top of page

Timo Mërkuri: NJË HYMN PËR ARTISTEN SHQIPTARE




Nga Timo Mërkuri

Luan Rama në krijimtarinë e tij ka në qendër figurën e artistit: poetë, shkrimtarë, piktorë, artistë arti dhe skene pavarsisht kombësisë dhe shtetësisë, por më në zemër ka artistët shqiptarë që prijnë në botë me artin e tyre. Një popull sado i talentuar të jetë përfaqësohet gjithmon nga personalitete që arrijnë suksese në nivel europian. Edhe pse shpesh i referohet emrave ndërkombëtarë, zemra e tij mbetet pranë artistëve shqiptarë, të cilët i sheh si simbol i identitetit kombëtar në një skenë globale. Në këtë poezi kushtuar sopranos së shquar Ermonela Jaho, ky përkushtim merr tonin e një hymni të përmallshëm, ku dashuria, ngrohtësia dhe niveli artistik kalojnë përtej vlerësimit thjesht estetik. Vargjet:

“ti këndoje 'Traviata'-n me duart e hapura nga dhimbja e madhe

kur nëna të kish vdekur një natë më parë...”

shfaqin se kjo është më shumë se një poezi homazh: është një akt njohjeje dhe nderimi, ku artisti shqiptar ngrihet në piedestalin e përfaqësimit tonë më të denjë me veprimin e saj, interpretimin një ditë pas ikjes së nënës nga kjo botë. Toni sublim, ndjeshmëria dhe përmasat e lartësuara shpirtërore me të cilat përshkruhet Ermonela Jaho nuk janë rastësore, ato janë pikërisht “viza në pasaportën e saj artistike,” . Poezia është një monument shpirtëror që Rama i ngre artit shqiptar në përmasa ndlrkombëtare.

1.Poezia “Ti mundesh” e Luan Ramës është një himn për shpirtin artistik të Ermonela Jahos, ku poeti përdor një shumësi elementesh artistike  për të ndërtuar portretin e saj poetik. Këto elemente janë sa pjesë e historisë personale të sopranos, por mbi të gjitha shfaqin madhështinë e artit të saj dhe shndërrimin e vuajtjes në sublimitet. Le të shohim disa nga këto elemente të shquara, të shoqëruara me pasazhe:

a. Qysh në titull dhe në vargun e parë, poeti përdor nxitjen motivuese si një moto jetësore e kthyer në një shtyllë mbështetëse përmes kujtesës (të thoshte yt atë), që ndjek artisten në rrugëtimin e saj:

“Ti mundesh,

kështu të thoshte ati yt…”

Kjo nxitje motivuese përsëritet disa herë si formulë  poetike , duke krijuar një strukturë rrethore  dhe një melodi që ndjek sopranon zëri i dashurisë atërore dhe njetëzore  që e shoqëron  kudo. Khjo ka dhe një qasje me tradicionalitetin shqiptar pse fjala inkurajuese e prindërve ka qenë gjithmon shoqëruese e fëmijëve në jetë.

2.Poeti ndërton një kontrast  mes vuajtjes dhe madhështisë, mes rrugës së vështirë të mërgimit dhe ngjitjes në skenat më të mëdha të botës, madje interesante është se mënyra se si e shkruan poeti këto vargje të krijon përshtypjen se ka qenë bashkëudhëtar me artisten:

Vargjet: “ecje në rrugë mërgimi

mes sfidash dhe zhgënjimesh

e megjithatë, shkallë më shkallë

ti ngjiteshe në skenat e Italisë…”

japin një kontrast që forcon mesazhin e triumfit  shpirtëror i cili është gjithmonë i ngjizur nga dhimbja.

3.Lehtësisht shihet që simbolizmi dhe metafora janë struktura organike që e mbajnë,   forcojnë dhe zbukurojnë artistikisht poezinë. Ajo,(poezia) është e ngarkuar me metafora që  përjetësojnë artin dhe dhimbjen si një ritual:

“Të pashë në “Batterfly” tek drithëroje në skenën e fundit

oh “ç’vdekje” e bukur në atë “apné” të gjatë

si peshkatarët e perlave

zhytur në ujrat e kaltra të Oqeanisë”

Këtu duhet të sqarojmë se: “apne-a” e sopranos në skenë, që krahasohet me një zhytje të thellë në artin dhe ndjenjën, e bën edhe “vdekjen” një akt të bukur dhe të shenjtë është një term që përdoret figurativisht për të shfaqur  momentin kulmor emocional dhe teknik kur sopranoja ndalon frymëmarrjen dhe përqendron gjithë energjinë dhe kontrollin në zë, zakonisht në një notë të gjatë, plot me ndjenjë e fuqi shprehëse. Mirpo në poezinë e Luan Ramës, kjo "apné" merr kuptim të dyfishtë:

a.Teknikisht, i referohet kontrollit të frymës , një situatë  ku sopranoja, si peshkatarët e perlave, “zhytet” në thellësinë muzikore pa marrë frymë, për të nxjerrë një tingull të pastër, të gjatë e të mbushur me shpirt që shprehet me vargjet:“…në atë ‘apné’ të gjatë /si peshkatarët e perlave/zhytur në ujrat e kaltra të Oqeanisë…”

b.Artistikisht,”apne” është moment sakrifice: një ndalim i frymës që simbolizon dhënien e plotë, vetflijimin emocional e trupor për artin dhe publikun., pra është  një "vdekje" e përkohshme, një “'vdekje e bukur”, ku sopranoja i jep shpirtin e saj personazhit që interpreton.



4.Duke e parë me vemendje poezinë sheh se elemente si dhimbja, dashuria, shpirti trajtohen si entitete të gjalla që bashkëjetojnë me artisten:

“shpirti yt thoshte:

‘E shikon nënë, unë po këndoj për ty’”

ku personifikimi e bën të mundur komunikimin ndërmjet botës së të gjallëve , ku zëri artistik bëhet urë shpirtërore.

5.Në vargjet e Ramës që shfaqin interpretimin e Jahos, poezia merr dimensione skenike dhe vizuale dhe përdor elemente teatrale që shfaqin ndjesitë e saj:

“trupin tënd që hepohej

gati të binte në humbëtirë…”

“dora që rrahu skenën si të prekte një talisman të shenjtë…”

Ku nëëpërmjet gjestilacioneve artistike të sopranos dhe vargut të poetit arrihet një kulm artistik e mistik, ku skena nuk shfaqet thjeshtë si një hapësirë fizike, por tempull i shenjtëruar i artit (talisman i shenjtë).

6.Poeti shfaqet në vargje jo si një krijues i poezisë por thjeshtë si dëshmitar i një akti të shenjtë, pra jo thjesht si krijues i një portreti poetik: “Të pashë në ‘Butterfly’ tek drithëroje në skenën e fundit…” duke i dhënë në këtë moment poezisë një ton rrëfimi të lartë që e bën atë intime e rrënqethëse, një përjetim i drejtpërdrejtë i ndjesive të një artisti që digjet në skenë. Duhet ta lexosh nga brenda vargjeve këtë poezi që ta përjetosh artistikisht sipas idesë së autorit dhe kjo është lehtësisht e mundur.

Pra, Luan Rama krijon një poezi kushtuar artit, jo vetëm artistes. Në qendër nuk është vetëm Ermonela Jaho si individ, por është arti i saj si sakrificë, si dhimbje, si sublimitet, kjo një risi poetike e të parit  të artit dhe artistit. Figura e artistes përfaqëson: ngjizjen e dashurisë dhe dhimbjes në një akt artistik në skenë, ku shfaqet si jetë pasionante, që prin emocionet dhe dëshirat vizionare të spektatorit. E parë në këtë kontekst themi se nuk është njohja personale që e frymëzon poetin, por është hyjnoria e shpirtit që këndon.

7. Duhet të themi se poezia “Ti mundesh” e Ramës i qaset modernizmit ekzistencialist , me ndikime nga lirizmi emocional  dhe elementi ekspresionist për arsye se:

a.Në thelbin ekzistencialist poezia shpalos njeriun që lufton me vetminë, dhimbjen,sfidat dhe mungesat, por që ngjiz kuptimin e ekzistencës së vet përmes artit. Në qendër të poezisë është përvoja e brendshme, dhimbja si formë e ekzistencës, e shprehur bukur në vargjet:

“këndoje dhe bije në honet e zisë

për ta mbajtur gjallë mbi kordat e tua…”

duke shfaqur thelbin ekzistencial: vullnetin për të jetuar me kuptim e dinjitet përmes veprimit, në këtë rast: përmes këngës, si akt shpëtues dhe nderues.

b.Poeti futet thellë në botën emocionale të subjektit, ndaj dhe dhimbja, zëri, mungesa e nënës, vetmia ,  të gjitha këto përjetohen përmes një zëri që nuk e analizon realitetin, por e ndien atë në esencë: “shpirti yt klithte ariet më të bukura të botës…” Ky lirizëm i afrohet modernizmit, i cili e zhvendosën poezinë nga objekti dhe ideali, tek njeriu konkret me përjetimet e veta intime.

c.Ka disa pjesë ku poezia merr ton ekspresionist pse emocioni merr formë skajore dhe trupi i artistit përthyhet, hepohet si figurë e ndjesisë:

“trupin tënd që hepohej

gati të binte në humbëtirë…”

duke dhënë një pamje tronditëse eië emocioneve të mishëruara, tipike kjo për ekspresi-onizmin modernist,  ku arti bëhet pasqyrë e tensioneve të brendshme.

Në thelb kjo është një poezi e realizuar mjeshtërisht, e cila të shfaq interpretimin e sopranos si në një imazh të lëvizshëm dhe botën e saj shpirtërore si në një ekran.

Në mbyllje mund të theksojmë se poezia “Ti mundesh” e Luan Ramës është një himn për fuqinë shpirtërore të artistes dhe sakrificat e shumta me të cilat arrihet lavdia. Me një gjuhë të ndjeshme dhe thellësisht njerëzore, poeti ndërton portretin e Ermonela Jahos jo thjesht si një soprano e famshme, por si një shpirt i përvëluar nga dashuria për artin dhe dhimbja për jetën. Përmes figurave të ndjeshme si “apné”-ja, dorën që rreh skenën, apo zërin që shpërthen në njëmijë ngjyra, Luan Rama nuk e vendos artisten në një piedestal të ftohtë, por e ngroh me ndjeshmëri njerëzore.

Unë nuk e di në se poeti e njeh Ermonela Jahon personalisht, por shoh se e njeh shpirtërisht përmes magjisë që ajo sjell në skenë , dhe kjo është arsyeja pse kjo poezi është më shumë se një dedikim: është një reverancë, përulje para artit, një pasaportë shpirtërore që ia jep asaj me gjithë dashurinë dhe krenarinë e një kombi.


Sarandë, më prill 2025




Luan Rama

Ti mundesh…

Sopranos Ermonela Jaho


Ti mundesh,

kështu të thoshte ati yt

dhe ti shkoje në shtegtimin e dhimbshëm

duke lënë pas udhët e trishta të Shqipërisë,

ti mundesh, dëgjoje përsëri zërin e atit

në netët e vetmisë

dhe ecje në  rrugë mërgimi

mes sfidash dhe zhgënjimesh

e megjithatë, shkallë më shkallë

ti ngjiteshe në skenat e Italisë,

në botën që pulsonte Verdi, Puçini, Donizetti, Bellini

dhe zemra jote hapej që zëri të shpërthente

në vibrato dhe njëmijë ngjyra

në kujtesën tënde të tokës dhe gjakut

në udhët e botës.

Të pashë në “Batterfly” tek drithëroje në skenën e fundit

oh “ç’vdekje” e bukur në atë “apné” të gjatë

si peshkatarët e perlave

zhytur në ujrat e kaltra të Oqeanisë,

oh ç’vdekje” e magjithshme para fëmijës...

Ti mundesh kudo bija ime,

në Metropolitan, në Covent Garden, Orange e La Scala

plot hire në Teatro Real,

ti këndoje “Traviata”-n me duart e hapura nga dhimbja e madhe

kur nëna të kish vdekur një natë më parë,

këndoje dhe bije në honet e zisë

për ta mbajtur gjallë mbi kordat e tua

ku ngjizej dhimbja dhe dashuria.

Dhe shpirti yt thoshte:

“E shikon nënë, unë po këndoj për ty”

dhe kërkoje të shihje sytë e saj në mjegullën e pafund

e dije që ajo lumturohej me ty

edhe pse e vdekur

përrallë e moçme e qumështit dhe mëkimit

përrallë e rizgjimit.

Në Londrën e hirtë,

atë janar të ftohtë në “Covent Garden”

shpirti yt klithte arjet më të bukura të botës

dhe publiku shihte fytyrën e sublimes

dhe trupin tënd që hepohej

gati të binte në humbëtirë,

ç’spektakël i dhimbshëm e magjik

të shihje trupin e përhumbur

dhe dorën që mbahej pas siparit,

dorën që rrahu skenën si të prekte një talisman të shenjtë,

Po, ti munde gjithçka në këtë botë këngësh e magjish,

ti martire, ngjizmë e madhe e dashurisë...

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page