top of page

Teuta Sadiku: Gostia



E mori stolin e vogël , e palosi, e futi nën sqetull dhe doli jashtë derës së kishës,pasi bëri kryqin tre here e puthi ikonën e shën Marisë .Sa e lehtësuar që ndjehej,ishte lutur e ishte falur,kishte bërë kryqin dhe kishte thënë përmendësh kaq rrjeshta nga Bibla bashkë me priftin e fshatit.Shëndet Zot më jep, me këmbë e me dorë,të jem sa të rroj ,po nuk isha e zonja  për veten time, më mirë më jep  një në kokë e direkt në gropë,pëshpëriti sapo la oborrin e kishës të zbukuruar me flamurkat e verdha për festë e puthi kryqin e florinjtë që I varej në qafë.

-Java e madhe e Pashkëve ,ndaj kishte dhe aq  shumë njerëz në kishë, ia preu mendimet plaku .

-Unë ndaj kam stolin tim,  po një zot e di sa do kem fuqi të vi në kishë,tha plaka e fill pas fjalëve të saj,plaku ia mori stolin që mos të lodhej e  të fillonte nga ankimet e saj.

Kishin një jetë të tërë bashkë,fëmijë nuk kishin ,po i mbushnin orët e ditët me zënkat ,me mëritë ,me dhimbjet e kockave e me ilaçet e tensionit.I vetmi argëtim ishte oborri para shtëpisë,lulet në vazo që I lyenin me bojë të kuqe për Pashkët si dhe kopështi që mbillnin për të bërë  sallatë, qepë e hurdhra të njoma .Plaku ishte merakli e puntor ,por dhe plakës nuk I rrinin duart.I pastronte barrërat, I çapiste tek tuk, u vinte llastikën,sa përmbyteshin nga ujët dhe ia hidhte fajin plakut pse e hapte aq shumë rubinetën e çesmës.Ishte plakë gërnjare e gjithë huqe por plaku ia kishte mësuar  të gjitha huqet dhe I vinte pas qefit .

Kur u afruan tek porta e hekurt , plaku kërkonte nëpër xhepa çelsat,por më kot.Ishin një tufë çelsash që pak të lëkundeshin do tringëllonin si thimiama e priftit ,vetëm që nuk lëshonin atë tymin  e bardhë që të çante hundët.

-Prapë I humbe,gërmadhat e çelsave,shfryu plaka e bëri të merte stolin e vogël që plaku  la nga duart,kur çelsat tringëlluan brenda portofolit të saj të madh të zi.Tringëllima e çelsave u dëgjua,në momentin kur plaku bëri të nisej drejt kishës,mbase I kishin rënë atje diku.

-I paskam unë, në portofol, tha plaka dhe I drejtoi portofolin e zi të madh,plakut.Pasi ndërruan rrobat  e shtruan tavolinën hëngrën bukë të dy në tryezë pasi bënë kryqin tre here.Koha kishte marrë për mirë, dielli ngrohte ,çka bënte të lulëzonin lulet në saksi e kopshti I vogël të ftonte të rrije e ta vështroje.Plaka veshi pandoflet  e doli të kundronte lulet e oborrit përreth.Gjithshka ishte e çelur e lulëzuar, begonjat shumëngjyrshe , luleborat e mëdhaja, mëllagat që vareshin nga saksitë si të mernin rrugët e fshatit,pa le borziloku me kaçurrelat e dëndura  që dehte kalimtarët sa here e përkëdhelte plaka ose plaku.Plaka hodhi sytë tek kopshti I punuar,rrjeshti I drejtë me qepët e njoma, një rrjesht me hurdhra ,ja dhe rrjeshti me sallatën jeshile.Një aromë e këndshme erdhi kur  preku dhjosmën e njomë sikur e kishe spërkatur me bulëza uji .

-Ja ku e ka lënë çapën,të kalbet e ndryshket në ujë,-tundi kokën plaka e mblodhi buzët e holla pas protezës së dhëmbëve.

-Zonjë, falmë diçka për të ngrënë,u dëgjua një zë përtej portës së hekurt.Ishte një mesogrua e përvuajtur,nga veshja dukej që ishte e huaj. Po ç’rëndësi kishte se nga ishte kur kohët e fundit  shihje kaq shumë njerëz të përvuajtur, thuajse të përgjunjur nga skamja.I shihje në rrugë gjithandej, në parqe, para dyerve të supermarketeve,para pikave  shitëse e qendrave të mëdhaja tregtare .Lypnin diçka për të jetuar.

-Japim në kishë,për ju të vobektët, ndezim dhe nga një qiri duke iu lutur shën Marisë t’ju ndihmojë,tha plaka dhe u përkul,për të hequr një barishte që kishte mbirë në mes të qepëve të njoma.

-Zonjë… diçka për fëmijën tim ,tha me zë më të mekur  e gati në të shuar gruaja matanë kangjellave të oborrit. në drejtim të plakës.U panë një moment ndërsysh e plaka ndjeu t’i therte diçka brënda në trup,kur këmba I rrëshqiti në baltën e njomë ,por e mbajti ekuilibrin.

-Po ik , o dreq, që këtej ,- se rrashë për pak,I bërtiti plaka,duke flakur drejt  saj për ta zbuar, një qepë të njomë me mustaqet gjithë baltë që ishte shkulur gabimisht bashkë me tufën  e  barrit.Qepa e ciku gruan në fustan dhe pllaq rra në tokë mu para këmbëve të gruas e cila u ul e mori qepën ndër duar e pastroi nga balta e  fijet e barit .

-E morri dhe qepën, nuk lënë gjë  në shesh,-shfryu plaka .Si të kishte ndër duar jetën e do ta shpëtonte ajo kokë qepe,gruaja e falenderoi plakën  dhe e kapi fort  qepën nga fletët e njoma.

Plaka  brenda kangjellave vuri duart në mes e me  zor po dilte nga kopshti  e duke murmuritur nëpër dhëmbë hyri brënda në shtëpi.Gruaja matanë kangjellave priti pak mos  plaka dilte nga shtëpia por kur pa që dera u mbyll plotësisht u largua duke I hedhur një vështrim të qetë portës së hekurt ngjyrë të zezë që qëndronte e mbyllur me zinxhirin e hirtë përreth.

**

Kur u hap porta me një trokëllimë rrënqethëse nga xhamaria e qiellit ,gruaja e pa veten para një sofre të madhe mbushur plot e përplot me gjithë të mirat e botës.Një shërbyese I afroi një  fron të madh hyjnor  të ulej,  kurse dy të tjera vazhdonin të sillnin në servicie porcelani sallatra e ushqime pafund  prej nga dilte avull I ngrohtë dhe aroma e këndshme e ushqimeve dhe gjellëve të sapogatuara për gostinë e shtruar.Gruaja shoqërohej prej dy  ëngjëjve të saj, mbrojtësit  dhe dëshmimtarit  që e kishin shoqëruar gjatë gjithë jetës e peripecive të  saj.

-Kjo gosti është shtruar për  ardhjen tuaj, lartmadhëri, sot që këtej e tutje çdo dëshira e juaj do të realizohet ,I tha ëngjëlli mbrojtës gruas  së thinjur e të përvuajtur, kurse ëngjëlli dëshmimtar I bëri me shenjë  stilistet më të dëgjuar në atë botë të vishte lartmadhërinë me  rrobat që I përshtateshin vendit dhe ngjarjes.Gardarroba të tëra  me rroba nga më të shndritshmet e më të shtrënjta u hapën dhe veshën gruan  e thinjur tashmë duke I dhënë një pamje të re ,të viteve të shkuara.Edhe pse kundërshtoi diçka të tillë , gruan e  veshën me rrobat që përkonin  me festën e përgatitur për mbritjen e saj.Askush nuk puthte kryqe, as ikona, askush nuk predikonte çdo gjë kryhej me një rregullsi dhe përsosmëri prej vetë Natyrës.Pas gjithë shërbimeve të duhura  dy engjëjt,mbrojtësi dhe dëshmimtari, I bënë me shenjë një shërbyese ti hiqnin rrobat e festës lartmadhërisë për ta çuar tek vendi i caktuar ku rrinin engjëjt.

Shërbyesja pasi hoqi duart nga mesi , I hoqi fustanin e shndritshëm,karficat që vezullonin nga flokët e  gjatë ngjyrë argjëndi dhe u ul për ti hequr këpucët që shkëlqenin.U panë një sekondë ndërsysh,shërbyesja ndjeu një fare zilie dhe donte të ishte në vendin e lartmadhërisë, por diçka I therri thellë në shpirt,  e me zor  mbajti ekuilibrin për tu ngritur  më këmbë..Po kësaj here  asgjë nuk ishte në dorë të saj.Në botën që ndodhej tani vendoste Natyra, nuk hynte në punë as besimi fetar, as lutjet  as paraja,as miku,as  filozofia .Vetëm Natyra,gjithshka vendoste Natyra me llogjikën, përpikmërinë dhe drejtësinë e saj.Engjëlli dëshmimtar para se ta merte në krahë I tha:

-Lartmadhëri ,tani do të ngjitemi lart ,është radha juaj për t’u bërë ëngjëll dëshmimtar për dikë në botën e poshtme.Por para se të ngjitemi , mos keni ndonjë  merak që ju ka mbetur  apo dëshirë për t’u realizuar.Lartmadhëria e saj hodhi sytë rreth e rrotull e pa gratë dhe shërbyeset që pastronin, mblidhnin pjatat  dhe ushqimet nëpër serviciot prej porcelani.Më kot mundohej të kapte me vështrim gruan që I kish hequr rrobat, këpucët.Ajo pamje , ajo  fytyrë, …zinxhiri I hirtë në qafën e saj...

-Të falet  gruaja që më shërbeu pak më parë,dikur më ka ndihmuar me çfarë iu gjend në dorë,foli duke kërkuar me sy gruan.

-Kërkesa juaj do t’i kalojë Natyrës për shqyrtim ,tha ëngjëlli mbrojtës dhe bashkë me ëngjëllin dëshmimtar e ngritën në krahë lartmadhërinë për ta ngjitur lart.

***

Çështjen  që u parashtrua e mori në dorë vetë Natyra,duke shqyrtuar, kohën, rrethanat ,ndodhinë,duke u konsultuar me ëngjëllin dëshmimtar dhe atë mbrojtës.Pasi u verifikuan të gjitha të dhënat ,Natyra vendosi t’i japë edhe një  mundësi të fundit shërbëtores  që dergjej prej vitesh në botën e poshtme. Ngritja në botën e lartme do të bëhej me të njëjtin send  që ajo kishte ndihmuar dikur ëngjëllin që sapo ishte ngjitur lart.

 Sipas vendimit që u mor ,në vendin dhe orën e caktuar Natyra lëshoi  një qepë të njomë në  tavanin e botës së poshtme . Mustaqet e qepës vareshin e dukeshin litarë për t’u ngjitur,aq sa u vërsulën të gjithë kush të kapte  sikur edhe një fije  për t’u ngjitur në botën e lartme. Të gjithë e dëshironin atë çast, tashmë të penduar,por a do të mundnin të shpëtonin dot  nga një qepë?!  Shërbysja I hoqi duart nga mesi dhe duke çarë me brryla e me shqelma  turmën bërtiste sa kishte në kokë:

-Është qepa ime,është qepa ime ,me të cilën qëllova një lypsare,për ta hequr  qafe, është e imja,- dhe u kap pas mustaqeve të qepës me dëshirën e shpresën e madhe të ngjitej   në botën e lartme,ndoshta për të takuar dhe plakun.

Pa mbaruar mirë fjalën,qepa u rrënqeth,u drodh  e tëra duke e përplasur  plakën  përsëri në botën e poshtme me mustaqet e qepës në duar,duke shfryrë me inat e me mllef .

-E po nuk ka shpëtim për ty ,tha Natyra ,dhe e vuri qepën në tokë të mbijë përsëri.Dyert e botëve u mbyllën  me atë kërkëllimën e tyre të mortshme për t’u hapur  përsëri në gostinë  e  ardhshme.

18 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page