
Poezia moderniste e Fatmir Terziu :"Me pak fjalë: Skena u mbyll!" e veç vlerave artistike dhe strukturën stilikore, ajo që tërheq vëmëndjen është fakti se sjell disa risi në formë, stil dhe konceptim poetik. Këto risi lidhen me mënyrën e ndërtimit të tekstit, përdorimin e ironisë dhe fragmentimit, si dhe me përzierjen e realitetit politik me një atmosferë alegorike dhe ekzistenciale.
1.Një nga risitë më të dukshme është vetë ndërtimi i poezisë si një skenë teatrale, ku ngjarjet, (s'mund të themi subjekti) zhvillohen përmes një sërë episodesh të fragmentuara. Fraza "Në atë cep," duke u përsëritur në mënyrë ritmike, krijon ndjesinë e skenës, ndonëse të ndarë në akte të ndryshme:
"Në atë cep,
Të tjerët e ndiqnin. Lëviznin kokën. Prisnin me nge."
Pikërisht kjo mënyrë e ndarjes e bën poezinë të ngjajë me një dramë (politike), ku, çuditërisht personazhet janë pasivë, të hutuar dhe në pritje të një ndryshimi që, gjithsesi nuk vjen kurrë.
2. Një element novator është mënyra e paraqitjes së pushtetit në mënyrë ironike dhe groteske. "Sulltanati i Vogël" dhe "miniqeveria e guralecëve" që si metafora e zvogëlojnë pushtetin deri në kufijtë e absurdit:
"Shelgjit në punëdhënës. Plepat në ndihmës-jetës.
Më tej përzgjodhi disa guralecë nga i thati,
me ta bëri një miniqeveri."
Është ky fragment elementi që e shndërron aktin politik në farsë, duke e ironizuar seriozitetin e pushtetit si një lojë shtëpirash , këtu: qeverish që lozin fëmijët.
3. Në poezi, natyra nuk është vetëm sfond, por është një element aktiv që transformohet si metaforë politike. Shelgu dhe plepi nuk janë më thjesht pemë, por kthehen në "punëdhënës" dhe "ndihmës-jetës", duke e shndruar natyrën në rolin e një sistemi artificial. Deformimi arrin kulmin me përroin, i cili shndërrohet në një element magjik i dyshimtë:
"Dhe premtoi për kënaqësinë e tij
që do të kthej përroin në lëng magjik."
ku vargu përcjell idenë e premtimeve të kota, aq shumë të dëgjuara dhe idenë e një transformimi të rremë, ku natyra nuk është burim jete, por shndrohet në një mashtrim politik. Lexuesi ndjen një situatë të ndezur elektorale, çka e bën t'a lexojë me interes poezinë, me shpresë të një mbylljeje të "bardhë" për atë.
4.Një tjetër risi poetike është përdorimi i zogut si figurë simbolike që sjell një ndryshim të përkohshëm, por edhe një lloj gjykimi ndaj ngjarjeve, gjë që më kujton atë këngën e bukur himariote: O ju zogj që veni e vini/ lajm a letër do më bini". Çuditërisht zogu ndalet dhe në vend që të sjellë lajm apo letër, ndikon në realitetin përreth:
"Në atë cep,
u ndal një ditë një zog. Dhe zogu në krahë i ndaloi.
Qielli u zhvesh. Toka u ngjesh. Lëngu shtrydhi çdo re."
Është ky një moment që krijon një ndjenjë çasti profetik, sikur gjithçka po ndryshon, por ja që është thjeshtë një iluzion.
5. Siç edhe pritej, pse ashtu ndodh në realitet, në fund, risi tjetër e poezisë është mënyra sesi ajo nuk jep zgjidhje apo një përfundim shprese . Pyetja ekzistenciale për lëngun magjik mbetet pa përgjigje:
"Hë si thua?
Është ky lëng që na shërron, çliron, na jep jetë, është i pijshëm?"
Përgjigja është një zhgënjim i thellë:
"Tmerrësisht keq. Të kanë futur,
të bësh pis edhe këtë lëng."
Këtu poezia e shemb premtimin e madh, dhe tregon se çdo premtim i rremë përfundon si mashtrim dhe ndotje.
6.Sigurisht që dhe vetë mbyllja e poezisë është një element novator, ajo nuk sjell një mbyllje dramatike, por thjeshtë një tërheqje të heshtur:
"Dhe gjëja e gjallë u largua nga skena u mbyll,
në heshtje e gjeti rrugën përmes të ujtës së shtruar trotuareve batak,
deri në shtëpinë e boshatisur,
me ato pak fjalë."
Ky është një përfundim që përcjell ndjesi boshllëku e zhgënjimi gjer në kufijtë e dëshpërimit. Nuk shfaq ndonjë akt rebelimi apo ndryshimi, por vetëm një largim të heshtur, si njerzit e zhgënjyer dëshpërimisht, në dorëzim ndaj një realiteti që nuk ndryshohet, ndonëse u premtua dhe u dëshirua.
Thelbësisht poezia "Me pak fjalë: Skena u mbyll!" sjell risi në mënyrën e ndërtimit, ironizimin e pushtetit, deformimin e natyrës, dhe një fund që lë lexuesin me një ndjenjë të pazgjidhur. Teksti poetik funksionon si një dramë e fragmentuar, ku absurdi dhe ironia ndërlidhen me një ndjesi ekzistenciale të boshllëkut dhe zhgënjimit.
Nuk gaboj po të them se poezia është aktuale, madje më shumë se aktuale: ajo është dhe vizionare pse parathotë , si një Kasandër diçka për një zjarr që flakëron kohën që presim.
Profeci e trishtë për kohën e njerëzve që shpresojnë.
Me pak fjalë: Skena u mbyll!
Nga Fatmir Terziu
Tani u zgjodh. U zgjodh për kënaqësinë e Sulltanatit të Vogël.
Dhe premtoi për kënaqësinë e tij që do të kthej përroin në lëng magjik.
Shelgjit në punëdhënës. Plepat në ndihmës-jetës. Më tej
përzgjodhi disa guralecë nga i thati,
me ta bëri një miniqeveri. U përkul përpara tyre
dhe bërtiti ndryshimin: Me ne fiton i gjithë Sulltanati.
Në atë cep,
Të tjerët e ndiqnin. Lëviznin kokën. Prisnin me nge.
Do bëj ndonjë gjë për ne?
Dhe nuk donin më të vdisnin. Nuk donin më as të rilindnin.
Në atë cep,
u ndal një ditë një zog. Dhe zogu në krahë i ndaloi.
Qielli u zhvesh. Toka u ngjesh. Lëngu shtrydhi çdo re.
Plehërat u pastruan. E … njerëzit kthyen sytë nga andej,
Tashmë e kishin gjetur Perëndinë e re,
Dhe po atë ditë,
përroi po kthehej në lëngun e premtuar magjik.
Në atë cep,
ngriti kokën një gjë e gjallë në atë përrua të magjishëm
pyeti me kujdes atë: Hë si thua?
Është ky lëng që na shërron, çliron, na jep jetë, është i pijshëm?
Në atë cep,
pastaj u mërzit dhe u trishtua: Tmerrësisht keq. Të kanë futur,
të bësh pis edhe këtë lëng. Asgjë nuk mund të na bësh në lidhje me këtë.
Dhe gjëja e gjallë u largua nga skena u mbyll, në heshtje e gjeti rrugën
përmes të ujtës së shtruar trotuareve batak,
deri në shtëpinë e boshatisur,
me ato pak fjalë.
Në atë cep, … mbeti shastisur.
Comments