Timo Mërkuri: POETI QË ËNDËRRON TË RINGJALLET
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 7 min read

Nga Timo Mërkuri
Poezia “Këngë Pashke…” e Ilirian Zhupës përfaqëson një reflektim të thellë shpirtëror mbi kuptimin e ringjalljes, të përjetuar jo përmes dogmës, por përmes ndjeshmërisë së një njeriu të zakonshëm. E lidhur me sfondin kulturor ortodoks, poezia nuk synon të shpallë një të vërtetë fetare, por të shprehë një dëshirë të brendshme për ngjitje shpirtërore. Duke bashkuar simbolikën e Krishtit me mitin e fluturimit, poeti ndërton një vizion poetik ku besimi, ëndrra dhe etja për dritë gërshetohen në mënyrë të përmbajtur dhe moderne.
I- Kjo poezi është një meditim i thjeshtë, por thellësisht shpirtëror, sa mbi ngjalljen e Krishtit aq dhe dëshirën njerëzore për shpëtim, ngjallje dhe ngjitje drejt një bote më të lartë. E parë në këtë kontekst distiku i parë: “Krishti u ngjall sërish, jo në trajtë të lëndët” ndërsa shënon thelbin e besimit të krishterë, ringjalljen e Krishtit sërish me vargun:“Krishti u ngjall sërish”, bën si rastësisht saktësimin, në dukje jo aq të domo-sdoshëm: “ jo në trajtë të lëndët” pra, jo si trup fizik, duke lënë të kuptohet se ai u ringjall në formë shpirtërore e hyjnore. Në këtë mënyrë poeti e vendos ringjalljen përtej materialitetit, në sferën e misterit dhe besimit, pavarësisht se vargu i dytë i këtij distiku poetik thotë: “Dhe u rikthye mes nesh...” Për më tepër ky rikthim i thjeshtë, pa bujë, i pritshëm, gjer në kufijtë e një bindjeje “me siguri” sugjeron se Krishti nuk ka qenë dhe nuk është është figurë e largët në jetën tonë të përditëshme, por ka qenë prani shpirtërore e sigurtë.
Te distiku i dytë:
“Nga dita në ditë ndjej sikur më dalin pendët,
Me të cilat thonë se do të ngjitem në qiell!”
poezia kalon nga Krishti te vetvetja. Poeti, si njeri i thjeshtë, ndjen se brenda vetes po zhvillohet një transformim i heshtur shpirtëror. Pendët janë metafora të dëshirës së tij për t’u ngritur në qiell, si Krishti, pranë Zotit, një lloj ëndrre për shenjtërim apo shpëtim. Sigurisht që poeti nuk është Krishti, por ëndërron t’i rriten pendët (krahët) si engjëjve, pse dhe ai ka jetuar si njeri i përulur, i bindur te besimi e Zoti, si engjëjt. Ndoshta poeti nuk ka shumë faj, qysh në fëmijëri na është premtuar qielli parajsor si shpërblim i një jete të përkorë në tokë. Në këtë aspekt na ndihmon edhe leximi i figurave poetike ku: Metafora e pendëve shpreh aspiratën shpirtërore, dëshirën për të kapërcyer kufijtë e trupit, të përditshmërisë dhe të një jete plot mundime në tokë. Ngjitja në qiell është simbol universal i shëlbimit, ringjalljes dhe bashkimit me të shenjtën. Dhe tensioni mes hyjnores e njerëzores është çelësi i poezisë: Krishti u ngjall si bir i Zotit ndaj dhe njeriu ëndërron thjesht të ndjekë pas një dritë të përtejme.
Pas këtij leximi artistik të poezisë shohim se Zhupa e sheh Krishtin si frymëzim, por rruga e tij është ajo e njeriut të zakonshëm: jo e ndritur me dritën hyjnore, por e përshkuar nga një dëshirë për t’u ngritur shpirtërisht. Pra poeti, ndërsa nuk pretendon të ndjekë një rrugë të ndriçuar nga drita hyjnore si Krishti, shfaq një etje për lartësim shpirtëror, një fluturim i mundshëm me “pendë”; simbol i shpirtërimit, jo i fuqisë hyjnore.
II-Kjo poezi lëviz në hapësirat e modernizmit ekspresionist me një ton intim, simbolik e shpirtëror, duke reflektuar botën e brendshme dhe aspiratat metafizike të individit. Jo vetëm për këtë arsye por edhe për këtë arsye kjo poezi nuk është dëshmi e një besimi absolut kristian, pasi më shumë është frymëmarrje shpirtërore, ndriçim i brendshëm, i qasur nga këndvështrimi njerëzor. Dhe këtu qëndron bukuria e saj moderniste: Krishti në poezi, nuk është figura dogmatike e katekizmit të krishterë, por simboli i shpresës, i rigjallërimit të shpirtit. Ndërkohë më lejoni të bëj një sqarim të vogël, krishtërimi është ndarë në katolikë dhe ortodoksë për disa parime, por pavarësisht kësaj ndarjeje, besimi te Krishti si bir i Zotit, te kryqëzimi i Krishtit për të larë mëkatet njerëzozre në tokë dhe te ringjallja e Krishtit është themeli i besimit të krishterë.
Mirëpo nqse e sheh me vëmëndje poezinë, ndjen se as Krishti dhe as poeti nuk shfaqen aq të krishterë në këtë poezi dhe kjo për arsye se: Krishti në poezi shfaqet jo në trajtë të “lëndët”, por rikthehet mes njerëzve si frymë, si ide e ringjalljes. Kjo përputhet me ndjeshmërinë e krishterë, ku misteri i ringjalljes nuk është vetëm fakt historik, por dhe një përjetim shpirtëror, që ndodh në zemrën e besimtarëve. Pra, figura e Krishtit këtu mbetet e lartë, e shenjtë, dhe e përjetuar në dimensionin e misterit, ashtu si në teologjinë kishtare që thekson më shumë apofazën (të pathënën) sesa racionalen.
Në këtë poezi Zhupa duket më pak i krishterë në kuptimin formal, por shumë i ndjeshëm ndaj shpirtërores. Ai nuk pretendon të arrijë Krishtin si Zot, as nuk përpiqet ta përvetësojë simbolikën hyjnore, përkundrazi, ai ëndërron që “t’i dalin pendët”, një dëshirë tepër e herëshme njerëzore, (kujtoni Dedalin dhe Ikarin), një etje për fluturim që nuk buron nga dogma, por nga përjetimi personal. Ai nuk kërkon t’i nënshtrohet formulës së hershme të besimit, por frymëzohet nga ajo të ngjitet shpirtërisht me mjete që i ka të mundshme si njeri.
Në thelb, Krishti në poezi përjetohet në mënyrën e krishterë: si mister, si ringjallje, si prani shpirtërore; mdrkohë që poeti është i krishterë në kuptimin poetik, i shkëputur nga dogma, por i mbushur me etje për shpirtërim. Ai nuk ndjek besimin si formulë, por si një udhëtim të brendshëm. Në këtë kuptim edhe poezia është afër mistikës kristiane sesa teologjisë kristiane, pasi ajo nuk shpall të vërteta, por fton për përjetim dhe reflektim.Kjo duket edhe te fakti se pendët që “më dalin” nuk janë dhuratë hyjnore, por një ndjesi që rritet së brendëshmi, një ëndërr për t’u ngritur përtej jetës së rëndomtë.E parë në këtë aspekt themi se poeti nuk predikon, por ndan me lexuesin një gjendje të brendëshme: dëshirën për shpirtërim, për të qenë “më shumë” se kjo botë, por pa u ndarë prej saj.
III-Poezia “Këngë Pashke” e Zhupës artikulon një përjetim shpirtëror, ku ngjallja e Krishtit shërben si simbol i ringjalljes së shpresës dhe i shpirtërimit të jetës njerëzore. Nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë dhe figurash të ngarkuara me ndjeshmëri, si pendët dhe ngjitja në qiell, poeti përfton një përvojë mistike personale, larg institucionalizimit fetar, duke e zhvendosur theksin nga hyjnorja te aspirata njerëzore për transformim të brendshëm. Kjo e bën poezinë dëshmi të modernizmit ekspresiv dhe intim, ku Krishti nuk është objekt kulti, por udhërrëfyes i një shëlbimi të përditshëm e njerëzor.
Poezia, ndonëse me vargje të pakta e të shkurtra, është thellësisht përfaqësuese e një fryme moderne shpirtërore, ku ringjallja e Krishtit shfaqet si simbol universal i shpresës dhe transformimit shpirtëror. Poezia është e qartë në mesazhin e saj: nuk synon të predikojë një të vërtetë fetare, por të ndajë një gjendje intime të shpirtit që kërkon të ngjitet përtej jetës së zakonshme, përtej vetes.
Në thelb, po ta lexosh me vëmëndje ndjen se në këtë poezi, nuk jemi përballë një himni kristian, por përballë një lutjeje të heshtur, që flet më shumë për dëshirën për ndriçim sesa për përjetimin e ndriçimit vetë. Poeti nuk paraqet veten si të shpëtuar, por si dikush që është në rrugë për tu shpëtuar, ëndërron, shpreson dhe po pret.
Krishti në këtë poezi është frymë, jo trup; ai rikthehet "jo në trajtë të lëndët", pra si prani që i jep kuptim dhe dritë ekzistencës njerëzore, por pa u imponuar. Ky interpretim i vargut poetik shmang çdo dogmatizëm dhe zhvendos theksin te përjetimi individual, te ajo që ringjallet brenda njeriut nëpërmjet Krishtit si simbol. Kështu, poezia ngjitet më shumë drejt mistikës moderne, por shfaqet në ndërgjegjen e njeriut, në ëndrrën e tij për të qenë më shumë se kjo tokë.
Në këtë kontekst,edhe pendët nuk janë vetëm mjete për të fluturuar, ato janë shenjat e një rritjeje shpirtërore, të një përvujtërie që përpiqet të ngrihet, pa pretenduar të arrijë lartësinë hyjnore të Krishtit. Njeriu është në proces shpirtërimi, jo në përkryerje. Është një vetëdije për kufijtë njerëzorë, e shoqëruar me një etje për tejkalim. Poezia kështu përqafon një dualitet ekzistencial: jemi ende në tokë, por ëndërrojmë qiellin; jemi ende lëndorë, por ndjejmë një frymë që kërkon të ngrihet.
Për këto arsye, “Këngë Pashke” është një poezi që nuk i shërben besimit fetaar por frymës së besimit njerëzor, ajo është më shumë përjetim shpirtëror se sa bindje religjioze. Kjo është forca që e vendos poezinë mes rrymave moderniste si ekspresionizmi shpirtëror dhe simbolizmi mistik, ku ndjesia, vizioni dhe metafora zëvendësojnë kredon, dhe ku njeriu i zakonshëm është qendra e përvojës së shenjtë.
Dhe në përfundim, Ilirian Zhupa nuk e paraqet ngjitjen ( e mundëshme me pendët që ndjen ti mbijnë) si privilegj hyjnor, por si një ëndërr njerëzore. Në këtë dritë, mund të thuhet që poeti është më afër Dedalit dhe Ikarit sesa Krishtit, jo në kuptimin e rebelimit fetar, por në kuptimin e përpjekjeve njerëzore për shpëtim, “për tu ngjitur lart”. Poeti nuk predikon dogmën e ringjalljes si doktrinë fetare, por e përdor atë si kuadër simbolik për të shprehur një proces shpirtëror që s'ka garanci suksesi, një fluturim i brishtë, një ëndërr që qëndron pezull mes shpresës dhe kufizimeve.
Kështu pra, poezia nuk kërkon të bindë, por të frymëzojë, nuk imponon një të vërtetë, por hap një hapësirë për ndjesi të brendshme. Në këtë frymë, ajo u përket të gjithëve, besimtarëve, ateistëve dhe atyre që vetëm shpresojnë. Kjo poezi le hapësirë për lexime të shumta dhe si e tillë qëndron mes besimit, mitit dhe shpirtit poetik që kërkon dritë.
Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall!
Sarandë më 19-20 Prill 2025
KËNGË PASHKE...
-Ripublikim.
Krishti u ngjall sërish, jo në trajtë të lëndët,
Dhe u rikthye mes nesh...
Nga dita në ditë ndjej sikur më dalin pendët,
Me të cilat thonë se do të ngjitem në qiell!
Comments