top of page

Teuta Sadiku: A mund të gjykojë poezia poetin?




 

Duke lexuar poezinë e Fatbardha Behri Kaci ,duke shkruar  herë një ese për poezinë e saj, herë një material poetik vendosa të hedh këto mendime :

A mund ta gjykojë poezia poetin/en e saj?

A mund të funksionojë një poezi në mënyrë kritike apo edhe si udhërrëfyes për hapat e ardhshëm që do të hedhë poeti/ja?

   " Netëve , psherëtin liqeni...

Shpendët klithin dhimbshëm,

shelgjet ,krahët n'përqafim

 e qafat përkulun  në nderim "F.B.Kaçi


Kujt i bie barra , poetes apo poezisë?


Këtë herë barra bie mbi poezinë, e cila, pasi ka prerë kordonin e kërthizës me krijuesin e saj, i vjen përballë, për t'u përballur me të dhe mbi të gjitha me pritshmëritë që kishte në fazën e krijimit, por mbi të gjitha në fazën e rekrutimit.

.....

"Përball'tyne ,

kala e lashtë.

Bedenat, la prej  hans'

Yjt', sy  vigjilimi...

Tambli i Rozafës ,

ushqen legjendën."F.B.Kaçi


 Zakonisht, pra, poezia tregon rrugën. Dhe kjo rrugë ka dy degë, ose,  të çon në mohim, ose në pohim. Në rastin e parë, poezia e gjykon dhe e vlerëson autorin e saj si të paarritshëm për t'u ngritur sipas rastit, për të arritur lartësinë e shpirtit që vetë poezia vendos dhe mbron. Dhe pastaj mund të përgjigjet edhe duke u tërhequr, duke fshehur poezitë e tij në një hapësirë ​​të paarritshme  për publikun. Këto janë të ashtuquajturat poezi të refuzuara, pra ato vepra që krijuesi mendoi se nuk u përgjigjen, as nuk pasqyrojnë kërkimet e tij të brendshme shprehëse dhe për këtë arsye ato duhet të mbeten jashtë trupit kryesor të krijimit të tij letrar.

Ndaj  unë nuk e marr mundimin të shkruaj poezi,por mbushem e pasurohem me poezi të tilla.

Poezia nuk gjykon as poetin, as realitetin.

Pavarësisht opinionit  se poezia ka dhe do ketë rol katalitik në formimin e qenies shoqërore, në realitet poezia është një levë presioni,një forcë transformuese e jetës në drejtim  të së bukurës,e kuptuar si cilësi estetike dhe morale,njëkohësisht.


"Ves e nats' end

pëlhurën e kohs'

thith dritën e yjve

e rrezet e tyne .

Çifteli....

Ndihet ninullë përjetësie ...

E ,

dhimbja e universit

për tradhti-besnikërin...."F.B.Kaçi


 Në rastin e kundërt, pra ku poezia do të mund të ngrihet dhe të pushtojë hapësirën dhe kohën, mund të flitet për një lloj procesi nismëtar që e bën atë pjesë të kanunit, një nga ato poezi ku qëndron çdo lexues, çdo krijues, çdo njeri. Dhe këtu, sidoqoftë, ekziston rreziku, si për poezinë, ashtu edhe - mbi të gjitha - për autorin. Rreziku i përsëritjes, i sjelljes, i riprodhimit, i hezitimit për të dalë nga mjedisi i sigurt i suksesit për t'u provuar dhe sprovuar në fushën e re, të panjohurën, të frikshme dhe të rrezikshme të eksperimentimit dhe rinovimit.

Po të shkruaj poezi e di ,kam frikë  që do të përsëris veten.

Prandaj lexoj dhe lexoj shumë sepse e konsideroj  vlerësimin kritik  si një proçes krijues  frymëzuar  nga poezitë si poezia e Fatbardhës, si një kërkim  i gjatë dhe i thellë në terma kritikë, teorikë e filozofikë.


"Prandaj , ulun kryet

mbajn' kodrat ?

E lot i ferishtes

ushqen tan' ujnat,

që ka Shkodra ..?F.B.Kaçi


Dijeni pra, se kur zhytem në analizë apo kritikë, të këtyre poezive , kjo është në fakt prova e dashurisë dhe besnikërisë që kam për Poezinë,e marrëdhënies së thellë e të shumëanëshme  me të ,që herë fillon e herë përfundon me thelbin poetik.


Materiali poetik i Fatbardhës  flluskon nga brenda - jashtë , nga poshtë - lart ashtu si burimet me ujin e kulluar .Poetja shpesh përdor pikëzimin ( .....),fraza të shkurtra, pa marrë  frymë, që të befasojnë ,metafora e simbole, për t'i   dhënë poezisë mendim,sepse poezia në esencën e vet  është mendim .Çdo krijim poetik është lindur  nga zjarrmia menduese e kujtimit. (Haideger  2003).

Për  vëllimin poetik "Tango me veten "nga shtëpia botuese ADA, poeti dhe prozatori Petraq Risto në "  Shënime për vëllimin poetik  shkruan : Poezitë e saj rrjedhin natyrshëm, pa zhurmë , si të gjithë lumenjtë  që e dinë synimin- derdhjen në det.... dhe vazhdon më tej : Ajo flet në vetën e parë   flet me ne , bashkëbisedon  edhe atëherë kur  kërcen tango  me veten .Me veten ?!

Po pse me veten?! Apo për të përligjur  tezën e lashtë  se në këtë botë  secili është vetëm, vdes  vetëm , apo se Vetmia  po bëhet  rregulli i këtij shekulli të zhurmshëm.

Po ndalem pak  në strukturën e kësaj poezie :

Thellësia e mendimit përqafohet me ngarkesën e tendosjen emocionale,ashtu si

.».shelgjet, krahët n’përqafim e qafat përkulun me nderim.»

Figurat artistike vijnë natyrshëm dhe shkrihen me shumëkuptimësinë e nëntekstit poetik dhe  me ndjeshmërinë lirike.Sintaksa poetike,fjalët e qëmtuara ,figurat e ndërtuara sjellin piktura e imazhe të veçanta me pasurinë e bukurinë etyre.

Poetja e gdhend mjeshtërisht  vargun dhe frazën poetike.Ritmi i brendësh i poezisë harmonizohet përsosmërisht me thelbin e mesazhit estetik, ku një rol të veçantë luajnë theksat ritmikë, nataliteti( zanore hundore,zanore të hapura dhe të mbyllura:a,/u,/o,/i,/e

 pa lënë mënjanë shkurtesat :

yjt' sy  vigjlimi,/ ves' e nats', /tan' ujnat që vijnë në dialektin e Shkodrës,gjuha gegnishte, aq e bukur dhe e pasur ,sa që    «Lahuta e Malcis» një ep pastoral dhe heroik  , nuk mund të përktheheshin  plotësisht në gjerminsht ,muzika, ritmi dhe ngjyra e fjalëve të At Fishtës.

 Liqeni dhe kalaja, simbole që nuk mungojnë në krijimtarinë e poetes bëjnë lidhjen e gjendjes shpirtërore me atë të natyrës.

Jo pa qëllim poetje e mbyll poezinë me pyetjen :

Prandej , ulun kryet

Mbajn' kodrat?

E ,lot i ferishtes,

Ushqen  tan ‘ ujnat,

Që ka Shkodra?

Po kodrat përse kanë ulur kryet bën poetjen ,a thua loti i ferishtes  ushqen të gjitha ujrat e Shkodrës,një perifrazim i dobët i imi ky përballë pyetjes retorike të  ndërtuar  artistikisht me një vetëdije të plotë nga poetja.

Këto vargje të poetes Fatbardha Behri Kaçi më sjellin ndërmend këto vargje nga  poema «Vaji i Bylbylit» i  Ndre Mjedës :

Por ty' n'kafaz  t' shtërngueshëm

Ty t'paska  ndry  mizori,….

Është pikërisht Shkodra , ajo që ka frymëzuar poeten të bëjë muzikë me fjalën, të pikturojë tablo të gjalla si kjo :

«..Përball ‘tyne

kala e lashtë.

Bedenat ,la prej  hans'

Yjt' sy  vigjilimi….

Tambli i Rozafës ,

Ushqen legjendën.»

Kur thua poet, autor  nga Shkodra  nuk është  se thjesht  përmend  një nocion  gjeografik, përkundrazi  pas emrit Shkodër  qëndron  një mendim filozofik, një stil i veçantë i të menduarit, i të shkruarit .

Poezia nuk gjykon, ajo vetëm vibron me një qëllim .

Është dimesioni i fjalëve, energjia që çlirojnë ,dhe fjala mbart shpirt e shpirti vibron duke prekur shpirtrat e tjerë duke i bërë të ndjeshëm .Ky është misioni i artit, letërsisë,i Poezisë.

 

Teuta Sadiku

留言


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page