Nga Timo Mërkuri
Duhet të pranoj se Mero Baze me vëllimin e tij poetik “Shi dhe baltë” më befasoi jo pak, unë e njihja për një gazetar kurajoz dhe polemist dhe as që e mendoja se do ishte kaq i ndjeshëm sa shfaqet në poezi. Ndaj e lexova dhe e rilexova librin me një kureshtje të shtuar, madje u ndala dhe te parathënia elegante dhe plot finesë e poetit Ilirian Zhupa, i cili me analizën e tij të thukët, pak hapësirë la për tu shprehur të tjerët. Ja që mua më kishte mbetur në mendje Mero Baze gazetari edhe në kohën që lexoja poetin. Ndoshta ishte ky dualizëm në mendjen time, ai që më ngjalli kureshtjen të shoh se sa shfaqet apo ka ndikuar gazetari te poeti, fatmirësisht të dy në një kuotë të epërme krijimtarie. Te një sërë gazetarësh që nisën të merren me krijimtari letrare, pas ndërprerjes së gazetarisë kisha ndjerë drojën e tyre në fillimet letrare, ndërkohë që te Mero Baze jo vetëm që nuk kishte ndonjë drojë, por kishte një siguri poetike, sikur thoshte “urdhërues”: dëgjoni vargun tim. Mero Baze dallohet për guximin intelektual në shprehjen poetike me formën tradicionale dhe thelbin modernist, duke provokuar lexuesin në qasjen e madhe te poezia në ngjitje. E ndërtuar jo vetëm mbi një truall tradicionaliteti, por edhe me fjalor, rimë e ritëm tradicional, ai fliste me një poezi moderne. Mqse për këto dy elemente pjesërisht janë shprehur dhe të tjerë, unë mendova të flas për atë që e shmangin të tërë në shkrimet e tyre, për elementet e gazetarisë që shfaqen te poezia e tij. Kështu, në qoftë se do kërkonim të shihnim se ku është ndikimi i gazetarit në poezzitë e Mero Bazes, më lejoni të citoj disa poezi dhe elementët e ndikimit në ‘to.
I- Mero Baze ka një stil të drejtpërdrejtë e të komunikueshëm, të dukshëm në mënyrën se si shfaq ngjarjet dhe karakteret, shpesh duke përdorur një gjuhë të thjeshtë dhe efektive, pa teprime artistike, mbi të gjitha një stil të personalizuar. Në fakt ky stil ofron një qasje tipike për një gazetar që synon të transmetojë informacionin në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme, ndaj ishte e para gjë që më ngjalli kureshtje te poezitë e tij. Kështu , duke u përqëndruar te poezia “Atdheu” stili i tij i drejtpërdrejtë i të shkruarit shfaqet në disa aspekte, dhe konkretisht:
1. Stili i drejtpërdrejtë thyen mitin heroik e romantik të Atdheut, të cilin poetët shpesh e glorifikojnë. Në vargjet: "Mos e lini Atdheun ta vizatojnë poetët/ Ata s’kanë mëshirë për të" Baze ngre një kritikë ndaj perceptimit të idealizuar të Atdheut, duke i paraqitur lexuesit të vërtetë të dhimbshme: Atdheu nuk është një simbol abstrakt, por një vend plot kontradikta dhe realitete të dhimbshme. Madje në këtë varg ka një kritikë dyfishe shtruar dhe ndaj poetëve për glorifikimin e Atdheut nëpër vargje, duke treguar se ata e dëmtojnë duke fshehur plagët e tij, në vend që të ndikojnë për shërimin e tyre. Për këtë arsye ai shprehet se “ata s’kanë mëshirë për të”. Në fund të fundit kujt i duhet një atdhe mitik, si një hije apo endërr e largët? Në funksion të demitizimit të Atdheut Baze ndërton një kontrast të thellë mes vizionit të idealizuar dhe realitetit të dhimbshëm, kur shkruan: "Të duash këtë vend që quhet Atdhe/Duhet të duash skafistët në dete,/Të duash të rinj në shtëpitë e drogave,/Nëna shamizeza mbytur në derte." Kjo mënyrë të shkruari fton lexuesin të njohë dhe të pranojë atdheun me të gjitha të metat e tij, qasje që kapercen sentimentalizmin dhe përqëndron vëmëndjen te e vërteta, pse njohja e kësaj të vërtete të hidhur është fillimi i rrugës së shpëtimit të atdheut.
2. Ironia dhe sarkazma si mjete të fuqishme artistike dhe stilistike të drejtpërdrejta janë të pranishme në poezinë e Bazes, duke i dhënë poezisë tingull kritik e reflektues:"Atdheu ka kulla, vetura, thesare/ Ka të famshëm që s’bënë kurrë asgjë" duke shfaqur zhgënjimin ndaj degradimit moral dhe shoqëror, ndërkohë që ironizojnë pasurimin e dukshëm material dhe sidomos ata, të famshit , që su bënë kurrë asgjë.
3. Thamë më sipër se stili i drejtpërdrejtë i Bazes vjen nga përvoja gazetarie, ku faktet dhe analizat mbizotërojnë mbi ndjeshmërinë. Poeti përmes këtij stili analizon kthjelltë-sisht një sërë fenomenesh shoqërore, si varfëria shpirtërore, humbja e traditave e koru-ptimi i idealit kombëtar. Kjo është e dukshme te vargjet: "Të gjithë janë të lirë të gjithë t’i filmojnë/Duke bërë seks e duke bërë dush" duke sjellur përmes një lenteje ironike një pasqyrë të qartë e të drejtpërdrejtë të shoqërisë së spektaklit, që shpërfill vlerat e larta për përfitime të ulëta.
4.Arti poetik i Bazes përmes këtij stili të drejtpërdrejtë arrin të kapërcejë kufijtë e vendit dhe t’i japë poezisë një rezonancë universale, duke ftuar lexuesin të reflektojë mbi raportin personal me vendin, kur shkruan: "E vramë ne atë, apo ai na ka vrarë..." pyetje kjo, që i fton lexuesit të meditojnë mbi përgjegjësitë e tyre në degrade-min ose zhvillimin e vendit.
Përdorimi i stilit të drejtpërdrejtë nga Mero Baze forcon dhe shfaq dukshëm elementin emocional, satirik, dhe realist në strukturën poetike duke krijuar efekt të fuqishëm ndërveprimi të drejtpërdrejtë me lexuesin dhe duke theksuar sinqeritetin poetik, ndërsa shtreson një kritikë të ashpër ndaj realiteteve shoqërore e personale. Këtë e shohim te analiza e poezive më poshtë e cila shfaq këtë qasje: Te poezia “Atdheu” struktura satirike dhe polemike është në qendër të poezisë. Baze përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë për të shfaqur kontradiktat dhe hipokrizinë e perceptimeve idealizuese për Atdheun:"Mos e lini Atdheun ta vizatojnë poetët,/Ata s’kanë mëshirë për të." Stili i drejtpërdrejtë thekson distancën midis realitetit të hidhur dhe idealizmit të poetëve, duke sfiduar idenë e një Atdheu heroik dhe të bukur. Struktura e vargjeve të hapura përforcon thirrjen për pranim të realitetit, duke e kthyer poezinë në një reflektim kritik dhe universal.
Te poezia “Nëna dhe zogjtë” elementi emocional dhe lirik merr theksin kryesor. Stili i drejtpërdrejtë e bën dhimbjen dhe sakrificën më prekëse: "Nëna - zog me krahë kur më pa në derë,/Zogjtë krahëprerë si fajtorë..." Këtu shfaqja e thjeshtë dhe ndjeshme ruan një ndjesi të thellë afeksioni e humbjeje dhe poezia ndërton një marrëdhënie të ngushtë midis njeriut dhe natyrës (zogjve) përmes detajeve të zakonshme, duke krijuar ambient të ndjeshëm familjar.
Te poezia “Ditën që u ndamë” forcohet elementi i intimitetit dhe kujtesës personale, dhe bën lexuesin të ndiejë dhimbje të sinqertë për ndarjen nënë-bir. Stili i drejtpërdrejtë e bën dramën njerëzore të prekshme: "Dorën ma shtrëngonte shumë e më shumë/Sikur donte ta mbaja aty, të mos ikte." Këtu, gjuha e thjeshtë dhe e qartë krijon një emocion të papërpunuar që arrin lehtë te lexuesi, duke e bërë poezinë një përvojë universale të humbjes.
Ndërsa te poezia “1997”e cila shfaq kombinim të tonit realist dhe të rëndë emocional, ku përdorimi i drejtpërdrejtë krijon një ndjesi të fuqishme tragjedie kolektive: "Gjithçka rrjedh kundër lumit tim/Si një kortezh i madh pa arkëmort". Stilistika e Bazes në këtë poezi shfaq një realitet të ashpër, dhe përdor një gjuhë të thjeshtë për pasigurinë dhe shpërbërjen sociale të kohës. Struktura narrative është një element tjetër që mbështetet nga stili i drejtpërdrejtë, duke e bërë poezinë të duket si një reportazh i jetës reale. Kjo qasje e tij poetike e bën artin më të lidhur me lexuesin, duke ruajtur gjithashtu thellësinë e mesazhit dhe fuqinë artistike të vargjeve.
II- Karakteristika e Mero Bazes për t'i kushtuar vëmendje detajeve është mjaft e dukshme në poezinë e tij, dhe krijon ndërlidhje mes imazheve konkrete dhe ndjenjave universale. Në vëllimin poetik “Shi dhe baltë”të tij, ai përdor detaje të thjeshta dhe të përditshme për ti dhënë peshë dhe kuptim njerëzor vargut. Duke qenë se gjithë vëllimi poetik është ndërtuar mbi detajet, le të përqëndrohem psh. te poezia “Ankthi për varrin” për të venë në dukje përzgjedhjen e tyre (detajeve) me të cilat Baze ka ndërtuar artistikisht poezinë.
1.Në poezinë "Ankthi për varrin", Baze shfaq babanë të shqetësuar për vend-prehjen e tij të përjetshme në vendbanimin e ri, pas ikjes nga fshati. Poeti përdor mjeshtërisht imazhin e rrudhave mbushura me borë (thinjat). Ky detaj nënvizon jo vetëm moshën e personazhit, por edhe barrën e mendimeve dhe merakut që ai mban: "Meraku për atë që do të ketë në krah/I rri rrudhave borë që dita s’e tretet." Me këtë figurë konkrete simbolizon një ankth të “ngrirë” në kohë, të ngulitur në mendjen e tij. Ky është një shembull i qartë i aftësisë së autorit për të zgjedhur detaje që bartin një peshë të madhe emocionale krahas vlerës artistike.
2.Poeti ndalet te akti i mbjelljes së një fiku dhe hardhie për të ofruar një ngjashmëri me varrezat e vendlindjes së braktisur. "Ia mbolla këtu fikun, hardhinë e atjeshme/Po ai prapë s’ndihet e s’ndihet i qetë." Ky detaj simbolik tregon përpjekjen për të prurë copëza nga jeta e shkuar në të tashmen, për të ndërtuar një ndjenjë njëjësie, edhe pse kjo përpjekje mbetet e kotë. Vendlindja nuk është një fik e një hardhi, ajo është një periudhë jete, botë e gjallë, veçse në të shkuarën, por poeti përmes këtij detaji, nxit lexuesin të reflektojë mbi marrëdhënien mes kujtimeve dhe realitetit.
3.Detaji i grimcave të rërës që s'u ngjitën dot për miliona vjet, thekson pafuqinë njerëzo-re përballë natyrës dhe kohës:"Në këtë breg deti ku grimcat e rërës/S’u ngjitën dot për miliona vjet." Ky detaj krijon një kontrast mes përkohshmërisë së jetës njerëzore dhe përjetësisë së natyrës, ku përmes tij, poeti sjell një ndjesi ankthi për vdekjen dhe përpjekjet e kota për të kapërcyer këtë përjetësi.
4. Po kështu,detaji i kurorave të ullinjve në shfaqjen e peisazhit të vendlindjes synon të krijojë një ndjenjë qetësie dhe përkatësie për babain, që e ndjen vetëm në atë hapësirë të njohur për të: "I ka larg të vetët, nën kurora ulliri,/Bregut kundruall ara me blinj, gjelbërim" duke përcjellur një ndjenjë nostalgjie dhe dashurie për një vend diku larg, që përfaqëson origjinën e tij. Pra vemëndja ndaj detajeve, të cilën Baze e ka përdorur suksesshëm në gazetari, në poezi qaset si një vlerë artistike që zgjeron hapësirën poetike gjer në kufijtë e universalitetit.
Vëmendja ndaj detajit, forcon realizmin poetik dhe i jep një dimensionalitet të prekshëm poezive të tij. Kjo prirje për të shfaqur hollësi konkrete krijon një efekt të fortë vizual dhe emocional, duke i bërë imazhet poetike më të gjalla dhe më të afërta me lexuesin. Kështu psh., në poezinë "Porta pa shtëpi“ vëmendja ndaj objekteve të zakonshme e të lëna pas si:"Gjurmë gishtash në bakëre tepsish / Ca sepete akoma të pahapura" jo vetëm që krijon një atmosferë nostalgjie, por shpreh një histori të nënkuptuar të jetëve të shuara, duke i dhënë vargut një thellësi narrative që rrjedh nga vrojtimi i kujdesshëm i realitetit.
Në poezinë "Jug", detaje si: "Ca rrugë plot gurë e baltë shpeshherë, / Ca lisa të rralluar që s’di kush i ka mbjellë",jo vetëm që vizualizojnë një peizazh të ashpër dhe të vetmuar, por i japin lexuesit ndjesinë e shkatërrimit dhe mungesës së perspektivës, duke i mbushur këto imazhe me peshë simbolike të fatit njerëzor.
Te "Plaku vetmitar ", përshkrimet si: "Një radio kineze këndon këngë labe, / Pastaj ca lajme pune e burrash zyre" (shikoje detajin “burra zyre”) dhe detajet e përditshmërisë: "Të bëjë ndonjë kafe, a pak bukë valë" e përqendrojnë lexuesin te momentet intime të jetës së plakut, duke theksuar boshllëkun dhe monotoninë e vetmisë. Këto detaje, të marra nga realiteti i zakonshëm, shfaqin një thellësi humanizmi që përforcon tonin melankolik dhe meditativ të poezisë.
Në përgjithësi, vëmendja ndaj detajeve jo vetëm që shton autenticitetin e përshkrimeve poetike, por ndihmon në krijimin e një hapësire ku lexuesi mund të lidhet emocionalisht me përvojat dhe ndjesitë e paraqitura. Ky realizëm i detajuar, tipar i gazetarisë, bëhet një forcë poetike që lidh të zakonshmen me universalen.
III-Poezia e Bazes fokusohet te temat sociale në mënyrë të dukëshme e me një stil më të qartë se shumë poetë të tjerë bashkëkohës. Kjo vjen se Baze mbart tiparet e një gazetari polemist ndaj dhe fokusohet thelbësisht në temat sociale. Psh në poezinë “Portat pa shtëpi” kap thelbin e rrënimit fizik dhe shpirtëror, duke përdorur portat dhe oxhakët si metafora të mbijetesës së kujtimeve përballë kohës dhe braktisjes. Në vargun:"Porta ruan vdekjen e shtëpive / Që ka hyrë nga dritaret, nga pikat e çatisë," shfaqet mënyra e ngadalshme, por e pashmangshme me të cilën ndodh braktisja dhe rrënimi, duke e bërë portën një simbol të fundit të një jete të shuar. Nga ana tjetër, oxhaku mbart shpresën e ringjalljes: "Oxhakët presin një tufan të gremisen / Siç ëndërron në luftë të vdesë një burrë." Është prekës oxhaku që përshkruhet si një luftëtar që qëndron deri në fund, dhe mallëngjyes fakti që i jep poezisë një tonalitet heroik përballë shkatërrimit. Ndërkohë simbolika e skeletit, që ndërlidhet me jetën e fikur, shpërfaqet në vargun: "Portat ruajnë skeletin e jetës së fikur / Oxhakët shpresën të ndizen përsëri", pasazh që sintetizon tensionin mes humbjes dhe shpresës, duke nxjerrë në pah një cilësi reflektuese për trashëgiminë e braktisjes.
Te poezia “Jug” përshkruhet një peizazh i ashpër, ku natyra dhe njerëzit janë njësh në fatin e tyre të përvuajtur. Në vargun: "Janë ca rrugë plot gurë e baltë shpeshherë, / Ca përrenj që rrjedhat i kanë mysafirë," shfaqet një ndjenjë mungese e përhershmërisë, ku as uji, simbol i jetës, nuk qëndron gjatë. Kjo pasqyron një realitet të papërcaktuar, ku çdo gjë është kalimtare. Njerëzit e kësaj toke përshkruhen në dy anët e tyre, të egër dhe të ndjeshëm: "Janë ca njerëz të egër dhe kur heshtin / Ca njerëz që qajnë dhe kur këndojnë", dualitet ky, që nxjerr në pah shpirtin e fortë dhe dhimshurinë e përhershme të popullsisë. Peizazhi përmbyllet në një ndjenjë misteri dhe mosarritjeje: "Një vend që tregohet, por kurrë s’arrihet aty, / Quhet... Jug!" duke e vendosur Jugun si një hapësirë simbolike, të paarritshme, duke ngritur një reflektim mbi mungesën e shpresës dhe njëkohësisht mbi fuqinë e kujtimeve dhe rrëfimeve.
Mund të vazhdonim me poezinë “Plaku vetmitar” që trajton vetminë si një realitet të pashmangshëm të pleqërisë dhe një rrëfim të përjetimit të brendshëm të braktisjes. Kështu në vargun: "Ai rri në sofatin e gurtë të shtëpisë / Herët pa gdhirë, pas yllit të parë" shfaqet përpjekja e plakut për t’u lidhur me ritmin e natyrës, si një mënyrë për të përballuar mungesën e kontakteve njerëzore. Ndërkohë poezia shfaq me detaje të holla botën e tij të zbehur:"Një radio kineze këndon këngë labe/ Pastaj ca lajme pune e burrash zyre," duke shfaqur një botë teknologjie dhe tradite përzier, duke e bërë plakun një figurë që jeton mes dy realiteteve, të kaluarës dhe të tashmes. Megjithatë, kulmi emocional ndodh kur poezia nxjerr në pah braktisjen sociale: "Është i dëshpëruar që s’ka kujt t’i flasë / Në këtë vend ku ulërijnë lugetërit…" duke treguar dhimbjen e një shoqërie që ka humbur lidhjet e saj humane dhe që e ka lënë plakun në vetminë e tij. Kjo është jeta e jonë sot, të cilën fshikullon poetikisht poeti Mero Baze.
Fokusimi te temat sociale në poezinë e Bazes forcon dhe vë në dukje strukturat e kontra-stit poetik, si: përballja midis realiteteve sociale ideale dhe të dhimbshme (p.sh., imazhi ideal i atdheut kundrejt realitetit të ashpër në poezinë "Atdheu"). Po ashtu dhe kontrasti midis brezave ose përvojave personale dhe kolektive ("Nëna dhe zogjtë" dhe "Ditën që u ndamë"). Ky fokusim nën aspektin poetik forcon imagjinatën simbolike, ku simbolet konkrete si shelgjet, rrushi, dhe Vjosa shprehin ndjenjat e humbjes dhe qëndrueshmërisë kolektive ("1997").
Po ashtu pasqyrimi realist dhe brutal i situatave shoqërore e forcon ndjeshmërinë ndaj temave të varfërisë, emigrimit, dhe zhgënjimit ("Atdheu" dhe "1997")., ndërkohë që krijon dhe një ndërthurje të personalizimit dhe universalizmit, pse përmes përvojave individuale të nënës, zogjve, ose shelgjeve, pasqyrohen shqetësimet kolektive të një shoqërie të trazuar. Poezitë shpesh mbyllen me reflektime që përforcojnë kuptimin e temave sociale e ofrojnë mesazhe universal ("Atdheu" dhe "1997"). Janë këto elemente që strukturojnë poezinë si pasqyrë të realiteteve sociale, duke thelluar impaktin emocio-nal dhe mendimor tek lexuesi.
Në përfundim themi me bindje se: poezia e Mero Bazes modernizon dhe poetizon tiparet e ndikimit të gazetarisë, duke i kthyer ato në elemente të fuqishme poetike. Stili i tij i drejtpërdrejtë, vëmendja ndaj detajit dhe fokusimi te temat sociale formësojnë një poezi që jo vetëm reflekton realitetet e kohës, por edhe i pasuron ato me ndjeshmëri artistike. Ai përdor një gjuhë të qartë dhe konkrete për të dhënë mesazhe që përkojnë me përditshmërinë, duke krijuar një ndërthurje mes gazetarisë dhe artit poetik. Përmes këtij modernizimi, Baze arrin të japë një pasqyrë të thellë të shoqërisë shqiptare, duke e bërë poezinë e tij një zë kritik dhe frymëzues për lexuesin.
Sarandë, më Nëntor 2024
Comments