top of page

Timo Mërkuri: “PENELOPA” nga Ilirian Zhupa



          -Nënës sime, Aleksandrës!

Nëna punon në shtiza një triko të leshtë për mua,

Ndërsa shiu zhurrmon jashtë mbi rrasat e të dashurve tanë...



TRIKO E NËNËS


Nga Timo Mërkuri

Më datën 8 Mars 2025 Ilirian Zhupa hodhi në fb poezinë  "Penelopa", si një krijim kushtuar nënës së tij të ndjerë Aleksandra. Në këtë krijim Ilirian Zhupa ndërton një portret poetik të nënës së tij, Aleksandrës, duke e ndërlidhur me figurën mitike të Penelopës. Në vargje, nëna e tij, Aleksandra shfaqet si figurë mëmësore e përkushtuar, e cila i përngjan Penelopës jo vetëm përmes aktit të punës me shtiza, që ka qasje me të punuarit në avlëmënd të Penelopës, por edhe përmes durimit, sakrificës e dashurisë së pakushtëzuar. Realisht studiuesit e letërsisë e kanë parë figurën e Penelopës si një grua besnike e Odiseut, e cila i mashtron mtonjësit me endjen në avlëmënd të një pëlhure që nuk përfundonte kurë, falë dinakrisë së saj; pse atë që thurte ditën e çthurte natën, duke shtyrë kohën e mbajtjes së premtimit për të zgjedhur bashkëshortin e ri midis tyre. Gati të gjithë studiuesit e letërsisë (përjashto poetin Varnalis) këtë këtë dinakri të saj e lidhin me besnikërinë ndaj Odiseut dhe pak kujtohen se ajo veçse mbretëreshë ishte dhe nënë, dhe kësisoj shtyrja e afatit të martesës së saj me një nga mtonjësit kishte të bënte edhe me shtimin e afatit të sigurisë së rritjes së të birit Telemakut si princ trashëgimtar, dmth i paprekshëm. Varnalasi te “Ditari i vërtetë i Penelopës”  na thotë që ajo “harroi” që ishte gruaja e Odiseut, por asnjë autor nuk thotë që ajo harroi ndonjëherë që ishte nëna e Telemakut, madje dhe kur vjehri i saj, Laerti, i lodhur e i dëshpëruar “braktisi” detyrën e tij si gjysh i Telemakut; u tërhoq nga pallati dhe shkoi të jetojë në një kasolle, pra dhe atëherë që mbeti vetëm pa mbështetje Penelopa nuk e braktisi detyrën si nënë. Madje ajo edhe detyrën si mbretëreshë e la fare pas dore, e la pallatin dhe pasurinë në duar të mtonjësve. Edhe kur Telemaku u largua për të gjetur të atin ose ndonjë lajm për atë, dhe pse mtonjësit e kapën gafil në mashtrimin e çthurrjen e pëlhurës së thurur, ajo u tha atyre të prisnin sa të vinte i biri. Thjeshtë donte të sigurohej që i biri nuk ishte prekur dhe nuk do prekej.

Mirëpo kemi një element të rëndësishëm  që e bën këtë poezi edhe më prekëse: nëna e poetit nuk jeton më, ndërsa poeti thotë që ajo punon me shtiza një triko për atë. Kjo i bën vargjet të marrin një ngarkesë ndjesore më të thellë, duke e shndërruar kujtimin për të në një formë të poezisë përjetësuese, ose më saktë mund ta emërtojmë këtë dukuri me frazën: Nëna e poetit ose kujdesi që mbart kohën

Te vargjet e Zhupës, nëna e tij është paraqitur në një moment të thjeshtë e të përditshëm, duke thurur një triko të leshtë për të birin, ndërkohë që jashtë dëgjohen gjurmët e shiut mbi varret e të dashurve të ndjerë, detaj që vendos një contrast mes ngrohtësisë së brendëshme dhe ftohtësisë së jashtëme, duke shtuaj një dimension ndjessor dhe filozofik në poezi. Ky detaj e vendos nënën në një kohë të shkuar, duke e bërë të gjallë përmes kujtesës poetike. Në këtë çast, ajo nuk është vetëm një grua, por mbi të gjitha një nënë që krijon, që përkujdeset, që mbron, edhe përtej kohës dhe jetës. Nëna e mbron poetin edhe përtej jetës, ku ajo është ndërkohë. Kjo figurë është ndërtuar nga poeti thjeshtë mbi kujtesën e tij të fëminisë, kur e shihte gati çdo ditë nënën duke thurur triko pranë vatrës, ndërsa ata të gjithë, madje dhe babi kotej pranë vatrës. Kështu puna e saj me shtiza bëhet një metaforë e një kujdesi të pandërprerë, që nuk përfundon as me kalimin e viteve, as me largimin fizik nga jeta. Trikoja e leshtë, një vepër e thjeshtë por e ngarkuar me dashuri, është një mënyrë me të cilën nëna lë gjurmë në botën e të birit. Përmes saj (trikos), ajo e ngroh birin jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Ky është akti përkujdesës mëmësor që e lidh në mënyrë të natyrshme me Penelopën, e cila, siç thamë thurte e çthurte për të shtyrë afatin kohor dhe për të mbrojtur të birin. Pra kemi dy nëna identike që bëjnë gjithçka për të mbrojtur birin e tyre nga e keqja që u avitej.

Le ti kushtojmë pak vëmendje vargut: “Ndërsa shiu zhurrmon jashtë mbi rrasat e të dashurve tanë”. Ky shi që bie nuk është thjeshtë një element i natyrës por më së pari është një metaforë për kalimin e kohës, ciklin e pandalshëm të jetës dhe vdekjes. Një grua është gjithmonë një ekuilibër mes gruas dhe nënës, por ka periudha në jetë kur mëmësia e mbulon plotësisht feminitetin. Kjo ndodh me Penelopën, e cila për vite të tëra nuk është (vetëm) gruaja e Odiseut, por para së gjithash nëna e Telemakut. E njëjta gjë ndodh edhe me nënën e poetit Zhupa, e cila shfaqet në vargje në momentin kur ajo nuk është më, por vazhdon të jetë prania e munguar që lë shenjë. Ajo nuk është më një grua me përditshmërinë e saj, por një figurë mëmësore që jeton në kujtesën dhe artin e të birit, duke u shndruar në një figurë qëndrore midis dy botëve. Ashti si Penelopa që ndodhet mes të shkuarës dhe të ardhmes, edhe nëna e poetit “krijon” diçka në të tashmen, një “triko” metaforike, e cila shkon përtejë funksionit të saj praktik dhe duhet të shihet si metaforë e mbrojtjes së përherëshme të birit . Rrënia e shiut mbi rrasat e varreve krijon një contrast që e vendos trikon si një urë mes të gjallëve dhe të vdekurve dhe dëshmon se ndërsa jeta vazhdon ciklin e saj, dashuria e nënës nuk shuhet kurrë. Unë ju them se trikoja  është më shumë se një send, ajo është një “poezi e rhurur me duar”, një metaforë e dashurisë që nuk venitet. Zhupa përmes këtij imazhi nuk shfaq një moment të zakonshëm por një symbol universal të kujdesit mëmësor dhe vazhdimësisë përmes kujtimit.

Së fundi ju them se e kam dhe unë një triko të tillë që e vesh çdo ditë, sot e 57 vjet, por s’kam bërë ende një poezi për atë. Të faleminderit Ilirian që e krijove dhe për mua.

Sarandë, më 8 Mars 2025

 
 
 

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page