Intimiteti artistik në poezinë “Tavani yt ka ngjyrën e të gjelbërtës” e Luan Ramës
Nga Timo Mërkuri
Poezia “Tavani yt ka ngjyrën e të gjelbërtës” nga Luan Rama shpalos momentet e introspeksionit dhe të trishtimit të aktores Yllka Mujo, ku tavani, të cili ajo i ngul vazhdimisht shikimin, e ulur në divan apo shtrirë në krevat, shfaqet si simbol i zbrazëtisë dhe i kujtimeve të humbura. Duke marrë shkas nga një pusullë dërguar nga aktorja, e cila i shpreh një ndjesi vetmie dhe boshësi, poeti Rama e mbush këtë hapësirë me përzierje ëndrrash, kujtimesh dhe pasionesh, duke krijuar një ndjesi ngrohtësie e meditative. Poezia përçohet si një këngë e qetë me kitarë, ku tonaliteti intim dhe imazhet e ndjera sjellin ndjesi ngushëllimi e meditimi, duke e kthyer këtë moment personal në reflektim të thellë mbi artin dhe ndjenjat njerëzore.
I-Kjo poezi qysh në leximin e parë ndjehet që është krijuar mbi një bazë realiste, ndaj duke dashur të kuptoj funksionimin e saj drejt modernitetit simbolik ju drejtova direkt poetit për tu dhënë dritësimin real disa vargjeve të mjegulluara nga simbolizmi modernist dhe autori më shpjegoi burimin e disa prej tyre, shpjegim që po e ndaj me lexuesin, me mendimin se do i shërbejë për ta ndjerë (jo kuptuar) më mirë poezinë, duke më thënë se: Yllka Mujo shkon shpesh në Paris, të cilin si frankofone e do dhe e vlerëson si atdheun e dytë, madje merr një trasfuzion rinor në gjithë qënien e saj. Me Luan Ramën ajo është njohur qysh në rini, kur shihnin filmat që shfaqeshin në oborin e Kinostudios në Tiranë dhe janë lidhur me miqësi artistësh e adhurim reciprok. Sa herë që Yllka shkon në Paris, sigurisht që kërkon dhe e takon Ramën dhe pikërisht këtu zë fill dhe poezia: para 5 vitesh (2019) Yllka shkoi në Paris dhe si zakonisht, kërkoi të takonte poetin, por mqse nuk e gjeti, i la një pusullë ku shfaqte një gjendje të trishtuar shpirtërore. Ndjenja miqësore dhe dëshira për ta ndihmuar miken e tij i dha shtysë talentit poetik të Ramës për këtë poezi, ndaj më shpjegoi mua (dhe lexuesit) se: a.tavanin e ka parë si një lloj refleksi të jetës së njeriut, sikur ai sheh udhëtimin jetësor, vitet, gjurmët, gëzimet dhe vuajtjet. b.i gjelbërt, sepse kur Yllka mbriti në Paris ishte veshur me një fustan të gjelbërt dhe dukej sikur mbante lumturinë.c.Përmendja e “Princit të Vogël” lidhet me faktin se në atë kohë Yllka punonte për vënien e tij në skenë, ç.përmenden gjethet e Prevert pasi, ndërsa ngjiteshin në shkallët në Mortmarte, ajo këndonte frengjisht këngën me vargjet e Prevert “Gjethet e rëna”, një këngë e trishtë për jetën që shkon, d.Përmendet “palimpsesti i dehur” pasi jeta e saj ka qenë një shumësi rolesh të ndryshme, një dehje artristike. e. vargu”ekrani ku janë ngjizur sytë e tu” se në ekran janë fiksuar filmat që ka lozur, ku aktorja ka njizur veten përjetësisht, pasi filmi nuk ka vdekje, dhe f. “flladi që të ngre fustanin” është real, sepse atë ditë me fustanin e gjelbër, ndërsa ecnin në një urë, era që vinte i lëvizte fustanin dhe ajo mundohej ta mbronte, duke krijuar një situatë gjimnazistesh që qeshin pa shkas.
Kjo mbështetje në realitet e poezisë nuk i ul vlerat, përkundrazi, i jep thellësi dhe fuqi të veçantë, duke nxjerrë në pah ngjitjen e saj artistike drejt një moderniteti simbolist dhe një universaliteti që përfshin përvojat njerëzore përtej kohës dhe vendit. Poezia fiton kështu një dimension të ri, ku elementet reale jo vetëm që nuk kufizojnë asgjë, por shndërrohen në simbole që i japin një rëndësi të përjetshme, duke theksuar ndjeshmërinë e saj ndaj sfidave dhe bukurive të jetës njerëzore. Me këtë qasje, poezia arrin një harmonizim mes së veçantës dhe së përgjithshmes, duke u bërë zëri i përjetshëm i eksperiencave të përbashkëta njerëzore dhe duke tejkaluar kufijtë individualë për të arritur në një rezonancë të thellë shpirtërore dhe artistike. E vetmja gjë që bën ky shtrat real i poezisë është se forcon lidhjen emocionale me lexuesin dhe rit audiencën e saj.
II- Në këtë poezi, Luan Rama përdor shprehjen “mikja ime” e cila shfaq një lidhje të veçantë shpirtërore dhe miqësore mes poetit dhe aktores, duke theksuar një afërsi të sinqertë. Kjo frazë jo vetëm që nxjerr në pah respektin dhe përkujdesjen e poetit për gjëndjen dhe ndjenjat e aktores, por gjithashtu ndihmon të zbutet trishtimi që ajo përjeton, duke i dhënë një mbështetje emocionale. Poeti e mbush këtë hapësirë të braktisur tavani me vizionin e tij poetik, për t’i dhënë atij një ngjyrim tjetër nga ai i zbrazëtisë së trishtë. Në vargun: “tavani yt më ngjan me një horizont të pafund mikja ime”, ai e shndron trishtimin e saj në një horizont, zbrazëtinë në simbol të pafundësisë, ku, në vend të vetmisë, gjendet një shumësi shpresash dhe përjetësish. Në këtë mënyrë, poeti jo vetëm që shfaq dhembshurinë e tij, por gjithashtu përpiqet të krijojë një univers ku dhimbja e saj mund të shfaqet në një dritë më të butë. Ndaj vargjet që vijojnë janë plot jetë, shptresë e besim, që tingëllon bukur te vargu i fundit:”në këtë fllad që të ngre fustanin/dhe e çon tutje shpirtin tënd në lëndina të tjera,/tavani yt ka ende ngjyrën e të gjelbërtës” ku sidomos vargu i fundit "tavani yt ka ende ngjyrën e gjelbërt," tingëllon muzikalisht si një kadencë e butë dhe e qetë, që përmbyll poezinë me tonalitet reflektiv. Ngjyra e gjelbërt këtu përçohet si notë e ngrohtë e mbushur me jetë dhe shpresë, si tingulli i fundit i një akordi në kitarë, që lë hapësirë për mendim dhe rikujtim. Ky varg krijon efektin tingëllues të qetësisë dhe të paprekshmërisë, duke e lënë të hapur simbolin e gjelbërtës si një lidhje midis poetit dhe subjektit të poezisë, një lidhje që ende vibron dhe nuk është zbehur. Fraza “mikja ime,” i jep një ndriçim të butë gjithë poezisë; përtej një dëgjuesi, poeti bëhet bashkudhëtar i ndjeshëm dhe mbështetës, duke krijuar një univers ngushëllues që prek përtej fjalëve dhe mbetet i gjallë brenda ndjeshmërisë së vargjeve.
III-Vlen të shpjegojmë se baza reale e poezisë jo vetëm që e lejon, por e pasuron universalite-tin poetik. Duke u nisur nga elemente konkrete dhe përvoja të përbashkëta, poezia arrin të prekë ndjenja dhe kuptime që rezonojnë në një nivel të përjetshëm dhe të përgjithshëm. Kemi parë shpesh se elementet e jetës së përditshme, kur trajtohen artistikisht, bëhen simbole të përvojave universale, duke i ofruar lexuesve të gjejnë vetveten dhe të lidhen emo-cionalisht përtej kufijve të kohës e kulturës. Kështu, realiteti vepron si themel, nga i cili poezia ngrihet drejt një dimensioni të lartë shpirtëror dhe estetik, duke krijuar një hapësirë ku individi dhe universali bashkëveprojnë në mënyrë të thellë dhe kuptimplote.
Universaliteti në poezinë e Luan Ramës shprehet në disa aspekte kryesore, që përfshijnë ndërlidhjen mes përvojave personale dhe emocioneve universale,dhe përdorimin e simbole-ve që i tejkalojnë kufijtë kulturorë. Më poshtë shfaqim disa pika që ilustrojnë këtë universali-tet, së bashku me pasazhe nga poezinë për të mbështetur përfundimet:
1. Vargjet që shfaqin dhimbjen e Yllka Mujos dhe përpjekjen e poetit për ta ngushëlluar atë shprehin një ndjenjë që është e njohur nga të gjithë. Pavarësisht nga konteksti specifik shqiptar, ndjenja e humbjes dhe dëshira për ngushëllim janë universale. Kështu, te vargjet: “në tavanin tënd shoh tani yjet e mëngjesit” poetit i jepet mundësia të shndërrojë një detaj të zakonshëm në një simbol shprese dhe qetësimi, duke e bërë këtë përvojë të njohur për çdo lexues.
2.Rama përdor imazhe që nxisin reflektim e nostalgji, siç është tavani që simbolizon kujtimet dhe ëndrrat. Këto imazhe janë të njohura për secilin që është përballur me dhimbjen dhe trishtimin e dikujt të dashur, duke u shndërruar ato në simbole që shfaqin një përvojë të përbashkët njerëzore.Te vargjet: “një det me dallgët e tua, / vetë shkumbëzimin e gjakut.” poeti e lidh trishtimin e aktores me natyrën dhe elementet e saj, duke krijuar një peizazh emocional që prek thellësisht.
3. Lidhja mes poetit dhe aktores është reflektim i miqësisë dhe solidaritetit, temë universal kjo, që tejkalon çdo kulturë apo traditë. Kjo tregon se ndjenjat e afërsisë dhe mbështetjes është e përbashkët për çdo individ, pavarësisht nga përvoja e tij personale. Psh termi: “mikja ime” shpreh një lidhje miqësore të ngushtë, duke theksuar natyrën miqësore e mbështetëse të marrëdhënies së tyre, që përçon një mesazh universal për vlerën e miqësisë.
4. Rama ndërthur dhimbjen e Yllka Mujos në poezinë e tij, duke treguar se si arti mund të shndërrojë në art dhe përballojë vuajtjen. Ky koncept është i njohur në shumë kultura, duke e bërë këtë proces një element universal. Këtu, veprimi i poetit për të transformuar dhimbjen në art është një akt që mund të njihet dhe vlerësohet nga çdo lexues, duke e lidhur atë me përvojat e tyre personale.
IV-Poezia “Tavani yt ka ngjyrën e të gjelbërtës” e Ramës shfaq karakteristikat e rrymës moderniste të simbolizmit, ku elementet e brendshme e shpirtërore shprehen përmes simbo-lesh kuptimplotë. Modernizmi shfaqet përmes trajtimit introspektiv të realitetit shpirtëror të aktores, ku figura e tavanit shërben si ekran për projeksionin e emocioneve dhe përjetimeve të saj. Rama, përmes një gjuhe të figurshme, krijon një botë simbolesh që i tejkalon përmasat fizike të tavanit dhe e shndërron atë në metaforë komplekse për botën e saj të brendshme.
1.Psh, në vargjet e para, “Ti më shkruaje për tavanin / dhe trishtimin që ndonjëherë nderet / mbi sytë dhe trupin tënd,” tavani prezantohet si një hapësirë ku nderet trishtimi, që në këtë kontekst përfaqëson zbrazëtinë dhe barrën e emocioneve të pashprehura. Duke përdorur simbolikën e tavanit, Rama krijon qasje moderne ndaj gjendjes shpirtërore të individit, duke shprehur ndjenjat nëpërmjet elementeve të jashtme që përthithin atë që është përtej dukjes. Po të ndalemi te vargu i mësipërm ku trishtimi paraqitet sikur “nderet” mbi sytë dhe trupin e aktores, ai (trishtimi) krijon një ndjesi peshe që rëndon mbi të. Ky tavan që nderet krijon figurë simbolike të peshës dhe zbrazëtisë që aktorja ndjen, pse e sheh (tavanin) si hapësirë të bardhë dhe të palëvizshme, pa ngjyrë e pa jetë. Ndërkohë tavanit i jepet cilësia e një pranie të ftohtë, të sheshtë dhe njëkohësisht përfaqëson një kufizim të jashtëm që reflekton barrën e trishtimit të brendshëm të aktores. Në këtë kuptim, tavanin e sheh si një “qiell” të zymtë që ndodhet mbi të, duke krijuar imazhin e një strehe të largët, por indiferente pse nuk përmban asnjë element ngushëllimi apo shprese. Ky kontrast thellohet duke u personifikuar, ku tavani “nderet” mbi sytë dhe trupin e saj, sikur kjo ndjenjë zbrazëtie të jetë e gjallë dhe të qëndrojë përmbi aktoren në mënyrë të rënduar.
2.Mirëpo duke parë me vëmëndje ndjen se simboli i tavanit nuk mbetet vetëm një imazh i thjeshtë; ai shtrihet dhe përmbush një funksion më të gjerë artistik. Tek vargjet “në tavanin tënd shoh tani yjet e mëngjesit / me ‘Princin e Vogël’ të Exupery-së mbi krye,” tavani transformohet në një univers të ngarkuar me kujtime e përjetime. Yjet dhe figura e “Princit të Vogël” simbolizojnë aspiratat dhe ëndrrat e aktores, duke krijuar një ndërthurje mes të mirënjohurës dhe të përjetshmes. Nëpërmjet këtij vargu, Rama sjell përmasën simbolike të artit si një ndihmë për të përballuar boshësinë, duke i dhënë tavani ngjyrën e fantazisë dhe të brendësisë shpirtërore.
3.Një tjetër symbol interesant gjendet në vargjet “aty janë gjurmët e ëndrrave që mbetën ëndrra / bashkë me okrën e ‘gjetheve të rëna’ të Jacques Prevert.” Përmendja e “gjetheve të rëna” të Prevert-it ngjall ndjesinë e humbjes së shpresave, si rrënia e gjetheve. Rama përçon një perceptim modernist të ekzistencës, ku ëndrrat dhe dëshirat shndërrohen në kujtime, të ngjashme me gjurmët e mbetura në tavolinë, duke theksuar epërsinë e kujtimeve ndaj realitetit të pamëshirshëm. Ajo që ka më tepër rëndësi është mënyra si i ka vendosur fjalët në varg, të cilat japin përshtypjen se aktorja ndoshta këndon pikërisht këtë tekst të Prevert.
4.Në përfundim, vargu “tavani yt ka ende ngjyrën e të gjelbërtës…” ngjall një ndjesi shprese, duke e kthyer hapësirën e braktisur të tavanit në një vend të rikuperimit emocional. Ngjyra e gjelbër këtu shfaqet si simbol i një rilindjeje të mundshme. Përmes këtij simboli të fundit, Rama përmbyll poezinë me një notë të lehtë optimizmi, duke i dhënë jo vetëm aktores Mujo por dhe lexuesit një ndjesi ngushëllimi dhe çlirimi shpirtëror.
5.Duke u thelluar në vargjet e poezisë së Ramës, hasim elemente të tjera që pasurojnë këtë botë simbolesh, të krijuar në qasje me modernizmin simbolist. Vargjet “një det me dallgët e tua/vetë shkumbëzimin e gjakut/dhe furtunat që buzët t’i kanë rreshkur” i japin tavanit përmasën e një universi shpirtëror, ku deti dhe dallgët pasqyrojnë luhatjen emocionale të subjektit lirik. Shkumbëzimi i gjakut dhe rreshkjet e buzëve simbolizojnë përjetimet e aktores, të cilat Rama i shndron në imazhe natyrore, duke përfaqësuar intensitetin e ndjenjave dhe luhatjet e saj shpirtërore. Në këto vargje, përdorimi i imazheve të huazuara nga natyra, përcjell qasjen moderniste të simbolizmit, ku poetët kërkojnë të shprehin gjendje komplekse shpirtërore përmes figurave të prekshme. “Deti” dhe “dallgët” janë simbolika që kuptohen si shfaqje e thellësisë së ndjenjave dhe trazimit shpirtëror të aktores, simbolikë kjo e përdorur në modernizmin simbolist për të shprehur përmasën universale të emocioneve njerëzore. Ndaj themi se: nuk është sipërfaqsore kjo poezi e Ramës, është tepër mjeshtërore.
6.Në qoftë se do lexojmë vargun “aty janë disa jetë të jetuara/një palimpsest i dehur,”do ndjejmë se poeti shfaq jetën e aktores si shtresim i shumëfishtë përvojash, rolesh, një ‘palimpsest’ që shpreh karakterin shumë - dimensional të përjetimeve të saj. Sigurisht fjala “palimpsest” është simbolike për atë që është e mbivendosur dhe e përsëritur, ku përvoja e aktores Mujo ndërthuret me atë të shumë roleve në skenë dhe kinematografi, të cilat kanë lënë gjurmë në jetën e saj. Ky varg pasqyron filozofinë moderniste të simbolizmit, që sheh shpirtin e njeriut si një tekst të përhershëm dhe të përpunueshëm, ku shtresat e ndjenjave dhe përjetimeve krijojnë një identitet kompleks dhe të pafund. Ndërkohë ne na shfaq njohjen e madhe te poetit me jetën artistike të aktores, pasojë e një miqësie shumëvjeçare.
7.Në vargun “skena të fjalës së shenjtë / apo një ekran ku janë ngjizur sytë e tu / për mos tu shqitur kurrë” Rama vendos skenën si simbol të lidhjes së përherëshme të aktores me artin e saj. Këtu, “skena” është simboli i krijimtarisë dhe përkushtimit të saj, një hapësirë ku ajo projekton veten dhe shpirtin. Kjo skenë simbolizon një altar të përjetshëm të ndjenjave të saj, dhe “sytë e ngjizur” shprehin përkushtimin e pakthyeshëm dhe të përhershëm ndaj artit, si të një shenjtori ndaj kryqit. Në këtë mënyrë, poezia e Ramës sjell konceptin modernist të përvojës së aktores, të një bote ku shpirtërorja ngjitet në art për të ruajtur përjetësinë e ndjenjave. Këto vargje zgjerojnë botën simbolike të poezisë duke e përforcuar introspektiven dhe elementet simbolike të ndjenjave të aktorëve që jetojnë me shpirtin e artit, duke shfaqur gjithashtu qasjen e modernizmit simbolist, që synon të çlirojë emocionet e thella përmes një gjuhe të pasur dhe figurash universale.
V-Në poezi shpesh herë vargjet pasqyrojnë qasjen moderniste simboliste përmes figurave dhe simboleve të fuqishme. Psh:
1. Vargu:“në tavanin tënd shoh tani yjet e mëngjesit / me ‘Princin e Vogël’ të Exupery-së mbi krye” këtu evokon një simbolikë të ëndrrave dhe pafajësisë, duke sjellë “Princin e Vogël” si simbol të botës shpirtërore të aktores. Ky referim e çon interpretimin në një univers ku kujtimet dhe përjetimet janë në harmoni me dëshirën e brendshme të pafajësinë dhe ëndrrat e fëmijërisë. Simbolika moderniste në këto vargje përdor personazhin e njohur për të sjellë një ndjenjë nostalgjie dhe kërkimi të kuptimit më të thellë të jetës.
2.Vargu “bashkë me okrën e ‘gjetheve të rëna’ të Jacques Prevert” i referohet karakterit melankolik të poezisë së Prevert, dhe shfaq një imazh që simbolizon kalimin e kohës dhe humbjen e dëshirave dhe endrrave të rinisë. "Gjethet e rëna" simbolizojnë fundin e një stine dhe humbjen e kujtimeve, tematikë që përshtatet me filozofinë e simbolizmit, ku theksohet përkohshmëria e jetës dhe ndjenjave.
3.Te vargu “tavani yt më ngjan me një horizont të pafund mikja ime”sugjerohet pafundësia e përvojave dhe kujtimeve që tavanit i japin përmasë kozmike. Modernizmi simbolist shpesh fokusohet te ideja e pafundësisë dhe kërkimi për kuptime të thella në botën e brendshme të individit. Këtu, tavanit i është dhënë dimensioni i një "horizonti të pafund," duke e ngritur atë në nivelin e një peizazhi simbolik që përmban dhe pasqyron të gjitha përvojat e personazhit.
VI-Në këtë poezi, metaforat, personifikimet dhe imazhet ndërthuren për të krijuar një botë simbolike që flet më shumë për ndjenjat dhe përjetimet sesa për realitetin konkret. Në këtë kontekst, elementët figurativë shërbejnë për të shprehur thellësinë e introspeksionit (vëzhgi-mi dhe analizimi i mendimeve, ndjenjave dhe përjetimeve të brendëshme) të personazhit dhe për të dhënë dimensione të reja ndjesive të tij, duke mbajtur një qasje të spikatur të simbolizmit modernist. Kështu, shfaqim disa figura dhe tregojmë se si ndërthuren ato për të krijuar botën simbolike të poezisë. Psh:
1. Metafora i japin kuptime të shumanshme dhe shpesh abstrakte përjetimeve të shfaqura në poezi.Në vargjet: “në tavanin tënd shoh tani yjet e mëngjesit /me ‘Princin e Vogël’ të Exupery -së mbi krye”,metafora e “yjeve të mëngjesit” krijon një kontrast midis tavanit, që në fillim paraqitet si simbol i trishtimit, dhe shpresës të fshehur brenda tij. Yjet dhe “Princi i Vogël” përfaqësojnë fëmijërinë e pafajësinë, duke shtuar një nuancë idealizmi dhe romantizmi që lidhet me simbolizmin modernist.
2.Personifikimet në poezi synojnë t'i japin objektit të pajetë një frymë shpirtërore dhe emoci- onale që e afron atë me botën e brendshme të personazhit.Psh, në vargjet: “dhe unë përpi-qem të shoh atje / tërë një qiell me rrugët e tua, / një det me dallgët e tua” tavani shfaqet si reflektim i përjetimeve të brendshme të personazhit, duke marrë cilësitë e një qielli mbushur me "rrugët e tua" dhe të një "deti me dallgët e tua." Këtu, personifikimi e shndërron tavanin në pasqyrë emocionale të shpirtit të aktorës, një hapësirë ku luhatjet shpirtërore përthyhen në një peizazh poetik, veçse se për të realizuar këtë duhet një mjeshtëri e lartë poetike.
3.Imazhet krijohen përmes një përzierje emocionesh dhe objektesh konkrete që mbartin simbolikë të gjerë. Psh, në vargun:“tavani yt më ngjan me një horizont të pafund mikja ime” imazhi i "horizontit të pafund" krijon pamje të përjetësisë dhe kërkimi shpirtëror. Kjo metafo-rë e pafundësisë lidhet me modernizmin simbolist.
Pra, këto figura letrare e pasurojnë poezinë duke krijuar një harmoni simbolesh dhe ndjesish që i japin lexuesit ndjenjën se gjithçka është pjesë e një universi poetik më të madh dhe më të thellë, ku çdo imazh, metaforë dhe personifikim ndërtojnë një rrjetë kuptimesh që lidhen me simbolizmin modernist.
VII- Në poezinë “Tavani yt ka ngjyrën e të gjelbërtës” çdo varg mbart sinqeritetin e një shpirti që përpiqet të zbusë dhimbjen e mikeshës së tij, duke e shndërruar atë në një udhëtim të përbashkët shpirtëror. Poetika e tij e rrallë e plot delikatesë, ndjek trishtimin e Mujos, duke shndruar kujtimin në simbol përjetësie e duke ngritur një univers ndjenjash të thella e të përbashkëta. Kujtimet dhe ëndrrat në poezi bëhen pjesë e peizazhit shpirtëror ku dhimbja transformohet në horizont shprese dhe, në këtë dimension të ri, ajo merr formën e një përjetimi të butë, të përbashkët.
VIII- Interesant është se kjo poezi më shumë se sa lexohet, këngëzohet si një tekst kënge, që mund të interpretohet me kitarë, çka më krijon ndjenjën e rikujtimit të një adoloshence dhe rinie aktive muzikor. Elementët e melodicitetit të poezisë që përfshijnë ritmin e vargjeve, kadencën e butë, metaforat e ndjera dhe tonin e qetë, që japin ndjesinë e një këngë të qetë dhe intime. Elementet që kontribuojnë në këtë tingull muzikor përfshijnë:
1.Poezia është shkruar me një stil të pandërprerë, pa ndarje strofash, duke i dhënë ndjesinë e një melodie të vazhdueshme, sikur të jetë e kënduar në një frymë. Ky rrjedhim poetik krijon një efekt muzikor të lehtë dhe të qetë, si një këngë e butë. “Ti më shkruaje për tavanin / dhe trishtimin që ndonjëherë nderet / mbi sytë dhe trupin tënd.” Këto vargje krijojnë tonin e një rrëfimi intim, që rrjedh si këngë e butë dhe e sinqertë, ku ndjenjat janë të shprehura qartë dhe ndjeshëm.
2.Vargjet përmbajnë ritëm të qetë dhe kadencë të qëndrueshme, duke krijuar ndjesinë e një melodie që mund të shoqërohet lehtësisht me kitare. Vargjet kanë puls të lehtë që sjell në mendje tingujt e ngrohtë të kitarës si psh vargjet: “në tavanin tënd shoh tani yjet e mëngjesit / me ‘Princin e Vogël’ të Exupery-së mbi krye…” Metaforat “ëndërrimtare” dhe figurat e përdorura këtu përftojnë një efekt muzikor që e bën poezinë të rrjedhë lirshëm dhe të përçojë një ritëm të ngrohtë, si refren i një kënge.
3.Shkrirja e imazheve poetike me ndjeshmëri delikate e bën poezinë të tingëllojë si një rrëfim muzikor. Metaforat janë të buta e të ndjera, duke i dhënë poezisë një ndjesi introspektive që ngjan me këngë, si psh vargu:“në tavanin tënd shoh tani yjet e mëngjesit” dhe “tavani yt më ngjan me një horizont të pafund mikja ime” ku figuracioni krijon një botë të ndjeshme që lexohet si një tekst kënge, duke tërhequr lexuesin në një përvojë shpirtërore dhe intime.
4. Në këto vargje, poeti i drejtohet mikeshës së tij me ndjeshmëri dhe afërsi, duke krijuar një ton melankolik që ngjan me një këngë të dedikuar. Tonaliteti i qetë dhe i ngrohtë e bën poezinë të tingëllojë si një këngë personale.Psh vargjet“në këtë fllad që të ngre fustanin / dhe e çon tutje shpirtin tënd në lëndina të tjera.”përçojnë një ndjenjë të butë, delikate e intime, sikur poeti po e shpreh ndjesinë e tij pranë një zjarri, në shoqërinë e tingujve të një kitare.
5. Vargu i fundit përmban një metaforë të ngrohtë e të qetë, duke e mbyllur poezinë në një mënyrë që ngjason me një akord të fundit të qetë në një këngë:“tavani yt ka ende ngjyrën e të gjelbërtës…” pse ngjyra e gjelbër sugjeron pranverim dhe jetë, duke krijuar efekt përmbyllës që e lë poezinë të rezonojë në mendjen e lexuesit si një tingull i butë, duke përftuar kështu një përmbyllje të qetë e harmonike. Unë nuk e di nqse Luan Rama ka luajtur në rininë e tij me kitarë, por shoh qartësisht se ai shkruan bukur dhe shpirtërisht këngë për tu kënduar me kitarë dhe ky është një talent më vete i poetit.
Si përfundim mund të themi se kjo poezi e Luan Ramës shfaqet si një hymn për miqësinë e sinqertë mes dy artistëve, ku lidhja shpirtërore bëhet një burim frymëzimi dhe ngushëllimi. Kjo miqësi është pasqyruar me ndjeshmëri të veçantë, duke e shndërruar trishtimin në një poezi që flet përmes simbolesh dhe metaforash të fuqishme. Vargjet e saj tingëllojnë si një këngë e ngrohtë, duke përjetësuar kujtimin dhe përkushtimin e poetit ndaj mikes dhe duke u shndërruar në një urë që kapërcen çdo distancë dhe çdo pengesë të jetës. Është gjë e bukur të kesh miq si Luan Rama.
Sarandë, më tetor 2024
Luan Rama
Tavani yt ka ngjyrën e të gjelbërtës
Aktores Yllka Mujo…
Ti më shkruaje për tavanin
dhe trishtin që ndonjëherë nderet
mbi sytë dhe trupin tënd,
dhe unë përpiqem të shoh atje
tërë një qiell me rrugët e tua,
një det me dallgët e tua,
vetë shkumbëzimin e gjakut
dhe furtunat që buzët t’i kanë rreshkur,
në tavanin tënd shoh tani yjet e mëngjesit
me «Princin e Vogël» të Exupery-së mbi krye,
aty janë gjurmët e ëndrrave që mbetën ëndrra
bashkë me okrën e «gjetheve të rëna» të Jacques Prevert,
aty janë disa jetë të jetuara,
një palimpsest i dehur,
taverna gëzimi plot zhurmë,
skena të fjalës së shenjtë
apo një ekran ku janë ngjizur sytë e tu
për mos tu shqitur kurrë,
tavani yt më ngjan me një horizont të pafund mikja ime,
në këtë fllad që të ngre fustanin
dhe e çon tutje shpirtin tënd në lëndina të tjera,
tavani yt ka ende ngjyrën e të gjelbërtës…
L.R. Nga libri "Poezi dashurie në kohë të vonë"
Në ditëlindjen e saj.
Comments