
Nga Timo Mërkuri
Këto vitet e fundit Fatmir Terziu gjithmonë na ka befasuar me gjetjet e tij poetike, por së fundi poezia e tij "Nanurrisjet" ngjall një kuriozitet dhe interesim te lexuesit qysh në titullin e saj, por para se të flasim për atë, për efekte kuptimshmërie në rrjedhjen e poezisë le të shohim fillimisht vetë poezinë.
I-Në poezi, gjykohet poeti për dashurinë e shfaqur, por duhet të kuptojmë se në poezi nuk është fjala për dashurinë si një ndjenjë personale, por për dashurinë, si një koncept që sfidon normat dhe autoritetin e traditës zakonore, prej ku ndjejmë se shoqëria jonë ende nuk është çliruar nga pesha e tyre. Poeti nuk gjykohet si person civil për një shkelje konkrete ligjore, por gjykohet si poet, si dikush që ka guxuar të flasë për dashurinë në një shoqëri ku ndoshta ajo nuk është qytetarisht e lirë, por është e kufizuar , e kontrolluar dhe e keqinterpretuar nga pushteti dhe masa. Sigurisht që shumë lexues e kanë përjetuar këtë kohë, që më të rinjtë e kanë dëgjuar nga prindërit e tyre. Por le të kthehemi te gjyqi poetik, pse gjykohet poeti?
Arsyeja e gjykimit është e shumëfishtë:
1. Gjykohet për arsye se dashuria shihet si akt subversiv. Në vargun e parë, thuhet qartë: "Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll/dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal." Sigurisht gjykatësi pezulloi gjyqin për t'a parë kodin penal sepse ndoshta ju kujtua që diku kushte lexuar se në Verona dikur ( në mesjetë) ishte bërë një gjyq kundër një femre, faji i të cilës ishte pse ishte dashuruar me një fisnik, dhe ku të gjithë fisnikët e Veronës u ngritën në mbrojtje të asaj femre. Po skishte nevojë shumë për Veronën dhe historitë e saj, sepse vargjet folën më së shumti shqip:
dhe ja ku ishte
në gjyqin e poetëve të shënuar me germa të kuqe
për shkak të vdekjes së tyre të detyruar
dhuratë e duartrokitjeve të një turme”
Ky lloj gjyqi ku vendimi i dënimit pritej me duartrokitje është tipik shqiptar i një kohe jo shumë të largët, ku djem të rinj dënoheshin me punë të detyruar në miniera, rrëzohe-shin si trumcakët nga dega, goditur nga skuadra e pushkatimit apo tundeshin në litar si lulekëmbana. Krimi i vetëm i poetëve është se dashuronin dhe dashuri do të thotë liri.
Në poezi momenti i gjyqi trajtohet me ironi dhe tregon se dashuria këtu shihet si një vepër e rrezikshme, ndërgjegjshëm sepse përfaqëson një liri që bie ndesh me rregullat e vendosura, qysh në mesjetë, apo se liria është e shumëfishtë, e gjerë dhe përfshin shumë hapësira. Në këtë kontekst, poeti nuk është thjesht një njeri që dashuron, por është dikush që shpall dashurinë si vlerë universale, e cila bie ndesh me normat dhe formatin e pushtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Po të mendoheni pak, jam i bindur se do gjeni raste konkrete të gjykimit të dashurisë dhe lirisë, që nga “gjyqet” familjare e gjer në gjyqet politike.
Shikoni pak, poeti nuk thotë : “Kur foli" ( në gjyq) por shprehet "Kur këndoi" në kontrast të dukshëm me realitetin poetik dhe jo më kot. Duke përdorur shprehjen "kur këndoi për dashurinë", poeti e afron poezinë me këngën, duke e paraqitur si akt të natyrshëm, emocional, si këngë, pse kënga simbolizon lirinë e shprehjes dhe shpirtin e pastër, pavarësisht se në këtë poezi, ajo bëhet arsye për dënim. Poetët në gjithë botën dhe në gjithë kohërat për këngën e tyre janë dënuar, jo për politikë. Kjo e lidh poezinë me traditën orale dhe poetët që janë parë si këngëtarë të së vërtetës, ndërsa tregon paradoksin: një shoqëri që ndëshkon bukurinë dhe ndjenjën.
2.Gjykimi bëhet nga turmat dhe trupi gjykues bashkë, çka të kujton gjyqet në mesjetë apo në gjyqet moniste ku vendimet ( dhe ato me vdekje) priteshin me duartrokitje. Vuiktimë e një gjyqi të tillë mesjetar është poeti:
"në gjyqin e poetëve të shënuar me germa të kuqe
për shkak të vdekjes së tyre të detyruar
dhuratë e duartrokitjeve të një turme
(sepse kishte harruar për të dashuruar!)."
Kjo sugjeron një shoqëri ku poetët dhe njerëzit e artit janë të dënuar nga shteti dhe të braktisur e të linçuar nga masa, e cila pranon dënimin e tyre si diçka normale.
3.Këtu shfaqet dukuria e varfërisë së fjalës dhe mendimit të lire, qoftë nga masa, qoftë dhe nga trupi gjykues , pse kur poeti flet për dashurinë, salla e gjyqit “shuhet” dhe muret mbushen me “korda vokale”, duke shfaqur se fjala poetike ka një fuqi të madhe, por gjithashtu përbën rrezik për pushtetin. Në këtë kuptim, poeti gjykohet jo si individ, por si një simbol i lirisë dhe mendimit të pavarur. Poeti mjeshtërisht identifikon dashurinë me lirinë, sepse vetë dashuria është një formë e lirisë.
4.Absurdi i gjyqit dhe gjykimit të një poeti në fakt është përjetuar ndryshe nga shtresa të popullatës, pse ka patur shtresa që e kanë dashur poetin dhe fjalën këngë të tij. Shih linearitetin e poezisë: Në një moment, poeti hesht dhe bota “ngrsyet”, duke sugjeruar se pa zërin e tij, ekzistenca humbet kuptimin. Pavarësisht kësaj, heshtja nuk është shpëtim, sepse edhe ajo përkthehet në një pranim ( në heshtje) të çmendurisë:
"edhe për të qenë i çmendur duhet t’i bindesh heshtjes
duhet të kthehesh në hiç."
Pra, nuk ka rrugë shpëtimi: të flasësh është krim, të heshtësh është çmenduri.
5.Së fundi poeti gjykohet si një figurë artistike që sfidon rendin, jo thjesht si njeri që dashuron. Dënimi i tij simbolizon përplasjen mes artit dhe pushtetit, ku fjala e lirë është kërcënim dhe dashuria, e zhveshur nga ndjenja e saj e pastër, bëhet një koncept i manipuluar nga autoritetet dhe turmat. Ju lutem kujtoni të dënuarit e plenumit të IV famëkeq, të pushkatuarit e Librazhdit, të barutin e Kukësit, të burgosurit dhe internuarit e gjithë Shqipërisë.
II- Nga sa thamë më sipër shihet se titulli “Nanurrisjet” krijon një kontrast me përmba-jtjen e poezisë. “Nanurrisja” është një melodi e butë dhe qetësuese që përdoret për të vënë dikë në gjumë, zakonisht lidhet me fëmijërinë dhe dashurinë. Mirëpo, në këtë poezi, ajo merr një kuptim ironik dhe të hidhur.Në kontekstin e vargjeve të poezisë nanurrisjet mund të simbolizojnë:
1. Shoqëria dhe pushteti kërkojnë të "nanurrisin" individin, ta vënë në një gjendje gjumi, pasiviteti dhe nënshtrimi, duke i imponuar heshtjen dhe harresën.
2. Në fund të poezisë, nanurrisjet lidhen me dorëzimin dhe shuarjen e zërit të poetit, që për t’i mbijetuar gjyqit dhe shtypjes, pranon të heshtë dhe të zhduket:
"Nanurrisjet iu kyçën vetvetes…
edhe për të qenë i çmendur duhet t’i bindesh heshtjes,
duhet të kthehesh në hiç."
Le të mos përmendim raste, por shumë zëra poetësh heshtën pas furtunës pleniumiste të katërt.
3. Nëse nanurrisja zakonisht është një gjest dashurie e dhimshurie, këtu ajo shndrohet në një mekanizëm shoqëror nënshtrimi, duke e kthyer dashurinë në një krim dhe poezinë në diçka të ndaluar.
Pra, titulli përmban një paradoxks të fortë: në vend që të ofrojë qetësi, këtu nanurrisjet janë mënyrë për të heshtur të vërtetën dhe për ta bërë njeriun të pranojë gjendjen e tij si një nul. Ndoshta mund të kujtojmë emra poetësh që heshtën së kënduari ose nisën të këndojnë ndryshe gjatë dhe pas dënimit të shokëve.
III-Poezia “Nanurrisjet” e Fatmir Terziut i afrohet më shumë postmodernizmit sesa modernizmit klasik. Ajo shfaq tipare të qarta të postmodernizmit, si ironia, ndërhyrjet metafiktive, përzierja e realitetit me absurdin dhe një sfidim të autoritetit dhe institucioneve të njohura.
1.Në poezi vihet re një raport i tensionuar mes artit, dashurisë dhe fuqisë së shtetit (përfaqësuar nga gjyqtari dhe turma e indoktrinuar). Një poet gjykohet për dashurinë, por jo si ndjenjë personale, por si koncept që sfidon normat dhe kufizimet e imponuara nga shoqëria. Ky është një element postmodernist, pasi poezi të tilla sfidojnë të vërtetat e pranuara dhe ekspozojnë absurditetin e strukturave shoqërore.
Ndër karakteristikat postmoderniste shfaqen:
a.Ironia dhe absurdi në vargjet:“Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll
dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal.”
b.Figura e gjyqtarit dhe turma që dënon poezinë është një kritikë ndaj sistemit që i jep më shumë rëndësi normave e kodeve zakonore sesa ndjenjave njerëzore. Kjo është e dukshme në vargun:
“në atë sallë nuk kishte më fjalë
sytë i kishin ngrirë lart,
vetëm dritarja hapej e mbyllej pa mbarim,
e ata e quajtën mëkat,
e Gjykatësi e cilësoi pallim.”
3.Poezia përzien dimensionet kohore dhe ideologjike, madje këtë e bën në formën e një loje aktorësh pse realiteti ngjan si një skenë teatrale ku gjithçka vjen në cikle:
“Kur u zgjua për dashurinë – qielli u skuq
toka ishte kthyer një kalendar me një datë më 14 shkurt.”
Ku referenca ndaj 14 shkurtit (Ditës së të Dashuruarve) ironizon mënyrën sesi dashuria institucionalizohet në një datë të vetme, nga shteti ndërkohë që ajo është e shtypur.
IV-Poezia “Nanurrisjet” e Terziut sjell disa risi në poezinë shqipe, kryesisht në nivelin konceptual, stilistik dhe kritik.
1.Në letërsinë shqipe, sidomos në periudhën post-komuniste, kemi parë shumë poezi që trajtojnë censurën, por “Nanurrisjet” është një poezi e veçantë pse e shfaq këtë temë përmes një simbolike të re: dashuria, një ndjenjë universalisht e pranuar që shndërro-het në shkak për t’u gjykuar. Pra në vend që poeti të përndiqet psh për ideologji, ai dënohet për diçka esencialisht njerëzore, duke krijuar një absurd të fuqishëm:
"Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll
dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal."
Është një gjetje sa e bukur aq dhe e fortë e poetit pasi kjo qasje e bën poezinë një akt kritik ndaj mënyrës sesi autoritetet ndërhyjnë dhe në sferat më intime të jetës njerëzo-re. Kjo ndodh sepse dashuria ka dimension universal në të gjithë elementet e saj, jo vetëm si dashuri për një vajzë, por së pari është e rrezikëshme pse është dashuri për lirinë. Çdo lloj dashurie zë fill te liria, madje dhe një dashuri e thjeshtë çifti është bota ku lindin të gjithë liritë..
2. Kjo poezi shquhet për përdorim të thellë e të bukur të ironisë dhe absurdit, gjë që nuk është shumë e pranishme në poezinë shqipe, sidomos në këtë formë. Elementet groteske, si gjykimi i dashurisë dhe arkitektët që matin një sallë gjyqi sikur të ishte një projekt ndërtimi, krijojnë një atmosferë që i afrohet surrealizmit postmodern:
"Projektuesi i godinës hyri me një preventiv
shihte ndryshesën me shije të lëbyrtë
nga libri i evolucionit dilte një tjetër Darvin."
Ky pasazh shfaq një botë ku çdo gjë është e manipuluar, edhe shkenca dhe arkitektura, duke ironizuar mënyrën sesi realiteti krijohet nga pushteti.
3.Poezia shqipe ka një histori të gjatë të përdorimit në letërsi të gjyqit dhe padrejtësisë (Gjergj Fishta, Migjeni, Lasgush Poradeci, Petro Marko, Visar Zhiti etj), por “Nanurrisjet” i qaset këtij motivi në një mënyrë absolutisht të re: ajo, poezia e Terziut nuk i shfaq gjyqet si procese tragjike, por si akte groteske, ku poetët e dënuar nuk janë heronj të drejtpërdrejtë, por viktima të një absurdi shtetëror, duke shtuar në këtë mënyrë dhimbjen për dënimin e tyre.
4. Një nga risitë e veçantë e dukshme e kësaj poezie është mënyra sesi ajo luan me kohën. Përmes një strukture ciklike, poezia krijon një ndjesi pafundësie ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë të ndërthurura mes tyre. Psh, në fund:
"Kur u zgjua për dashurinë – qielli u skuq
toka ishte kthyer një kalendar me një datë më 14 shkurt."
Shikoni pak me vemëndje, dashuria, e cila më parë ishte e ndaluar, e dënueshme me ligj penal, duke kapërcyer shndrimin e saj në një festë rinie, kthehet në një simbol të banalizuar dhe komercial, duke theksuar ciklin e shtypjes dhe manipulimit shoqëror.
5. Risi më vete është fakti se struktura e vargjeve është e ndërtuar në mënyrë, jo vetëm të lirë, por që nuk ndjek një linjë lineare apo një linearitet të qartë të mendimit. Çdo pjesë e poezisë funksionon si tablo më vete, me elemente që përsëriten dhe ndryshojnë kontekst, duke shfaqur një ndjesi të fragmentarizuar, të ngjashme me “rrjedhën e ndërgjegjes” në letërsinë moderniste, por me një ton më të hidhur, më ironik e kritik.
6.Risi më vete është fakti se kjo poezi nuk kërkon vetëm të shprehë ndjenja, por dhe të sfidojë mënyrën sesi shoqëria dhe pushteti ndërhyjnë në to, duke i dhënë poezisë një dimension të fortë filozofik dhe politik.
Poezia “Nanurrisjet” e Fatmir Terziut shënon një arritje të veçantë në krijimtarinë e tij dhe në poezinë shqipe. Ajo sjell një qasje novatore në trajtimin e censurës, pse e zhvendos fokusin nga ndalimi ideologjik te ndëshkimi i, dashurisë. Përmes një ndërtimi ironik dhe një përdorimi të absurdit, poeti e shndërron gjyqin ndaj fjalës në spektakël grotesk, ku logjika shtrembërohet dhe realiteti kthehet në farsë.
Arritje e madhe e kësaj poezie është mënyra sesi ajo ndërthur simbolikën dhe kritikën sociale brenda një strukture që sfidon linearitetin e rrëfimit poetik. Figura e poetit që këndon, hesht dhe zgjohet për dashurinë nuk është thjesht një imazh i vuajtjes, por një dëshmi e fuqisë së artit për të mbijetuar edhe në heshtje. Titulli “Nanurrisjet” shton një dimension të ri, duke krijuar kontrastin mes butësisë së këngës dhe dhunës së shtypjes, mes ëndrrës dhe detyrimit për të heshtur.
Me këtë poezi, Fatmir Terziu jo vetëm që i jep formë të re debatit mbi raportin mes artit dhe pushtetit, por e vendos poezinë në një hapësirë ku mendimi dhe ndjenja nuk mund të ndahen. Përmes vargjeve të tij, ai arrin të krijojë një poezi që nuk lexohet vetëm me mendje, por edhe ndihet thellësisht, duke e bërë “Nanurrisjet” një nga krijimet e tij më të fuqishme dhe më sfiduese.
Sarandë, më shkurt 2025
Nanurisjet
Nga Fatmir Terziu
Kur këndoi për dashurinë – gjyqi u mbyll
dhe gjykatësi ngriti sytë nga Kodi Penal.
Dritarja e mbyllur u çel si një trëndafil
kapi rastësisht buzët një petale e gjallë
dhe ja ku ishte
në gjyqin e poetëve të shënuar me germa të kuqe
për shkak të vdekjes së tyre të detyruar
dhuratë e duartrokitjeve të një turme
(sepse kishte harruar për të dashuruar!).
Kur foli për dashurinë – salla u shua
dhe muret u mbushën me korda vokale.
Projektuesi i godinës hyri me një preventiv
shihte ndryshesën me shije të lëbyrtë
nga libri i evolucionit dilte një tjetër Darvin
në atë sallë nuk kishte më fjalë
sytë i kishin ngrirë lart,
vetëm dritarja hapej e mbyllej pa mbarim,
e ata e quajtën mëkat,
e Gjykatësi e cilësoi pallim.
Kur heshti për dashurinë – bota u ngrys
dhe vargu u kthye në një çmendinë.
Pastaj u ndez një qiri në murin e heshtjes
e heshtja u lut pambarim,
dashuria të lartësohet edhe përtej vdekjes
në këtë godinë është e pamundur të jesh ligj
e që nga ai moment nanurisjet iu kyçën vetvetes
pranuan matufepsjen e shpallur me ofiq
edhe për të qenë i çmendur duhet ti bindesh heshtjes
duhet të kthehesh në hiç.
Kur u zgjua për dashurinë – qielli u skuq
toka ishte kthyer një kalendar me një datë më 14 shkurt.
Hozzászólások