top of page

Timbri dhe gjuha e shenjtë... dhe një palë gërshërë

Updated: Apr 13


Timbri dhe gjuha e shenjtë... dhe një palë gërshërë

 

(Njëherë e një kohë ishte një berber..., që mbajti qytetin gjallë me këngë)

Prof Dr Fatmir Terziu

 

A ju kujtohet se si ju hyri në mendje kënga elbasanase? Për mua ai ishte një berber. Si një aromë e këndshme dhe një buqetë tingujsh përmes të cilave bota pëshpëriste në kokën time të fëmijërisë duke magjepsur këngët e mrekullueshme të Myzyrit, Bodinit, Aleksandër Josifit (Leksi i Vinit), Xhet Bebetit e të tjerëve. Kisha shumë kohë që ktheja kohët nga e para në të mbarë, dhe anasjelltas, floku dhe modeli (sipas kohës), porosia dhe qethja (disiplina), nëpër të cilat moshatarët vraponin me detyrim, të shtyrë drejt e në zemër të lindjes së diellit të mbanin kokën sipas modelit të diktuar. Dhe kudo në afishe, pankarta dhe postulate ndiqte syri një pamje … T'i gërmoj shpirtin në tokë e të mbush arat me grurë, se me bukë çajmë bllokadën ... Ndryshe, përhumbja tek simbolika dhe timbri që mbante lart hovin në atë berberhanë … Ndryshe... Që ta ndjeje shijen e tij në gjuhë, vlerë, melodicitet, këngë...

- Thuaj, bir, aaaah, dhe me kafshatën e parë do t'ju tregohet një mrekulli dhe një histori!

I ndjeshëm si një profet, me sy të futur thellë në baticat dhe rrjedhat e së shkuarës, ishte i pari i mirëdëgjuari elbasanas, Isa Basha, që më pati folur gjatë e gjerë për këngën elbasanase.

Ndjeja një kënaqësi të flisja me të. Jo vetëm Gjuha Shqipe që më rrëfehej, jo vetëm e strukura e gjuhës në elbasançen tipike,  rridhnin nëpër rrënjët e mia të buta fëmijërore, duke më mbushur me timbra dhe fjalë, që rrezatonin nga gëzimi i të folurit me një mësues sikurse ishte Isa Basha. Dritë e pastër, që po më kthente në të folur. Dhe duke e dëgjuar më dukej se shekujt kalonin nëpër deje e mendje. Lavditë ushtarake vinin e shkonin, të çnderuara në tradhëti. Më plagosnin mallkimet, që përplaseshin aty në muret e Kalasë, por ama më shpëtonin nga triumfet e nderit e të dinjitetit që mbahej po aq krenar sa vetë kënga, gjuha, dashuria, respekti dhe mbi të gjitha njerëzillëku. Ata që erdhën e pëlqyen Elbasanin, e dashuruan këngën e tij, por ata kënduan vite të turbullta dhe zvarritën shpresat e holla të ekzistencës përmes epshit.

Po kaloja afër Kristoforidhit, dhe ndërsa ndjeja dorën e tij të leximit e shkrimit në Abetaren, që vetëm një bust meritor si ai në atë kënd të Elbasanit e meriton ta mbaj, më dukej se ndjeja ende sikur muret aty afër, ku ka kënduar mjeshtri Albert Tafani, po shponin mallëngjyeshëm shpirtra të ngurtë, e pastaj kapërcenin kohëra e hynin në atë që edhe sot ndjehet ndryshe…. Dhe aty ulem me mallëngjim, dhe aty ndjej madhështinë e e Elbasanit, këngës, ndjej timbrin dhe fuqinë e zërit të Albert Tafanit të madh... Dhe bërtas në heshtje, ah, të kem FOLJE për të shprehur që mësova të përkas dhe të dua këngën. Të përkulem dhe të përulem para krijimit të shpirtit tim, të mishëruar me germa nga një mjeshtër të këngës, dhe nga rrëfyes të Gjuhës Shqipe, sikurse ishte Profesori i nderuar, Isa Basha, që guxoi të më hapte sipare njohurie e të përkëdhelesha nga brumi i këngës së popullit tim, me atë këngë që lindi dhe u rrit një Komb i tërë...

- Epo, nëse pretendoni se ky mësuesi, që thoni ju, pra Isa Basha, i ditka të gjitha rreth këngës elbasanase, ditka rreth… ai sigurisht që kujton kohën kur mbushte ekranet dhe …, pra edhe kur këndonte Albert Tafani - shoku im me sy të zbehtë nga një qytet ngjitur, i përkulur mbi masën e plastikës, që mbetet ngjyrim i kohës së sotme, midis hapësirës së gjelbër para „Skampa“-s më kujton, - nuk ka asnjë mënyrë që të mos jetë shkruar ndonjë gjë për këtë. E di që ai ishte një patriot apo jo? E pastaj i them, duke shkuar më tej… Pra që në kohën e evolucionit janë këto këngë… Unë hesht, nuk di nga ta prek, por sikurse dhe ai, edhe unë tashmë, një përgjigje e gjej, pra e gjejmë…

Më tha se edhe para se të këndonim këto këngë, të gjithë ishim këngëtarë. Burra dhe gra. Madje dhe profetë…, të gjithë shkencëtarë. Të gjithë me flokë. Dhe me mjekra. Ne i kemi varur nëpër hurma, portokaj e limona, nëpër shegë e pemë. Edhe kur janë të rrënduar nga frutat, na thyhen mjekrat, na zhvishet gëzofi i evolucionit dhe biem përtokë, por ama këndojmë. Këmbët i kemi të zhveshura në ujë e dehemi me raki!

Eh, atëherë shkonim nëpër botë duke kërkuar këngën që na e kishin grabitur dhe për të njohur veten mes grabitqarëve të huaj të kohëve të vjetra, kënduam dhe më pas pritëm të na përgjigjeshin. Le të dëgjojmë njëri-tjetrin nga larg dhe të mos humbasim drejtimin..., kështu ishte më e mira për ne, për këngën, për atë që na ngre nga varri të gjithëve…Kënga e pavdekshme e Elbasanit!

Mirëkuptimi thjesht më shpëton sot, i dashur mik. Takoj këngëtarë të ndryshëm nëpër koncerte, ku gjithçka është e dukshme, dhe e kuptueshme dhe paguhet me pound, dollarë dhe euro. Të tyret nuk duan të njihen mes të huajve. Ne përdorim gjuhën tonë, por dhe gjuhën e trupit. Dy përpara, një mbrapa, … aleluja! Eh, ata sipas atyre që shënuan evolucionin, mund të mbajnë mend dhe të përdorin deri në tre mijë gjeste njerëzore! Askujt nuk i interesojnë mjekrat që kemi varur përpara se të ndiheshim burra, apo gra. Të zhveshur, ose me flokë, ne përparojmë në rrugën e bukës, përgjatë së cilës nuk rrjedh lindja e diellit, për të ndjerë shijen e gjuhës dhe të këngës së bukur në atë gjuhë.

Sepse një herë e një kohë ishte një sulltan... Ishte, kaq shumë kohë më parë, sa nuk më kujtohet emri i tij... Por ai donte shumë të bënte diçka për shpirtrat e tendës së tij, që sa i vinin i ndërronin jetë, se vetëm kënga e atij vendi i bënte të gjallë. Kështu ai gjeti një kalë magjik dhe galopoi nëpër gërmadha, lumenj dhe fusha drejt lindjes së diellit, i cili goditi sytë e të verbërve të tij si një gjel i artë, të gjente dikënd që ti këndonte ato këngë të arta. Kështu ai u ul atje, nën hije të Rrapit dhe qau. “Çfarë po qan, sulltan?” e pyeti një plak teksa kalonte. "Nuk kam shpëtim për ata njerëz që lindin dhe vdesin në errësirë", tha sulltani, "s'ka kush t'ua zgjojë shpirtin!". "Do t'i zgjoj!" tha plaku dhe ia nisi këngës…. “E shikon, sulltan, urime, se e para është kjo këngë që të bën të zgjohesh, të kthehesh në jetë…

... Dhe emrin e sulltanit nuk e mbaj mend. Por mbaj mend atë që këndoi më pas, jo më për atë sulltan, por për të tjerë sulltanër të kohëve të tjera, që ndoshta nuk lotuan, por ama qanë, kur dëgjuan atë këngëtar, atë këngë elbasanase që prej kohësh kishte pushtuar dynjanë, edhe pse shqiptarin nuk e linin të kalonte kufinjtë…

U shkunda me fjalët e të madhit dhe të pavdekshmit, Isa Basha, ndërsa makina, që mbante në gjirin e saj Hamit Dikën, Qazim Radoniqin, Isa Bashën dhe mua, ndërsa kalonim kufirin e Qafë Thanës për të vizituar Universitetin e Tetovës, nuk pushonte nga këngët e kënduara nga i papërsëritshmi, Albert Tafani…

Aty flitet, aty këndohet, aty rrëfehet… Albert Tafani, i quajtur ndryshe si “bilbili këngës popullore të Elbasanit dhe Shqipërisë Mesme”, talenti i zbuluar ndoshta rastësisht nga këngëtarja e madhe Vaçe Zela, prej afro 45 vitesh ka dhënë kontributin e tij në interpretimin dhe promovimin e pasurisë së çmuar siç është kënga popullore. Albert Tafani, e ka nisur karrierën e tij qysh fëmijë, kur dëgjonte me dashuri zërin e këngëtarëve të mëdhenj të këngës popullore të asaj kohe tek “Radio- Tirana” e më vonë në RTSH, nga ku pastaj ai nisi të këndonte. Talentin e tij e ka shpalosur kur punonte në profesionin e nderuar të berberit dhe aktivizohej nga Shtëpia e Kulturës Elbasan, por edhe RTSH. Ai nisi të ngjiste shpejt shkallës e karrierës dhe të suksesit si këngëtar popullor, ai thirrej në të gjitha aktivitetet artistike e kulturore, thirrej nga koncertet dhe festivalet që mbaheshin, pasi zëri i tij ishte tërheqës dhe ndjellës.

Albert Tafani

Dhe dëgjoj të flitet tashmë në korr nga ata që dëgjojnë në makinë… Të gjithë, jemi rritur me këngët e Tafanit, me zërin e tij. Mjafton të dëgjosh vargjet e këngës popullore “Kno moj qyqe se po vjen behari…”, për të përmendur e nderuar njeriun që edhe sot i këndon zemra dhe shpirti, këngëtarin dhe interpretuesin popullor Albert Tafani.

Tjetri shton atë që di për këtë bilbil të këngës. I lindur dhe rritur në Elbasan, i formuar dhe ushqyer prej fëmijërisë tij me këngët popullore të Elbasanit dhe Shqipërisë së Mesme, jo vetëm nga vokacioni dhe zëri tij karakteristik, por edhe nga talenti dhe aftësia interpretative, Tafani ka shkëlqyer ndër vite, duke krijuar profilin dhe veçantinë e tij. Në brezin e këngëtarëve profesionistë që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin jetë folkut elbasanas, veçmas, këngëve dhe melodive popullore qytetare të Elbasanit, ai mbetet autentik dhe i paarritshëm në llojin e tij.

Sot gjithandej shkruhet … Një jetë me këngët e tij, me mbi 70 vite mbi supe, Tafani, ka të gjallë dëshirën dhe pasionin për këngën popullore dhe mbetet mjaft i vlerësuar. Ai këndon me shpirt këngët, meloditë, fjalët dhe vargjet e krijuesve të mëdhenj popullore Isuf Myzyri dhe Mustafa Bodini. Tafani ka qenë pjesëmarrës në festivalet Folklorike qysh nga ansambli “Isuf Myzyri”, tek “Elba Folk”. Tafani edhe sot respektohet dhe duartrokitet nga fansat e tij dhe jo vetëm në Elbasan, por edhe në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kavajë, Lushnje, Korçë, Gjirokastër, etj.

Tafani njihet gjerësisht edhe nga shqiptarët jashtë kufijve tanë, si në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, e mjaft shtete të tjera deri në SHBA, ku ka shqiptarë. Atje ai ka fansat e tij të shumtë, që e presin dhe respektojnë maksimalisht. Përmes këngëve “Mu ke Gurabardhja”, “Vaj si qenka ba dynjaja”, “Sa ma shpejt me vu kamën”, “Tuj shëtit në ara të gjata”, “Moj kala e kuqe” etj, etj, ai përcjell me dashuri dhe interpretim prej artisti vlerat qytetare dhe talentin e tij të lindur.

Mësojmë nga mediat se në Festivalin e Këngës Popullore Qytetare Albert Tafani ka fituar Çmimin e Parë të Karrierës, sepse janë këngët që ridimensionohen brenda shpirtit tij, mendjes dhe natyrisht në këtë kohë zhvillimesh zëri Bilbilit nuk humbet kurrë. Albert Tafani ka qenë ftuar nga TV të Kosovës, Maqedonisë, nga shoqata dhe individë, të cilët kanë kërkuar dhe shijuar zërin e tij, melodinë e këngëve të Shqipërisë së Mesme, por edhe vargjet e bukura të këngëve. TVSH, ka qenë ndër mediat kryesore që ka ftuar Tafanin në koncerte çdo fundviti, po ashtu edhe TV Klan, TVA, apo edhe Tv të tjera lokale.

Nga Universi i vlerave që ruan në shpirtin e tij, Elbasani i shekullit të lirisë dhe prosperitetit, gjithmonë ka nderuar dhe nderon këngëtarët e tij. Albert Tafani mbetet i dashur për çdo elbasanas, por natyrisht ai duhet vlerësuar edhe nga institucionet e kulturës së qytetit dhe shtetit, pasi ky do të ishte një stimul moral mjaft i nevojshëm për atë dhe çdo artist tjetër që e ka merituar këtë nderim. Artisti Albert Tafani, ka sot dashurinë e publikut, por ai meriton më shumë nga institucionet, por mbi të gjitha respektin e publikut.

487 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page