
Cikli poetik i ofruar nga Fatmir Terziu përfaqëson një reflektim të thellë mbi tensionet e modernitetit dhe absurditetin e jetës bashkëkohore. Poezitë ndërlidhin një gjuhë të pasur me ironi dhe një ndjeshmëri filozofike, duke ofruar një kritikë të mprehtë ndaj shoqërisë dhe individit, shkas është ( besoj) stanjacion i tejzgjatur i shoqërisë shqiptare dhe raporti me BE.
1.Poezia “Po rritemi trend” kritikon një shoqëri që rritet në sipërfaqësi, ku zbrazëtia intelektuale dhe formaliteti zëvendësojnë njohuritë intelektuale dhe angazhimin konkret të të rinjve në jetën aktive në vend. Përdorimi i figurave si baluket dhe zërat përfaqëson një zhvillim sipërfaqësor, produkt i natyrës dhe jo i intelektit aq të domosdoshëm:
"Na u zgjatën baluket duke kaluar vendin.
Zërat na janë bërë si bistakë që modelojnë kokën e zbathur."
Poeti Fatmir Terziu, si shumica e intelektualëve vizionarë shqiptarë shpreh ironinë e kësaj rritjeje duke përmendur “duartrokitjet” ndaj një “teatri pompoz,” një metaforë për pranimin e pa menduar të banalitetit: "Ne duartrokasim lojën e këtij teatri pompoz,
nga e hëna në të premten, pas çdo të shtune."
Aty përmendet një "hije" që bie rëndë dhe përmbys individin, duke simbolizuar barrën e dhimbjeve të mbartura ndër vite: "Hija na bie tmerrësisht, e mbipopulluar, na përmbys befas
mbi atë dhimbje të vjetër."
2. Poezia “Kush na kupton" eksploron një ndarje të thellë midis individit dhe shoqërisë, ku komunikimi humbet përballë konsumizmit dhe shkarjes drejt materializmit: "Po fryjmë paprekshmërinë e rezervës,
bojën e mjaftueshme të shkruajmë një lajmërim."
Këtu figura e “këpucëve” dhe ikjes është një metaforë e fuqishme për largimin nga vendi dhe vlerat dhe kërkimin e kuptimeve të reja në botën globale: "Kush na kupton,
kur blejmë këpucët, e ia mbathim nëpër Botë." Në fakt kjo ja mbathin nëpër botë është një ironi më shumë se therëse që të dhemb në çdo gërmë. Ikja nuk është përparim dhe zhvillim i vendit, pavarësisht poziviteteve të tjera pjesore që mbart.
Poezia shfaq një shoqëri ku triumfi duket se zëvendëson të vërtetën, duke ironizuar sipërfaqshmërinë e gjykimit dhe qëllimeve njerëzore.
3. Te poezis“Galeria e stomakut” një buzëqeshje na ravijëzohet në fytyrë shkaktuar nga titulli, ndonëse në thelb
poezia trajton absurditetin e ekzistencës urbane dhe ndarjen e individit nga koha dhe hapësira. Ajo nis me një panje të përditshmërisë:
"Mëngjes Elbasan. Mund të ishte dhe gjithkund.
Mund të ishte në Tiranë. Mund të ishte anembanë."
Momenti kur autori përballet me “kohën që pyet” është një reflektim mbi ekzistencën e pasigurt dhe efemeritetin e përvojave njerëzore:
"Sa e denjë është vetë ajo, pra koha që një përqafim të zgjasë
dhe ajo që e shtrin atë në kohë, për hir të së mirës."
Figura e “galerisë së stomakut” shfaq një ndjesi të brendshme tronditëse, ku absurditeti dhe zbrazëtia janë të pranishme:
"Galeria e stomakut, një perceptim i rrugës për në (jashtë)ikje,
një errësirë që nuk është parë nga dielli."
Sigurisht pyetja e parë që bëjmë është : cilat janë veçantitë e këtyre poezive në raport me poezinë shqipe
1. Ironia dhe absurditet është veçoria e parë ebkëtyre poezive jo vetëm në raport me poezinë shqipe por dhe me krijimtarinë e poetit në tërësi. Te këto poezi specifikisht, Fatmir Terziu përdor një ton ironik për të zhbiruar absurditetin e realitetit modern, një qasje që e dallon nga poetët tradicionalë ( realistë, romantikë e klasikë) shqiptarë, të cilët shpesh e theksojnë heroizmin dhe sakrificën.
2. Poezitë e ciklit sjellin një atmosferë urbane dhe globale, duke reflektuar jetën në qytete të mbingarkuara nga rutina dhe konsumizmi, një temë pak e trajtuar në poezinë shqipe.
3. Këto janë poezi që i përkasin modernizmit. Me metafora si “hija që përmbys,” dhe “galeria e stomakut,” poezitë ndërthurin ekzistencializmin dhe modernizmin, duke ndërtuar një univers poetik që kritikon jetën e zbrazët dhe të atomizuar.
Me këtë cikël veçanërisht, Fatmir Terziu sjell një zë të freskët dhe kritik në poezinë shqipe, duke na kujtuar absurditetin dhe kompleksitetin e jetës moderne me një gjuhë që ndërthur artin, filozofinë dhe ironinë.
Sigurisht, Fatmir Terziu një poet modernist shqiptar, duke trajtuar këto tema nuk dëshiron një kthim prapa, por synon të evidentojë boshllëqet, absurditetet dhe kontradiktat e botës moderne, duke kërkuar një vetëdijesim dhe një transformim të ndërgjegjshëm të shoqërisë shqiptare dhe kryesisht të brezit të ri i cili ka mangësi njohjeje të së kaluarës dhe nuk është në gjëndje të bëjë krahasimin real me të djeshmen moniste. Përmes vargjeve të tij, ai nuk ofron nostalgji për të kaluarën, por një reflektim kritik ndaj drejtimit që ka marrë zhvillimi bashkëkohor. Në këtë mënyrë, poeti jo vetëm që fton lexuesin të njohë të metat e realitetit, por gjithashtu të kërkojë një formë më të pasur dhe kuptimplotë të ekzistencës.
Mendoj se kjo është mënyra më e efektshme e leximit të këtij cikli poezish moderne që vjen ndryshe në letërsinë bashkëkohore shqipe.
1. Po rritemi trend
Nga Fatmir Terziu
Na u zgjatën baluket duke kaluar vendin. Zërat
na janë bërë si bistakë që modelojnë kokën e zbathur
po rritemi bashkë me nënkuptimet e intelegjentizmit,
mezi e kuptojmë hiperbolën sipas së cilës,
atje lart janë thjesht yje me fat,
dhe turneu i tyre në tokë është bërë prej kohësh një vend pune,
ne duartrokasim lojën e këtij teatri pompoz,
nga e hëna në të premten, pas çdo të shtune,
gishti i qiellit humbet përgjithmonë,
mezi e ndjejmë, pjerrtaz,
dhe hija na bie tmerrësisht,
e mbipopulluar, na përmbys befas
mbi atë dhimbje të vjetër:
Jo, mos fol me fjalë, ndërsa mendon për diçka tjetër.
2. Kush na kupton
Po fryjmë paprekshmërinë e rezervës,
bojën e mjaftueshme të shkruajmë një lajmërim,
(dhe shkrimi është ende katërfishi i letrës),
dhe vërtet nuk e di se çfarë do të thotë:
ndoshta një shenjë për triumf në vend të së vërtetës
ose një lajm me dekret të fortë,
kush na kupton,
kur blejmë këpucët, e ia mbathim nëpër Botë.
3. Galeria e stomakut
Mëngjes Elbasan. Mund të ishte dhe gjithkund.
Mund të ishte në Tiranë. Mund të ishte anembanë.
Pa e kuptuar,
unë kalova në godinën ndryshe të qytetit, mes njerëzve,
detyra e së cilës është të heqë pankartat elektorale nga pema,
me kujdes, një nga një.
Dhe momenti e solli të pyesja kohën që më solli
sa e denjë është vetë ajo, pra koha që një përqafim të zgjasë
dhe ajo që e shtrin atë në kohë, për hir të së mirës.
(E dini, ju trazoni stomakun e dikujt tjetër
dhe pas disa sekondash ju jeni përsëri në vend të lamtumirës.)
E pashë qiellin dhe i fola në heshtje, të hesht vetëm për pak kohë,
nga arsyeja pse zgjohem çdo natë, se nuk ka asnjë tronditje
ose urgjencë për të pikturuar ndryshe poshtë në tendosje fyelli,
galeria e stomakut, një perceptim i rrugës për në (jashtë)ikje,
një errësirë që nuk është parë nga dielli.
Comments