Timo Mërkuri: MELODIA E BARDHËSISË NË VARG
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 4 hours ago
- 17 min read

MELODIA E BARDHËSISË NË VARG
Nga Timo Mërkuri
Poezia “Për një Bejkë të bardhë” e Fatmir Terziut është një elegji moderne kushtuar poetit Lefter Çipa, “Nder i Kombit” dhe zëri i pavdekshëm i iso-polifonisë shqiptare. Realisht për potein Lefter Çipa janë krijuar shumë poezi dhe këngë që lartësojnë kontributin dhe figurën e tij, por kjo poezi veçse është një poezi moderniste, ajo sjell disa risi në poezinë shqipe. Kjo poezi shquhet për ngarkesën emocionale, përjetimin shpirtëror dhe përdorimin e një gjuhe figurative të pasur, ku ndërthuren simbolet, metaforat dhe imazhet për të ndërtuar një univers poetik, që kapërcen kufijtë e jetës reale. Në thelb, poezia është një lament modern, një përulje përpara bardhësisë së shpirtit dhe artit të Lefter Çipës, i cili që nga jeta e përtejme vazhdon të “vijë nga drita” dhe të mbetet mes nesh si frymë dhe kujtesë. Terziu ndërton një tekst ku ndërthuren dimensionet mitike dhe njerëzore, individuale e kolektive, tradicionale dhe moderniste, duke bërë që poezia të ngjajë si një këngë (e heshtur) iso- polifonike, që i flet shpirtit të lexuesit. Ajo ndërthuret me thellësi ndjenjash, simbolikë, imazhe mitike e figura të shumta artistike dhe krijon një atmosferë shpirtërore e kozmike për të nderuar bardin e Pilurit.
I- Nqse do kërkonim të shpalosnim disa nga prurjet më të spikatura artistike të kësaj poezie, do shënonim pa mëdyshje:
1.”Bejka e bardhë”: titulli I këngës së famëshme pilurjote kënduar së pari në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës më tetor 1973, është simbol i bardhësisë, (bejkë quhet delja e bardhë që ende s’ka lindur qengja), simbol i pastërtisë shpirtërore dhe i fisnikërisë. Teksti i këngës është i poetit Lefter Çipa, ndaj në poezinë e Terziut ajo është një metaforë për shpirtin e tij (Lefter Çipës), që nuk mund të përpihet, nuk mund të zhduket apo të harrohet. Metafora e bardhësisë është tejkalim i jetës materiale dhe përjetësim në hapësirën e kujtesës kombëtare.
2.Vargjet si "në një tribunë Festivali lart në Galaktikë" dhe "vijnë kontinentet, oqeanet, Gjithësia zbardh ditën" lartësojnë figurën e poetit Lefter Çipa në një nivel kozmik. Ai nuk është më një figurë lokale, ai është një figurë universale. “Festivali” nuk është më një ngjarje kulturore në Pilur apo në Gjirokastër, por është një ngjarje që ndodh në galaktikë, metaforë për përmasën e përbotshme të artit të tij.
3.Poezia është një dialog mes poetit Fatmir Terziu dhe frymës së Lefter Çipës, ku ky "pëshpërit", "premton të vijë nga drita", një vijim i jetës përmes artit. Në këto vargje ndërthuren ëndrra, kujtesa dhe realiteti, dhe krijojnë një poezi që funksionon në nivel metafizik.
4.Metaforat: "në një det me këngë", "kamare të Kishës së Fjalës", "do të bekoj edhe nga lart" krijojnë imazhe që përçojnë idenë e shenjtërimit të fjalës dhe këngës.
5.Personifikimi: "Gjithësia zbardh ditën", "i dhemb kënga", "Kosovën do ta rizgjoj që të mos laget" vë në qendër të poezisë ndjeshmërinë njerëzore të poetit edhe pas vdekjes.
6.Hipérbola: "do ti shkul statujat, do ti shkul ngjarjet" thekson forcën transformuese të fjalës dhe artit të Lefter Çipës.
7.Iso-Polifonia nuk përmendet thjesht si zhanër muzikor, por si një mënyrë të jetuari, si frymë që zgjon tokën, si identitet kombëtar. Përmes Lefter Çipës, ajo morri përmasa të shenjta, gati-biblike, si në vargun "në kamare të Kishës së Fjalës thurr prikë".
8.Figura e Lefter Çipës shfaqet si e një shenjti, ai paraqitet si profet i këngës, shenjtor i Fjalës, një burim dritë që ndikon dhe përjetëson Atdheun përmes artit. Kjo vjen qartë në vargun: “do vij nga drita”, ku poeti kthehet si shpirt që nuk largohet, por qëndron nëpërmjet artit dhe kujtesës.
9.Poezia është një lament, (fjalë që nënkupton një këngë vajtimi, një formë poetike ose muzikore që shpreh dhimbje të thellë, pikëllim për një person të ndjerë), veçse është një lament modern, jo i rëndë. Ajo ka ton të lartë shpirtëror, ku trishtimi për humbjen bëhet mall i bardhë, shpresë për rikthim dhe bekim për të gjallët. Ndjenja e mungesës kapërcehet nga ndjenja e pranisë së përhershme të poetit përmes këngëve.
Në thelbin e saj, kjo poezi është një himn poetik që s’përfundon me vargun, por merr frymë thellë në tingullin e shpirtit shqiptar. Ajo përjetëson figurën e Lefter Çipës, jo thjesht si poet, por si një zë që u ngjit në majat e malit dhe jehon ende në shpellat e zemrës kombëtare. Fatmir Terziu, i rritur me dritën e këngës dhe melosin e gurit, e ndjen dhe e njeh në palcë iso-polifoninë shqiptare, sidomos atë pilurjote, të cilën e ka kënduar me fjalë në shkrimet e tij.
Këtu, isoja s’është vetëm sfond, por frymë që ngre vargun përtej letërsisë, e ngre në një monument shpirtëror ku fjala bëhet zë, e zëri bëhet kujtesë. Në këtë poezi, epikja dhe lirizmi rrjedhin së bashku si dy burime që ushqejnë të njëjtën këngë, për të ruajtur të gjallë këndimin e Shqipërisë së lartë, ashtu siç mbetet i përjetshëm Lefter Çipa në ndërgjegjen tone, një yll i thjeshtë që ndriçon përjetësisht nga drita e këngës.
II-Duke lexuar vargjet: "Eh, nëse s’mund të përpij bardhësinë menjëherë,
aq më shumë për një Bejkë të Bardhë,
do t’i lë të gjitha si trokitje ëndrre në një derë,
pastaj do t’i bekoj edhe nga lart,
me Këngët e Ruzanës dhe Atdheut tim me nder."
Shohim se poeti reflekton mbi pamundësinë për të përvetësuar menjëherë gjithë atë bardhësi shpirtërore, fisnikëri, art e traditë që përfaqëson “Bejka e Bardhë” dhe në thelb, Lefter Çipa, ku te vargjet: "Nëse s'mund të përpij bardhësinë menjëherë" poeti Terziu e ndjen se kjo bardhësi është tepër e thellë dhe e madhe për t'u përthithur menjëherë, ajo kërkon kohë, ndjeshmëri dhe (ndoshta) përjetësi për ta kuptuar dhe ndjerë plotësisht. Te vargu: "do t’i lë të gjitha si trokitje ëndrre në një derë" , ai lë ndjenjat dhe kujtimet si shenja të lehta, të ëmbla, si ëndrra që trokasin butë e të mbetura pezull, pa ndërhyrë me forcë. Kjo në fakt është një akt përulësie e poetit ndaj madhështisë së kujtimit dhe artit që Çipa ka lënë pas. Te vargjet: "pastaj do t’i bekoj edhe nga lart" poeti Terziu vendos veten në pozicion të shpirtit të përjetshëm, i cili nga një dimension i lartë shpirtëror (ndoshta edhe si bashkëudhëtar i Lefter Çipës në botën e artit) bekon atë që ka lënë pas, përmes këngëve të Ruzanës (Titulli I një libri poetik i Çipës) dhe Atdheut (“Këngët e Atdheut tim” libër i Çipës) me nder. Është një poezi që e le nderimin si “trokitje ëndrre” e butë, e vazhdueshme dhe e përjetshme, sit ë rralla poezi kushtuar bardit të iso-polifonisë, i cili në popull thirej: Princi i Polifonisë..
III-Në vazhdimësi dhe vargjet:
"...jo si një iluzion i qetë,
por si,
duke ndjekur një Yll, burrë të thjeshtë."
kanë një ngarkesë të fortë simbolike dhe emocionale, që poetikisht lexohet:
1.Te vargu: "duke ndjekur një Yll", ylli është metaforë për udhëheqësin shpirtëror, figurën ndriçuese, dikë që prin të tjerët me dritën e tij shpirtërore, këtu: me art, moral dhe përkushtim. Sigurisht që yll është Lefter Çipa: një poet, këngëtar dhe ruajtës ie zhvillues i iso-polifonisë që ndriçon rrugën e kulturës dhe identitetit shqiptar. Ky është një "burrë të thjeshtë", pavarësisht se është yll, ai mbetet njeri i zakonshëm në përditshmëri, modest, i thjeshtë në sjellje dhe jetë, por i madh në vepra dhe shpirt. Kush e ka njohur Lefter Çipën do pohonte qetësisht këtë cilësim, madje do thoshte se: sigurisht vetëm ashtu mund të ishte: “një burrë i thjeshtë”.
2.Poeti Terziu përcjell mesahzin se bardhësia, kënga, tradita, nuk janë iluzion, pra, nuk janë thjesht ndjesi të bukura dhe të largëta; por janë udhërrëfyes të vërtetë, të mishëruar në figura si Lefter Çipa, që me thjeshtësinë e tij ka qenë yll udhëheqës për kulturën kombëtare. Pra, ndjekja e një ylli nuk është vetëm ndjekje e madhështisë, elavdisë, e fitimit të nderimit të mbarë vendit,por është së pari ndjekje e vlerave të thella njerëzore që ai mishëronte me përulësi.
IV-Ndërkohë vargjet:
“Do të vij, më pëshpërit, do të vij
do t’i shkul statujat, do t’i shkul ngjarjet,
Kosovën do ta rizgjoj që të mos laget…”
janë ndër më të fuqishmet emocionalisht dhe simbolikisht në të gjithë poezinë, dhe së pari kanë formën e të folurit të Lefter Çipës, një tonalitet i vendosur, i bindur në atë që thotë dhe këtu, mbajnë brenda zërin e përjetshëm të shpirtit të Çipës, si trashëgim i gjallë që nuk shuhet me vdekjen. Të krijojnë idenë e një bashkbisedimi balade, veçse këtë bashkbisedim e bëjnë dy të gjallë, pse dhe poeti i vdekur çuditërisht shfaqet i gjallë. Ai nuk i flet poetit me ndonjë telefon, por i pëshpërit pranë veshit, jo sikur i thotë një sekret, por sikur i bën një premtim. Le ta dëgjojmë dhe ne poetikisht këtë bashkbisedim mes dy poetësh.
1.Shihni se si vargu i përsëritur:“Do të vij, më pëshpërit, do të vij” krijon ton intimiteti, besim në atë që thotë dhe zotim të thellë, i cili ka qasje me dhënien e fjalës, si Kostandini i baladës. Poeti dëgjon zërin e Çipës nga përtej jetës, një zë shpirtëror që premton rikthim, që flet me frymë, si një frymë (e tij) që endet nëpër art dhe këngë.
2.Vargu:“Do t’i shkul statujat, do t’i shkul ngjarjet” është pjesë e fjalës së poetit nga përtej jetës ku ai premton të shkulë statujat, idhujt e rremë, monumentet e kotësisë, gjithçka që ka zënë vendin e artit në jetën dhe kohën tonë.Në fakt statujat që do të shkulë janë klishetë historike, burokracitë, gjërat që pengojnë zërin e pastër të shpirtit kombëtar të dalë në dritë. Ky varg është një akt artistik rebeli një letërsie që nuk pajtohet me heshtjen apo shtrembërimin e artit dhe kujtesës kombëtare.
3.Vargu “Kosovën do ta rizgjoj që të mos laget” i shkon Lefter Çipës si varg biografik i tij, pot ë kemi parasysh dashurinë e tij të jashtëzakonëshme për Kosovën, shfaqur dhe në vargjet e poemës së tij “Për Kosovën prapë do te ngrihem”. Ai dëshiron ta rizgjojë Kosovën, jo fizikisht, por shpirtërisht, që ajo të mos laget nga lotët, dhimbjet, harresa, apo nga shiu metaforik i vuajtjes dhe padrejtësisë. Ai kërkon ta zgjojë për ta mbrojtur, për t’i rikthyer dritën dhe këngën.Te lexuara në këtë kontekst, këto vargje janë një betim poetik, ku Lefter Çipa, si figurë e pavdekshme e kombit dhe artit, rikthehet për të ndrequr padrejtësitë, për të mbrojtur Kosovën, për të ruajtur autenticitetin dhe shpirtin e pastër të shqiptarëve. Të kuptohemi, Fatmir Terziu këtu nuk shkruan vetëm për humbjen e një miku e poeti si Lefter Çipa, por i jep jetë dhe frymë një miti të gjallë kombëtar, ku Lefter Çipa është shpirt mbrojtës i artit, Kosovës dhe kujtesës historike.
V- Te vargu thellësisht simbolik "Do vij nga drita" që shpërthen si kulm shpirtëror i gjithë poezisë shohim një rikthim të poetit Çipa, jo nga përtej botës si një i ikur i zajkonshëm, por një rikthimi nga drita. Ky varg vjen më shumë se një premtim metafizik, ai dëshmon që shpirti i Lefter Çipës nuk është shuar, por do të rikthehet nga “drita”, që përfaqëson: botën tjetër (jetën pas vdekjes, ku shpirti shkon në dritë), dritën e artit dhe së vërtetës, ku qëndrojnë njerëzit që kanë ndriçuar kombin (planeti I Naimit). Ka një larmi përkitjesh vargu “Do vij nga drita” që i jep një shumësi kutimesh kësaj strofe dhe konkretisht: Në vitin 2014 u botua te nga OMBRA GVG, Tiranë vëllimi i fundit poetik i Lefter Çipës me titullin “Vij nga drita”, libër që shënon një kulm poetik të autorit. Dëshiroj të besoj se qasja me vargun e Terziut nuk është një rastësi, sado bukur të tingëllojë. Është një këngë me tekstin: “Shkoni breza merni dritë” kushtuar Lefter Çipës me tekst nga Kristo Çipa kënduar nga Grupi “Bejka e bardhë” i Pilurit me marrëse Persa Miha, kthyes Dhimitraq Bala dhe hedhëse Leni Mërkuri që ka vargjet : “Shkoni breza merni dritë/Nga dheu ku fle poeti/Këngën ta doni si sytë/ Atdheu është amaneti” të cilat kanë një përkim gati biblik me vargun e Terziut. Lefter Çipa dhe Piluri janë ortodoksë dhe në Pashkën e Madhe me rastin e Ringjalljes së Jezu Krishtit (tri ditë pas vdekjes), nga varri i tij në Jerusalem mirret me një tufë qirinjsh drita e qiririt që qëndron ndezur përherë në varr dhe kjo dritë shpërndahet në gjithë vendet e botës së Krishterë, prej nga rishpërndahet në të gjitha qytete dhe fshatrat e krishtera te kishat e tyre, prej nga e marrin në shtëpitë e tyre banorët që janë mbledhur e presin ringjalljen e Krishtit. Në rastin tonë, vargu “Vij nga drita”ka qasje me kuptimin “Vij nga (qendra e drit(ës)a” ndërsa vargu i këngës “Shkoni breza merrni dritë” ka qasjen me porosinë që na jepnin gjyshet tona në Ringallje, kur na thoshnin: Shkoni mirrni Dritën e bekuar të Krishtit. Ka një ndjesi mistike ky varg i Terziut si dhe vargu i këngës. Mbi të gjitha të mos harrojmë se “Drita” shfaqet si simbol i ringjalljes, por në poezinë shqipe, drita është shpesh simbol I : ringjalljes, shpëtimit shpirtëror, udhërrëfimit moral, ndërgjegjes kombëtare. Ja tani: te vargu i Terziut, shtohet lista e mësipërme, pasi ardhja nga drita nënkupton kthimin për të risjellë këngën, për të ndriçuar jetën tonë, për të vazhduar misionin që ai s’e ka lënë asnjëherë përgjysmë. Një varg biblik që e afron (metaforikisht) poetin me Krishtin.
1.Le ta shohim më në thellësi lidhjen e Çipës me përjetësinë dhe këngën. Në kontekstin e poezisë si një lament (këngë vajtimi, këtu një formë poetike që shpreh dhimbjen, mallin dhe nderimin për për Lefter Çipën), ky varg bëhet zëri i pavdekësisë, pasi: Poeti nuk vjen nga errësira e vdekjes, por nga drita e përjetësisë. Ai është bërë pjesë e një drite morale dhe artistike dhe nga ajo hapësirë, premton të rikthehet sa herë që kënga, kujtesa, tradita apo Kosova kanë nevojë. Pagëzimi i grupit aktual të Pilurit me emrin “Bejka e bardhë” dhe rruajtja e melodisë iso-polifonike me shtratin e melodisë që krijoi Lefter Çipa është artistikisht një riardhje e poetit. Kur flasim për Lefter Çipën ne shprehemi zakonisht me termin “poeti”, por populli e quan “Princi i Polifonisë”, emërtim që përfshin brenda tij jo vetëm poetin, por edhe këngëtarin, krijuesin e melodisë, regjizorin e grupit folklorik, madje jo vetëm të Pilurit por të shumicës së grupeve folklorike të krahinës së Himarës dhe Labërisë, madje dhe më tejë. “Do vij nga drita” është një varg që mbart shpresë, besim, përjetësi, vazhdimësi shpirtërore. Terziu e pozicionon Lefter Çipën jo si një figurë e ikur por si prani e ndritshme dhe aktive, që rikthehet nga drita për të mbrojtur, frymëzuar dhe bekur kulturën dhe kombin. Është një nga vargjet më të ndjera dhe më të thella të kësaj poezie, para së cilës kalon si para një monumenti, duke hedhur shikimin me admirin dhe nderim.
VI- Te poezia “Për një Bejkë të bardhë” të lbyren sytë nga ngjyrat poetike,ku ngjyrat nuk janë vetëm elementë vizualë, por bartëse emocionesh, simbolesh dhe gjendjesh shpirtërore. Ato krijojnë një atmosferë të ndjeshme dhe poetike, duke pasqyruar si brendinë e poetit Terziu, ashtu dhe thelbin e figurës së përjetësuar, Lefter Çipës.
1.Ndër ngjyrat më të spikatura është bardhësia, që shfaqet si ngjyrë e dritës, e pastërtisë shpirtërore dhe e përjetimit hyjnor. Në kontrast me bardhësinë, ngjyra e natës dhe nuancat e zymta krijojnë një hapësirë për reflektim e vajtim. Duhet të ndjejmë se këto ngjyra nuk qëndrojnë si sfond, por ndërtojnë kuptimin dhe ritmin emocional të poezisë. Kështu, në një analizë mbi ngjyrat e poezisë theksojmë qysh në krye ngjyrën e bardhe e cila është ngjyrë qëndrore dhe dominuese. Kjo simbolizon: pastërti, shpirtësi, bardhësi e shpirtit, veshje tradicionale pilurjote të burrave dhe vajzave, dritë, paqe, përjetësi madje dhe vetë ambienti rezaton bardhësi dëbore në dimër etj.
2.Përdorimet konkrete në poezi të kësaj bardhësie shfaqen: “Bejkë të bardhë” , jo vetëm blegtoria por së pari simbol i trashëgimisë, thjeshtësisë dhe bardhësisë së poetit dhe të Pilurit. Vargu:“poshtë mbi një fletë të bardhë” shfaq boshësinë pas ikjes, por edhe mundësinë për të shkruar diçka të re, për ta vazhduar atë që la poeti. Vargu: “zbardh dita”, “Gjithësia zbardh ditën”: bardhësia si ndriçim, ngritje e shpirtit të poetit në një hapësirë të përjetshme.
3.Efekte dritësimi kanë edhe” e arta” / drita me përdorimin simbolik në vargjet “Do vij nga drita”, “del nga drita” e cila simbolizon hyjnizim, shpresë, prani e përjetshme, rilindje, udhërrëfim, lavdi etj.
4.Në poezi kemi nuancimin e blusë, jo si ngjyrë me pigmentin blu, por si contrast me dritën, për të theksuar kalimin nga jeta në përtej, por edhe nevojën për këngë në errësirë te përdorimi në formën “ajri i natës”, “ra mbi natë”, duke simbolizuar heshtje, mungesë, zbrazëti shpirtërore që vetëm kënga e poetit mund ta mbushë.
5.Është e pranishme dhe ngjyra e verdhë (e nënkuptuar përmes diellit dhe lejlekëve), ku te termat: “dallëndyshe, diell, lejlekë” përfaqëson ngjyrën e ngrohtësisë, jetës, lëvizjes dhe rilindjesetj.
Kështu,në këtë bashkësi ngjyrash poeti u jep vargjeve një kompozim koloristik që përballë kontrastit mes bardhësisë dhe natës krijon ndriçimin e figurës së Lefter Çipës në ndërgjegjen kombëtare. Sigurisht që Fatmir Terziu si një poet i rrafshit të epërm e ka realizuar poezinë si mozaik imazhesh të lëvizëshme, ndaj të lbyren sytë nëpër vargje.
VII-Do mjaftonte leximi i kësaj poezie të Fatmir Terziut që unë të nisja të fishkëlleja melodinë iso-polifonike të këngëve pilurjote, jo aq si qasje me titullin se sa me ritmin melodik të vargjeve. Lehtësisht ndjen se melodiciteti në poezinë “Për një Bejkë të bardhë” e Terziut është një shtresë thelbësore që i jep krijimit një ritëm të brendshëm dhe ndjeshmëri të afërt me këngën tradicionale iso-polifonike, pavarësisht se poezia është e rrymës së modernizmit simbolik. Vargjet rrjedhin si një tingull i butë, i ngarkuar me ndjenjë dhe mall, duke kujtuar melodinë e isos pilurjote që vetë Lefter Çipa e përsosi dhe e lartësoi. Si rrallëherë, ky tonalitet i brendshëm nuk vjen vetëm nga ritmi dhe intonacioni i fjalëve, por edhe nga ngarkesa shpirtërore e figurave dhe fjalës së zgjedhur, e cila të kujton strukturën emocionale të një kënge polifonike që flet për dashurinë, humbjen dhe përjetësinë. Melodiciteti i poezisë është një nga elementët më të spikatur artistikë, dhe ka një lidhje të ngushtë e të ndërgjegjshme me iso-polifoninë pilurjote, që ishte edhe thelbi i krijimtarisë dhe jetës së Lefter Çipës.
Me një vëmëndje të shtuar në leximin e poezisë ndjen se melodiciteti shfaqet si strukturë poetike, pse poezia nuk ecën në një ritëm monoton, por valëzon, si këngë iso-polifonike, kjo për arsye se:
1.Poezia përdor enjambemente. Termi enjambement (nga frëngjishtja enjambement) në poezi ka kuptimin e vazhdimit të mendimit nga një varg në tjetrin pa ndalesë (pa pikë ose presje), duke krijuar një ndjesi muzikaliteti dhe shpesh ndihmon në ritmin e leximit apo në thellimin e kuptimit. P.sh. te vargjet: “Eh, nëse s’mund të përpij bardhësinë menjëherë/aq më shumë për një Bejkë të Bardhë” ku mendimi fillon në vargun e parë dhe plotësohet në të dytin, duke krijuar një enjambement.
2.Poezia ndërton ritëm të lirë që i ngjan këngës së folur me ngarkesë emocionale. Melodiciteti shfaqet si strukturë poetike, sepse vargjet nuk ndjekin metrikë të rreptë tradicionale, por rrjedhin lirshëm, duke krijuar ritëm të brendshëm emocional që i ngjan një kënge të folur, të këngëzuar. Ky ritëm i lirë vjen përmes enjambementeve, pauzave natyrore, përsëritjeve dhe figuracionit të ngjeshur, ku fjala është e mbushur me mall, dhimbje dhe përkushtim. P.sh. “Do të vij, më pëshpërit, do të vij/do t’i shkul statujat, do t’i shkul ngjarjet...” Realisht ky varg nuk është ndërtuar mbi një kadencë klasike, por mbi ngarkesën emocionale të fjalës “do të vij” dhe mbi muzikalitetin e përsëritjes, që të afron zërin e marrësit të këngës iso-polifonie në recitativ, pra që që rrëfen, jo vetëm këndon. Prandaj themi që melodiciteti nuk është dekor, por strukturë që mban emocionin dhe ritmin shpirtëror të poezisë.
3. Në poezinë e Fatmir Terziut, zanoret luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e melodicitetit dhe ndikojnë direkt në ritmin dhe ngarkesën emocionale të vargjeve. Ndër to, zanorja “e” është më e spikatura, dhe përdorimi i saj i shpeshtë krijon një efekt të zgjatur tingullor, që lidhet natyrshëm me jehonën e tingullit “eee” në ison pilurjote. Zanorja “e” ka një rezonancë të hapur dhe të butë, dhe në vargjet e poezisë ajo përsëritet me ritëm të ngjashëm me këndimin tradicional, duke gjeneruar një valë akustike të ngjashme me mbështetjen e zërit në iso. Kjo dukuri vërehet në vargje si: “Kosovën do ta rizgjoj që të mos laget,/e do të shuaj mallin rreth e qark nëpër Shqipëri” Për më tepër zanoret “e” dhe “i” krijojnë një linjë melodike që mban gjallë frymën e këngës, ndërsa ritmi i lirë i vargjeve, pa korniza metrike, lejon që kjo melodicitet të marrë formë natyrshëm, si në një këngë që rrjedh nga shpirti. Në këtë mënyrë, tingulli poetik dhe ai muzikor bashkohen, dhe poezia jo vetëm që i referohet isos si tematikë, por e përfton atë në ndërtim e në tingull, duke i dhënë lexuesit një përvojë të ndjeshme, të afërt me muzikën. Më sipër ju thashë se mjaftonte leximi i kësaj poezie të Fatmir Terziut që unë të nisja të fishkëlleja melodinë iso-polifonike të këngëve pilurjote, madje tani ju saktësoj se ishte ndjesia e këngës “Shkoni breza merrni dritë”.
4.Mund të shtoj se poezia ka tingëllim të brendshëm me fjalë si: zbardh, bardhësi, dritë, bejkë, Piluri, varg, këngë, ku tingujt “r”, “i” dhe “ë” krijojnë një jehonë të butë e të thellë që të kujton jehonën e isos, zërin e grupit që mbush hapësirën dhe shoqëron melodinë kryesore. Në fakt po ta shohësh me vemëndje, poezia ndjehet si një iso e heshtur, që shoqëron melodinë e mungesës së Lefter Çipës, por që s’e lë të fiket zëri i tij. Vargu poetik “në një Tokë që zgjohet e ngryset me Polifoni” është thelbi I poezisë: pse Piluri nuk shfaqet thjesht vend gjeografik, por hapësirë iso-polifonike, ritëm e melodi kolektive.
5.Por ajo që ka rëndësi më shumë është fakti mbresëlënës se poezia është shkruar me ritmin e shpirtit iso-polifonik pilurjot, ku çdo varg është si një zë që bashkohet në korin e kujtesës për Lefter Çipën. Në këtë aspect vlen të themi se melodiciteti i poezisë nuk është vetëm ritmik, por edhe emotiv dhe polifonik, duke e kthyer poezinë në një këngë poetike që ruan dhe ringjall iso-polifoninë pilurjote në gjuhën e artit të shkruar. Kështu themi se poeti Terziu bëhet isoja moderne e poetit të iso-polifonisë së lashtë.
VIII-Risitë poetike në poezinë “Për një Bejkë të bardhë” të Terziut janë të shumta dhe tregojnë një qasje moderne, personale dhe të thelluar ndaj temave si kujtesa, identiteti, arti dhe përjetësia. Këto risi dalin në pah në mënyrën sesi strukturohet poezia, në figuracionin e saj dhe në mënyrën sesi i qaset figurës së Lefter Çipës si simbol i iso-polifonisë dhe shpirtit shqiptar.
1.Së pari në poezi ndjejmë shkrirja e realitetit me mitiken dhe kozmiken pse poezia nuk e kufizon shfaqjen e Lefter Çipës vetëm në realitetin tokësor. Ajo e ngrit atë në përmasa mitike e galaktike:“në një tribunë Festivali lart në Galaktikë / vijnë kontine-ntet, oqeanet, Gjithësia zbardh ditën”. Pikërisht kjo mënyrë e vendosjes së figurës së Çipës në një hapësirë jashtë kohe e vendi është një risí, pasi e sshndron poetin në një udhërrëfyes kozmik, një shpirt që udhëton përmes dritës, duke lidhur Tokën me universin.
2.Simboli i bejkës së bardhë është i rrallë dhe origjinal. Ai përfaqëson bardhësinë, pastërtinë, shpirtin e polifonisë dhe veshjen tradicionale të jugut: “S'mund ta përpish bardhësinë me një bejkë”. Realisht kjo metaforë është shumë personale dhe krijon një imazh të freskët, me rrënjë në kulturën popullore, ndonëse i ngarkuar me kuptimshë-mri të shumta poetike dhe shpirtërore.
3.Një tjetër risi është krijimi i strukturës poetike në formën e një dialogu me të ndjerin, me zërin e poetit Lefter Çipa që vazhdon të jetojë, të flasë e të premtosh: “Do të vij, më pëshpërit, do të vij / do t’i shkul statujat, do t’i shkul ngjarjet”, një komunikim emocionalisht ngarkuar dhe artistikisht i thellë, duke e kthyer poezinë në një poemë shpirtërore dhe vizionare.
4.Terziu në vend që ta përshkruajë iso-polifoninë si një traditë e lashtë, ai e shfaq atë si substancë thelbësore të jetës, si “ajri i natës”, një nevojë ekzistenciale për të gjithë shqiptarët: “kanë nevojë për këngët si ajri i natës” duke prurë një risi poetike që i jep iso-polifonisë një status pothuajse metafizik, si diçka që frymon në shpirtin kolektiv.
5. Dhë së fundi struktura e lirë, ritmika e brendshme dhe valëzimi i vargut i qasen këndimit iso-polifonik, ku zëri kryesor dhe zërat mbështetës krijojnë një melodi të ndërthurur. Poezia vetë bëhet një isopolifoni modern, me zëra që bashkëbisedojnë mes jetës dhe vdekjes, mes poetit dhe lexuesit, mes traditës dhe shpirtit bashkëkohor.
Këto risi bëjnë që poezia e Fatmir Terziut të kapërcejë formatin e një elegjie, dhe të vijë pranë nesh si një por poezi e shpirtëruar dhe moderne që e nderon trashëgiminë përmes një gjuhe të re poetike.
IX-Duhet ta bëjmë të qartë mendimin tonë se kjo poezi e Fatmir Terziut është një poezi moderniste në formë dhe figuracion, ndonëse ruan një zemër tradicionale, kjo sepse i kushtohet një poeti si Lefter Çipa që mishëron shpirtin e iso-polifonisë dhe poezisë popullore. Moderniteti i poezisë vjen nga mënyra se si strukturohet vargu, nga lirizmi vizionar, nga ndërthurja e fjalës me mitiken dhe kozmiken, si dhe nga përdorimi i simbolikës personale etj. Por ajo nuk është e huaj për lexuesin pikërisht sepse: së pari; I referohet një figure që ka hyrë në ndjeshmërinë kolektive (Çipa), së dyti; Ndjek një linjë emocionale të qartë dhe të fortë, dhe së treti; e ngre zërin poetik mbi një melodi të njohur; melodia e shpirtit shqiptar. Prandaj lexuesi nuk ndien ndonjë vështirësi në përthithjen e mesazhit poetik, përkundrazi, ai ndien ngrohtësinë e përba-shkët të një dhimbjeje dhe nderimi, të shprehura me mjete të reja poetike.
Në thelb, kjo poezi bashkëjeton mes dy botëve: ajo moderniste në formë dhe ajo tradicionale në thelb, duke dëshmuar se modernizëm nuk do të thotë shkëputje, por një mënyrë tjetër, inovative për të ruajtur kujtesën, përmes artit.
Sarandë, më prill 2025
____________________________
Për një Bejkë të bardhë
(Kushtuar Poetit Lefter Çipa „Nder i Kombit“)
Nga Fatmir Terziu
S'mund ta përpish bardhësinë me një bejkë,
në një det me këngë që mbart dhe mban në gji,
dallëndyshe, diell, lejlekë,
në një Tokë që zgjohet e ngryset me Polifoni,
jo si një iluzion i qetë,
por si,
duke ndjekur një Yll, burrë të thjeshtë.
Mendoj për Lefter Çipën,
në një tribunë Festivali lart në Galaktikë,
vijnë kontinentet, oqeanet, Gjithësia zbardh ditën,
në kamare të Kishës së Fjalës thurr prikë,
i dhemb kënga dhe i dhemb vargu për Akroqeranitën
del nga drita për të pirë pak ujë.
Do të vij, më pëshpërit, do të vij
do ti shkul statujat, do ti shkul ngjarjet,
Leftër Çipa më pëshpëriste, ndërsa binte shi
Kosovën do ta rizgjoj që të mos laget,
e do të shuaj mallin rreth e qark nëpër Shqipëri,
do dehem me melhem Piluri deri sa të zbardhet.
Eh, nëse s'mund të përpij bardhësinë menjëherë,
aq më shumë për një Bejkë të Bardhë,
do ti lë të gjitha si trokitje ëndrre në një derë,
pastaj do ti bekoj edhe nga lart,
me Këngët e Ruzanës dhe Atdheut tim me nder.
Dhe kështu më premtoi „Do vij nga drita“
do zbres, kanë nevojë për këngët si ajri i natës
nëse ndodh të ndodh ndryshe mos të zbardh dita,
të gjitha do t'ia qëndis Fjalës.
Lefter Çipa po fliste, ndërsa ra mbi natë,
poshtë mbi një fletë të bardhë, si dallgë.
Comments