Nga Timo Mërkuri
Qysh në leximin e titullit të poezisë “Paridi nuk e ka puthur Helenën” dhe “Muret e Trojës” shohim se Niko Kacalidha lundron nëpër temat homerike për të dalur në kepin e ideve të tij të poezisë moderne. Që Kacalidha është i dashuruar me epin homrik dhe heronjtë e tij, kjo nuk është as e re dhe as e panjohur edhe pse kemi folur dhe te libri “Blatime poetike të Niko Kacalidhës” (Onufri 2023). Në fakt Kacalidha nuk është i vetmi poet që fton në veprat e tij heronjtë dhe botën homerike, këtë e ka bërë më parë Virgjili me “Eneidën”, Varnalis me “Ditari i Penelopës”, James Joys “Iliksi” (1922), Kazanzaqis me poemën “Odisea: Një vazhdues modern” (1938), Kristina Ëolf: “Kasandra”(1938),Derek Ëalcot “Homeri” (1990), për të ardhur te Kadare me Laokonti, Përbindëshi etj. Arsyeja pse shumë shkrimtarë dhe poetë marrin tema dhe heronj homerike për veprat e tyre lidhet sa me pasurinë e materialit burimor, aq dheme ndikimin e vazhdue-shëm të Homerit në kulturën dhe letërsinë perëndimore, që të analizuara më vete renditen në: 1.Universaliteti dhe përhershmëria e temave, si konflikti, heroi, udhëtimi, dashuria, hakmarrja që rezonojnë me përvojat njerëzore në gjithë kohërat pse aty gjendet pasqyrim i vetë natyrës njerëzore, gjë që i bën ato të rëndësishme e të përhershme.2.Kompleksiteti i karaktereve njerëzore, pse heronjtë homerikë si Akili, Odiseu, dhe Hektori janë karaktere komplekse me motivime të ndërlikuara dhe përvoja të ndryshme emocionale dhe ofrojnë pasuri materialesh për eksplorim letrar dhe zhvillim të mëtejshëm, duke i lejuar autorët të krijojnë vepra sa të thelluara aq dhe të nuancuara. 3. Struktura e njohur e miteve homerike për shumë lexues, e cila krijon lidhje dhe bazë të përbashkët reference. Kjo njohje lejon autorët të luajnë me pritjet e lexuesve, të riinterpreto-jnë dhe të rishkruajnë mitet në mënyra të reja dhe interesante. 4. Pasuria simbolike e miteve homerike si kali i Trojës, sirenat, dhe pëlhura e Penelopës etj. janë simbole që mund të përdoren për të trajtuar tema moderne dhe për të krijuar lidhje të reja mes mitit dhe realitetit bashkëkohor. 5. Duke përdorur mitet homerike, autorët kanë mundësinë të eksplorojnë çështje të ndjeshme në një kornizë të njohur letrare. Kjo liri u jep hapësirë për të eksperimentuar me forma dhe stile të reja, duke sjellë në jetë interpretime dhe perspektiva unike. 6. Mitet homerike kanë ndikim të madh në kulturën perëndimore dhe letërsinë botërore. Duke u angazhuar me këto mite, autorët hyjnë në një dialog me traditën letrare dhe kulturore, duke kontribuar në zhvillimin dhe vazhdimësinë e saj. 7.Shumë autorë përdorin mitet homerike për të krijuar paralele me situatat historike dhe sociale bashkëkohore. Lufta e Trojës, për shembull, mund të shërbejë si një metaforë për konflikte moderne, duke ofruar një kornizë për të eksploruar çështje si lufta, politika, dhe morali etj. Këto janë disa nga arsyet madhore (krahas arsyeve dhe kulturës familjare) që në poezinë e Niko Kacalidhës i gjen gati të gjithë heronjtë homerikë, thua se ai vetë i ka ftuar në krijimtarinë e tij si rëndom fton miqtë për darkë në shtëpi. Ky është një ndër novatorizmat e Niko Kacaklidhës që e rendit atë ndër poetët e mëdhenj bashkëkohorë.
I-Poezitë"Me siguri Paridi s’e ka puthur" dhe "Muret e Trojës" të Niko Kacalidhës përdorin që të dy mitin homerik të Helenës së Trojës, bashkë me figura artistike me origjinë te ky mit, veçse në aspekte të ndryshme të tij. Si të tilla këto dy poezi kanë elemente të përbashkëta, ashtu si degët e një pemë kanë një trung dhe rrënjë të përbashkëta, ndonëse degët e tyre shtrihën në drejtime të ndryshme. Në këtë aspekt, cilësojmë si elementët e përbashkët të dy poezive:
1.Të dyja poezitë temën dhe subjektin e kanë marrë nga miti homerik i Trojës dhe Helenës , mit që është i pranishme dhe me personazhe të tjera si Paridi, Menelau dhe Odisea.
2. Poeti përdor pafajësisht një tis të hollë ironie te këto poezzi për të vënë në dukje absurditetin e situatave historike dhe mitologjike. Në poezinë: "Me siguri Paridi s’e ka puthur", ironia qëndron te fakti se: lufta e nisur si pasojë e dashuri-së (rrëmbimit) të Helenës dhe Paridit dhe gjaku i derdhur kanë ndodhur pa u dhënë një puthje të vetme mes dy të dashuruarve, rrëmbimi i të cilëve shkaktoi luftën, gjë që pohoet te vargu: “Me siguri Paridi s’e ka puthur Helenën”. Ndërkohë te poezia "Muret e Trojës", ironia qëndron në faktin se bukuria e Helenës, e cila ishte shkaku kryesor i luftës, mund të ishte njëkohësisht mjeti i forte dhe ndoshta i vetmi për të shmangur luftën dhe vdekjet, me kushtin që muret e kështjellës trojane të mos ishin të larta: “Atëherë gjysma e danajve, ushtarë mustaqedirsur/do të flaknin në Skamandër heshtat dhe mburojat /nga vezullimi i syve dhe verbimi i gjinjve.”
3.Figurat artistike që përdor poeti, ku mbizotërojnë metafora dhe simbolika shfaqin situatat dhe personazhet. Psh muret e Trojës simbolizojnë barrierat e padukshme të bukurisë dhe luftës. Po ashtu, pamjet vizuale të mureve, zjarreve, dhe vezullimi i syve të Helenës janë të pranishme në të dyja poezitë, duke krijuar imazhe të gjalla në mendjen e lexuesit.
4.Të dy poezitë janë shkruar në një stil të lartë modern, me gjuhë të pasur e të figurshme, duke shfrytëzuar një ton reflektues dhe filozofik për të theksuar mesazhin e tyre.
Si dy poezi të ndryshme, shkruar në kohë të ndryshme ato kanë dhe elementë specifikë që i dajnë dhe dallojnë nga njera tjetra.
1. Së pari këto dy poezi kanë qasje dhe perspektiva të ndryshme. Poezia "Me siguri Paridi s’e ka puthur" fokusohet në aspektin emocional e personal të mitit dhe sugjeron se realizimi i një puthjeje të vetme mund të kishte ndryshuar fatin e luftës: “Se po ta kishte puthur do të zbuteshin dhe detet”. Është ky një reflektim mbi dashurinë dhe fuqinë e saj potenciale për të zbutur konflikte.
-Poezia:"Muret e Trojës" fokusohet më shumë në aspektin vizual dhe strukturor të luftës, duke imagjinuar një skenar ku muret e Trojës do të ishin më të ulëta dhe bukuria e Helenës do të ishte e dukshme për të gjithë, duke çuar në një paqe të mënjëherëshme në vend të luftës. “Duhej, patjetër që të shihej prej të gjithëve Helena /Dhe kishit për ta parë s’do të vriste bukuria”. Pra shihet se kjo poezi ka një ton më shumë strategjik dhe spekulativ. Poeti përdor simbolikën e mureve të larta të Trojës për të komunikuar mesazhe mbi ndarjen midis njerëzve. Poezia sugjeron se ndërtimi i mundshsëm i mureve të Trojës më të ulëta (ndoshta mos ndërtimi fare i mureve) dhe shfaqja (nëpër ato) e bukurisë së Helenës do kishte bërë që lufta të mos niste fare e jo më të vazhdonte aq shumë vjet. Në këtë kontekst, muret nuk janë thjeshtë struktura fizike, por janë barrierat sociale, kulturore dhe emocionale që ndajnë njerëzit. Kjo ide mbështetet nga imazhet e poetit, si ushtarët që hedhin armët e tyre në lumë nga "vezullimi i syve dhe verbimi i gjinjve" të Helenës, dhe ideja se Skamandri do të kishte më pak kufoma, duke sugjeruar që bukuria dhe përmbajtja njerëzore e Helenës mund të kishte ndalur luftën dhe do shpëtonte jetë njerëzisht, duke sjellë paqe dhe harmoni, sugjerim që na sjell ndërmend frazën e famëshme se: “… bukuria do ta shpëtojë botën” (F. Dostojevski “Idioti”). Poeti as që e pranon variantin mitolo-gjike sipas së cilës Helena rrinte e fshehur në një ishull larg Trojës, ai e përdor atë për të treguar forcën e bukurisë.
2. Helena te poezia:"Me siguri Paridi s’e ka puthur" është një figurë pasive, një subjekt i dëshiruar që ndoshta nuk ka përjetuar kurrë një moment të vërtetë dashurie me Paridin, hamendësim që shprehet qysh te vargu i parë i poezisë “Me siguri Paridi s’e ka puthur…”, ndërsa te poezia: "Muret e Trojës", ajo është një figurë aktive, bukuria e së cilës mund të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në ngjarjet e luftës, qoftë dhe vetëm nëse do të kishte qenë e dukshme në bedena.
3.Ka një varg poezia “Me siguri Paridi s’e ka puthur” që kërkon vëmëndje dhe është pikërisht vargu: “E ku të linte Menelau që e ndoqi pas mes zjarreve detare?”.Duke njohur historinë e luftërave të herëshme dhe mesjetare kemi parë se shpesh këto përfundonin edhe me një krushqi mes prijësve të palëve ndërluftuese ose fëmijëve të tyre. Kjo na sjell ndërmend edhte traditën zakonore të shuarjes së hasmërive me martesë mes fëmijëve të familjeve në gjak, por në këtë rast kemi një veçori: Paridi nuk dashuroi dhe rrëmbeu vajzën e Menelaut që ata të pajtoheshin me martesën e të rinjve të rrëmbyer, Paridi rrëmbeu gruan e Menelaut, duke i dhënë me këtë veprim një shpullë publike turpërimi të përjetshëm që ai i dha mbretit të Spartës. Edhe vdekja është pak për tu pajtuar. Ndërkohë vargu tjetër: “E ku të linte Odiseu që me vite priste brenda kalit?” na tregon indirect se nuk ishte fare fjala për një grua të rrëmbyer, lufta kishte të tjera arsye përderisa ishin përfshirë edhe perënditë:” E Poseidoni që me fushnjë i tërbonte detet?”.
4.Koha e krijimit të dy poezive është e ndryshëm, poezia: "Me siguri Paridi s’e ka puthur" është shkruar më Sarandë, më 2. 4. 2003, ndërsa "Muret e Trojës", më 2006, distancë kohore që ka ndikuar në perceptimin poetik të saj.
II-Thamë më sipër që në poezitë "Me siguri Paridi s’e ka puthur" dhe "Muret e Trojës" të Kacalidhës, ka disa figura artistike që shfaqin afërinë dhe distancimin mes poezive duke lozur herë rolin e cimave që tërheqin dy anie mes tyre dhe herë rolin e shtyllave të drunjta që, të vendosura horizontalisht mes tyre, i mbanë aniet larg njera tjetrës. Lë ti shohim konkretisht këta shembuj figurash artistike që shfaqin afërinë dhe distancimin e dy poezive. Te figurat artistike që shfaqin afërinë theksojmë:
1. Ironinë, ku te të dy poezitë përdoret për të venë në pah absurditetin e luftës dhe konkretisht, te poezia:"Me siguri Paridi s’e ka puthur", te vargu:” Gjithë ai gjak i derdhur kot, pa asnjë puthje!”, ndërsa te poezia "Muret e Trojës" te vargjet :”Atëherë gjysma e danajve, ushtarë mustaqedirsur/do të flaknin në Skamandër heshtat dhe mburojat / nga vezullimi i syve dhe verbimi i gjinjve”.
2. Përshkrimet vizuale janë të pranishme në të dy poezitë për të krijuar imazhe të gjalla në mendjen e lexuesit. Kështu, te poezia:"Me siguri Paridi s’e ka puthur", te vargjet: “E ku të linte Menelau që e ndoqi pas mes zjarreve detare?”, “E ku të linte Odiseu që me vite priste brenda kalit? /E Poseidoni që me fushnjë i tërbonte detet?”jepen imazhe në lëvizje të personave historikë, ndërsa te poezia: "Muret e Trojës", vargjet:”Atëherë do të shihnit zjarret e vegimeve në muret/brezin e trëndafiltë të Helenës, kurorat e ushtrive”, ku "Zjarret e vegimeve" është një metaforë që lidh konceptin e zjarreve me vegimet, duke krijuar një imazh të fuqishëm dhe të gjallë. Zjarret këtu simbolizojnë intensitetin dhe pasionin e vegimeve, ndoshta edhe përjetimet e fuqishme emocionale dhe vizionet që ndodhin brenda mendjes apo kujtesës. Zjarret në këtë kontekst mund të simbolizojnë ndjenjat dhe kujtimet që digjen brenda individit. Muret simbolizojnë barrierat fizike ose emocionale që ndajnë njerëzit nga përvojat e tyre të brendshmeapo nga njeri tjetri. Vegimet që shfaqen si zjarre mund të interpretohen si një personifikim i mendimeve apo kujtimeve që marrin formë dhe energji të gjallë, duke u bërë të prekshme dhe të dukshme. Pra shohim se densiteti artistik, ndonëse i lartë në të dy poezitë, është i ndryshëm nga njëra poezi të tjetra.
3.Po kështu përdorimi i metaforës dhe simbolikës për të shpjeguar ngjarjet dhe personazhet në një mënyrë më të thellë, psh. te poezia:"Me siguri Paridi s’e ka puthur" përdoret vargu: ” Se po ta kishte puthur do të zbuteshin dhe detet”, në kohën që te: "Muret e Trojës" përdoret vargu: “E në të kundërtin drejtim Skamandri do të rridhte me më pak kufoma” ku të dy vargjet shpjegojnë ngjarjet e mundëshme po të ishte realizuar synimi, puthja dhe ndërtimi i mureve më të ulëta.
Për rastin kur figurat artistike shfaqin distancimin e poezive në aspekte të ndryshme, shohim konkretisht:
1. Perspektiva e përdorur në secilën poezi është e ndryshme; te poezia "Me siguri Paridi s’e ka puthur" perspektiva është më emocionale:” Se po ta kishte puthur do të zbuteshin dhe detet” ndërkohë që te poezia "Muret e Trojës" është strategjike, gjë që shprehet te vargu: “Po t’i ndërtoja unë, me doemos që s’do t’i bëja kaq të lartë”.
2. Roli i Helenës është i ndryshëm në dy poezitë, kështu te poezia e parë ajo është një figurë pasive, ndërsa shfaqet si një figurë aktive në poezinë "Muret e Trojës" .
3.Si pasojë e këtij roli edhe shqyrtimi i pasojave është i ndryshëm, te poezia: "Me siguri Paridi s’e ka puthur", shqyrtimi i pasojave është kryesisht mbi emocionet njerëzore:“Gjithë ai gjak i derdhur kot, pa asnjë puthje!” ndërkohë që në poezinë e dytë është mbi rezultatet praktike të luftës: “E në të kundërtin drejtim Skamandri do të rridhte me më pak kufoma”.
III- Poeti Niko Kacalidha ja ka arritur qëllimit për të zgjeruar në hapësirë e kohë frymëmarrjen e poezive duke shfrytëzuar eposin Homerik. Ai i përdor mjeshtë-risht elementët dhe personazhet e epikës homerike për të krijuar një ndjenjë universaliteti dhe ndërlidhur mitin e lashtë me përjetimet e reflektimet bashkë-kohore. Ja se si ai e arrin këtë në poezitë "Me siguri Paridi s’e ka puthur" dhe "Muret e Trojës" nëpërmjet përdorimit të elementëve Homerikë.
1. Personazhet mitologjikë janë përdorur nga Kacalidha në të dyja poezitë si Paridi, Menelau, Odiseu dhe Helena, për të krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë me epikën dhe për të sjellë personazhet në një kontekst të ri dhe reflektues. Kështu psh te poezia e parë këtë e shohim te vargu: “E ku të linte Menelau që e ndoqi pas mes zjarreve detare?/ E ku të linte Odiseu që me vite priste brenda kalit? /E Poseidoni që me fushnjë i tërbonte detet?”, ndërsa te poezia "Muret e Trojës" shihet te vargu:” Medoemos që Odiseu më të pakët do t’i kishte ushtarët për barkun e kalit”.
2. Motivet dhe temat e përjetshme si temat e dashurisë, luftës, dhe fatit janë të pranishme në të dyja poezitë, duke sjellë përpara motivet universale të epikave homerike. Kjo ndihmon në krijimin e një ndjenje të përhershme e të përgjithshme që kalon kufijtë e kohës dhe hapësirës. Kështu te poezia "Me siguri Paridi s’e ka puthur" këto shfaqen te vargu: “Gjithë ai gjak i derdhur kot, pa asnjë puthje!“, ndërsa te "Muret e Trojës” te vargu:” E në të kundërtin drejtim Skamandri do të rridhte me më pak kufoma.”
3. Këtij synimi të poetit i shërben edhe përdorimi i ironisë për të reflektuar mbi absurditetin e luftës dhe pasojat e veprimeve të njeriut, një tjetër element që lidh këto poezi moderne me epikën homerike. Kacalidha përdor këtë stil për të krijuar një dialog midis të kaluarës dhe të tashmes, psh te vargu:”Se po ta kishte puthur do të zbuteshin dhe detet”shfaqet ironia e poetit, ndërkohë që vargu i poezisë "Muret e Trojës":”Po t’i ndërtoja unë, me doemos që s’do t’i bëja kaq të lartë”, veçse ironisë dhe tonit personal, që e bën të qartë dhe të prekshëm për lexuesin, në krijimin e një lidhjeje emocionale dhe intelektuale me atë. Megjithatë duke përdorur frazën: "po t’i ndërtoja unë" ai krijon një skenar hipotetik, që bën lexuesin të mendojë për mundësinë e ndryshimit të historisë dhe fatit nëse vendimet do të ishin marrë ndryshe. Ai përdor kontrastin midis ndërtimit të mureve "kaq të lartë" dhe idesë që ato nuk duhej të ishin ndërtuar kështu, kontrast që thekson dallimin midis asaj që është bërë dhe asaj që duhej të ishte bërë. Veç këtyre, duke përdorur termin "unë", poeti e personifikon veten si ndërtues të mureve, duke marrë përgjegjësinë dhe duke e shndërruar veten në një subjekt të aftë për të ndikuar në fatin e Trojës. Kjo i jep një ndjenjë të fuqishme të vetëdijes dhe reflektimit personal.
4-Poezia është zgjeruar në kohë dhe hapësirë, duke reflektuar historinë nëpërmjet përdorimit të mitologjisë. Kacalidha arrin të krijojë një ndjenjë vazhdimësie historike dhe të lidhë ngjarjet e lashta me shqetësimet dhe ndjenjat moderne, duke u dhënë poezive një ndjenjë të përjetëshme dhe universale, gjë që shfaqet te vargu: “ Gjithë ai gjak i derdhur kot, pa asnjë puthje!” te poezia e parë, ndërsa te poezia "Muret e Trojës" e shohim te vargu:”Duhej, patjetër që të gjithë ta shihnin Helenën”. Po ashtu poezitë e Kacalidhës nuk janë thjesht përshkrime të ngjarjeve të kaluara, por janë reflektime mbi natyrën njerëzore, emocionet dhe konfliktet, të cilat janë të përhershme dhe universale, duke u dhënë poezive një dimension të zgjeruar në kohë dhe hapësirë. Qoftë vargu: “Me siguri Helenën s’e ka puthur” qoftë dhe vargu tjetër:” Dhe kishit për ta parë s’do të vriste bukuria.” tingëllojnë tepër aktualë, në kohë dhe hapësirë.
IV- Në eposin Homerik si dhe në poezinë "Me siguri Paridi s’e ka puthur", roli i pleqve të Trojës është i shumëfishtë dhe simbolik, duke pasqyruar aspekte pozitive dhe negative në kontekstin e poemës. Është i njohur pohimi i kritikës botrore se gjetja e pleqve nga Homeri për të dëshmuar bukurinë e Helenës është një gjetje brilante, por ata nuk janë aq “paqësorë” dhe “të urtë” në vrojtimin e bukurisë dhe dashurisë së Helenës me Paridin pasi, si “pleq”, jo thjeshtë në kuptimin e moshës ata përfaqësojnë mbikëqyrjen, moralin kolektiv dhe ndikimin e traditës në ngjarjet dhe veprimet individuale. Kështu që portreti i tyre kolektiv duhet parë në dy asspekte dhe konkretisht:
1.Në aspektin pozitiv, portretin e tyre e shohim te roli i tyre si: a) dëshmues i bukurisë së Helenës, por edhe mbikqyrës dhe mbrojtës i moralit të qytetit, duke u shfaqur si simbol i urtësisë dhe përvojës së një jete, gjë që shprehet te vargu: “E ku të linin pleqtë e Trojës”. b)- Te roli i tyre si ruajtës të traditës dhe cultures, duke përgjuar bukurinë e Helenës, ata tregojnë respekt për bukurinë dhe ndikimin që ajo ka në kulturën e tyre. Në fakt ky rol i tyre shihet si i rëndësishëm për të ruajtur ndjenjën e identitetit kolektiv dhe vlerave tradicionale në qytet.
2. Ky portret kolektiv ka dhe aspektin negativ
Pleqtë e Trojës ushtrojnë rolin e kontrollit në mbrojtje të nderit dhe moralit , simbolizojnë kontrollin e tepërt në përgjimin e bukurisë dhe ndërhyrjen në jetën personale të dy dashnorëve:”… pleqtë e Trojës që përgjonin bukurinë /nga muret?” Pra ata“përgjonin” nuk sodisnin paqësisht bukurinë e Helenës dhe ky “përgjim” i tyre është një veprim kufizues ndaj lirisë personale dhe zhvillimit të marrëdhënieve të natyrshme të çiftit, por poeti, ashtu si Homeri e le të nënkupto-het llogjikisht kjo, ndërkohë që vargjet mbartin edhe një dozë humori, që vetë tema ja imponon kur shkruan: “E ku të linin pleqtë e Trojës që përgjonin bukurinë nga muret?”.
-Pleqtë gjithashtu përfaqësojnë një frymë gjykimi dhe mosbesimi ndaj të rinjve dhe marrëdhënieve të tyre pse duke përgjuar dhe kontrolluar, ata demonstrojnë mungesë besimi në aftësinë e individëve për të marrë vendime të drejta për veten e tyre, veeprim që realisht krijon një atmosferë të tensionuar, ku të rinjtë ndihen të mbikqyrur dhe të kufizuar.
E rëndësishme është të kuptojmë se ky dualitet i portretit kolektiv të pleqve trojanë i dhënë me finesë nga poeti ndihmon në thellimin e temave të poezisë dhe shton një dimension të pasur në interpretimin e veprimeve dhe pasojave të tyre.
V- Kemi theksuar se këto dy poezi të Niko Kacalidhës janë poezi moderniste dhe kanë qasje me rryma të caktuara të poezisë moderne, bazuar në stilet dhe teknikat e përdorura në secilën prej tyre. Kështu poezia "Me siguri Paridi s’e ka puthur" ka qasje me rrymën e ekspresionizmit, i cili shpesh përqendrohet në shprehjen e ndjenjave dhe përvojave subjektive, në mënyrë dramatike dhe të fuqishme. Në qoftë se do shohim vargun: Se po ta kishte puthur do të zbuteshin dhe detet”, ai pasqyron ndjenja të fuqishme dhe dramatike, një karakteristikë kyçe e ekspresionizmit, duke treguar fuqinë e madhe të një veprimi të thjeshtë si psh.një puthje dhe ndikimin e tij në natyrën dhe ngjarjet e mëdha.
Poezia "Muret e Trojës" lidhet më shumë me nënrrymën moderne të imazhizmit, i cili përqendrohet në përdorimin e imazheve të qarta e të gjalla për të shprehur mendime dhe ndjenja. Kjo poezi përdor përshkrime vizuale për të sjellë te ne skenat e Trojës dhe bukurinë e Helenës, gjë që është e dukëshme te vargjet: “Atëherë do të shihnit zjarret e vegimeve në mure, / brezin e trëndafiltë të Helenës, kurorat e ushtrive” ku dallohen imazhet e qarta dhe të gjalla, një teknikë tipike e imazhizmit, i cili në vetvete synon të përdorë gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpër-drejtë që shmang zbukurimet dhe stilizimet e tepruara, gjë që duket te vargu: “Po t’i ndërtoja unë, me doemos që s’do t’i bëja kaq të lartë”.
VI- Nga vetë qasja me mitologjinë këto dy poezi të Kacalidhës "Me siguri Paridi s’e ka puthur" dhe "Muret e Trojës"mbartin aspektin filozofik, i cili shfaqet në mendimet e thella mbi natyrën njerëzore, fatin, luftën dhe bukurinë, të cilat janë përjetuar përmes prizmit të mitologjisë homerike. Të dyja poezitë trajtojnë temat universale në një mënyrë që ngre pyetje filozofike mbi kuptimin e jetës dhe ndikimin e veprimeve individuale në historinë e përbashkët.
Poezia "Me siguri Paridi s’e ka puthur" eksploron një moment hipotetik në mito-logjinë homerike dhe reflekton mbi pasojat e mundshme të tij. Duke imagjinuar se Paridi nuk e ka puthur Helenën, poeti ngre pyetje mbi ndikimin e dashurisë dhe veprimeve personale në ngjarjet e mëdha historike. Te vargjet:
“E ku të linin pleqtë e Trojës që përgjonin bukurinë nga muret?
E ku të linte Menelau që e ndoqi pas mes zjarreve detare?”
poeti shqyrton ndërhyrjen e forcave të jashtme (pleqtë e Trojës, Menelau, Odiseu) në çështjet personale, duke sugjeruar se liria personale shpesh është e kufizuar nga rrethanat dhe aktorët e tjerë në lojë.
Gjithë ai gjak i derdhur kot, pa asnjë puthje!
Se po ta kishte puthur do të zbuteshin dhe detet.
janë vargje që ngrejnë pyetje mbi absurditetin e luftës dhe ndikimin e veprimeve të vogla njerëzore (si një puthje) në kursin e historisë, duke sugjeruar se dashuria dhe ndjenjat personale mund të kenë një fuqi të madhe në përballjen me fatin dhe konfliktet.
Te poezia "Muret e Trojës" autori përdor një qasje reflektuese për të shqyrtuar se si mund të kishin ndryshuar gjërat nëse muret e Trojës do të ishin ndërtuar ndryshe, duke sjellë një analizë mbi rolin e zgjedhjeve dhe veprimeve njerëzore në formimin e histories, që shprehet te vargjet:
Po t’i ndërtoja unë, me doemos që s’do t’i bëja kaq të lartë.
Duhej, patjetër që të gjithë ta shihnin Helenën.
ku poeti në dukje sugjeron se vendimet e veçanta dhe arkitektura e ndërtimit mund të kenë ndikim të madh në fatin e një qyteti dhe të njerëzve që e banojnë atë, ku në thelb Kacalidha shprehet që (akejtë sulmues) duhej ta shihnin patjetër bukurinë, ndoshta jo vetëm bukurinë e Helenës por dhe bukurinë e Trojës, pse:
Atëherë gjysma e danajve, ushtarë mustaqedirsur
do të flaknin në Skamandër heshtat dhe mburojat
nga vezullimi i syve dhe verbimi i gjinjve.
Këto aspekte filozofike e bëjnë poezinë e Niko Kacalidhës medituese, duke ngritur pyetje universale mbi natyrën njerëzore dhe ndikimin e veprimeve tona në fatin dhe historinë e përbashkët.
Sarandë, më korrik 2024
Me siguri Paridi s’e ka puthur
Me siguri Paridi s’e ka puthur…
E ku të linin pleqtë e Trojës që përgjonin bukurinë
nga muret?
E ku të linte Menelau që e ndoqi pas mes zjarreve
detare?
E ku të linte Odiseu që me vite priste brenda kalit?
E Poseidoni që me fushnjë i tërbonte detet?
Po ku të gjente një minutë Paridi për ta puthur?
Gjithë gjullurdia e Trojës, pa një puthje!
Gjithë ai gjak i derdhur kot, pa asnjë puthje!
Se po ta kishte puthur do të zbuteshin dhe detet.
Me siguri Helenën s’e ka puthur…
Sarandë, më 2. 4. 2003
“Heraldiket e bores” Onufri 2022 Tirane. f.361
Muret e Trojës
Po t’i ndërtoja unë, me doemos që s’do t’i bëja
kaq të lartë.
Duhej, patjetër që të gjithë ta shihnin Helenën.
Atëherë gjysma e danajve, ushtarë mustaqedirsur
do të flaknin në Skamandër heshtat dhe mburojat
nga vezullimi i syve dhe verbimi i gjinjve.
E në të kundërtin drejtim Skamandri do të rridhte
me më pak kufoma.
Atëherë do të shihnit zjarret e vegimeve në mure,
brezin e trëndafiltë të Helenës, kurorat e ushtrive.
Medoemos që Odiseu më të pakët do t’i kishte
ushtarët për barkun e kalit.
Këto mure, po t’i bëja unë medoemos që s’do të qenë
kaq të lartë.
Duhej, patjetër që të shihej prej të gjithëve Helena.
Dhe kishit për ta parë s’do të vriste bukuria
“Heraldiket e bores” Onufri 2022 Tirane f.332
Comentarios