
Nga Timo Mërkuri
Fatmir Terziu ka publikuar kohët e fundit tre cikle me poezi për Sarandën në një kohë të shkurtër prej një jave, duke i cilësuar si dedikime në kontekstin e Manifestimeve poetike Trirema Joniane që organizon Klubi i krijuesve Jonianë të këtij qyteti, ku ai ka qenë i ftuar në disa edicione rresht. Sigurisht që në këto manifestime veç prezantimit të krijimeve poetike janë kryer dhe biseda mbi poezinë, shkëmbime mendimesh si dhe vizita nëpër resurset turistike dhe historike të Sarandës, të cilat ajo i ka të shumta.
Shoqata e krijuesve Jonianë e ka vlerësuar dhe nderuar poetin, kritikun dhe shkrimtarin Fatmir Terziun me disa çmime, madje deri me Kurorën e Artë me gjethe ulliri, Institucioni i Bashkisë dhe titullarët e kanë pritur dhe nderuar me Mirënjohjen e qytetit, televizion lokal e ka prezantuar në edicionet e tij dhe vetë Terziu ka krijuar miqësi të shumta e të sinqerta me krijuesit dhe qytetarë të Sarandës. Veç këtyre tre cikleve, Terziu vite më parë ka shkruar librin Joni poetik në dy vëllime, i cili është promovuar së pari në Sarandë, u ka kushtuar disa krijuesve saranditë poezi të ngrohta, ka shkruar e botuar disa cikle poetike po për Sarandën, njerëzit dhe natyrën të cilat gjithashtu janë botuar nëpër libra. Me të drejtë Fatmir Terziu vlerësohet si Miku i Sarandës dhe banorëve të saj. Po të mbledhësh krijimtarinë e Fatmir Terziut me temë sarandite me siguri bëhen disa vëllime më vete.
I-Këto tre cikle poetike të njëpasnjëshme të Fatmir Terziut mund të cilësohen si një akt i thellë dhe intensiv i krijimtarisë që paraqet ndërlidhjen e veçantë të poetit me Sarandën, si dhe një përkushtim ndaj mjedisit dhe artit të saj. Ato përbëjnë një shprehje artistike që tejkalon kufijtë e poezisë si formë e veçantë, pasi krijojnë një dialog të midis natyrës, artit dhe njerëzve të këtij qyteti.
1. Sigurisht që poeti krijon një dialog me Sarandën, pasi ajo, nuk është vetëm një qytet bregdetar, por një burim i pashtershëm frymëzimi që përshkon të gjithë krijimtarinë e poetit, madje ka zenë vend në artet e shumë krijuessve shqiptarë dhe të huaj. Terziu i kthehet natyrës së Sarandës në një seri ciklesh poetike, si për ta përjetësuar dhe për t'i dhënë zë peizazheve të saj, detit Jon, dritës dhe ngjyrave që mbushin këto poezi dhe dashurisë që ndjen për atë. Përmes një gjuhe të ngarkuar me simbolikë dhe ndjeshmëri të lartë, ai arrin të mbërthejë në vargje momentet e bukurisë dhe fragilitetit që Saranda ofron.
2.Krijimi i cikleve poetike njëra pas tjetrës, për një periudhë të shkurtër kohore, përveçse shfaq një vullnet të jashtëzakonshëm dhe intensitet krijues, tipike kjo për Terziun është dëshmi e një lidhjeje të fortë shpirtërore të poetit me këtë hapësirë gjeografike dhe kulturore. Ky intensitet krijues dhe kjo krijimtari e gjerë jo vetëm që nuk e shteron poetin, por e pasuron atë, duke sjellë varietete tematikash dhe ndjenjash që përfshijnë dhe reflektime mbi artin dhe krijuesit saranditë. Përtej poezisë, Terziu ka shkruar studime dhe analiza mbi krijuesit e kësaj zone, duke u bërë kështu një zë kritik dhe studiues që angazhohet jo vetëm poetikisht, por edhe intelektualisht.
3.Studimi i vazhdduesshëm i Terziut mbi Artin Jonian përbën themel të rëndësishëm në poezinë e tij.Ky dialog me traditën poetike joniane dhe veçoritë e saj është tregues i angazhimit të tij me historinë dhe kulturën shqiptare në tërësi dhe të këtij rajoni, në veçanti. Për më tejë, përmes poezive, Terziu ndriçon këtë art dhe e risjell në kohët moderne, duke e pasuruar me ndjeshmëri bashkëkohore. Kjo ndërthurje e traditës dhe modernitetit në krijimtarinë e tij është thelbësore për të kuptuar se si poeti arrin të mbajë një rrjedhshmëri të vazhdueshme në të gjitha format e shprehjes së tij artistike.
4.Duke shkruar jo vetëm për natyrën, por dhe krijuesit saranditë,Terziu krijon një peizazh jo vetëm fizik por edhe shpirtëror. Kështu poezia e tij shtrihet përtej kufijve të personalitetit të tij krijues, duke reflektuar dhe vlerësuar kontributin e artistëve të tjerë të kësaj hapësire, dhe duke ofruar kështu një pasqyrë të plotë të artit jonian dhe identitetit kulturor të Sarandës.
Në këtë mënyrë duhen parë këto tre cikle poetike të Terziut që shfaqin lidhje të ngushtë midis krijimtarisë individuale dhe një hapësire të veçantë gjeografike e kulturore, duke e bërë poezinë e tij një homazh ndaj natyrës dhe artit të Sarandës.
II-Cikli i ri i poezive nga Fatmir Terziu, ofron një shfaqje të hollësishme, të ndjeshme e plot ngjyra e dritë të natyrës dhe elementeve të Sarandës, dhe i shndërron ato në simbole poetike.Terziu krijon në vargjet e tij një botë ku deti, qielli, guralecët dhe dashuritë shpirtërohen dhe bashkëjetojnë në harmoni të përjetshme. Përmes figurave stilistike dhe një ndjenje të fortë lidhjeje me hapësirën, këto poezi marrin një dimension të veçantë, ku natyra dhe emocionet njerëzore ndërthuren në mënyrë të pandashme. Le ti shohim poezitë e këtij cikli me radhe:
1. Te poezia “Edhe deti tekanjozet” vargjet personifikojnë detin, duke e shndërruar atë në një qenie që përjeton emocione njerëzore. "Si një sy i lodhur nga dhimbjet, / fsheh në retinë lotët e tij," përcjell një ndjesi trishtimi dhe ndjeshmërie, ku deti duket sikur përjeton dhimbje shpirtërore Ky personifikim i detit krijon një përvojë ku natyra shfaqet para syve të poetit e ndjeshme dhe e gjallë, duke reflektuar gjendjen shpirtërore të tij. Lidhja e poetit me Sarandën reflektohet këtu përmes mënyrës se si ai ndien detin si një partner që ndan emocionet dhe përjetimet e tij.
2. Poezia: “E dirigjuar” shfaq lëvizjet natyrore si një simfoni të harmonizuar. "Batica e ngre të zotin e hutuar / guralecët mësojnë të zgjohen nga gjumi" këtu vërehet një tjetër personifikim i elementeve natyrore, ku batica dhe guralecët veprojnë sikur të ishin pjesë e një orkestrimi të drejtuar. Si një vëzhgues I hollë Terziu përdor figurat për të shfaqur lëvizjet e natyrës, si "dirigjuar", që e bëjnë detin dhe bregun pjesë të një ansambli artistik, duke krijuar një perceptim të natyrës si diçka të organizuar, të bukur dhe organikisht të lidhur me përvojën njerëzore.
3.Në poezinë “Siç shihet nga Lëkurësi” poeti shfaq një peizazh të dashurisë midis detit dhe tokës. "Deti ngre dolli shkumë me të dashurën në breg", dmth me Sarandën, duke sjellur një imazh të gjallë të lidhjes romantike midis detit dhe qytetit. Ky element i natyrës, ku "deti" dhe "dashura" e tij, Saranda bashkëveprojnë në ceremoni të përjetshme, është një metaforë e dashurisë së poetit për natyrën e Sarandës. Ngjyrat në vargjet "Grija e blusë dhe grija e jeshiles" krijojnë një kontrast të fuqishëm vizual, që të kujton një pikturë të lëvizshme natyrore, ku përhumbja dhe dashuria ndërthuren me peizazhin. Duhet ta duash shumë një qytet që të dallosh dhe veçanti të tillë si nuancat e ngjyrave, që të sjellin në kujtesë nuancat e syve të vajzës në takimet e para të dashurisë.
4. Sinqerisht më befasoi poezia “Fraksion kohe” për temën ashtu dhe për stilin e saj, ku për herë të parë e shoh poetin të shfaqë një lojë delikate me konceptin e kohës dhe hapësirës. "Guaska del / me një të katërtën e shpejtësisë së dritës" është një metaforë që shfaq, (gati në vizualizëm) një lëvizje të shpejtë dhe të papritur, duke shprehur momentin e jetës që vjen e shkon në një çast. Në këtë poezi, koha dhe dashuria ndërlidhen, siç tregon vargu "Dashuritë lindin Jonit prore", duke krijuar një ndjenjë sa përjetësie, aq dhe kalueshmërie të njëkohshme. Poezia përdor referenca muzikore me "pesë minutat e këngës së Agron Berishës", duke e lidhur përjetimin e momentit me muzikën si pjesë të qenësishme të përvojës njerëzore.
5. Te poezia“Vendin e fronit”Terziu eksploron një kontrast mes natyrës dhe pushtetit, me një atmosferë plot me simbolizëm. "Në Sarandë, nën shi, ka gjithnjë diell" përcjell një ndjenjë optimizmi dhe qëndrueshmërie, ku dielli bëhet një simbol i përhershëm i shpresës dhe jetëgjatësisë. Kjo ndjenjë ka diçka nga realiteti i qytetit, i cili i ka të pakta rastet e një shiu të rrëmbyeshëm, me vetëtima e bubullima. Këtu dhe kur bie shi, të duket sikur je nën dritën e diellit. Ne që banojmë në këtë qytet e shohim këtë varg si një figurë reale dhe jo si imazh poetik. Ndërkohë, retë që "largohen, megjithatë, pa mbikëqyrje" krijojnë një imazh të ndryshimit të natyrshëm të ritmeve të jetës. Përdorimi i metaforës së fronit në vargun "skicojnë në Qafë Gjashtë vendin e fronit" përforcon idenë e një lufte mes forcave natyrore dhe pushtetit të vendosur nga njeriu, duke e parë natyrën si një mbretëri të lartë dhe të fuqishme. Veç të mos harrojmë se në Qafën e Gjashtës është rrënoja e Manastirit të dyzet shenjtorëve dhe dhomat e nëndheshme të murgjve, ndaj ky varg mund të shihet dhe në tjetër kuptimshmëri.
III-Poezitë e Fatmir Terziut për Sarandën përshkohen nga përdorim i thellë dhe i ndjeshëm i figurave artistike të zgjedhura që reflektojnë ndjenjat e tij të holla për bukurinë dhe fragilitetin në hapësirën sarandite. Përmes simboleve, metaforave, personifikimeve dhe imazheve të gjalla, poeti arrin të shfaqë jo vetëm peizazhin natyror, por edhe lidhjen e tij emocionale me qytetin dhe natyrën. Në një analizë të këtyre figurave shprehemi se:
1. Simbolet e detit dhe elementeve natyrore në poezitë e Terziut përfaqësojnë diçka më të thellë sesa një përshkrim i thjeshtë i mjedisit. Deti në vargjet e tij është simbol i fuqisë së madhe, por edhe i qetësisë dhe fragilitetit të natyrës. Në poezinë “Edhe deti tekanjozet,” deti paraqitet si simbol i emocioneve të fshehta të poetit: “Si një sy i lodhur nga dhimbjet,/ fsheh në retinë lotët e tij”,ku deti, ndërsa simbolizon bukurinë e jashtme, fsheh brenda fragilitetin dhe dhimbjet e padukshme, një metaforë e brishtë për ndjeshmërinë e poetit ndaj botës përreth. Ky fragilitet për bukurinë është element që nuk shfaqet shpesh në poezinë shqipe, ca më tepër me këtë ndjenjë, ndaj mendoj se ky është një tregues i ndjeshmërisë poetike të autorit, që gjeti rastin të shprehej në qytetin e Sarandës.
2.Metaforat janë të pranishme në çdo poezi të ciklit, dhe shërbejnë si mjete për të shprehur përjetimet e poetit në mënyrë të ndërlikuar dhe të ndjeshme. Në poezinë “Siç shihet nga Lëkurësi,” metafora e "gjerdanit të artë" që i lidhet detit krijon një imazh të fuqishëm: “dhe gjerdani i artë po i lidhet me shpejtës/përhumbjes, prej pijes.”k u, poeti përshfaq detin në mënyrë metaforike, duke i lidhur elementet natyrore me idenë e përhumbjes në bukurinë dhe ndjeshmërinë e tij për të përjetuar natyrën si frymëzim të pavdekshëm.
3.Poezitë janë të pasura me personifikime, që u japin natyrës dhe elementëve të saj tipare njerëzore, duke e sjellë atë më afër ndjenjave të poetit. Në poezinë “Vendin e fronit,” natyra merr një jetë të vetën:“Në Sarandë, nën shi, ka gjithnjë diell,/pasi i soset durimi Jonit.”duke krijuar njuë kontrast midis shiut dhe diellit, duke përdorur këtë imazh për të shprehur ndjenjën e durimit të natyrës dhe kthimit të bukurive pas ndonjë kohe të keqe. Shprehja “ i soset durimi Jonit”nënkupton që Joni, det edhe pse i qetë dhe i durueshëm në mot të keq në gjirin e Sarandës, më në fund arrin një pikë dhe durimi i soset dhe kthen prapë diellin, duke larguar retë. Poeti përdor personifikim duke i dhënë detit cilësi njerëzore. Pra, këtu, natyra shfaqet si qenie me vullnet të lirë dhe durim, e cila përfaqëson qëndrueshmërinë dhe fuqinë që poetit i frymëzon Saranda.
4. Imazhet që Terziu krijon e mbushin poezinë me atmosferë të gjallë e të prekshme, duke sjellë para syve të lexuesit një Sarandë të ndritshme, plot ngjyra e detaje. Kështu, në poezinë “Fraksion kohe,” përdorimi i imazheve krijon ndjesinë e lëvizjes së përhershme: “Guaska del/me një të katërtën e shpejtësisë së dritës.” Ky imazh afron një përvojë të ndjeshme të kohës dhe hapësirës, duke theksuar se si poetika e tij është e mbështetur mbi vëzhgimin e detajeve të vogla që përcjellin delikatesën dhe fragilitetin e bukurisë natyrore.
5. Përmes këtyre figurave artistike, Terziu krijon një përshkrim të ndjeshëm të bukurisë së natyrës së Sarandës, një bukuri që është e brishtë dhe e ndjeshme ndaj ndryshimeve të jashtme. Vargjet e tij shpesh ofrojnë ndjenja kalimtare, sikur bukuria e natyrës është e kërcënuar nga ndryshimi e koha, siç shihet në poezinë “Fraksion kohe”:“Koha nuk pret pa të puthur sikurse e sheh:/Dashuritë lindin Jonit prore.” Këtu, koha dhe dashuria janë të lidhura ngushtë me fragilitetin e bukurisë, ku përjetimi i natyrës së Sarandës mbetet gjithnjë i përkohshëm dhe i çmuar, ashtu si bukuria e një vajze e cila duhet puthur sa është e re.
Comments