top of page

Timo Mërkuri: NË KUFIRIN MES MODERNIZMIT DHE POSTMODERNIZMIT




Nga Timo Mërkuri

Rastësisht në një faqe fb hasa poezinë “Kushtuar pyllit” të Natasha Lakos e cila më tërhoqi vemëndjen. Natasha Lako disa gherë ka shkruar për pyjet dhe drurët dhe unë mund të citoj këtu poezinë e saj “Letër kontinentale”, sa të thellë aq dhe të veçantë për të cilën edhe kam shkruar një sprovë. Por ja që kjo poezi është një tjetër lloj, është ndryshe, pse më së pari ka një qasje me përfaqsimin e gruas, shpërbërjen e klisheve për atë në letërsi dhe  rindërtimin e saj përmes një gjuhe të fuqishme, simbolike dhe provokuese. Ndryshe nga tradita (ku përfshijmë dhe romantizmin e klasiçizmin) kjo poezi e Lakos nuk i përshkruan gratë në mënyrë sentimentale, por i shfaq ato përmes një strukture poetike të ngjeshur, ku çdo varg është goditje ndaj perceptimeve të traditës. Si shpesh herë, me guximin e saj estetik të rrallë, Lako krijon një univers ku feminiteti nuk është kategori e paracaktuar, por një hapësirë e lëngshme simbolesh, drite dhe errësire. Në këtë poezi, befasohesh kur mëson se pylli nuk është detyrimisht një grua, as zjarri një burrë, dhe trupi femëror nuk është thjesht një vatër ndjenjash, por është një element po aq i ngurtë sa druri dhe guri. Në këtë rrugëtim poetik të Lakos, gruaja është një zë që sfidon, një trup që nuk kufizohet nga format e zakonshme të interpretimit dhe as një shenjë që pikon si rrëshira, njëkohësisht plagë dhe gjurmë e pashlyeshme e ekzistencës jetësore.

I-Dy tipare kryesore që  dallohen te kjo poezi janë: guximi poetik dhe densiteti artistik, të cilat ndërthuren për të krijuar një tekst poetik sfidues dhe shumëdimensional, ku simbolika e fuqishme dhe ndërtimi i ngjeshur poetik e bëjnë atë një vepër me peshë të veçantë artistike. 

1.Qysh në krye duhet të themi se Natasha Lako nuk  ndjek rrugën e zakonshme të përshkrimit të gruas në poezi, ku ajo: ose idealizohet, ose kufizohet në rolin e viktimës. Një pamje të kundërt shohim te kjo poezi, poetja e zhvesh figurën femërore nga romantizmi dhe simbolika tradicionale dhe e vendos në një univers përtej klisheve. Vargu befasues "Zemra dhe vagina nuk dallojnë shumë prej drurit dhe gurit" thyen me guxim idenë e delikatesës së paracaktuar të gruas dhe e vendos atë midis elementeve të ngurtë, të botës materiale. Kjo është sfidë ndaj perceptimeve mbi feminitetin, më saktë, është një rebelim kundër nocioneve që reduktojnë gruan në trup e ndjesi dhe mbi të gjitha është një dëshmi e guximit poetik dhe intelektual të poetes për tu folur gjërave me emrin e vetë. Këtu, gruaja është një zë i pezullt në pyllin e simboleve: "Çfarë të thotë tjetër një grua midis pyllit" një frazë kjo, që rrezaton heshtje e mister, një grua që ndodhet mes natyrës, por që nuk ka fjalën e sa.

2.Në fakt,poezia shfaqet si një labirint, një shteg përmes pemëve në pyll ku çdo varg përfton kuptime të shumëfishta, një fushë e hapur leximesh dhe ndjesish. Këtu, si në pyll nuk ka rrugë të drejtpërdrejta, çdo imazh është një kod që duhet të deshifrohet për të kuptuar e ndjerë poezinë.

Rrëshira që pikon ("Pikonte rrëshirë") është një metaforë, që luhatet mes dhimbjes e vazhdimësisë, mes një plage që shkaktohet në trupin e gruas dhe shenjës që mbijeton. Ajo (rrëshira) mund të jetë gjak, lot, kujtim, ose një substancë që mbron e ruan brenda saj historinë e një gruaje.

Struktura vargore është lakonike, e ngjeshur, një formë që i lë lexuesit hapësirë për të ndjerë më shumë sesa kuptuar. Si një poezi e menduar në hapësirën moderne dhe postmoderne, ajo përjetohet përmes imazheve të saj më shumë sesa të shpjegohet në mënyrë lineare.

II-Kjo poezi ka ndërtim të dendur simbolik dhe një stil të veçantë, ku imazhet krijojnë kontraste të fuqishme mes natyrës dhe qenies njerëzore, sidomos në raportin gjinor.

1.Si të gjitha poezitë e Lakos dhe kjo mbështetet në figura artistike të forta si: metafo-rat, kontrastet dhe simbolika, të cilat krijojnë një atmosferë meditative dhe filozofike. Kështu p.sh. strofa e parë sfidon perceptimin e zakonshëm mbi natyrën dhe feminitetin e saj, p.sh., pylli nuk bëhet femër vetëm sepse ka hala si qerpikë, duke vënë në dyshim qasjen apo lidhjen e pamjes me identitetin gjinor. Nga ana tjetër, zjarri, edhe i shuar, mbetet "mashkull", ky një imazh që sugjeron se edhe në heshtje apo mungesë, energjia mashkullore vazhdon të jetë prani të pashuar. Dhe kjo është e kuptueshme, në nën vetëdijen e një femre edhe kujtimi i një mashkulli sjell ngrohtësi.

Në vargjet vijuese, poetja e zhvesh trupin e gruas nga idealizimi dhe e përfshin në një proces dehumanizimi, ku ai (trupi) krahasohet me elemente të ngurta si druri dhe guri. Ky imazh lidhet mjeshtërisht me aktin e ndërtimit të shtëpive, duke nënkuptuar një përdorim të trupit të gruas si pjesë e një strukture të madhe shoqërore, ku shtëpia nënkupton familjen, shtimin e saj nëpërmjet fëmijëve. Vargu i fundit shfaqet si imazh i fuqishëm dhe shumëdimensional: gruaja, në mes të pyllit, “pikonte rrëshirë”. Rrëshira, që buron nga plagët e pemëve, është një substancë e çmuar, por njëkohësisht shenjë e një goditjeje lënduese, plagë fizike, që sigurisht shoqërohet me një plagë shpirtëror. Ky detaj poetik rrezaton një dhimbje të heshtur, një përjetim të thellë të brendshëm, ndoshta edhe një sakrificë të padukshme, të cilën natyra e përthith dhe e ruan në heshtje.

2.E lexuar në këtë mënyrë, ndjejmë se kjo poezi e Lakos sugjeron një reflektim mbi identitetin gjinor, mënyrën se si trupat perceptohen e trajtohen në shoqëri, por edhe mbi një ndjenjë të brendshme të dhimbjes dhe peshës jetësore, të ekzistencës. Si dhe të tjera, edhe kjo është një poezi e Lakos që sigurisht, nuk jep përgjigje të drejtpë-rdrejta, por ngre pyetje mbi marrëdhëniet mes gjinive dhe raportin e njeriut me natyrën.

III- Dhe me këtë poezi Lako sjell disa risi poetike,  jo vetëm duke e veçar por edhe duke e tejkaluar traditën të poezisë shqipe. Disa prej tyre janë:

1.Në letërsinë tradicionale, (plus romantizëm e klasiçizëm) natyra paraqitet si një simbol femëror ose mashkullor në mënyrë të qartë. Lako dekonstruksion ( fjalë që ka një kuptim të thellë të analizës dhe kriticizmit ndaj strukturave të njohura, për të zbuluar shtresat e fshehura të kuptimit dhe të papriturat që ato mund të ofrojnë) aspektin gjinor të natyrës, ajo e sfidon këtë ide me vargun: "Halat si qerpikë nuk e bëjnë pyllin femër" Këtu, ajo tregon se nuk është pamja e jashtme ajo që përcakton gjininë, dhe e çliron kështu natyrën nga stereotipet gjinore. Ky është një koncept modernist, ku natyra nuk i nënshtrohet interpretimeve të zakonshme mitike apo romantike.

2.Vargu: "Një zjarr i shuar është mashkull përsëri" (hiri) sjell një risi poetike në mënyrën si paraqitet identiteti mashkullor, pse edhe i shuar, zjarri nuk humbet atë (identitetin  mashkullor), gjë që e lidh fuqinë e tij jo aq me aktin e djegies, se sa me qenësinë. Ky është një personifikim i kthyer përmbys, ku zjarri, ndonëse pasiv, ruan energjinë e tij të mëparshme.

3.Në vargun: "Zemra dhe vagina nuk dallojnë shumë prej drurit dhe gurit" Lako krijon një kontrast të fortë midis pjesëve organike të trupit të fermës dhe materialeve të ngurta. Kjo është mënyrë moderne që shpreh idenë e dehumanizimit ose reduktimit të gruas në një funksion, në atë të lindjes së fëmijëve, të shtimit të familjes duke sjellë një kritikë ndaj shoqërisë.

4.Imazhi përmbyllës: "Pikonte rrëshirë" është risi e spikatur në këtë poezi. Rrëshira është një substancë që buron nga pemët halore kur ato goditen me një send të fortë dhe të mbprehtë, por në poezi është edhe shenjë e një goditjeje, e një dëmtimi. Lako përdor këtë simbolikë duke krijuar një lidhje të re mes gruas dhe natyrës, ku mjeshtë-risht dhe indirekt  nuk e shfaq atë, gruan si një qenie e dobët, por si një entitet (pemë e fortë halore)  që duron goditjen.

Në këtë mënyrë, poezia e Lakos sjell një gjuhë më të drejtpërdrejtë, një simbolikë të guximshme dhe dekonstruktim të roleve gjinore, e vendos poezinë në një hapësirë moderne të letërsisë shqipe.

IV- Poezia e Natasha Lakos, ndonëse e mbushur me elemente moderniste, ofron një hapësirë ku mund të lexohet dhe interpretohet në një kontekst postmodernist, pasi ajo reflekton karakteristika të dy qasjeve letrare. Le ti shohim të dy hapësirat dhe lidhjen mes tyre:

1.Elementet moderniste shfaqen në simbolikën dhe shumëkuptimësinë e poezisë, pse siç e theksuam, poezia nuk ofron mesazhe të drejtpërdrejta, por i fsheh ato pas figurash dhe simbole të ndërlikuara. Një shembull i tillë është vargu: "Zemra dhe vagina nuk dallojnë shumë prej drurit dhe gurit", një aluzion që është tipik për modernizmin, ku kuptimi mbetet i mjegullt dhe kërkon një interpretim të thellë, duke nënkuptuar shpërbërjen e ideve tradicionale rreth trupit dhe identitetit.

Lako sfidon me guxim perceptimet tradicionale të lidhjes midis gjinive dhe natyrës, një qëndrim që është i pranishëm në shumë aspekte të modernizmit. Ajo ndërton një poezi që thyen mendësitë e vjetra të të kuptuarit dhe i ofron lexuesit një ndjenjë papërshta-tshmërie dhe tensioni, karakteristikë e stilistikave moderne.

Megjithëse poezia është e fragmentuar, ajo ruan një bosht tematik të qartë dhe një unitet të brendshëm, një strukturë të qëndrueshme, e cila është më karakteristike për modernizmin sesa për postmodernizmin. Ky i fundit shpesh përfshin një fragmentim të theksuar dhe një lojë të vazhdueshme me kuptime të shumta, dhe i le lexuesit pa një narrativë të qartë dhe të drejtëpërdrejtë.

2.Në lidhje me elementet postmoderniste mund të themi se shfaqen në një tërësi vargore, thelbësore për poezinë. Kështu vargu "Halat si qerpikë nuk e bëjnë pyllin femër" është një shembull i fuqishëm i dekonstruksionit postmodernist, frazë që hedh dyshime mbi lidhjen e zakonshme mes simbolikës tradicionale dhe kuptimit të saj të drejtpërdrejtë, duke aluduar se ajo mund të jetë e rastësishme, madje e pavlefshme.

Gjithashtu kontrasti midis trupit të gruas dhe elementeve si druri dhe guri është në vetvete një lojë ironike dhe provokuese, një  veçori tipike e postmodernizmit. Ky varg përmban një nuancë sfide ndaj çdo formë të botkuptimit tradicional, duke e zhveshur femrën nga ngarkesa romantike apo simbolike.

Po ashtu, në poezi gruaja nuk është më një subjekt i përcaktuar qartë, ajo shfaqet si një entitet i lëvizshëm, i zhveshur nga identiteti i zakonshëm. Ajo bëhet pjesë e një procesi simbolik që kalon tej kuptimit të thjeshtë dhe zhytet në një lojë më të gjerë dhe më të ndërlikuar me identitetin dhe vetëdijen.

Pra, me të drejtë themi se poezia “Kushtuar pyllit” e Lakos qëndron në kufirin mes modernizmit e postmodernizmit. Ajo ka një strukturë të menduar e simbolikë të thellë, tipike për modernizmin, por ndërkohë përdor dekonstruksionin dhe ironinë për të sfiduar idetë dhe traditat, duke u afruar me postmodernizmin. Nëse do të kërkojmë një kategori, ajo mund të shihet si një poezi që buron nga modernizmi, por me një frymë të fuqishme postmoderniste.

V-Poezia e Natasha Lakos lidhet ngushtë me zhvillimet e poezisë moderne dhe postmo-derne europiane, sidomos në trajtimin e temave gjinore dhe dekonstruksionin e simboleve. Ajo lehtësisht mund të krahasohet me poete si Sylvia Plath (amerikane), Ingeborg Bachmann (austriake) dhe Ëisłaëa Szymborska (Nobeliste polake), të cilat përdorën trupin e gruas dhe identitetin si metafora për të sfiduar normat shoqërore.

Në veprën e Lakos, vargu "Halat si qerpikë nuk e bëjnë pyllin femër" i ngjan qasjes së Bachmann, pse ai ajo  prish lidhjet tradicionale mes natyrës dhe gjinive. Po ashtu vargu, "Zemra dhe vagina nuk dallojnë shumë prej drurit dhe gurit" pasqyron një përdorim të trupit si objekt, (Plath), duke e paraqitur të pandjeshëm, në qasje me materializimin e trupit në poezinë moderne.Ndërkohë imazhi "Pikonte rrëshirë"shpreh dhimbje të thellë  dhe mund të lidhet me simbolizmin e plagëve të përdorur nga Szymborska.

E rëndësishme është të pranojmë se kjo poezi e Natasha Lakos është pjesë e një tradite letrare që ka lidhje me zhvillimet e poezisë moderne dhe postmoderne europiane, që sfidojnë normat tradicionale dhe krijon një gjuhë poetike të re, duke sfiduar percepti-met tradicionale të gjinive dhe trupit.


Sarandë, më mars 2025



Kushtuar pyllit


Halat si qerpikë nuk e bëjnë pyllin femër,

një zjarr i shuar është mashkull përsëri


Zemra dhe vagina nuk dallojnë shumë prej drurit dhe gurit,

kur shumëzojmë shtëpitë


Çfarë të thotë tjetër një grua midis pyllit.

Pikonte rrëshirë.

 
 
 

Commenti


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page