top of page

Timo Mërkuri: Poezia "E zbuluar në vitin…" e Fatmir Terziut



 

Poezia "E zbuluar në vitin…" e Fatmir Terziut (ri)publikuar këto ditë, është nga ato poezi që të provokon shijen dhe mendimin. Një poezi që edhe të imponon shfaqjen e këndvështrimit si lexues. Kjo ndodh për vlerat e saj.

Kjo poezi shquhet për stilin e saj modernist, dhe të pasur me figura letrare. Kjo diktohet nga stili që është dhënë duke krijuar një ndërthurje mes konkretes dhe abstraktes, mes fizikes dhe metafizikes. Meqenëse s'kemi synim ti bëjmë një analizë thelbësore për disa arsye subjektive kohore, disa nga veçantitë kryesore stilistike dhe artistike të poezisë mund ti shpalosim dhe ilustrojmë përmes pasazheve të saj:

 

1. Poezia përdor trupin fizik dhe ndjesi fizike për të shprehur një realitet më të thellë. Vargu:"Këmbët ende e ndjejnë drithmën në kocka" krijon ndjesinl fizike të dridhjes, që mund të simbolizojë një përvojë apo përjetim të kaluar tronditëse ose një lloj përkujtese fizike-trupore të dhimbshme. Një tjetër imazh i njëjtë është :"fyti ende çirret si gjelat në agim",

ku zëri bëhet simbol i një alarmi, një paralajmërimi ose një thirrjeje që diçka të shkuar të kujton.


2.  Në vargun: "etika e gradacionit bulëzon shishet",

poeti shprehet ironikisht për të paraqitur një shoqëri konsumimi që mat gjithçka me vlera materiale (gradacioni i alkoolit), ndërmohë që pas kësaj fshihet një realitet më i thellë i dhimbshëm: degradimi etik dhe shpirtëror. Ky absurditet modern shfaqet edhe në vargun:"ka brenda një grua që zhvishet me një fustan të bukur të padukshëm deri në panjohje…",ku femra mund të simbolizojë një imazh të idealizuar, një iluzion që ekziston vetëm në një sistem modern vlerash sipërfaqësore.

3.  Në këtë poezi metamorfoza është një element kyç dhe kjo shihet në vargun: "… uji i bekuar e bën si flutur",ku uji (ndoshta një simbol i shenjtërisë ose i rilindjes) i jep subjektit një lehtësi të re, por në të njëjtën kohë, ai përjeton një kontradiktë:

"ndjen ftohje pas një fyti që digjet në zjarr".

Kontrasti mes të ftohtit dhe të nxehtit e bën ndjesinë e shndërrimit edhe më të fuqishme.

4. Vargu: "edhe kur etiketat moderne i grisin lexojnë thjesht dizajnin e zbukuruar plotë art"

shprehet sesi njeriu i sotëm shpesh nuk kërkon përmbajtjen e vërtetë të gjërave, por vetëm fasadën duke e lidhur këtë ide me prodhimet industriale, ku gjithçka vlerësohet nga dizajni dhe marketingu, pa vlerësuar esencën.

5. Në vargjet e fundit poeti përmend një datë të pacaktuar: "e prodhuar në vitin …, … ndoshta më të thatë" duke e lënë dhe ftuar lexuesin të plotësojë boshllëkun dhe të reflektojë mbi relativitetin e kohës dhe të vlerave. "Gradacioni, 20 gradë!" si një shënim i dukshëm, ironizon dukshëm idenë e maturimit të cilësisë, duke aluduar se çdo gjë mund të shndrohet në një numër( kujto të burgosurit nëpër kampe të cilësuar me një numër në vend të emrit) si standard i paracaktuar. me periudhë skadimi.

Pra te kjo poezi Fatmir Terziu ndërton një poezi që kombinon ironi, metaforë dhe simbolizëm, dhe krijuar një reflektim mbi konsumizmin, përjetimin trupor dhe shpirtëror, si dhe relativitetin e vlerave në botën moderne. Gjuha e tij është e kursyer, por e fuqishme në evokimin e ndjesive dhe mesazheve të fshehura brenda vargjeve.

 

II-Poezia lë hapësirë për dy (shumësi) interpretime: ajo krijon hapësirë mendimi se flet si për një femër reale, po ashtu edhe hamendësime se flet për një pikturë që përfaqëson një femër ideale

 

1.Duke e parë në nivel konkret, vargjet "ka brenda një grua që zhvishet me një fustan të bukur të padukshëm deri në panjohje…" të lind mendimi se flitet për një femër reale, pavarësisht se kjo është një femër që mbetet e pakapshme, e mistershme dhe e zbuluar vetëm në një pikë. Kjo mund të hamendësojë edhe një formë idealizimi apo konsumizmi, reklamimi të imazhit të saj.

2. Nëse e lexojmë në një këndvështrim artistik, portreti i gruas që "zhvishet" mund të jetë një pikturë, ku zhveshja është jo fizike, por simbolike, një zbërthim i ngjyrave, formave dhe të artit. Madje vargjet "edhe kur etiketat moderne i grisin, lexojnë thjesht dizajnin e zbukuruar plotë art" nënkuptojnë se kjo figurë është më shumë krijim artistik sesa një person real.

Pra, poeti qëllimisht e ndërton figurën femërore në një kufi mes realitetit dhe artit, në shumëkuptimësi, duke lënë lexuesin të vendosë nëse ajo është një femër e vërtetë, një imazh i idealizuar, apo një pikturë që flet për vlerën dhe degradimin e artit në kohën moderne. Mendoj dhe sugjeroj që në këtë këndvështrim të lexohet kjo poezi moderne e Fatmir Terziu .

_____________________________________

Poezia: E zbuluar në vitin …

Nga Fatmir Terziu


Këmbët ende e ndjejnë drithmën në kocka

fyti ende çirret si gjelat në agim

e burri ende piqet nga furra

etika e gradacionit

bulëzon shishet

ka brenda një grua

që zhvishet

me një fustan të bukur

të padukshëm deri në panjohje…


… uji i bekuar e bën si flutur

ndjen ftohje

pas një fyti që digjet në zjarr

nga gusha jote

askush s’mund të ndalë duke kërkuar,

kur je zbuluar,

mendjeshpëlarrja e kësaj bote…


… edhe kur etiketat moderne i grisin

lexojnë thjesht dizajnin e zbukuruar plotë art:

“e prodhuar në vitin …,

… ndoshta më të thatë”

Gradacioni, 20 gradë!.

2020-2025

7 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page