top of page

TI O MIKU IM I SHPIRTIT


KUJTIM APO PËRMENDORE PËRJETËSIE, TI O MIKU IM I SHPIRTIT

(Kushtuar Zeqir Lushajt, në dyvjetorin e vdekjes)


Rrugëve të zbrazëta

Kujtimet i kanë hapur sytë

Avullim lotësh e shikime të venitura

Mes pishave jehonte buzëqeshja

Kur hurbnim kafenë

E gotat i cakërronim

Në rrasën e gurit si sofër

Në atë qosh të oborrit të shtëpisë

E valët e detit shkumëzonin mallëngjimeve

Flladi valëviste blinin e Grisë

E ti shkriheshe i tëri

Prej gëzimeve të miqësisë

Aty e kishe mbjellë vendlindjen

Edhe një pjesë të Dardanisë


Tani u bënë dy vite

Kur tinëzisht ike nga kjo botë

Na le të shtangur

Me kujtimet si statujë e ngrirë

Oh sa rëndë

Vazhdat e lotëve përshkohen boçës së mërdhirë

Ngujore e oborrit gozhduar dhimbshëm

Deri në shpirt e pa harruar

Kafeja e buka e shtruar

Për miqtë e shokët e shpirtit


Një lehje qeni cijatje e uritur

Dëgjohej oborrit të zbrazët

I hutuar shikonte zbrazësinë

Nuk lejonte besniku futjen brenda

Pa qenë aty i zoti shtëpisë

Qante në heshtje nga mërzia...

Tani nuk di

Ajo kafshë a ka ndërruar vend...!


Këtë verë që iku erdha në Shëngjin

E rreshka lëkurën

E sytë u enjten në mallëngjim

Tash bebëzat e syve

Me hidhërim shikonin kodrën

Rrëshqitnin mbi kulmin e shtëpisë sate

E piskë më vinte zëri yt

”Ku je o nipalan

Eja e ngjitu lartë se kemi mjaft vend”

Tash si mjegull më përftoi para syve

Figura jote e ndritur nëpër mote


Nuk erdha nga Shëngjini në Malësi

Pa e takuar miken tënde Domenikën

Kafe me pi

Dhe për asnjë çast nuk të hiqnim goje

Se na le të mbjellë kudo miqësinë

Adilin në Prishtinë, Sejdiun në Pejë

Domenikën në Shëngjin...


Si në ëndërr të shikoj

Në tavolinën e gurëzuar

Me kafenë para e gotën e rakisë

Duke na thënë “gëzuar”

Siç e kishe traditë


Koha ikën e vitet treten

Kujtimet shprushin zjarrin si në dimër

Prore i skalitur

Do mbetesh përmendore

Rrugëtimeve të jetës nëpër mote

O miku im i shpirtit



(Gjakovë,10 nëntor 2023)

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page