirtit dhe realitetit të përditshëm. Pyetja e hapur që mbart titulli, "Kërkon një rrugë arratie...?", nuk është thjesht sociale, por filozofike, duke aluduar për një nevojë universale për shpëtim dhe transcendencë.

Pra duhet të pranojmë se poezia ka dimension social të theksuar në saje të kritikës ndaj shoqërisë shqiptare, por ajo nuk është thjesht një poezi sociale. Ajo, është një poezi ekzistenciale me rrënjë sociale, që ndërthur aspektet e realitetit kolektiv me shqetësi-met e individit, duke u ngritur mbi një univers më të gjerë artistik dhe filozofik.

IV-Më sipër përmendëm që poezia është ekzistenciale dhe universale dhe në argume-ntim të kësaj shpjegojmë se poezia: "Kërkon një rrugë arratie...?" e Odise Kotes është ekzistenciale dhe universale për shkak të thellësisë së saj filozofike dhe shqetësimeve njerëzore që adreson. Ajo përqendrohet te pyetjet për kuptimin e jetës, lirinë individu-ale dhe sfidat për të kapërcyer kufizimet e brendshme dhe të jashtme. Këto elemente e bëjnë poezinë jo vetëm të lidhur me një realitet të caktuar, por të vlefshme për njerëzimin në tërësi.

1. Në analizën e dimensonit ekzistencial të poezisë theksojmë se ekzistencializmi fokusohet te liria, përgjegjësia individuale dhe përballja me absurdin e jetës. Në poezi, heroi lirik refuzon ti nënshtrohet një realiteti të ngurtë dhe kërkon të përballet me sfidat ekzistenciale:

"Kërkon një rrugë arratie vijës së ftohtë të agut (në zbardhtë),

si feksje, si brinjë, që s’di ku humbet golles të zezë të natës."

Këtu shfaqet dëshira për t’u çliruar nga errësira, “golles të zezë të natës” (simbol i ngërçit shpirtëror dhe kufizimeve) dhe për të gjetur një agim të ri (në zbardhtë), një hapësirë ku ekzistenca merr kuptim. Po ashtu vargu: "Arratia ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur," thekson tensionin ekzistencial mes dëshirës për t’u larguar dhe pasigurisë që shoqëron çdo hap drejt së panjohurës. Heroi këtu përballet me absurdite-tin e realitetit dhe dilemat e ekzistencës.

2.Poezia merr një dimension universal, pasi shqetësimet që ajo trajton nuk janë thjesht lokale apo kombëtare por janë universale. Dëshira për liri, ndjenja e izolimit dhe përpjekja për të kapërcyer pengesat janë përvoja të përbashkëta për çdo individ:

"Fytazi a je bërë gati të ndeshesh me rrezikun,

çdo herë i braktisur...?"

Kjo dilemë është universale: individi është gjithmonë i vetëm përballë sfidave më të mëdha të jetës dhe kërkimit të lirisë. Po këshu vargjet:

"Ç’farë tundimi ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së pjellës,

shenjuar të qëllojë mu në kraharor…"

reflektojnë mbi përkohshmërinë e jetës dhe absurditetin që mund ta karakterizojë atë. Heroi lirik është i tunduar nga vetë akti i të jetuarit, që kërkon guxim dhe përballje me dhimbjen dhe humbjen.

Kështu argumentojmë se:poezia ndërsa është ekzistenciale pasi trajton temat e lirisë, përballjes me absurdin dhe kërkimit për kuptim, ndërkohë është universale pasi përvojat që ajo shfaq janë të përbashkëta për njerëzimin. Në vargjet e cituara më sipër shprehen shqetësime që kapërcejnë çdo kufi kulturor apo kohor, duke e bërë këtë poezi një reflektim filozofik për qenien njerëzore dhe duke na prurë portretin e poetit më vizionar se sa e kemi njohur gjer më sot.


Sarandë, më nëntor 2024


Odise Kote

Kërkon një rrugë arratie …?

Kërkon një rrugë arratie vijës së ftohtë të agut (në zbardhtë),

si feksje, si brinjë, që s’di ku humbet golles të zezë të natës.

Të shohin se je gati të hipësh mbi kalë,

A mundesh shurdhimet, pandehmat ti lësh pas,

a ti ndalësh?


Arratia ka ndërgjegjen e vet të çmendur, të panjohur,

Retë enden të zeza, klithin kur të shohin gati për të ikur,

Dikush poshtë barkut pret rrypin e kalit, të biesh, të thyesh kokën,

kurse tjetri i shkul patkojtë dhe merr kamxhikun…


Më bujari, ai që zëra lumi dëgjon, rrjedhën e rrjedhës, 

afrohet të shndërrohet në lëndë miti, me armë në dorë.

Ç’farë tundimi ekzistenca, shuar ngadalë mitrës së pjellës,

shenjuar të qëllojë mu në kraharor …


Kërkon një rrugë arratie vijës së ftohtë të agut për të ikur,

fytazi a je bërë gati të ndeshesh me rrezikun,

çdo herë i braktisur …?

28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page