Kujtim Dashi
Thirrma që trandën…
-Fragment nga novela me të njëjtin titull-
…S’e vija në dyshim se më kishte përzgjedhur si një Demkë* me perspektivë në këtë fat të paracaktuar tinëzisht, duke më bërë gjoja nder mua, ta çlironte veten nga punët e lapsit e për të kompensuar njëfarësoj paaftësinë me damkë të atij stafi të ngushtë që drejtonte. Atë e kishte trashëguar apo dhe ripërtërihej dora-dorës vetvetiu si një vazhdë tradite shumëvjeçare, që s’kishin asnjë mundësi ta ndryshonin dot ardhëtarët përjashtues e kalimtarë si unë. Kur hapeshin vende të lira s’para e pyetnin fort shefin tim, ose kur rastiste të ndodhte, këtë e bënin sa me e lag gojën, veprohej sipas parimit e logjikës mëjepsetëjap, duke nxjerrë sekush përfitime për veten e vet nga këto emërime.
Rishtarë të përhershëm e të preferuar, pa frikën e ethet e konkurimit të hapur me të tjerë, ishin gjithmonë djemë e vajza të shokëve e miqve të nomenklaturës lokale, që silleshin në atë institucion si në një trampolinë të përkohshme, për t’i përgatitur për poste më të larta a vende pune më të rehatshme e të bereqetshme deri dhe në kryeqytet, si një mënyrë për të siguruar vazhdimësinë në pushtet të etërve të tyre. Kohën e kishin me tepri dhe mundësitë e pakufizuara për t’i peshkuar këto vende pëllumbash, që i quanin mes vedit. S’më qe thënë fare troç arsyeja e thirrjes sime, po kjo ishte e nënkuptuar dhe e përllogaritur mirë, madje e veshur me petkat e një bamirësie përjashtuese. Nderin që po më bëhej, duke më zbritur në qytet, madje dhe cen biografik dhe kaq shpejt, - lindur e rritur në qytet, po emëruar në fshatin më të skajshëm të malësisë, - duhej t’ua shpërbleja me mirënjohje e veç po me nder, duke u bërë si një instruktor i eprorëve të mi dhe i stafit tjetër. Kësisoj pa rënë në sy, fshehurazi barra ime ishte t’i vija mballoma të padukshme e purteka paaftësisë së të tjerëve, po, ama, ta mbaja mirë vath në vesh: të mos ndihesha fare, të mos përflisja miturisht, të mos ankohesha e të nxirrja në pazar punët e përbrendshme në asnjë rast, qoftë edhe atëherë kur do të më fshihnin thellë brenda listës së gjatë të ndonjë grupi pune, po që e tërë barra, dihej mirëfilli, do të binte mbi lapsin tim. Pjesëmarrjen në çdo lloj grup pune s’do të ma ndanin derisa të m’i jepnin duart, ose t’ia bëja bam unë vetë, të ikja nga sytë këmbët. Isha vetë sinonimi i grupit të punës. Lexohej lista e gjatë e grupit të punës dhe, kur bashkëanëtarët dëgjonin emrin tim, atëherë ndjeheshin të lehtësuar e nënqeshnin me shejtanllëk. Qëllonte që më jepnin edhe haxhet tek të tjerët. Do të shkosh te shoku…Po të çoj këtë të riun që kemi marrë tashti vonë, mbaje sa të duash, po ma trajto mirë, më përcillte shefi ynë dhe nënqeshte i kënaqur, pasi me siguri, nuk do të dilte pa ndonjë përfitim vetjak prej këtij shkëmbimi, si t’i jepte rrugën një argati…Zura të njoh edhe ndonjë tjetër që përfaqësonte grup pune në institucionin e tij dhe nisëm të shkëmbenim batuta, me të cilat na ushqente Demka…
Natyrisht duhet ta kuptoja dhe t’ia bëja shyqyrin, - më kishte këshilluar një kushëri i imi kriptoateist, - se isha më me fat se Të padukshmit, për të cilët shkruante një autore angleze. Sapo e kisha lexuar ato ditë librin dhe më kishte lënë pa mend. Edhe sepse ai iu kishte shpëtuar syrit vigjilent të censorëve e kishte mbërritur në duart e lexuesve. Autorja tregonte për një koloni shkrimtarësh në Klignankartholl, në të cilin ishin punësuar afro njëqind shkrimtarë të talentuar, të vjetër dhe të rinj, me fat dhe të mjerë, të cilët më parë ishin testuar nga një komision ekspertësh. Kushti i parë i kontratës rigoroze të puntorisë krijuese ishte zhdukja përfundimtare e emrave të tyre; ata nuk do të kishin më emra, por do personalizoheshin me numra, formula algjebrike, ose figura grafike si gjethja e palmës, merimanga, karkaleci dhe lloje të ndryshme peshqish dhe gjarpërinjsh, pa referenca njerëzore. Ndërsa unë do të isha më me fat. Të paktën, do të kisha emrin tim përbri lapsit e s’do jetoja anonim, domethënë i identifikuar me lapsin, po sidoqoftë do ta kisha emrin tim e s’do jetoja në koloni. Të padukshmit fatkeqë jetonin në një ilegalitet të plotë, të izoluar gati krejtësisht nga bota, në mes të një pylli larg rrugëve dhe kureshtjes së njerëzve të tjerë; ata, veç komoditeteve të zakonshme, nën themelet e ndërtesës të stilit viktorian, ku banonin kishin dhe një…krematorium. Aty u digjeshin trupat kur vdisnin, hiri i të cilëve ruhej në disa vazo guri, të cilat vendoseshin në një galeri të zymtë si librat në një bibliotekë. Unë do të isha më me fat, se do të kisha një vend të paqtë Te Ullinjtë e Grykë-Zezës, siç iu thoshnim varrezave publike të qytetit tonë.
Të padukshmit e mi, kështu po i them pas kësaj ekspozeje përvijuese, këta argatë krijues të kohëve moderne, që në njëfarë mënyre ishin reaminatorë të Pegasit të tjetërkujt, me shkrimtarsinë e tyre për bukën e gojës, ringjallnin a ripërtërinin shkrimtarë dikur të famshëm, por që më pas kishin shterur. Ata, por jo kuleta, as narcizmi e lavdidashja e tyre e pafre. Ky ishte mekanizmi i mbijetësës së këtij institucioni të fshehur, kësaj kolonie që do të çudiste këdo në botë nëse dëgjonte për të, po të mendoje se aty veç librave porositeshin edhe ese, artikuj gazetash, skenarë, histori arti, studime…
S’kisha dyshim se kishim të bënim me emigrim përvojash të skajshme deri në fantazmagori, po s’isha i qartë nëse e kishim kopjuar ne prej atyre, apo autorja angleze nga ne. Të njëjtën dilemë emigrimi pata patur, kur kisha ndeshur në ndonjë anekdotë te “Aventurat e Topgungaçit” të R. Eskparpitit, të cilat i tregonim sikur kanë ndodhur te ne…
Vallë e dinin ekzistencën e mënyrën e funksionimit të kësaj kolonie këta të mitë?... Thua dhe fati im do të ishte ai i reaminatorit të padeklaruar për t’i dhënë impulse të reja punës, apo kisha rënë kokë e këmbë në grackë dhe po e mikloja shumë veten me qasjet e leximeve?
Shefi u ngrit vrik nga tryeza në formë T-je si një hetues hardall, që ka humbur durimin me të pandehurin dhe u vërsul pa kurrëfarë etike dhe e ndali turrin mu afër derës, ku po qëndroja në këmbë e në pritje, si një nxënës shkolle i pabindur, ose i pamarrun vesh, që prêt me qetësi masën e dënimit. E mbylli derën, u kthye vrikthi përballë meje dhe i vuri shpatullat e gjëra derës, që të mos e hapte kush as nga jashtë dhe as unë deri sa të shprazte ato për të cilat më kishte thirrë me iniciativën e vet, i urdhëruar a i porositur turravrap nga ndokush lart, ndoshta, në këtë seancë të dytë të përdredhiadës, me më tregue vendin...
U vumë përballë. Qe nxirë në fytyrë, ndonëse mua m’u duk se po luante sërish të njëjtin rol, duke i shtuar dozat e shqetësimit të tij enkas, për të bërë të shqetësuarin e macekokëpërdredhësin e zotë e, në të njëjtën kohë, për të shuar te unë tani e tutje çdo farë iluzioni për konfidencialitet të mëtejmë, domethënë po e shtynte me vetëdije dhe si i penduar kufirin te…thana! Do më shpaloste, besoja, pjesë të rregullores së tij verbale, si një i dashuruar naiv, që ia dikton rregulloren e vet vajzës që ka njohur që në takimin e parë. Së pari, së dyti…Njeriu nuk është ai që mendon se është; është ajo çka fsheh në thellësi dhe skutat e vetvetes, më sillej ndërmend një sentencë që kisha për zemër, e cila si në raste të tjera më kishte orientuar, për të depërtuar pa droje në brendësinë e labirinthet e njeriut, i shkonte për shtat edhe shefit tim që më rrinte përballë si kokosh. Kushedi mirësjelljen apo dhe heshtjen time pritëse, e quante padituri, i papërgatitur për jetën a mungesë përvoje nga ana ime. Siç dukej e kishte zënë mirë për brirësh rastin e donte ta shfrytëzonte si mundte e deri në fund, për të vendosur njëherë e mirë raporte të prera epror-vartës, si mbarimi i një epoke dhe fillimi i tjetrës, i lipsej të krijonte atë distancën e domosdoshme, që do t’ia bënte më të lehtë sundimin mbi mua.
- Pse s’më ke thënë që ke një dajë në burg? - ma tha copë, pa hyrje e dalje të tepërta, si një stomatolog pa përvojë a praktikant që s’ia ka haberin e godet pacientin fill e në nerv të dhëmballës.
- I themi i ftohtë, pasi nuk janë…
- I ftohtë a i ngrohtë, si po i thoshkeni ju, daja yt është…
- Ç’të them, kur ju i dini të gjitha?...Jam vetemëruar a më keni emëruar vetë?! - thashë dhe pasi rroka në ajër vështrimin e tij hetuesor, sytë i lëshova mbi dosje me mendimin se e kisha tërheq zharg nga pas dhe shikimin e tij, për t’i hedhur bashkë mbi dosje e për t’u takuar aty. - Ti s’je jabanxhi këtu, je vendali…Është lajm i vjetër; ai s’ka hyrë pardje në burg, - u talla.
- I dimë, i dimë, po…E nxirrni kokën JU, ja, pak t’iu japim dorën NE…
U tranda. Mërmërimat e pëshpërimat gjarpërore, vreri, cmira e intriga, xhelozitë, mosmirënjohja e shmangiet e qëllimta e tinëzare, që më ishin bërë në kohë të ndryshme, ky fare papritur i çkodifikoi në çast dhe pa e vrarë fort mendjen. I nxori çipllak sikur të kishte përballë ndokënd, që sapo dilte prej qelisë së burgut dhe, për këtë, sikur donte të merrte meritën e amnistuesit e mirëbërësit. Tashmë nga AI u bëra saora JU, shumës me rreshtimin dhe tërë barrën e shtresës sime mbi shpinë; edhe shefi si kundërpeshë u pozicionua menjëherë, po në shumës NE, domethënë pushteti, sundimtarët e radhës, ai vetë. Sa shpejt e me kaq lehtësi krijohen hendeqet, mendova i trishtuar si njeriu që nuk kupton se çfarë ka bërë që ndaj tij të bien a të projektohen gjëma të tilla.
Më veçoi dhe më bëri atypëraty përfaqësues të shtresës sime, që liberalizmi i tij ma kishte ngritur pakëz gurin, për të rregulluar një hop frymëmarrjen nën të, ndërkohë menjëherë ma kujtonte, se gjithsesi rrasën mbi kokë do ta kisha për tërë jetën, sa të mbaja mbi shpinë këtë kleçkë. Dhe nëse do të dilte daja nga burgu, kur t’i vinte vakti e të shlyente ditëmëditë dënimin, dhe nëse mos qoftë thënë, ai do të shkonte te të shumtët, në dokumente s’do më shlyhej kurrë, do të më mbetej gjithsesi aty, po me një rrethanë disi më lehtësuese: folja kthehej automatikisht në të shkuarën e saj: ka pasë dajën në burg!
Shefi më këshillonte sipas mënyrës e përvojës së vet, që të mos e provoja ta ngrija kokën më lart se ç’duhej, se masën e limitimin e lirisë nën gur e dinte dhe e lejonte vetëm AI; njëfarë mënyrë rrihte të më kthjellonte mua, se shoqëria ishte organizuar në atë mënyrë saqë duhet ta kuptoja e t’i bindesha fatit, se njëfarësoj sa të isha nën hyqmin e tij, ai do të ishte jo eprori, po si pronari im më i parë, zoti im. Po të ndërroja punë, detyrimisht do të ndërroja thjesht pronarin, se principet ishin kudo të njëjta. Ka, ka pasë dajën në burg! Këtij, ama, duhet t’ia dija kimetin. Ky më kishte çelur rrugën. Më kishte dhënë dorën. Më kishte marrë…Më kishte nxjerrë nga bashkësia e njerëzve me hije…Përshëndete bamirësin, lavdëroje, amplifikoje nderen e tij!...Dhe, nëse doja t’i njihja të tjerët a të vështroja diku për më lart në hierarki a të shkoja tek ata që mund ta bënin këtë për çfarëdoqoftë arsyeje, s’mund të kisha shteg tjetër ta bëja këtë ikje të detyruar a të vullnetshme veçse vetëm nëpërmjet syve e mendjes së shefit, dëshirës a simpatisë së tij, shërbimeve ekstra që mund t’i bëja gjithnjë në dobi të tij, për shkak se e kishte marrë në përdorim atë post…Vetëm ai mund të më lëshonte, ose të më mbante ende për nevojat e institucionit…Unë s’kisha afat. Ushtarët qenë më fatlumë: dy vjet, tri e ndokush katër vjet në marinë, të paktën e dinin se kur do të liroheshin…
As më shumë dhe as më pak po rrekej të më jepte tërthorazi një leksionpraktik, të cilin diku e kisha lexuar e skeduar; në rast se synoja që të ngjitesha diku më lart duhej medoemos, që zgjuarsinë ta ktheja në dinakëri të zhdërvjelltë, vullnetin në egërsi kafshërore, ambicien në cinizëm, moralin në mirësjellje formale dhe ndërgjegjen si një makinë llogaritëse, përndryshe s’kisha gjë në terezi...Një hop u mata të bëja një sakrilegj, t’i kujtoja përvojën botërore; t’i thosha se babai i aktorit të shquar Gèrard Philippe në vitin 1945 qe dënuar me vdekje si bashkëpunëtor i nazistëve, por askush nuk e pengoj të birin që të shfaqte talentin e tij e të bëhej i njohur në të gjithë botën, madje edhe në qytetin tonë. Po kujt t’ia thoshe?! Do më turrej menjëherë pse Gèrard Philippe je ti, mor, mor?...Pse në Francën kapitaliste jemi ne këtu? Thirri mendjes! Mos fluturo me presh në bythë!…
Megjithatë, teksa humbisja disa iluzione, kisha ndjesinë pozitive që isha në anën e së vërtetës. Sytë e tij po më dukeshin si hekurat e kryqëzuara të burgut, ndërsa mendimet si të më fuste në kafaz. Leksionin praktik nga ana tjetër m’u desh ta përktheja atypëraty ndryshe: se do më duhej të punoja në një mjedis të vështirë e paragjykues, parasëgjithash që të ruhesha shumë, për të shpëtuar veten mos dëmtohesha së brendshmi nga gjithë mënyrat e hapura e të fshehta se si nomenklatura korruptonte njerëzit e ndershëm e të mirë. Kishte në staf nja dy-tre syresh, që i silleshin si Premti*. Përshtatshmëria e njerëzve dhe ndjekja e rregullave me indiferencë të madhe më dukej alarmante. Aq dhe slogani shtyje ta shtyjmë…E bën zoti mirë!...Bëjmë sikur punojmë, bëjnë sikur na paguajnë…
- Ç’thua, ore kështu? Po unë sapo mbarova fakultetin…
Vështrimi m’u mbush me errësirë.
- Atë mos ma thuaj mua, se në shkollë të lartë e dimë NE si të kemi çuar. Mos ma thuaj mua atë, e di mirë. Edhe në stazh të nisëm enkas në Kalivaç, për të t’i qëruar lakrat që kishe në kokë në kohën e liberalizmit, - ti e di mirë, se për këtë pat ardhë vetë nëndrejtori i Institutit, - kur ti atje qenke bërë akoma më keq…Nuk thonë kot më trego se me kë rri, të të them se kush je. Atje shokun më të ngushtë ke pasë atë, që s’kishte hyrë kurrë në kooperativë, Gjonin. Ç’kujton ti se s’i dimë ne? Ka gjetë kapaku vegshin. Tëra i dimë. Ditën e parë që ke shkuar atje, zotëria jote, vetëm pasi e ka gjezdisur dy-tre orë si turist nëpër katund, na e ke quajtur atë fshat kryeqyteti i mërzitjes, thuajse vjen vetë nga ndonjë derë e njohur princërore evropiane, apo se atje s’jetojnë njerëz…Humor i zi, i ziu ti!...
- Atje jam shuguruar mësues…
- Ke nisë punën, mos na përdor këtu terma fetare…Ti s’je as kristian. Ç’kujton ti, se nuk e dimë ne që ke qenë ndër ata të paktë, në mos i vetmi, që e ke mbrojtur në shtyp atë poetin lushnjar, që shkarraviti e botoi atë poemën reaksionare, e cila ngriti në alarm tërë partinë, si e kishte titullin, hë mo, kujtoni se ne s’lexojmë, hë m’u kujtua Dielli dhe përrenjtë…
- Rrëkerat…, - korrigjova.
- Hajt se njësoj është, punë ujërash, po ama, helmin e hodhi që e hodhi në ujërat e turbullta; shkoi deri atje lala i dreqit, sa të bëjë në poemë thirrje të hapur, për të goditur pushtetin popullor me gurë, po të mungonin armët. Ej, jeni në terezi ju, apo jo?! Thirrini mendjes! Dhe ti je dakort me këtë, ë?! I talentuar, më thua prapë? Ore, ky bën thirrje për kryengritje ti akoma më thua i talentuar e i guximshëm si pak kush!? Dhe thua pa teklif se të paska inkurajuar edhe ty? Ti qofsh! Po ne, ama, ja treguam vendin, atje në orizore, pak e ka, besa,…Edhe këtu kemi ne sa të duash orizore, miniera, peshkim…Jo, jo në peshkim se krisni e ikni, ia mbathni... Ua treguam se ç’ishit në gjendje të bënit, kur e provuat te Dueli i heshtur, po edhe aty ngecët, ju dhamë një mësim të mirë: provojeni po ua mbajti bytha! Shkroi lala dhe për koburet tona, për çifligjet e reja, për djemtë e sekretarëve…Ka fut hundët thellë në jetën tonë, sikur ne qenkeshim vetë e keqja më e madhe e këtij vendi…
E, mirë që m’u kujtua. Dëgjo këtu: vëri vesh mirë se çfarë po të them; mos u mëso që të ma dhjesësh muhabetin mua, sidomos në sy të të tjerëve, po ta them edhe njëherë qartë e prerë, në sy të të tjerëve, theksoi, duke e rrokjëzuar, se e di që të mbajnë për ironik…Me mua do t’i kesh që prej sodit drutë shkurt. E nxirrni kokën JU, pak t’iu japim dorën NE, ta thashë…
- Se kush jam e di dhe përpiqem ta njoh veten, - u stërmundova brenda vetes që t’i ul tonet e kësaj bisede, po dhe një dreq interesi që ishte zgjuar diku në kokën time për ta lejuar tjetrin përkarshi që të shkundej mirë e mirë, që ta njihja tamam se me kë do të kisha të bëja realisht. E, kohë më të volitshme, se sa nervozizmi e inkandeshenca e tij flakëruese s’kisha tjetër, s’po më linte rehat. Të thotë çka për të më thënë tani, që ta di mirë se me kë do të kem të bëj nëse mbyllej me aq…
Në dukje u bë një mishmash përemrash vetorë sikur diku aty afër të kishin shkundur me purtekë ndonjë tabelë plot me to, si ai, ti, ne, ju, ata, po afërmendsh diçka e kisha më se të qartë tani e tutje dhe më hoqi çdo iluzion: shefi hynte i tëri dhe e ndjente veten brenda dhe ishte plotësisht i sigurt si në shtëpi të vet tek NE, që ishte pushteti dhe, në kampin tjetër JU më kishte hedhur mua e fol e bërtit sikur më kishte gjetur në rrugë të madhe apo në ndonjë dëm arash në ish-kooperativën e vet prej nga kish ardhur në atë karrige. Nëse do të lindte nevoja për ta emërtuar skenën do të perifrazoja “Mbreti lakuriq”. Po atëherë përse më kishin pranuar kaq lehtësisht në gjirin apo oborrin e tyre? vrisja mendjen dhe zura të luaj me veten, për të gjetur çfarë isha në të vërtetë atë çast NEJU apo JUNE, po kur të dilja nga ajo derë çfarë do të isha, me ç’targë do të dilja?
- Pastaj unë jam i Omer Shkrelit, i njeriut simbol dhe jo i atij që ma përmendni orë e çast si gogol; të thashë e kam dajë të ftohtë, siç i thonë në Jug...Duhet ta keni të shkruar…
- I ftohtë a i ngrohtë ai është daja yt e s’do ta heqim kurrë prej letrave tona deri sa të vdesësh! Mos më bën të përsërit gjërat, se s’e kam zakon. Ta dish mirë këtë, kupton? Veç në rrasë të varrit nuk iu shkruhen këto gjëra. Ikën ti, bie fjala, po dosja zbret në arkiv. Mund ta lexojë kur të dojë djali a vajza, nipi a mbesa, stërnipi dhe stërmbesa…Dhe, mos na përrallis këtu për simbole. Oj ky! Kush ta paska thënë ty këtë? Simbolet e njeriun e ri i krijon partia, jo kështu si i shpërndani qesim JU si karamele synetllëku, për t’ia bërë qejfin vetes, se medemek JU na qenkeni më të zotë se NE…Helbete, ndonjë blozak i fshehtë a i mëshiruar prej nesh, si puna jote, patjetër, ai do ta ketë nisë atë proçkën në mëngjes. Apo i ke porositë vetë? Shiko, edhe këtë version do ta studiojmë, personalisht nuk e përjashtoj, mos kij merak, këtu jemi. Çfarë kanë dashtë me na tregue me ato thirrma në delir “Ja, kush po iu vjen! Dijani kimetin!” Atje në Institut të Shkodrës, shumicën prej jush, ju kemi mbledhë, ja kështu, kokërr për kokërr. Pse, si kujtoni t’iu çonim në kryeqytet, ë? Ah, si lidheni JU njëri me tjetrin!
- Me kë lidhem unë, je në terezi, apo jo? Ç’do të thuash me këtë? Ç’janë këto zbulime që po na bën?! S’të mjafton apo të duket pak që të thashë se jam i Omer Shkrelit? Në qoftë se do (desh i thashë nëse je penduar a trembesh për bythën tënde) a të rrezikoj ty e lë qysh sot punën, - thashë i fyer sa më s’bëhej dhe instiktivisht luajta duar e këmbë si të doja të dilja prej ndonjë kafazi të hekurt, që ma kishin hedhur sakaq përsipër.
Ndjeva një dhembje të madhe në gjoks sikur më kishin goditur fort me qytën e pushkës. M’u errën sytë. Në atë terrinë sa një shkreptimë çuditërisht pata kohë ta kujtoj e të marr inat edhe këshillën aq shpesh të përsëritur të prindërve “Zgjidhe nyjen pa këputë perin”. Nuk më lipsej më ai durim i madh. Më mirë një jetë pekëputur se sa kjo kështu! E dija unë ç’donte ajo nyje. Ai pe duhej këputur në çast, pa as më të voglin ngurrim. Tërhoqa fort dorezën e derës si për të dalë një orë e më parë nga porta e ferrit dhe shtyva me nervozizëm pakëz derën e, bashkë me të dhe vetë shefin, që i kishte vënë asaj shpatullat e gjëra. Mora të dal jashtë, për të mos u kthyer më kurrë në atë vend, po ai më tërhoqi mu te pragu pak me delikatesë si i penduari, që është ngatërruar dhe ka rënë brenda me këmbët e veta dhe gjen një mënyrë për të kërkuar atypëraty ndjesë, kur e sheh që e ka tepëruar madje jo pak. Çfarë kujtonte se kishte thirrur ndonjë rajà a ndonjë nga Premtët e vet, që i rrinte gati-tu para e prapa, për t’i bërë pazarin a për t’i marrë qyl arkat me peshk në depot e peshkimit e për t’ua dërguar shefave në Tiranë, apo për të qerasur të deleguarit, që e kishin kaq për zemër rrethin tonë e të rregullonte kësisoj hesapet me to? Njëzet e katër vjeç isha dhe e haja jetën me dhëmbë kudo të më përplaste!...
- Jo, për të lënë punën jo, ti sot atë po e fillon, ndaj të kam thirrë këtu, po kij mendjen, mos e harro këtë thirrjen time të sotme, që, në fund të fundit, ngado ta shohësh është vetëm për të mirën tënde...Se jeni pak euforikë JU, dikush t’iu thotë dy fjalë të mira, merrni hamull…Ne kemi pasë dhe muhabet bashkë…Nuk ta mbajta vendin e punës për pesë muaj? Pak të duket kjo? E di unë se si…Kalivaçin atje e ke, s’luan vendit; nxënësit kanë nevojë prapë për mësues të mirë e të përgatitur…Kësaj s’mund t’i biesh me shqelm, apo jo? Mos mendo se e bëra këtë në kokën time. S’e ke idenë se ç’reagim e pështjellim ka shkaktuar një emër, domethënë emri yt dhe thirrmat e studentëve-zboristë, shokë të tu përmes qytetit…Ishte diçka e padëgjuar…Thamë se çfarë ndodhi, edhe kryengritje i tha dikush…Mos u çudit, mos qesh…Tani kërkojnë shpjegime për ty edhe ato Lart, në Tiranë…Mua po më presin për t’i informuar ato Lart!...Pastaj relacionin me shkrim…Vetë do ta shkruash…Si, do të nisë punën me pretencën ndaj vetes, me autopretencë? Mos i keqinterpreto gjërat…Është më mirë ta shkruash ti, se ndokush tjetër, besoj më kupton?...Ore, me kë kujton se flet ti?!
Atëherë atij i vura emrin: kondensues. Mos u gëzo, o i gëzuar…S’më kishin lënë ta përjetoja më shumë atë kënaqësi spontane e naive nga një shaka e dashamirësi e bashkëstudentëve të mi, me shumicën prej të cilëve nuk do të takohesha kurrë më në jetë...
Orvajtja ime demonstrative do të bënte këmbë më shumë se ç’e pandehja. S’e parashikoja këtë nder të shefit tim, se unë për herë të parë po e bëj të njohur. Përveç se ironik, hundëpërpjetë, tashmë isha dhe hundlesh, nevrik i madh, që s’ta përton, s’pyet për kërkënd, hazërxhevap…
____________
Personazh i romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i D. Agollit
Personazh i romanit “Robinson Kruzo” te D. Defosë.
Commentaires