top of page

Thanas L. Gjika: Faik Konica aktual edhe sot



 

KRITIKAT E MENDIMET E FAIK KONICËS JANË AKTUALE SOT

(Me rastin e 150-vjetorit të lindjes së F. Konicës)

Nga Prof. Assoc. Dr. Thanas L. Gjika

 

Faik Konica është një nga figurat më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të periudhës së Pavarësisë. Ai, para Andon Zako Çajupit dhe Atë Gjergj Fishtës, me shkrime të shumllojshme ndihmoi dukshëm për krijimin e vetëdijes kritike të popullit shqiptar, vetëdije që është një nga nivelet më të larta të të menduarit njerëzor.

Mirëpo vepra e tij deri sot nuk ka qenë e njohur dhe e studiuar plotësisht, prandaj F. Konicës nuk i është dhënë ende vendi që meriton në historinë e popullit shqiptar si një nga ideologët e Rilindjes; si i pari krijues i alfabetit latin të shqipes; si krijuesi i prozës letrare realiste dhe i kritikës letrare; dhe as si një nga themeluesit e gjuhës letrare shqipe, që përdorim sot. Ky nënvlerësim i Faik Konicës ka pasur disa arsye kryesore:

Së pari, shumë mendime dhe veprime të tij ishin të parakohëshme, prandaj nuk u kuptuan prej shumicës së bashkatdhetarëve të kohës, madje ngjallën zili, dhe e kritikuan; së dyti, F. Konica i botoi shkrimet e tij tek revista “Albania” e nëpër gazeta e libra që u shtypën me tirazh të ulët, prandaj ato u lexuan / u njohën prej pak lexuesve; së treti, F. Konica në kritikat e veta përdorte shpesh epitete fyese, dhe kjo i acaronte të kritikuarit. Kjo dobësi u shfrytëzua edhe prej kuzhinave të huaja antishqiptare për të shpifur kundër tij.

F. Konicën e kanë nënvlerësuar në fillim disa atdhetarë të shquar si Sami Frashëri, Mit'hat Frashëri, Ismail Qemali, Fan Noli, dhe simpatiznatët e tyre. Për të edhe sot përsëritet opinioni i gabuar sikur ai ishte “dembel dhe nuk kishte lënë asnjë vepër të përfunduar, dhe se ishte kontradiktor në shkrimet e tij”. Këtë opinion të gabuar e përforcoi më tej diktatura komuniste.

Vetëm Federata Panshqiptare Vatra e Amerikës ka bërë përpjekje të vijueshme për ta studiuar sa më thellë e për ta botuar sa më të plotë veprën e F. Konicës duke filluar që nga viti 1975, kur ajo organizoi seminarin shkencor ndërkombëta për 100-vjetorin e lindje së tij. Ajo ka sponsorizuar gjithnjë studiuesit, si është dhe rasti i studiuesit Fotaq Andreas për përkthimin e botimin e dy ramaneve të panjohur të F. Konicës më 1916, dhe sot më 15 mars 2025 për botimin dhe promovimin e antologjisë madhore mbi 900 faqe “Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane”.

Kumtesat shkencore që janë mbajtur në këto seminare shkencore dhe botimet e studiuesit F. Andrea hedhin poshtë opinionin e gabuar dhe vërtetojnë se F. Konica nuk ka qenë “dembel”, por ka qenë krijues shumë prodhimtar. Vetëm tek koleksioni 12-vëllimsh i rev. “Albania”, ai botoi mijëra faqe me artikuj, kryeartikuj, ese, skica, poezi, botoi dhe vepra të plot. Gjithashtu ai nuk ka qenë kontradiktor në mendimet dhe qëndrimet e tij.

Tipari dallues i F. Konicës, tipar të cilit ai i qëndroi besnik gjatë gjithë jetës, ka qenë orientimi europian. Ky orientim, që përbënte thelbin e botëkuptimit të F. Konicës, ka qenë kultivuar tek ai që në fëmijëri prej nënës së tij, Lejla Delvina, e cila i mësoi atij frëngjishten që e kishte mësuar në liceun francez “Gallata Sarai” të Stambollit. Më tej ai vijoi edukimin europian në “Seminarin Katolik të Jeziutëve” në Shkodër, në liceun “Gallata Sarai”s, në Dizhon e Paris dhe së fundi në Universitetin Harvard, Boston, MA. Formimi dhe orientimi europian ka qenë shkaku që ai fitoi simpatinë e mjaft bashkatdhetarëve elitarë si Atë Gjergj Fishta, Atë Fan Noli, Andon Z. Çajupi, Ernest Koliqi, Namik Resuli, Eqrem Çabej, Mitrush Kuteli, etj, por edhe mërrinë e disa të tjerëve. Orientimi europian i F. Konicës ka qenë dhe vijon të jetë edhe sot një orientim i drejtë, kurse orientimi lindor (prorus, proturk, progrek, proserb, e probullgar), që ai i luftoi me të drejtë, kanë qenë të gabuar.

Si politikan atdhetar dhe si sociolog i mprehtë ai zbuloi disa nga plagët e popullit tonë, prej të cilave po sjell këtu njërën: “shqiptarët kapen pas individëve dhe jo pas ideve”, (“Albania Nr. 16,15-30 korrik 1898). Nga ky mentalitet vuajmë edhe sot shumë prej nesh, sidomos nostalgjikët e diktatorit e të diktaturës komuniste dhe puthadorët e politikanëve të tranzicionit. Duke i qëndruar besnik ideve / idealeve të veta demokratike e patriotike F. Konica u detyrua të kritikonte dhe miqtë e tij të ngushtë, kur këta u larguan nga ato ideale.

Si historian i mirëformuar F. Konica në shkrimin vlerësues për Ali Pashë Tepelenën, formuloi qartë parimin themelor për vlerësimin e personaliteteve historike të çdo kohe, parim që ka rëndësi për të gjithë histoianët tanë e të huaj, të djeshëm e të sotëm: "Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e rojti... Fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe, po vlera ish vlera e tyre” (Albania, Fruer / shkurt, 1902).

Kritikat dhe mendimet e F. Konicës që vlejnë edhe sot janë me qindra, prandaj nuk po zgjatem këtu. Për të kuptuar më mirë pse ky mendimtar i shquar u kritikua dhe u nënvlerësua prej disa bashkatdhetarëve të tij, po përmend disa raste.

Sami Frashëri: Pagëzimi katolik i F. Konicës në verë të vitit 1895 dhe botimi i revistës “Albania” me alfabet krejt latin, nuk u pëlqyen prej shumë atdhetarëve. As një prej atdhetarëve myslimanë nuk u konvertua në i krishter. Kurse krijuesit e alfabetit të Stambollit, të cilët krahas shkronjave latine shtuan dhe 10 shkronja greke për tingujt “ë,ç,dh,ll,gj,rr,sh,th,xh,zh”, nuke pranuan alfabetin e F. Konicës.

Sami Frashëri, ndonëse ishte dhe vetë mendimtar i shquar, pasi lexoi shumë numra të revistës “Albania”, ku F. Konica trajtonte probleme të rëndësishme me stil elegant e konciz dhe me gjuhë të pastër, nuk e vlerësoi, por i shkroi Murat Toptanit, dhëndrit të Naimit: “I dashur biri ynë Murat, mos e dëgjo Faik Konivën. ... nuk bëjnë të gjithë mizat mjaltë.” (AQSh, Fondi: S. FRASHERI, Dosja: Korrespondenca).

Mit'hat Frashëri. Biri i Abdyl Frashërit, ishte një atdhetar e intelektual enciklopedist, mirëpo dhe ai mbronte me fanatizëm alfabetin e Stambollit. Në tetor-nëntor të vitit 1908 Mit'hati Frashëri punoi për të organizuar Kongrsin e Alfabetit në qytetin Manastir. Ai donte që të përjetësonte përdorimin e alfabetit të Stambollit, prandaj e ftoi me shumë vonesë F. Konicën, që ky të mos mundëte të merrte pjesë. Dhe vërtet F. Konica nuk mundi të merrte pjesë.

Vëllezërit Dom Ndre Mjeda dhe Dom Lazër Mjeda më 1899, duke ndjekur rrugën e F. Konicës, krijuan një alfabet me shkronja krejt latine, të cilin e përdori “Shoqëria Bashkimi”. Ky alfabet i ri kishte tri shkronja më të mira se alfabeti i F. Konicës dhe ky reflektoi dhe e përmirësoi alfabetin e vet. Kurse Sami Frashëri dhe anëtarët e komisionit që krijuan alfabetin e Stambollit nuk pranuan ta përmirësonin alfabetin e tyre, madje Mit'hat Frashëri nguli këmbë në Kongresin e Manastirit që të përdorej vetëm alfabeti i Stambollit. Kurse Atë Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Sotir Peci e disa të tjerë, votuan për alfabetin e “Shoqërisë Bashkimi”. Komisioni organizues u detyrua të vendoste, që për ca kohë të përdoreshin të dy alfabetet dhe mbas dy vjetësh, Kongresi i Dytë i Manastirit, vendosi që gjuha shqipe të përdorte vetëm alfabetin latin të “Shoqërisë Bashkimi”. Ky vendim mund të ishte marrë 11 vjet më parë, kur “Shoqëria Bashkimi” krijoi këtë alfabet dhe F. Konica e miratoi atë.

Ismail Qemali. Në vitin 1900 F. Konica e vlerësoi shumë Ismail Qemalin kur ky e braktisi parlamentin turk dhe shkoi në Paris e Bruksel. U lidhën ngushtë dhe vendosën të bashkëpunonin së bashku. Mirëpo midis tyre erdhi shpejt ftohja, sepse I. Qemali hartoi një artikull dhe e dorëzoi për ta botuar. Faiku e botoi duke i hequr dy paragrafë ku autori shprehte vlerësim pozitiv për politikën greke, të cilën “Albania” e kishte luftuar si politikë “hileqare”. F. Konica i hoqi dy pjesët sepse i qëndronte besnik mendimit që kishte shprehur më parë për politikën greke: “Ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur për të qenë miq me grekët, ata [kupto: qarqet sunduese – Th. Gj.], përkundrazi, nuk kanë bërë gjë tjatër veçse na kanë sharë, përçarë, shtypur”.

Pavarësisht nga kjo ftohje me I. Qemalin, F. Konica shkroi disa herë për të duke e vlerësuar lart. Mirëpo më 8 korrik të vitit 1913, kur F. Konica, pasi kryesoi Kongresin e Triestes për të mbrojtur tërësinë tokësore të shtetit shqiptar, shkoi në Vlorë. Kryetati i Qeverisë së Vlorës nuk shkoi vetë dhe as dërgoi ndonjë ministër për ta pritur. F. Konica u largua brenda ditës dhe shkoi në Durrës. Po ta kishte pritur dhe ta kishte emëruar I. Qemali F. Konicën Minstër të Arsimit, ose Drejtor të gazetës qeveritare “Përlindj' e Shqipëniës”, ky intelektual i shquar, do të kishte dhënë një kontribut të ndjeshëm. Shkrimtari i famshëm frances Apoliner e kishte vlerësuar F. Konicën që më 1904 “Enciklopedi e gjallë, ... i denjë për kryeministër të Shqipërisë”,

Fan Noli. Miku më i afërt i F. Konicës ka qenë F. Noli. Ai e vlerësoi enciklopedizmin e tij, prandaj shkroi: “F. Konica më mësoi gjithçka”, pasi lexoi koleksionin e revistës “Albania” e shpalli disa herë veten “nxënës të Faik Konicës”. Mirëpo edhe këta dy miq u grindën midis tyre. Kur F. Noli për të luftuar Ahmet Zogun, u lidh me lëvizjen komuniste, ndërgjegja e F. Konicës nuk mund ta falte kalimin e mikut të tij nga pozitat e një demokrati në pozitat e një përkrahësi e popullarizuesi të ideve revolucionare komuniste. Kjo kthesë e F. Nolit nisi në pranverë të vitit 1925, kur ai dërgoi në Moskë grupin e të rinjve me Sejfulla Malëshovën, Zai Fundon, Koço Tashkon etj, që të kualifikoheshin e të krijonin më tej partinë komuniste shqiptare. Simpatia e F. Nolit për qeverinë komuniste të Rusisë Sovjetike u thellua në nëntor të vitit 1927, kur ai shkoi në Moskë, ku mori pjesë në ceremonitë e festës së 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Pas kthimit në Gjermani ai shkroi poezitë revolucionare “Anës Lumenjve” dhe “Rrent o Marathonomak”, dhe mori pjesë në Kongresin e Internacionales Komuniste...

Në vitin 1932, kur Noli shpalli se nuk do të merrej më me politikë, F. Konica, Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, i shkroi Ministrisë së Jashtme të ShBA-ve që ta lejonte F. Nolin të vinte në Amerikë. Noli u kthye në Boston, ku vijoi punën si Peshkop i Kishës Shqiptare të Amerikës. Faiku edhe pse më i madh në moshë bëri hapin e parë për bashkim; shkoi në Boston dhe mori pjesë në meshën e Peshkop Nolit. Miqësia u vendos sërisht, por grindja e tyre shkaktoi përçarje midis mërgimtarëve të kolonisë shqiptare, në simpatizantë të Nolit, ose të Konicës. Deri më sot miqësinë dhe grindjen e dy kolosëve, Konica-Noli, nuk e kanë sqaruar drejt të gjithë studiuesit e tyre, me përjashtim të studiuesit Rafael Floqi, në “Dielli”, 5 mars 2025, dhe unë në Hyrja e kësaj antologjie.

Ndonëse u pajtuan dhe bashkëpunuan deri në vdekjen e F. Konicës, në ndërgjegjen e Nolit kishte mbetur shija e hidhur e kritikave që i kishte bërë dikur “mentorii” i tij. Në prill të vitit 1962 në ceremoninë e 50-vjetorit të krijimit të Federatës Vatra, Peshkop Noli mbasi e vlerësoi F. Konicën si “Kryelëronjës të gjuhës shqipe, zbulues të flamurit”, “një nga themeluesit e Federatës Vatra”, etj, e mbylli vlerësimin me fjalët: “por Faiku ishte dembel, nuk na la asnjë vepër të mbaruar”. Një karakterizim i tillë për F. Konicën nuk kishte pse të thuhej prej Peshkop Nolit, i cili kishte lexuar koleksionin e plotë 12-vjeçar të revistës brilante “Albania”, të cilin e kishte vlerësuar shumë lart. Në këtë koleksion ai kishte lexuar shumë shkrime të mjeshtrit Konica, që përbëjnë vëllime me ese, artikuj, polemika, vëzhgime, skica, tregime e poezi.

Po ashtu Peshkop Noli kishte njohuri se Konica sa ishte gjallë kishte shkruar e botuar disa libra të plota si studimet frëngjisht “Ese mbi edukimin” Bruxelles 1898, 20 f.; “Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale”, Bruxelles 1904, 147 f., analizën “Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare” (1899, 84 f.); përkthimin e përrallave arabe libër më vete “Një mijë e një netë“ botim i Federatës Vatra, si dhe broshurën juridike “Kanunorja e Vatrës”, vepër e shkruar prej Kristo Floqit dhe F. Konicës, botuar prej Federatës Vatra më 1912.

Pas vdekjes së F. Konicës, në janar të vitit 1943, Peshkop Nolit iu dorëzuan për t'i ruajtur 32 arka me libra të bibliotekës së eruditi Konica, dhe një arkë me dorëshkrime origjinale të tij. Tek kjo arka e fundit ishin jo vetëm dorëshkrimi anglisht i studimit “Shqipëria kopësht shkëmbor i Europës Jug-Lindore”, të cilin e botoi më 1955 Qerim Panariti, por dhe dorëshkrimi i plotë i romanit satirik “Doktor Gjëlpëra...”, dorëshkrim që autori ia kishte dorëzuar të plotë Bahri Omarit, redaktorit të gezetës “Diellit” në korrik 1924, roman që nuk u botua i plotë sepse u ndërpre në fund të dhjetorit 1924 me kthimin e Ahmet Zogut në fuqi. Në atë arkë kanë qenë shumë letra të F. Konicës me personalitete të ndryshme, si dhe dorëshkrimet e plota të dramës “Mustaqet”, dhe të përmbledhjes me tregime “Kandili i kuq”, etj, për të cilat F. Konica i kishte kërkuar ndihmë Federatës Vatra më 1923 për t'i botuar, por për mungesë fondesh nuk u botuan.

Diktatori Enver Hoxha: Nënvlerësimin më të madh F. Konicës, ia bëri diktatori Enver Hoxha. Së pari ky nuk pranoi kërkesën e F. Nolit për të varrosur në atdhe trupin e F. Konicës. Më tej ai dha urdhër që të mos shkruhej asnjë fjalë vlerësuese për të, por vetëm kritika e sharje, sepse sipas tij F. Konica ishte “armik i popullit”, “mbrojtës i bejlerëve”. Mirëpo dihej botërisht se F. Konica ia kushtoi gjithë jetën çlirimit dhe demokratizimit të Shqipërisë, se ishte i vetmi intelektual aristokrat që e kishte tradhëtuar klasën e vet. Ai i vlerësonte njerëzit jo sipas ndarjes klasore, ose fetare, por sipas përkushtimit ndaj atdheut. Diktatori komunist e luftoi F. Konicën sepse ky e kishte kritikuar hapur komunizmin në vitet 1923-1930 si sistem që “nuk mund të jepte frute në Shqipërinë e vogël e të varfër”.

Intelektualët shqiptarë, që u formuan në Shqipëri gjatë viteve 1945-1990, duke mos e njohur veprën e F. Konicës dhe duke iu bindur vijës së partisë shtet, shkruan kritika ndaj tij.

Edhe unë e kam kritikuar Faik Konicën. Kur punoja në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave më ngarkuan të shkruaja për “Enciklopedinë e Popullit Shqiptar” botim i vitit 1985, zërin për F. Konicën. E kritikova jetën dhe veprën e këtij kolosi, kurse shefat e mij kur e redaktuan shkrimin e nxinë edhe më shumë.

Ismail Kadare. Për fat të keq edhe shkrimtari më i talentuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të XX-të, intelektuali me famë botërore, Ismail Kadareja, përsëriti me fjalë të tjera mendimin e gabuar se Konica “ka qenë kontradiktor në mendimet e veta”. I Kadareja në esenë e tij që u botua në vëllimin “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë” ONUFRI, 1998, theksoi se Faik Konica “kishte optikë kundërthënëse”.

Kuzhinat e huaja antishiptare, ose shqiptarë të paguar prej tyre. Në vitin 1990, kur u kuptua se kapitullimi i sistemit komunist do t'i sillte mundësi të reja zhvillimi popullit shqiptar, kuzhinat e huaja antishqiptare, për të ngjallur urrejtje tek populli shqiptar ndaj dy kolosëve: F. Konicës dhe F. Nolit, hodhën në qarkullim dy shpifje. 1. Sikur F. Konica kishte thënë: “Shqipëri të kam dhjerë, s'më kuptove asnjëh”, dhe 2. Sikur F. Noli kishte shkruar: “Po të duash t'i vësh botës zjarrë, merr me vete tre a katër kosovarë”. Këto dy thënie nuk janë gjetur në asnjë shkrim të botuar prej këtyre autorëve, as prej Ilir Ikonomit dhe asprej F. Andreas, të cilët janë studiuesve më të mirë të jetës dhe të veprën së tyre. Këto thënie nuk janë përmendur as prej miqve e bashkëpunëtorëve të tyre, që kanë jetuar me ta. F. Konica në shkrimet e tij ka kritikuar disa dobësi të popullit shqiptar, por i nisur nga qëllimi që ta ndihmonte t'i korrigjonte dobësitë e tij dhe jo jo që ta mohonte si popull. Ai i kushtoi jetën clirimit, emancipimit dhe demokratizimit të popullit dhe atdheut të vet.

Po ashtu dhe F. Noli deri më 1912 shkroi disa herë për trimëritë e luftëtarëve shqiptarë të Kosovës, dhe më vonë shkroi për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit shtypës serb. Prandaj them me bindje se këto dy thënie nuk janë krijuar prej F. Konicës e F. Nolit, por prej kuzhinave antishqiptare, ose prej ndonjë shqiptari të paguar prej tyre.

Të gjitha nënvlerësimet, kritikat dhe shpifjet që i janë bërë F. Konicës do të bien poshtë pasi të lexohen shkrimet e tij të përmbledhura në antologjinë ”Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane”, vepër madhore, që hap një epokë të re në studimet koniciane.

Kritikat që ka bërë F. Konica ndaj atdhetarëve të kohës, ndonëse të ashpra, kanë qenë të drejta e të moralshme, dhe ishin shkruar të shtyra prej atdhedashurisë.

Sot, kur po përpiqemi të hyjmë në Bashkimin Europian, na duhet të mënjanojmë epitetet fyese në kritikat tona, të zhdukim zilinë ndaj kolegëve që janë po aq të aftë, ose më të aftë se ne, dhe të mos shprehim mendime për vepra e personalitete, që nuk i kemi njohur vetë.

Ky shkrim u lexua në promovimin e librit “Faik Konica – për një Shqipëri europiane”, që u organizua nga Federata Panshqiptare Vatra e Amerikës më 15 mars 2025 me rastin e 150-vjetorit të lindjes së F. Konicës tek Bentley University Waltham, MA. Varianti i plotë është botuar brenda librit (HYRJE f. XV - XXV).

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page