top of page

Timo Mërkuri: Analizë e poezisë së Ilirian Zhupa; FJALËT E MIA PËR TY


Analizë e poezisë së Ilirian Zhupa

FJALËT E MIA PËR TY

Gjithmonë ke qenë e fshehur në vargjet dhe fjalët e mia,

 siç fshihet uji në mugullimën e barit,

Siç fshihet gjethi dhe lulja nën lëvoren e rreshkur të pemës,

 njollë e zezë nën degët e mpira.

Flokët e tu me krela që më mbulonin fytyrën,

 kanë qenë dallgët e shkumëzuara të detit dhe ajrit,

Drita dhe errësira.


Krahët e shpendëve nuk fërfërijnë nëpër natë,

 s’i besojnë pamjeve të veshura nga heshtja dhe terri,

Me kokat e tulatura nën pupla, bëjnë gjumin e bukur

 të çlodhjes dhe lagen nga ëndrra të bardha ndijimi,

Gjersa të çmpikset agu, si një alkimi e fshehtë nga brufullon

 dita me linja dhe ngjyra ylberi,

Triumfi dhe flijimi.


Po unë nuk jam dita, e dashura ime, as nata.

 Ashtu siç nuk jam mëngjesi, mesdita dhe mbrëmja,

Unë jam një shtjellë e beftë dëshirash, midis klithmë

 dhe mekjes, midis zgjimit të beftë dhe gjumit,

Midis lëndës së gjallë dhe gjendjes, midis epshit të ndezur

 dhe stepjes, si midis jetës dhe vdekjes,

Diçka midis zjarrit dhe brumit.


Kështu janë dhe fjalët e mia që t’i nis përditë, si mesazhe

 që hidhen në det, mbyllur mirë në shishet e vargjeve,

Në mos mbërritshin tek ti, me siguri do të mbërrijnë

 në rrjetat e peshkatarëve.


2015

“Të gjallë dhe të vdekur” t.26





NJË LEXIM POETIKO-EKZISTENCIAL I POEZISË SË ILIRIAN ZHUPËS


Nga Timo Mërkuri

Ilirian Zhupa, në poezinë “Fjalët e mia për ty”, sjell një vizion poetik ku dashuria nuk përjetohet si ndjenjë e drejtpërdrejtë, por si reflektim mbi qenien, fjalën, pasigurinë e komunikimit. Këtu nuk kemi të bëjmë me një poezi romantike në kuptimin tradicional, por me një strukturë poetike ku ndjenja shfaqet përmes kontrasteve: dritë dhe errësirë, dëshirë dhe stepje, afërsi dhe mungesë. Përmes një gjuhe plot simbole dhe imazhe të ndërlikuara, poeti ndërton një atmosferë meditative, ku natyra bëhet sfondi i projeksioneve shpirtërore.

Subjekti lirik, ndryshe nga shumë poezi të Zhupës këtu është identifikuar si një djalosh që dialogon me të dashurën e tij, por e veçanta është se në këtë dialogim flet vetëm djaloshi. Kjo na shtyn te interpretimi se ky dialogim mund të lexohet, jo vetëm mes subjektit lirik dhe të dashurës, por më së shumti si një bisedë e brendshme, një reflektim mbi ndjenjat dhe fuqinë e fjalës. Me tone të buta dhe imazhe të ndjeshme, poezia krijon përshtypjen e një bisede intime, ku çdo varg përfaqëson një përpjekje për të përcjellur thellësinë e ndjenjës. Në këtë aspekt, ajo mund të shihet si një rrëfim i heshtur i dashurisë, ku fjalët nuk janë vetëm mjet shprehjeje, por ura që lidh botën e brendshme të poetit me realitetin shpirtëror të së dashurës.

I- Poezia “Fjalët e mia për ty” e Ilirian Zhupës është reflektim mbi natyrën e dashurisë, ekzistencës dhe artit poetik si një përpjekje për të kapërcyer kohën dhe hapësirën. Ndërtimi i saj mbështetet mbi kontraste dhe dyzime, ku subjekti lirik e shfaq veten si një qenie në mes të ekstremeve (Drita dhe errësira,Dita dhe nata, Jeta dhe vdekja,Epshi dhe stepja,Zgjimi dhe gjumi), ndërsa dashuria mbetet një prani e përhershme, ndonëse e fshehur dhe e paprekëshme. Në një lexim poetiko-ekzistencial të poezisë zbulohet ndërthurja jo vetëm mes figurave por më së pari mes ndjenjës, natyrës dhe reflektimit filozofik mbi dashurinë dhe ekzistencën si më poshtë:

1. Qysh në nisje, figura e dashurisë shfaqet si prani e pashmangshme, por e fshehur mes elementeve të natyrës. Ajo nuk duket lehtësisht, pasi është e shkrirë në detajet më delikate të botës përreth. Psh te vargjet:

"Gjithmonë ke qenë e fshehur në vargjet dhe fjalët e mia,

siç fshihet uji në mugullimën e barit”,

Siç fshihet gjethi dhe lulja nën lëvoren e rreshkur të pemës,

njollë e zezë nën degët e mpira."

poeti përdor një paralele mes dashurisë së fshehur dhe natyrës, duke krijuar një qasja metaforike mes tyre. Le të bëjmë një lexim poetiko-ekzistencial të poezisë duke shqyrtuar me hollësi elementet kryesore:

“Gjethi dhe lulja të fshehura nën lëvoren e rreshkur të pemës” është një imazh që tregon diçka që ekziston, jeton dhe rritet në brendësi, por nuk është e dukshme në atë moment, ku:

“Gjethi dhe lulja” simbolizojnë jetën dhe bukurinë e fshehur, që mund të mos shihet, por ekziston në thellësi.

Lëvorja e rreshkur” është,fshehja, mbulesa e jashtme, një simbol i pengesave që e bëjnë dashurinë të padukshme.

Te “Njollë e zezë nën degët e mpira” , “Njolla e zezë” simbolizon diçka të pranishme, por të errët, të fshehtë, ndoshta një kujtim, një dhimbje apo një ndjenjë që nuk është shuar ndërsa “Degët e mpira” simbolizojnë një gjendje pezull, të ngrirë, një ndalim të rritjes ose lëvizjeje, ashtu si dashuria që është aty, por nuk shprehet lirshëm.

Të dyja skenat shfaqin diçka të fshehur brenda diçkaje tjetër (lulja dhe gjethi brenda pemës; njolla e zezë nën degët e mpira). Dashuria e poetit është si këto elemente: ekziston, por nuk është e dukshme. Ka një ndjenjë pritjeje në vargje, ashtu siç gjethja dhe lulja presin pranverën për të shpërthyer nga lëvorja e rreshkur, ose si një kujtim (psh gërmat e para të emrit të të dy dashnorëve gdhendur në trungun e një peme) që mbetet i pashlyeshëm nën degët e mpira.

Pra, poeti krijon një analogji mes natyrës dhe ndjenjës së tij, duke na thënë  që dashuria është e fshehur dhe e brishtë,( e ndrojtur do thoshja ndryshe) por gjithmonë e pranishme dhe në pritje të rigjallërimit. Në thelb,  poeti thotë se dashuria nuk është përjetim i drejtpërdrejtë, por një gjendje e pranishme, dhe e shkrirë në ekzistencën e subjektit lirik.

2.Dualiteti i ndriçimit dhe errësirës është një tension mbi të cilën poeti ndërton peisazhin poetik, ku dashuria shfaqet njëherazi si ndriçim dhe hije, jetë dhe mungesë. Paraqitja e flokëve të vajzës si një dallgë e fuqishme sugjeron një lidhje me elementet e natyrës, por shpreh edhe paqëndrueshmërinë e saj:

"Flokët e tu me krela që më mbulonin fytyrën,

kanë qenë dallgët e shkumëzuara të detit dhe ajrit,

Drita dhe errësira."

Në këtë varg, poeti përdor një metaforë të ndërlikuar për të krijuar lidhjen mes flokëve të personazhit lirik dhe forcave të natyrës, detit dhe ajrit. Kjo metaforë shpreh një ndjenjë të fuqishme të përfshirjes, brenda dashurisë. Kjo figurë është huazuar nga bimësia e kërleshur e viseve jugore apo (dhe) nga dallgët që kërleshen në detin e trazuar. Për më hollësisht shohim se imazhi "Flokët e tu me krela që më mbulonin fytyrën" krijon një ndjenjë intimiteti. Flokët me krela (onde) nënkuptojnë  kontaktin fizik, një moment ku dashuria e mbulon (djaloshin) me praninë e saj.

Te vargu vijues "Kanë qenë dallgët e shkumëzuara të detit dhe ajrit" poeti e krahason këtë përqafim me një fenomen natyror, me qasje te dallgët që mbulojnë shkëmbinjtë e bregut me ujin dhe stërkalat. Këtu “Dallgët e shkumëzuara të detit” simbolizojnë emocionin, pasionin e dashurisë, vrullin e tyre. ”Ajri” simbolizon një ndjesi lirie, duke i dhënë përqafimit një dimension të lehtë. Kjo figurë forcon idenë që dashuria e përfshin tërësisht poetin, ashtu si deti dhe ajri e mbulojnë dhe e rrethojnë një qenie të zhytur në to.Në aspektin e interpretimit emocional poeti shpreh një kujtim dhe mall për të dashurën. Flokët krela që dikur e mbulonin, tani janë bërë pjesë e natyrës, duke nënkuptuar se kujtimi i saj është gjithmonë i pranishëm, si dallgët që kurrë nuk ndalen dhe ajri që gjithmonë lëviz me erën që fryn. Kjo metaforë tregon se dashuria nuk është diçka e kufizuar në kohë, por diçka e pafundme dhe e kudogjendur, ashtu si deti dhe ajri që vazhdojnë të ekzistojnë pavarësisht largësisë fizike.

Interesant është fakti se dualiteti vazhdon dhe në imazhin e shpendëve, që  refuzojnë të besojnë në pamjet e natës, duke reflektuar kështu pasigurinë e ndjenjave te vargjet :"Krahët e shpendëve nuk fërfërijnë nëpër natë,

s’i besojnë pamjeve të veshura nga heshtja dhe terri."

Së pari te këto vargje duhet të flasim për metaforat dhe simbolet me të cilat është ndërtuar ku: te metafora"Pamjet e veshura nga heshtja dhe terri", “heshtja dhe terri” nuk janë veshje në kuptimin e fizik, por përfaqësojnë realitetin e fshehur, të pasigurt ose të frikshëm. "Pamjet e veshura" është metaforë për një botë që nuk e tregon të vërtetën hapur, gjithashtu dhe vargu "Krahët e shpendëve nuk fërfërijnë nëpër natë" është metaforë, sepse shpendët që nuk fluturojnë natën përfaqësojnë mungesën e guximit ose të lirisë. Në leximin poetiko-ekzistencial ky varg është një metaforë e fuqishme dhe simbolike që shpreh frikën, mosbesim ndaj errësirës dhe heshtjes, ku: "Krahët e shpendëve nuk fërfërijnë nëpër natë" na rikujtojnë se shpendët, lidhen me lirinë, lëvizjen dhe hapësirën. Fakti që ata nuk fluturojnë natën, sugjeron frikën dhe pasigurinë. “Nata” në poezi dhe mite simbolizon misterin, rrezikun, vetminë apo mosorientimi, duke nënkuptuar situatën ku shpendi nuk ka guxim të fluturojë, sepse nata është një pengesë për lëvizjen e lirë.

Vargu: "S’i besojnë pamjeve të veshura nga heshtja dhe terri" shfaq pikërisht këtë mosbesim. Pjesa vargore: "Pamjet e veshura nga heshtja dhe terri" simbolizojnë një botë ku e vërteta është e fshehur në heshtje dhe terr, ose është  e frikshme për t'u përballuar. Ndërkohë kujtojmë se heshtja dhe terri përdoren si metafora për fshehjen e së vërtetës, apo mungesën e zërit dhe komunikimit. Në leximin poetiko-ekzistencial këto vargje krijojnë një ndjesi frike dhe pasigurie në një botë ku e vërteta nuk është e dukshme. Ashtu si shpendët që nuk guxojnë të fluturojnë në errësirë, edhe njeriu mund të ndiejë hezitimin për të ecur nëpër natën e errët. Sigurisht që në aspektin e shumëkuptimshmërisë, poeti me termin “terr”mund të aludojë një situatë shoqërore, politike apo ekzistenciale, ku frika nga e panjohura ose nga një realitet i deformuar ndalon lëvizjen dhe guximin për të vepruar, por unë  rikujtoj lexuesin se jemi në një poezi dashurie dhe në këtë kontekt duhet zbërthyer vargu.

3. Në një nga momentet kulmore të poezisë, subjekti lirik heziton apo refuzon të identifikohet me kohën ose ndonjë gjendje të ekzistencës. Ai e sheh veten të përfshirë në një vorbull dëshirash dhe ndjesish të kundërta, larg konceptimit fizik:

"Po unë nuk jam dita, e dashura ime, as nata.

Ashtu siç nuk jam mëngjesi, mesdita dhe mbrëmja,

Unë jam një shtjellë e beftë dëshirash, midis klithmë

dhe mekjes, midis zgjimit të beftë dhe gjumit,

Midis lëndës së gjallë dhe gjendjes, midis epshit të ndezur

dhe stepjes, si midis jetës dhe vdekjes,

Diçka midis zjarrit dhe brumit."

a.Kjo strofë e poezisë është ndërtuar mbi kontraste të forta që theksojnë një gjendje ekzistenciale, madje të lëkundur mes dy poleve të kundërta. Disa nga antitezat kryeso-re janë: Vargu:"Nuk jam dita... as nata" shfaq kundërshtimin mes dritës dhe errësirës (simbol i qartësisë dhe misterit).Te vargu:"Midis klithmë dhe mekjes" shfaqet kontrasti midis një shpërthimi emocional dhe një dobësimi të heshtur. Vargu:"Midis zgjimit të beftë dhe gjumit" është ndërtuar me dy gjendje të vetëdijes,madje gjëndje ekstreme që simbolizojnë ndërgjegjësimin dhe pavetëdijen. Antiteza:"Midis epshit të ndezur dhe stepjes" shfaq kundërvënien mes dëshirës dhe hezitimit. Dhe vargu:"Midis jetës dhe vdekjes"  është  simbol i gjendjes tranzitore, ku individi ndodhet mes jetës e vdekjes.

b.Poeti  e paraqet veten përmes imazhesh të figurshme artistikisht, duke e paraqitur si një forcë dinamike, të pasigurt dhe të lëkundshme, psh: Te vargu:"Unë jam një shtjellë e beftë dëshirash" metafora  e paraqet poetin si një vorbull të fortë pasionesh dhe emocionesh, ndërsa vargu:"Diçka midis zjarrit dhe brumit" është një metaforë që krijon imazhin e një qenieje që ndodhet midis dy elementeve të ndryshëm: zjarri, që simbolizon energjinë, pasionin dhe shpërthimin, ndërsa brumi simbolizon butësinë, apo aftësinë për tju përshtatur formave të ndryshme.

c.Përsëritja e strukturës vargore "midis..." krijon një ritëm dhe thekson dyzimin e poetit. Ky paralelizëm përforcon idenë se subjekti nuk mund të përcaktohet qartë, por mbetet në një gjendje ndërmjetëse.

ç.Ajo që vlen të theksohet është fakti se këto figura së bashku ndërtojnë një alegori mbi natyrën e njeriut si qenie që ekziston mes ekstremeve, pa mundur të përcaktohet plotësisht. Kjo mund të interpretohet si një reflektim mbi qenien njerëzore, pasiguritë e saj dhe kontradiktat që e përbëjnë.

d.Imazhi në këtë strofë të poezisë së Zhupës është një element kryesor dhe krijohet si ndërlidhje e ndërveprim i një vargu figurash artistike që ndërtojnë tablo vizuale, auditive dhe shqisore. Disa imazhe kyçe janë:

Imazhi:"Një shtjellë e beftë dëshirash" shfaq  imazhin e një vorbulle të papritur, duke e lidhur natyrën e ndjenjave me një forcë të fuqishme. Te vargu: "Midis klithmë dhe mekjes" kemi një imazh akustik që përcjell tensionin midis një britme, klithme dhe një heshtjeje që shuhet ngadalë, gjer në mekje të zërit. Imazhi "Midis epshit të ndezur dhe stepjes" është një imazh shqisor që përcjell kontrastin mes pasionit dhe hezitimit. Vargu: "Midis jetës dhe vdekjes"  krijon një imazh ekzistencial, ku subjekti gjendet në një hapësirë të ndërmjetme, as i gjallë, as i vdekur, ndërsa vargu "Diçka midis zjarrit dhe brumit" shfaq një imazh me kontraste të forta simbolike,  zjarri  dhe brumi, me karakteristikat e tyre.

e. Personifikimi si figurë i jep cilësi njerëzore objekteve apo dukurive abstrakte. Në këtë strofë, personifikimi nuk është dominues, por mund të shihet në disa pasazhe: Te vargu:"Një shtjellë e beftë dëshirash"dëshirat vlerësohen si një forcë e gjallë, që vjen papritur si një vorbull e fuqishme. Te vargu :"Epshi i ndezur dhe stepja", epshi dhe stepja trajtohen si qenie të gjalla, që 'ndizen' apo 'stepehen', duke krijuar një ndjesi dinamike në poezinë e autorit., ndërsa te vargu:"Midis klithmë dhe mekjes", klithma dhe mekja, dy gjendje të zëshme dhe të heshtura, vlerësohen si forca të gjalla që kundërshtojnë njëra-tjetrën.

ë. I shfaqëm të zbërthyera këto figura artistike të strofës për të parë  konkretisht ndërthuren në një mënyrë që pasqyron qasjen poetike dhe moderniste të autorit. Poezia në vetvete është një pasqyrim i përplasjes së ekstremeve, e shprehur përmes metaforave, antitezave, simbolikës dhe imazheve poetike, duke krijuar një rrjet të ndërlikuar figurash që e përforcojnë tematikën e poezisë. Më konkretisht:

Në poezinë "Fjalët e mia për ty" të Ilirian Zhupës, figurat artistike ndërthuren dhe ndërveprojnë për të krijuar një botë poetike plot me tensione ekzistenciale dhe ndjesi të larmishme. Metaforat, simbolet, personifikimet dhe antitezat nuk qëndrojnë të vetmuara, por bashkëveprojnë për të ndërtuar një rrjet imazhesh të fuqishme që përçojnë një ndjenjë pezullie, pasigurie dhe përplasjeje mes ekstreve.

-Metaforat në poezinë e Zhupës nuk janë vetëm zbukuruese, por funksionojnë si shtylla kryesore të përvojës poetike. Në vargun:"Unë jam një shtjellë e beftë dëshirash, midis klithmë dhe mekjes", poeti nuk e shfaq subjektin lirik si një individ konkret, por e shfaq si një shtjellë (ere), një rrymë e fuqishme ndjenjash dhe pasionesh që vërtiten fuqishëm. Kështu metafora e transformon personazhin poetik në qenie të lëvizshme, të paqëndrueshme dhe të ndryshueshme, duke e vendosur atë në një pozicion fluid. Metaforat e tjera si "Diçka midis zjarrit dhe brumit" krijojnë një kontrast mes dy elementeve të kundërta: zjarri dhe brumi, (thamë më sipër se çfarë përfaqsojnë).Pra metaforat nuk janë thjesht krahasime poetike, por mekanizma për ndërtimin e një imazhi dinamik të njeriut si qenie e evolueshme, gjithmonë në mes të dy ekstremeve.

-Simbolet janë ndërthurur me metaforat për të krijuar një dimension poetik. Psh: "Midis jetës dhe vdekjes" simbolizon pasigurinë ekzistenciale të njeriut, duke e vendosur subjektin lirik në një hapësirë të ndërmjetme ku jeta dhe vdekja nuk janë dy realitete të ndara, por dy skaje të së njëjtës përvojë, ( të të njejtit litar që e tërheqim nga të dy anët). "Midis epshit të ndezur dhe stepjes"  nuk është thjesht kundërvënie, por është simbol i përvojës të individit që përjeton dëshirën dhe frikën në të njëjtën kohë, përjetim tipik i botës moderniste. Kjo pse simbolika nuk kufizohet vetëm në elementët konkretë, por ajo përfshin dhe gjendje shpirtërore e emocionale, duke krijuar një botë poetike modern, ku kuptimet nuk janë të drejtpërdrejta, por shumë-kuptimëshe dhe me shumicë  interpretimesh.

-Antitezat krijojnë dhe shfaqin përplasje  të imazheve, pse një element kryesor i poezi-së është ndërtimi i tensionit përmes antitezave. Poezia është ndërtuar mbi një sërë antitezash si: "Midis klithmë dhe mekjes" që përfaqëson përplasjen mes forcës dhe dobësisë, mes të fiolurit të fuqishme dhe shuarjes, mekjes së zërit. Antiteza:"Midis zgjimit të beftë dhe gjumit" krijon kontrast mes vetëdijes dhe pavetëdijes, mes dritës dhe errësirës mendore,"Midis jetës dhe vdekjes"  sugjeron një ekzistencë të mbetur pezull, as e gjallë dhe as e vdekur. Duhet të kuptojmë se antitezat bashkëveprojnë me metaforat dhe simbolet për të krijuar një ndjesi të pezullt, ku çdo koncept është i lidhur me të kundërtën e tij. Kështu, poeti nuk ofron përgjigje të drejtpërdrejta, por e lë lexuesin të “lundrojë” mes kontrasteve, ku ndjen të njëjtin tension ekzistencial që përjeton edhe subjekti lirik.

-Personifikimi në këtë poezi, ndonëse është më pak i pranishëm në formën klasike të tij, por ai gjendet në mënyrën se si konceptet abstrakte trajtohen si qenie të gjalla. Për shembull:"Shtjella e beftë e dëshirave" do të thotë se dëshirat nuk janë thjesht ndjenja , por janë entitete (ide, ndjenja apo forca që trajtohen si qenie me vullnet) të forta që e përfshijnë subjektin lirik. "Epshi i ndezur dhe stepja" janë dy gjendje që vlerësohen si forca me vullnet të vetin, që tërheqin dhe frenojnë njëkohësisht. Këto forma të personifikimit e bëjnë përvojën e subjektit më konkrete dhe më të ndjeshme, duke transformuar ndjenjat dhe idetë në forca që veprojnë mbi individin.

Ajo që ka rëndësi të kuptojmë është fakti se, metaforat, simbolet, personifikimet dhe antitezat nuk ekzistojnë të ndara, por bashkëveprojnë për të krijuar një univers poetik kompleks. Ato formojnë një rrjet imazhesh që nuk e shfaqin realitetin në mënyrë të drejtpërdrejtë, por e pasqyrojnë përmes tensioneve, kontrasteve e ndjesive të fragmentuara. Pikërisht  ndërthurja e figurave është tipike për poezinë moderniste, ku realiteti nuk është i qartë dhe i prerë, por gjithmonë në ndryshim, në përplasje dhe në kërkim të një kuptimi që nuk është kurrë përfundimtar, gjë që e shohim qartë te kjo poezi e Zhupës.

4. Si shpesh në poezinë e Zhupës, edhe këtu poeti e sheh fjalën poetike si mjet për të kapërcyer distancën dhe mungesën. Fjalët e tij janë si mesazhe të future në shishe, të  hedhura në det (sa e njohur dhe e përjetuar është kjo metaforë për ne bregdetasi), në shpresën se do të gjejnë një destinacion:

"Kështu janë dhe fjalët e mia që t’i nis përditë, si mesazhe

që hidhen në det, mbyllur mirë në shishet e vargjeve,

Në mos mbërritshin tek ti, me siguri do të mbërrijnë

në rrjetat e peshkatarëve."

Kjo strofë përbën një imazh poetik përmes ndërthurjes së metaforës, simbolit dhe personifikimit, duke ndërtuar një ndjenjë pritjeje, shprese dhe komunikimi të pasigurt. Kështu te vargu: “Fjalët e mia që t’i nis përditë, si mesazhe që hidhen në det” fjalët e poetit krahasohen me mesazhe të mbyllura në shishe dhe të hedhura në det. Kjo është një metaforë për përpjekjen e tij për të përcjellur ndjenjat tek e dashura, ndonëse pa sigurinë që ato do të mbërrijnë në destinacionin e tyre. Te vargu: “Mbyllur mirë në shishet e vargjeve”, shishet simbolizojnë mbrojtjen e mesazhit, ndërsa vargjet janë mjeti poetik që përçon ndjenjat dhe mendimet. Kjo metaforë tregon se poeti i beson poezisë për të ruajtur dhe përçuar mesazhet e tij. Realisht shprehja "shishet e vargjeve" është një metaforë, pse në këtë rast, shishet nuk janë objekte reale, por simbolizojnë një mjet që ruan dhe mbart mesazhe. Vargjet e poezisë krahasohen me shishe, duke treguar se ato janë mbartëse të mendimeve dhe ndjenjave të poetit, të cilat ai i "dërgon" në një udhëtim të panjohur.Kjo metaforë është shumë e bukur sepse përfton një imazh poetik ku poezia shndërrohet në një formë komunikimi të mbrojtur dhe të përjetshme, ashtu si një mesazh i ruajtur në një shishe që lundron në det, në kërkim të një lexuesi.

-Imazhet e ndërtuara nga personifikimi në këtë poezi të Zhupës janë të shndritëshme në trishtimin e tyre lotues. Te vargu “Në mos mbërritshin tek ti, me siguri do të mbërrijnë në rrjetat e peshkatarëve” fjalia nënkupton se edhe nëse mesazhet nuk mbërrijnë te e dashura, ato do të gjenden nga të tjerë, duke personifikuar fjalët si diçka që udhëton vetë dhe ka fatin e saj. Imazhi:“Rrjetat e peshkatarëve” krijon një kontrast midis qëllimit të poetit dhe realitetit të “fatit” fjalëve. Peshkatarët simbolizojnë njerëzit që kapin (si peshq) mesazhet në shishe, duke krijuar një imazh të botës si një hapësirë ku fjalët mund të gjejnë lexues të papritur.

Në kontekstin e ndërthurjes dhe efektit poetiko-modernist te kjo strofë ndërthuren figura të ndryshme në një mënyrë tipike moderniste dhe konkretisht: Metaforat dhe simbolet krijojnë ndjesi abstrakte, duke shprehur fatin e panjohur të fjalëve. Personifi-kimi i fjalëve si mesazhe që “hidhen” dhe mund të “mbërrijnë” te e dashura shton dinamizëm dhe jep ndjesinë e një udhëtimi poetik. Imazhi detar (shishet, rrjetat, peshkatarët) lidhet me motivet tradicionale të pritjes (në breg të detit) dhe lundrimit, duke e bërë poezinë të pasur me kuptime të shumëfishta. Pra në këtë mënyrë, figura të ndryshme ndërthuren për të ndërtuar një imazh komunikimi poetik si akt i shpresës dhe fatit të panjohur, duke pasqyruar tipare të poezisë moderniste si përdorimi i simbolikës së hapur dhe imazheve të shumëfishta.

II-Poezi ka prirje të qartë ekzistenciale, ndonëse përmban dhe elemente të poezisë filozofike dhe poetikës së dashurisë. Më konkretisht shohim se:.

1.Poezia trajton tensionin midis jetës dhe vdekjes, dritës dhe errësirës, epshit dhe stepjes, duke reflektuar mbi identitetin dhe vendin e subjektit lirik në botë. Kjo është tipike për një qasje ekzistenciale, ku njeriu ndihet i bllokuar midis forcave të kundërta dhe kërkon një kuptim për ekzistencën e tij.

2.Poeti e paraqet fjalën e tij si një mesazh të future në shishe e të hedhur në det që mund të mos mbërrijë te e dashura. Kjo pasiguri mbi komunikimin dhe marrëdhëniet njerëzore është një temë më vete filozofike.

3.Në fakt poezia është një përkushtim ndaj një vajze të dashur, por nuk është thjesht një poezi lirike a romantike. Dashuria këtu shfaqet si një fuqi misterioze, e fshehur, që nuk shfaqet drejtpërdrejt, por ekziston pashmangshmërsiht, si një pjesë e qenies së poetit.

Pra, poezia nuk është thjesht një poezi filozofike apo ekzistenciale në kuptimin klasik, por është kombinim i të dyjave, me ndjeshmëri të thellë poetike dhe një reflektim mbi qenien, ndjenjat dhe komunikimin. Është një poezi që lexohet me kënaqsi, por ndjehet në një meditim.

III-Ilirian Zhupa dhe te kjo poezi sjell disa risi në poezinë shqipe, si në formën strukturore dhe artistike, ashtu edhe në këndvështrimin dhe ndërtimin e figurave. Ai nuk ndjek një model tradicional, romantik apo klasik të poezisë së dashurisë, por e rikoncepton atë përmes një qasjeje filozofike dhe ekzistenciale, duke krijuar një ndjesi unike, të veçantë,  si poezi e shkruar për herë të pare dhe e pa imituar dot nga askush.

Duke kërkuar risitë në formën strukturore dhe artistike shohim se:

1.Kjo poezi nuk ka strukturë metrike apo rimë të dukshme, ajo rrjedh lirshëm  si një përrua malor, duke krijuar një muzikalitet të brendshëm, të veçantë, që lidhet me ndërrimin e gjendjeve të subjektit lirik. Zhupa nuk ka vargje të  ngurta, ai i lë vargjet të rrjedhin natyrshëm, duke u afruar me poezinë moderne.

2. Te poezia nuk e lexon menjëherë kuptimin e plotë, pse ai fton lexuesin në proces interpretimi. Fjalët janë të zgjedhura me kujdes për të krijuar një ndërthurje mes konkretes dhe abstraktes, mes imazhit të drejtpërdrejtë dhe simboli-kës së thellë.

3.Poezia e Zhupës mund të quhet poezia e antitezave pse ajo ndërtohet mbi kontraste si drita dhe errësira, jeta dhe vdekja, dëshira dhe stepja, dhe krijon lëvizje të vazhdue-shme brenda tekstit. Kjo i jep asaj një dimension dramatik dhe filozofik, duke e larguar nga sentimentalizmi tradicional, romantic, klasik i poezisë së dashurisë.

Duke kërkuar risitë në këndvështrim dhe figuracion shohim se:

1.Në poezi shohim se Zhupa nuk e shfaq dashurinë si marrëdhënie mes dy personave, por si një hapësirë ku subjekti lirik ndodhet midis qenies dhe mungesës. Dashuria shfaqet si një gjendje ekzistenciale dhe jo thjesht një ndjenjë.

2. Duhet të pranojmë se Zhupa është mjeshëtr i metaforave të fuqishme dhe të papritura. Dhe te kjo poezi shohim se në vend të imazheve klasike të dashurisë, poeti përdor metafora që e bëjnë ndjenjën sa të prekshme aq dhe të pakapshme. Psh: “Siç fshihet uji në mugullimën e barit” është një imazh delikat për diçka që ekziston, por nuk duket drejtpërdrejt. Më konkretsiht: imazhi është përfytyrimi i ujit të fshehur në mugullimën e barit, i cili krijon një skemë vizuale delikate dhe natyrore dhe sjell ndjesin e freskisë dhe fshehtësisë. Ndërkohë metafora është uji që fshihet në mugullimën e barit, dhe mund të kuptohet si një simbol i ndjenjës së dashurisë së fshehtë e cila egziston në mënyrë të pa shfaqëshme por e pranishme, njësojë si uji në bar. Pra: imazhi poetik është skena konkrete ndërsa metafora është kuptimi i fshehur i saj.  Po ashtu vargu “Flokët e tu me krela që më mbulonin fytyrën, kanë qenë dallgët e shkumëzuara të detit dhe ajrit” është një përzierje shqisore dhe abstrakte, ku dashuria shndrohet në element natyror që mbërthen gjithë qenien nëpërmjet ndërthurjes së imazhit poetik (flokët e të dashurës që mbulojnë fytyrën) dhe krijojnë përfytyrimin e lëvizjes së dritë hijes dhe metafora ku flokët krahasohen me dallgët e shkumbëzuara të detit dhe ajrit duke u dhënë atyre një dinamikë dhe fuqi të natyrës.. Po ashtu mund të lexohen edhe vargjet “Fjalët e mia që t’i nis përditë, si mesazhe që hidhen në det, mbyllur mirë në shishet e vargjeve”  si një metaforë, ku fjalët e poetit që udhëtojnë nëpër det shprehin nëpërmjet poezisë idenë e pasigurisë së komunikimit dhe përjetësinë e ndjenjës, që ndikon në krijimin e një imazhi poetik, pamja e një mesazhi të shkruar, future në një shishe dhe hedhur në det.

3.Përmes figurave dhe imazheve, poezia krijon ndjesi që nuk është thjesht romantike, por edhe meditative e ekzistenciale, pse ndërton atmosferë mistike dhe filozofike. Heroi lirik nuk është vetëm një i dashuruar, por është një qenie që përballet me kufijtë e ekzistencës, me raportin mes dëshirës dhe pafuqisë për ta shprehur plotësisht atë.

IV-Kjo poezi moderne e Zhupës, megjithëse ndërtohet mbi parimet e lirisë strukturore dhe figuracionit të pasur simbolik, përmban elemente tradicionalë që i japin një bazë të njohur lexuesit. Këto elemente nuk janë të vendosura thjesht si reminishenca të poezisë klasike, por shërbejnë si sfond poetik dhe truall poetik, mbi të cilin ndërtohet thellësia e ndjenjës dhe filozofisë së poezisë. Le ta zbërthejmë konkretisht këtë dukuri:

1.Në poezinë tradicionale, romantike e klasike, natyra ka qenë gjithmonë një pasqyrë e ndjenjave njerëzore. Në këtë poezi, elementet natyrore nuk shërbejnë vetëm si dekor  poetik, por ndërthuren me ndjesitë shpirtërore të poetit. Psh  vargu: “Krahët e shpendëve nuk fërfërijnë nëpër natë” shfaq një motiv klasik ku shpendët dhe nata krijojnë një atmosferë ngurimi dhe pasigurie. Te vargu: “Flokët e tu… kanë qenë dallgët e shkumëzuara të detit” , deti dhe valët janë elemente të përdorura gjerësisht në letërsinë tradicionale si simbole të pasionit dhe lëvizjes së brendshme shpirtërore. Mjafton të kujtojmë se gati të gjitha këngët e dashurisë të bregut të detit përmbajnë detin, dallgët dhe valët.

2.Figurat e kësaj poezie  të Zhupës janë të thjeshta, por të ngarkuara me ndjenjë, ai nuk kërkon që të krijojë një poezi hermetike apo të vështirë për t'u deshifruar. Poeti përdor një gjuhë të thjeshtë dhe figuracion të pastër, ashtu si në poezinë tradicionale shqiptare, por e ngre atë në një nivel modernist përmes ndërthurjes së imazheve. Shih si e realizon këtë Zhupa: “Shishet e vargjeve” krijon ai një figurë të thjeshtë që i referohet mesazheve të poetit si mesazhe në shishe, një imazh klasik që haset edhe në poezinë tradicionale, por që këtu fiton një dimension filozofik dhe ekzistencial qysh te fakti se shishet janë vargjet, jo shishe fizike prej qelqi.

3.Kontrasti mes dritës dhe errësirës është temë universale në letërsinë tradicionale dhe moderne, që simbolizon njohjen dhe misterin, dashurinë dhe mungesën e saj. Te vargu “Gjersa të çmpikset agu” shfaqet ideja e një transformimi të fshehtë që ndodh në natyrë, dhe ky është element që haset shpesh në poezinë klasike dhe popullore.

4.Realisht poezia e Zhupës nuk ndjek skema tradicionale metrike,por ajo ka një ritëm të brendshëm të qetë e melodik, një karakteristikë që e lidh me poezinë tradicionale. Për ata që e njohin këngën iso-polifonike bregase, struktura e vargjeve dhe përsëritjet e ca imazheve krijojnë një efekt që mund të shihet si jehonë e këngës lirike himariote, madje mund të nisin dhe këngëzimin e vargjeve, psh me motivin e këngës së Neço Mukos, “E pabesa”.

Këto elemente tradicionale në këtë poezi kanë një  shërbim të dyfishtë:

Së pari shërbejnë si sfond poetik, ku elementet tradicionale ndihmojnë në krijimin e një ambienti poetik të njohur për lexuesin, duke e lejuar të ndiejë poezinë përmes imazheve dhe ndjesive të zakonshme në letërsinë lirike.

Dhe së dyti shërbejnë si truall poetik, pse veprojnë si bazë mbi të cilën ndërtohet filozofia e poezisë. Poeti nis nga një truall i njohur, por e çon ndjesinë dhe reflektimin në një hapësirë të thellë e të largët, duke e shndruar poezinë në përvojë ekzistenciale.

V- Sigurisht që lexuesi do jetë i interesuar të shohë konkretisht këtë trasformim të elementeve tradicionalë në reflektim të hapur, meditativ dhe filozofik mbi dashurinë dhe ekzistencën. Poeti i merr figurat dhe motivet klasike dhe mjeshtërisht i ndërthur me një stil modern, duke krijuar një poezi që është njëkohësisht e njohur në ndjesi, por e re në përpunimin artistik. Le ta shohim këtë trasformim :

1.Në letërsinë tradicionale, natyra shpesh paraqitet si sfond tipik dhe ideal i ndjenjave të dashurisë, por tek Zhupa ajo, natyra bëhet shprehje e përvojës së brendshme ekzistenciale të subjektit lirik: “Siç fshihet uji në mugullimën e barit, / Siç fshihet gjethi dhe lulja nën lëvoren e rreshkur të pemës” ku shihet se marrëdhënia mes natyrës dhe ndjenjës është e ndërlikuar: e dashura nuk është figurë e qartë apo e drejtpërdrejtë, por një prani e fshehtë, një mundësi ekzistence brenda botës dhe brenda vetë fjalëve të poetit. Ky është një transformim modernist i përdorimit të natyrës në poezi.

2. Në poezinë tradicionale, kontrasti mes dritës dhe errësirës shërben për të dalluar të mirën nga e keqja, të njohurën nga e panjohura. Zhupa e përdor këtë kontrast në një mënyrë më komplekse dhe filozofike, sit e vargjet:“Flokët e tu… kanë qenë dallgët e shkumëzuara të detit dhe ajrit, / Drita dhe errësira.” Ku drita dhe errësira nuk janë kundërvënie klasike, por shfaqen si dy dimensione që ndërthuren brenda të njëjtës ndjenjë. Dashuria nuk është as vetëm dritë dhe as vetëm errësirë, por një ekuilibër i vazhdueshëm mes dy poleve ekzistenciale.

3.Në poezinë tradicionale, fjala poetike është e sigurt dhe përcjellësia e e garantuesja e ndjenjës. Në poezinë e Zhupës, fjala, si mjeti i komunikimit bëhet i pasigurt, duke reflektuar dyshimet dhe pengesat e ekzistencës modern. Lexo te vargjet:“Kështu janë dhe fjalët e mia që t’i nis përditë, si mesazhe / që hidhen në det, mbyllur mirë në shishet e vargjeve” dhe kupto se metafora e mesazhit në shishe nuk është një figurë romantike, por një simbol modernist i vështirësisë së komunikimit në ekzistencën njerëzore. Poeti e dërgon mesazhin e tij nëpër det, që të udhëtojë me rrymat detare, por ai nuk e di nëse ajo (fjala) do të mbërrijë tek e dashura apo jo. Kjo pasiguri është thelbësore për filozofinë e poezisë moderniste, ku gjuha shpesh vihet në dyshim si mjet komunikimi i ndjenjës autentike.

4. Në poezinë klasike të dashurisë, subjekti lirik është i vendosur në një rol të qartë: ai është ose i dashuruar ose i lënduar nga dashuria, por gjithsesi i sigurt në përkufizimin e vetes së tij. Tek Zhupa, subjekti lirik nuk ka një identitet të qëndrueshëm, ai është midis gjendjeve, në një ekzistencë fluide, si psh:“Po unë nuk jam dita, e dashura ime, as nata. / Ashtu siç nuk jam mëngjesi, mesdita dhe mbrëmja”. Më mirë se këtu nuk mund ta shohim një krizë identiteti, tipike për modernizmin. Poeti nuk e përkufizon veten përmes kohës apo përmes ndarjeve klasike të ditës, ai ekziston në “ajër” midis jetës dhe vdekjes, midis epshit dhe stepjes. Ai është “Diçka midis zjarrit dhe brumit” Në këtë mënyrë, subjekti lirik nuk është qenie e plotë, por një proces, lëvizje e vazhdueshme midis formës dhe transformimit.

Në rraport me poezinë europiane, te poezia “Fjalët e mia për ty” e Zhupës  shohim qasshmëri me poetë modernistë dhe ekzistencialistë si Paul Éluard, ku dashuria ndërthuret me një mister të pashpjegueshëm dhe një lloj mistike të “pranisë së munguar”. Federico García Lorca me simbolikën e natyrës dhe të fshehtësisë është në të njëjtën linjë me Zhupën, ku dashuria nuk është vetëm përjetim ndijor, por një proces shpirtëror. Të njejtën gjë shohim dhe te, Rainer Maria Rilke, me raportin mes fjalës dhe të pashprehmes: lidhet me mënyrën se si Zhupa e sheh komunikimin poetik si përpjekje të vazhdueshme për të arritur tek tjetri, duke mbetur gjithnjë mes njohjes dhe misterit.

Megjithatë, ndryshe nga shumë poetë modernistë evropianë, poezia e Zhupës është e qartë dhe lehtësisht e kuptueshme për një masë të gjerë lexuesish.

Kjo thjeshtësi dhe qartësi në opoezinë e tij buron nga ndërthurja e elementeve moderniste me një sfond tradicional, i cili i jep poezisë një bazë të njohur për lexuesin, duke ruajtur një lidhje të fortë me ndjeshmërinë dhe kulturën poetike shqipe. Gjuha e tij, edhe pse e pasur me figura dhe simbole, mbetet e drejtpërdrejtë, duke shmangur hermetizmin e tepërt dhe duke ruajtur një komunikim të natyrshëm dhe emocional. Në këtë mënyrë, Zhupa arrin të krijojë një poezi që është njëkohësisht moderne dhe e prekshme, filozofike dhe e ndjerë, gjithmon e kërkueshmë dhe e lexueshme, duke e vendosur atë në një pozitë të veçantë në raport me poezinë evropiane bashkëkohore.


Sarandë, më shkurt 2025

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page