top of page

TETË MEDALJONE ME PORTRETIN E GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT TË SHEKULLIT XV


Prof Dr Lutfi Alia

Lutfi ALIA

Siena – Itali

Në shekujt e mesjetës, populli ynë përjetoi qytetërimin perëndimor, respiroi kultu-rën europiane dhe ishte e mbetet pjesë integrale e Europës. Eqerem Çabej shkruan: “Dalmacia dhe Albania e më pas Ishujt Jonikë, janë vendet, që u hapën direkt e më tepër ndaj influencës kulturore të perëndimit”. Aleks Buda thekson: “Në mesjetë, Albania ishte e zhvilluar në nivelet e vendeve më të përparuara të europës”. Krahas rolit të fisnikëve arbëror, në lidhjen e Albanisë me perëndimin, luajti rol kisha katolike, si thotë M. Šufflai: “Me ndihmën e Selisë së Shenjtë, Tivari dhe më pas e gjitha Albania, u shndërruan në bazat operative të perëndimit, kundër ortodoksisë dhe kundër sllavizimit”; ndërsa L. Thallòczy shkruante: “Françeskanët ishin e vetmja rezervë e perëndimit, që qëndroi në Albania dhe kur interesat e Europës për këto vise u shterën krejtësisht”.

Si rezulton në dokumentat e shekullit XV, Gjergj Kastrioti, Princi i Matit, Zoti i Dibrës dhe i Krujës, nga viti 1443 Dominus Albaniae – Zoti i Albanisë, ashtu si gjithë fisnikët e asaj kohe, kishte stemën heraldike me shqiponjën dykrenore, sipër yllin me gjashtë cepa; kishte flamurin me sfond të artë dhe shqiponjën e kuqe, kishte vulën zyrtare dhe atë sekrete, që i përdorte në letrat dërguar miqëve, Papëve, në letrat kredenciale me mbretërit, princat, me fisnikët europianë dhe në letrat dërguar sulltan Mehmetit II.(1)

Stemat heraldike të dinastive fisnike dhe të shteteve arbërore, u shfaqen në fillimet e shekullit XII me princat Progoni të Shtetit të Arbërit, në shekullin XIII me Mbretërinë e Albanisë të Karlit I Anzhu dhe më pas në vazhdimësi në të gjitha familjet patronomike arbërore: Arianiti, Balsha, Topia, Kastrioti, Dukagjini, Muzaka, Engjëlli, Gazuli, Golemi, Gropa, Jonima, Manesi, Martaseos, Matranga, Shpata, Skura, Spani, Vrana, Zaharia, Zenebishti etj. Heraldika albanese ishte origjinale, përbërëse e heraldikës evropiane, me të gjitha karakteristikat. Krahas stemave heraldike dhe flamujve, fisnikëria europiane përdorte medaljone, të prodhuara për të prezantuar origjinën fisnike, pozicionet sociale, poltike, ekonomike dhe ushtarake, dhe për qëllime perkujtimore, murale, honorifike. Medaljone kishin dhe fisnikët arbëror, disa ende ruhen, por shumica kanë humbur. Këto medaljone ishin shprehje artistike e binomit personazh – imazh, ishin vepra arti plastike, të cilat pasqyronin aspektet sociale dhe historike të personazhit të realizuar në ikonografi. Fillimisht, medaljonet ishin private, personale. Në vitet e më vonëshme, për vlerat artistike dhe historike që morën, përfunduan në muzeume dhe në koleksione private, kësisoj u bënë pjesë e historisë zyrtare të shteteve. Historianët, studiuesit e medaljonistikës dhe numimastikës, kanë botuar vepra të shumta, duke evidencuar vlerat e këtyre medaljoneve. Një ndër punimet me vlera historike dhe artistike për medaljonet, është vepra e studiuesit venecian Piero Voltolina: “Storia della Repubblica di Venezia attraverso le medaglie”, botuar ne vitin 1988 në Milano. (2)

Në vëllimin e parë të kësaj vepre (shekujt XIV – XVI), autori prezanton një koleksion të pasur, me 840 medaljone mbretërish, princash, papësh, klerikësh, fisnikësh, ushtarakësh dhe të institucioneve të shquara të asaj kohe, duke filluar nga Venecia, Roma, Vatikani dhe të shumë qyteteve italiane, duke vazhduar me Raguzën, Albaninë, Ishujt Jonikë e deri ne Qipro; nga kufiri me Austrinë, në Dalmaci e deri në Kretë, ku shtriheshin zotërimet e Venedikut, madje dhe personazhe të Perandorisë Osmane.

Piero Voltolina, me këtë koleksion medaljonesh, ka paqyruar historinë e Venecias, me prestigjin, kulturën, artin, potencën politike, ekonomike, tregëtare dhe ushtarake të Serenissimës, ka ekspozuar një histori në këndvështrim specifik, nëpërmjet prezantimit të medaljoneve me imazhe të protagonistëve të kohës, të plotësuara me informacione sintetike, duke dhënë dëshmi interesante të shumë figurave të shquara jo vetëm të Venecies, por dhe të vendeve të tjera fqinje dhe të aleatëve të largët. Kjo vepër i dhuron lexuesve njohuri kulturore, artistike dhe historike, por dhe emocione e krenari, sepse njihen me figura historike të vendit dhe trevave të tyre, si ndodh me ne shqiptarët, kur në këtë vepër gjejmë dhe medaljonet me portretin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe të finikëve të tjerë shqiptarë si të Antonio Alfonso Kastrioti Granai, të Nicolò Leonik Tomeo dhe të Kostandin Arianit Komnenit. Përfshirja e medaljoneve të Gjergj Kastriotit në këtë vepër madhore, nuk lidhet vetëm me rrethanën se janë prodhuar në Itali, por dhe me faktin historik, se familja Kastrioti bënte pjesë në klasën e fisnikëve venedikas. Princi Gjon Kastrioti, ishte miku besnik dhe aleati i Venecias dhe bashkë me djemtë, kishte nënshkruar marrëveshje miqësie dhe bashkpunimi me Serenissimën. Në vitin 1413, Senati i Republikës së Venecias i dha princit Gjon Kastrioti titullin e trashëgueshëm “Qytetar Nderi i Veneto”, titull që e gëzonin dhe djemtë e tij. Dorit Raines (3) thekson se në vitin 1416, familja Kastrioti ishte në listën e patricëve të Venecias. Më 28 maj 1438, Senati i Venedikut i rinjeh Gjon Kastriotit të drejtat dhe privilegjet e patricit. [3, 4, 5]

Princi Gjon Kastrioti vdiq më 1442, Principata e Arbërit ra nën pushtimin ottoman.

Në vitin 1443, Gjergj Kastrioti u kthye në Krujë dhe rimori zotrimet e principatës të Arbërit, ndërsa tre djemtë e tjerë të Gjonit, vdiqën në moshë të re. Reposhi, murg në manastirin Hilanderit në Malin të Shenjtë pranë Selanikut, kishte vdekur në vitin 1431; Stanisha vdiq në vitin 1446 dhe u varros në Manastirin e Shën Marisë Hyjlindëse në Martanesh (6); Kostandini e humbi jetën në rrethana të panjohura dhe para vitit 1443.[1]

Në 2 mars 1444, në qytetin e Lezhës, që aso kohe ishte në zotërim të Venedikut, u mblodh kuvendi i prijsave të Albanisë, të cilët krijuan aleancën politike - ushtarake për t’u mbrojtur atdheun ndaj sulmeve të hordhive otomane. Në krye të Lidhjes, princat zgjodhën Gjergj Kastriotin Zoti i Albanisë dhe kryekomandant i ushtrisë arbërore. Për kontributet e shquara në rezistencën dhe luftimet kundër pushtuesve otomanë, në vitin 1445 Senati i Serenisima, e shpalli Gjergj Kastriotin “Qytetar Nderi i Veneto”. Në librin e Artë të patricëve të Serenissima të vitit 1463 “Le famiglie ammesse al Maggior Consiglio a titolo onorifico”, rezulton e regjistruar familja Castriotto-Kastrioti. Më 25 shtator 1463, Senati i Venedikut e shpalli qytetar nderi dhe anëtar të Këshillit të Lartë të Bujarëve Venedikas, Gjon II Kastriotin 8 vjeçar me diplomë të dhënë nga Dozha Kristoforo Moro, si e tregon Marin Sanudo, në veprën “Vitae dei Dogi 1423 – 1474” (Jetët e Dozheve): “A dì 25 settembrio 1463 fo preso parte in Gran Conseio che il magnifico e potente Juan Scandarbeg, fiol del signor Zorzi signore in l’Albania et sui eredi siano fatti del Mazor Conseio” “Ditën e 25 shtatorit 1463, mori pjesë në Këshillin e Madh, i madhërishmi dhe i fuqishmi Gjon Kastrioti, i biri i Gjergj Kastriotit, Zoti i Albanisë, si trashegimtar i tij, u bë pjesë i Këshillit të Madh”. [4] Më 13 dhjetor 1463, ambasadori i Albanisë në Venecia Pal Gaxulli, firmosi marrëveshjen me Këshillin e të Mençurve të Senatit Venecian, sipas të cilës, në rast se Albania pushtohej nga turqit dhe Gjergj me familjen e tij, detyroheshin të braktisnin atdheun, Serenissima i garantonte pension vjetor prej 500 dukate, mbrojtjen dhe jetesën e lirë në trojet e Venedikut: “Scanderbeg, cum uxore, liberi set famiglia honorifice vivere poterit”, me të drejtë të zgjidhte banimin në një nga ishujt, ose në vendin që deshironte. (1, 5, 6)

E prezantova këtë aspekt të jetës të princit Gjergj Kastriotit, për të konfirmuar se nuk është rastësi, që medaljonet me portretin e tij u përfshinë në katalogun e Piero Voltolina, sepse Gjergj Kastrioti është pjesë e historisë së Italisë dhe e historisë të Serenissima, i renditur, në grupin e personaliteteve të Venecias në shekullin XV.

Në shekullin XV, në Itali janë prodhuar 8 medaljone me portretin e Gjergj Kastriotit.

Prodhimi i medaljoneve kërkonte aftësi të larta teknike dhe mjeshtëri në artin plastik, pra metalpunuesi duhej të ishte dhe artist. Mungojnë informacionet për këta mjeshtra mesjetarë, nuk njihen emërat e piktorëve, që i vizatuan portretet dhe as emërat e artistave që i prodhuan medaljonet e Gjergj Kastriotit.

Medaljonet me portretin e Gjergj Kastriotit janë renditur me numërat rendor 65, 66, 67 (faqe 85 - 87), me fotografi të origjinaleve dhe janë shoqëruar me skedën teknike dhe me një skedë historike, ku në mënyrë sintetike janë prezantuar të dhëna të shkurtëra bibliografike mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit. Të dhënat për Gjergj Kastriotin, autori Voltolina i ka marrë nga Enciklopedia Italiana Treccani (viti 1929) dhe nga vepra e Fan S. Noli: Scanderbeg, Lecce 1993. Vlen të preçizoj një pasaktësi të autorit Piero Voltolina, i cili shkruan Fan Sotir Noli, por në fakt emëri i të atit të Nolit është Stilian.

Kur u prodhua medaljoni i parë i Gjergj Kastriotit ?

Në periudhën e Rilindjes italiane, veprat e artit, sidomos portretet, gravurat, tabllotë, afresket, akuarelet, skicat, medaljonet apo miniaturat e kodikëve, realizoheshin nga artistë me porosi të veçantë dhe me pagesë.

Në shekullin e XV, mori zhvillim arti i prodhimit të medaljoneve, të destinuar për të nderuar personalitetet e kohës dhe figurat historike. Këto vepra artistike i dedikoheshin mbretërve e mbrtereshave, princave, dozhëve, ushtarakëve, funksionarëve, fisnikëve dhe perdoreshin si element heraldik dhe si dhurata dhe nderime të protagonisteve. Medaljonet iu dorëzoheshin personave me ceremoni, ose i dërgoheshin të shoqëruar me letër-kredenciale, ose me diploma, ose me ndihmat materiale e financiare. Në kronikat dhe në dokumentat e asaj kohe, nuk është gjetur informacion i saktë dhe i plotë për medaljonet me portretin e kryetrimit Gjergj Kastrioti, nuk dimë kush e skicoi portretin dhe kush i prodhoi.

Medaljoni i parë me portretin e Gjergj Kastriotit daton në vitin 1449. Pas Beselidhjes së Lezhës, emëri i Skënderbeut ishte bërë i njohur në Europë për fitoret e korrura kundër osmanëve. Olivier de la Marche (6) në kronikën “Notice historique sur la Maison de Saint-Mauris”, tregon se në vitin 1448, një nga kështjellat në Savojë të Francës quhej “Fort de Scanderberg - Fortesa e Skënderbeut” ndersa mbreti Filipi i Mirë i Francës, i dërgonte Skënderbeut ambasadorët me përgëzime për fitoren kundër hordhive osmane.

Aleatia natyrale, historike dhe besnike e arbërve, aso kohe ishte mbretëria e Napolit e Alfonsit V Aragona. Gjatë rrethimit të parë të Krujës nga hordhitë otomane të Sulltan Muratit II, mbreti Alfonsi V Aragona, i dërgoi Gjergjit ndihma me forca ushtarake dhe artileri. Raportet e miqësisë dhe të bashkpunimit në planin politik dhe ushtarak, shprehen qartë në letërkembimet e Alfonsit V me Gjergj Kastriotin, sidomos me aktin e 26 marsit të vitit 1451, kur u nënshkrua në Gaeta, traktati i miqësisë dhe i bashkë-punimit të Albanisë me Mbreterinë Aragoneze të Napolit. Alfonsi V, duke e ndjerë rrezikun turk në portat e mbretërisë së tij, u angazhua t’i dërgoi ndihma ushtarake dhe financiar Skënderbeut dhe në rastet në se rrezikohej froni i Alfonsit V, priste ndihmat ushtarake arbërore, ashtu si veproi Gjergj Kastrioti në vitin 1461, kur erdhi me 3000 kalorës në ndihmë të Ferdinandit II. (1, 7, 8)

Për të nderuar bashkëpunimin dhe miqësinë me Gjergj Kastriotin, Alfonsi V, në vitin 1449 i dhuroi medaljonin e fisnikërisë. Duke iu referuar ngjarjeve të viteve 1448 - 1451, Leonardo de Martino (OFM) sugjeron se autori i medaljonit me portretin më të hershëm të Gjergj Kastriotit është Pisanello (Antonio di Puccio Pisano, 1390 - 1455). Si thekson Giorgio Vasari (9), Pisanello, piktor i famshëm, eksponent i stilit gotik italian, medaljon-punues dhe miniaturist kodikësh, është i pari që shpiku llojin e medaljoneve me portretin në faqen e parë dhe tekstin simbolik në faqen e pasme. Në rastin konkret, medaljoni me portretin e Skënderbeut, mund të jenë porositur nga Alfonsi V Aragon, i cili ia kërkoi t’i prodhonte Pisanello. Kur ishte në Napoli, Pisanello kishte realizuar 4 medaljone me portretin e mbretit Alfonsi V Aragon, çka na nxit të hamendësojmë, se nga raportet që kishte krijuar me artistin toskan, Alfonsi V i kërkoi të prodhonte dhe medaljonet për Gjergj Kastriotin, mikun e tij të shquar. Ky opinion është bindës, por problemi shtrohet: Kush është piktori që vizatoi portretin e Gjergj Kastriotit? Pisanello nuk e kishte takuar Gjergjin, sepse asi kohe Gjergj Kastrioti nuk e kishte vizituar Mbretërinë e Napolit, as Vatikanin dhe as Venecian. Atëhere shtrohet pyetja: Kush ishte piktori që skicoi portretin e Skenderbeut?

Pa abuzuar në interpretimet, duke arsyetuar, mund të them se nuk përjashtohet mundësia, që skica e parë e portretit të Gjergj Kastriotit të jetë bërë në Arbëri, ndofta vepër e ndonjë kleriku piktor, i cili gjatë udhëtimeve në Napoli, ose ne takimet me Pal Kuka, ambasadorin e Albanisë në oborrin e Aragonezëve, në vitet 1448 - 1449, i kishin dorëzuar përfaqësuesve të Alfonsit V, skicën e portretit të Gjergjit, që Pisanello e përdori për prodhimin e dy medaljoneve. Ky mendim është sugjestionues, sepse kjo skicë ka shërbyer për modelimin dhe plastifikimin e imazhit të Gjergj Kastriotit për medaljonin e pare dhe për dy të tjerë, që kanë të njejtin portret. Nuk duhet të mohojmë faktet, se asikohe kishte dhe piktor arbëror të talentuar, si autori i tabllos së famëshme “Zonja e Këshillës së Mirë e Shkodrës”, të cilën dy murgj shkodranë e sollën në Itali në vitin 1467, për ta shpëtuar nga barbarët turqë, që i digjnin ikonat dhe shkatërronin kishat. Nga rrethanat historike, mund të hamendësojmë se Alfonsi V Aragon, medaljonet e vitit 1449 ia dërgoi dhuratë mikut të tij Gjergj Kastriotit, për ta nderuar si Princi dhe Zoti i Albanisë (Dominus Albaniae), në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin dhe miqësinë, ndërsa të dytën ia dërgoi në nderim për marrëveshjen nënshkruar në Gaeta ne vitin 1451. Këto medaljone dhe të tjerët, padyshim ishin në pronësi të Gjergj Kastriotit dhe pas vdekjes së tij, ishin në pronësi të familjarëve, por gjatë shekullit XVII, pasardhësit e tij, të detyruar nga vështirësitë ekonomike filluan t’ua shesin koleksionistëve, muzeologëve të medaljonistikës dhe të numizmatikës medaljonet, armët, kodikët dhe objekte të tjera. Për kohë të gjatë, medaljonet e Gjergj Kastriotit, ishin pjesë e koleksionit të medaljonistikës në Muzeun e Paolo Xhiovio.(10)

Në vitin 1613, muzeu i Paolo Xhiovio u shpërbë, u mbyll. Shumë piktura, artefaktet, armët, monedhat dhe medaljonet u shitën privatëve, një pjesë u morën nga muzeumet e vendeve të ndryshme europiane, një pjesë u vodhën. Ne muzeun e Xhiovio ndodhej dhe portereti i Gjergj Kastriotit si e tregon vete Xhiovio ne librin III: “Gli elogi degli uomini d’arme illustri”, faqe 636 ku shkruan: Sotto il ritratto di Giorgio Castriota Scanderbeg, principe d’Albania - nën portretin e Gjergj Kastriotit Princit të Albanisë.(10)

Në dizaventurën e këtij muzeu të famshëm që mbijetoi rreth100 vite, u përfshinë portretet, kodiket, armët dhe medaljonet e Gjergj Kastriotit, kësisoj një nga medaljonet përfundoi në Muzeun historik të Zagrebit, tjetri në Muzeun Numismatik të Berlinit, tre në Romë dhe Venecia (koleksioni i Piero Voltolina) dhe tre të tjerë në British Museum në Londër. Ndë tetë medaljoneve të prodhuara në vitet 1449 - 1466, tre prej tyre jane identike, kanë të njëjtin portret të Gjergj Kastriotit, kanë përmasa të barabarta, të njëjtën grafikë, por shprehin disa diferenca në plastikë dhe në teknikën e prodhimit.

Medaljoni i Gjergj Kastriotit i vitit 1449 (?), në muzeun historik të Zagrebit.

Medaljoni ka formë rrumbullake, me diametër 98 mm. Portreti i Gjergj Kastriotit është punuar me profil nga e majta, i vendosur në qendër, brenda një kronize rrethore. Si portrerti, korniza dhe sfondi i medaljonit, janë realizuar me plastikë dhe rifiniturë të dobët. Tiparet fizionomike të fytyres nuk janë të spikatura, kësisoj sytë nuk evidencohen qartë, ndersa profili hundashkabë është i shprehur, mollëzat e faqeve janë pak të dala, berreta alla-Karamagnola është e lartë, mustaqet dhe mjekra e gjatë ondulante. Autori ka realizuar veshje me mantel me supiera, pa jakën e lartë, që ekspozon qafën e lirë. Portreti qarkohet me kornizë me riliev, ku është gdhendur GEORGIVS CASTRIOTT me mungesë të prapashtesës “US”, pasi në gjuhën latine shkruhet CASTRIOTTUS.

Teksti është realizuar me germa të sfumuara në buzët dhe të ngjeshura në emrin GEORGIVS dhe në fjalën përfundimtare INVICTISS, që sipas rregullave të drejtshkrimit latinisht, duhej shkruar INVICTISSIMVS. Gjithashtu, sfondi i kornizës rrethuese, emri në brendësi dhe sfondi i medaljonit, janë me riliev të ashpër, çka tregojnë për punim jo cilësor. Retro - faqia e pasme është e sheshtë, lisho.


Në kornizën rrethore është gdhendur emri:

GEORGIVS CASTRIOTT: DE SCANDERBEG · INVICTISS

GJERGJ KASTRIOTI : SKENDERBEU · I PATHYESHMI.

Vendi i prodhimit: Napoli

Autori: Pisanello (?)

Viti i prodhimit: 1449 (?)

Diametri: 98 mm

Forma e rrumbullakët.

Prodhuar me derdhje.

Metali: Aliazh metalesh (bronx dhe argjend).

Në vitin 1968, komuniteti i arbëreshëve të Palermos, e huazoi këtë medaljon nga Muzeu historik i

Zagrebit dhe për një javë e ekspozoi publikut gjatë aktiviteve të organizuara në përkujtim të 500 vjetorit të vdekjes të Gjergj Kastriotit.


2. Medaljoni i Gjergj Kastriotit i vitit 1451 (?), në Muzeun e Berlinit.

Medaljoni në Muzeun Numizmatik të Berlinit

Vendi i prodhimit: Napoli

Autori: Pisanello

Viti i prodhimit: 1451 (?)

Diametër 98 mm.

Forma e rrumbullakët, me kufirin skajor të jashtëm jo

të rregullt.

Prodhuar me derdhje.

Metali: Bakër.

Në kornizën rrethore është gdhendur emëri:

GEORGIVS CASTRIOTT : DE SCANDERBEG · INVICTISS·

GJERGJ KASTRIOTI : SKENDERBEU · I PATHYESHMI ·

Portreti është realizuar me profil nga e majta, i vendosur në qendër të kronizës rrethore, ku është emri: GEORGIVS CASTRIOTT : DE SCANDERBEG · INVICTISS ·

Forma, plastifikimi i portretit, korniza rrethuese, teksti dhe sfondi i medaljonit, janë njëlloj si në medaljonin e Zagrebit, por ndryshojnë nga përbërja metalit, pasi ky i Berlinit është prej bakëri dhe i realizuar teknikisht me cilësi më të mirë. Tiparet e fytyrës janë prezantuar të spikatura, sytë të qartë, mollëzat e faqeve preominente, mustaqet dhe mjekra e gjatë ondulante. Në kokë mbanë berretë alla-Karamagnola, me tre pjesë të niveluara; veshur me mantel me supiera, pa jakën e lartë, çka e ekspozon qafën e lirë, paraqitje jo e zakonëshme për një fisnik. Karakteristike dallues e këtij medaljoni, është se portreti i Gjergjit prezantohet me hundën të modifikuar, pasi nga hundëshkabë në medaljonin e Zagrebit, në këtë të Berlinit, hunda është me majë, e formës me çip (kurriz shtypur). Nuk mund te thuhet në se ky është difekt i modelit, ose i krijuar gjatë derdhjes në formë, apo gabim gjatë plastifikimit dhe rifiniturës të imazhit.

Portreti qarkohet me kornizë me riliev, ku është gdhendur GEORGIVS CASTRIOTT. Teksti është me germa në riliev dhe i realizuar teknikisht mirë, por fjala përfundimtare INVICTISS, sipas drejtshkrimit ne gjuhë latine, duhej shkruar INVICTISSIMVS. Në pjesën e sipërme qendrore të kornizës rrethuese, në vendin ku është shenja me dy pika, që ndanë mbiemrin CASTRIOTT me nyjen “DE”, është hapur një vrimë, çka dëshmon se kush e ka pasur në pronësi e ka përdorur medaljonin të varur në qafë.

Te gjitha gjasat sugjerojnë se këtë medaljon, mbreti Alfonsi V, ia dërgoi dhuratë mikut të tij Gjergj Kastriotit, në shenjë mirënjohje dhe miqësie, për marrëveshjen e nënshkruar në Gaeta ne vitin 1451.


3. Medaljoni i Gjergj Kastriotit, me Nr. 65 në koleksionin e Piero Voltolina.

Medalja e parë në rradhën e katalogut, në koleksionin personal të autorit Piero Voltolina, është prezantuar me numër rendor 65 dhe rezulton i prodhuar në Venecia.

Medaljoni i Venecias është identik me medaljonet e Zagrebit dhe të Berlinit, madje duket sikur i ka punuar i njejti mjeshtër artizan, me të njëjtën formë dhe me të njejtën teknikë derdhje dhe plastifikimi. Me gjithë ngjashmëritë, medaljoni i Venecias ka disa diferenca artistike dhe teknike si në prezantimin plastik të portretit të Gjergj Kastriotit, ashtu dhe në teknikën e derdhjes dhe të perpunimit.

Në skedën historike, Voltolina shkruan:

GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBEG (1403 – 1468)

CONDOTTIERO (prijës, udhëheqës, komandant, kapedan, kryetrim).

EROE NAZIONALE ALBANESE (Hero kombëtar albanez).

Vitin 1403 të lindjes të Gjergj Kastriotit, autori Voltolina, e ka marrë në Enciklopedinë Treccani (Trekani),

botim i vitit 1929, ndërsa shumica e historianëve shkruajnë se ishte lindur në vitin 1405. Mendoj se ky aspekt, nuk ka rëndësi të veçantë, përderisa nuk është gjetur një dokument, që të dëshmoi vitin e saktë të lindjes dhe të pagëzimit të Gjergj Kastriotit.

Skeda e medaljonit N. 65

GEORGIVS CASTRIOTT (VS): DE SCANDERBEG ·

INVICTISS (IMUS) ·

GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU I PATHYESHMI ·

Autori: Anonim

Vendi i prodhimit: Venecia.

Armand, III, p 165. E

Diemtri: 98 mm

Prodhuar me derdhje. Metali: AE (Argjendi)

Bibliografia e medaljonit. Koleksioni i Piero Voltolina.

Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekani, f. 1001

Fan S. Noli, Scanderbeg, Lecce 1993.

Mungon emëri i mjeshtërit që e prodhoi medaljonin.

Pjesa e pasme e medaljes është lisho.

Medaljoni ka formë rrumbullake, me diametër 98 mm, me portretin në qendër, me profil nga e majta, me tipare fizionomike të spikatura, mustaqe dhe mjekër të gjatë, me berretë rrumbullake alla Karamagnola me buzë të palosura në pjesën e sipërme dhe të poshtëme, veshur me mantel me supiera, por pa jakën. Portreti qarkohet me kornizë me riliev, ku është gdhendur emëri GEORGIVS dhe mbiemëri në formë të shkurtuar CASTRIOTT, si praktikohej nga autorët e mesjetës, ndërsa në skedën e katalogut, Voltolina e plotëson, duke i shtuar germën A në kllapa: CASTRIOTT(A), si dhe plotëson cilësimin INVICTISS, në INVICTISS(IMUS).

Për emrin e Gjergj Kastriotit në kornizën e medaljes, artisti nuk e ka shfrytëzuar tërë hapsirën e rrethit qarkues, por e ka lënë bosh në pjesën bazale të bustit, njëlloj se në medaljen e Zagrebit dhe të Berlinit. Medalja është e argjendët, e derdhur në formën e riprodhuar sipas portretit të një pikture ekzistuese.

Ndonëse Voltolina thotë se autori është anonim, ky medaljon është impresionisht i ngjashëm me medaljonet e Zagrebit dhe të Berlinit, që konsiderohen vepra të Pisanello. Ndryshimi mes tyre është se dy të parët janë prodhuar nga artizanët napolitanë, që kanë përdorur aliazh argjendi me bronx dhe i dyti derdhje me bakër, ndersa mjeshtri venecian ka përdor metal argjendi, si dhe e ka punuar dhe plastifikuar teknikisht më mirë. Tekstin, mjeshtëri e ka gdhendur në reliev, me germa të mëdha në gjuhën latine. Autori i medaljes, mbiemërin Kastrioti e shkruan me dy T, por në fakt ky nuk është gabim, pasi sipas rregullave të gjuhës latine, që të shqiptohej saktë duhen dy germa T, pasi Kastrioti me një T para germës I, në latinisht shqiptohet Kastrioci. Ndofta mjeshtëri metalpunues e dinte se mbiemëri i Gjergjit ishte Kastrioti, andaj për të mos krijuar konfuzion në shqiptim, e gdhendi me dy T. Voltolina, në përshkrimin e tij, ka ndjekur rrugën e autorëve italianë, që e shkruajnë Castriota - Kastriota.

Këto të dhëna sugjerojnë se medaljoni nr. 65 i koleksionit Voltolina është prodhuar ne vitin 1461 sipas modelit të Napolit të Pisanello, çka e dëshmon ngjashmëria me dy medaljonet preçedente. Ky medaljon duket se ishte i porositur nga Vatikani, pikërisht në vitin 1461, kur Gjergj Kastrioti shkoi në Romë dhe takoi Papën Pio II, i cili e mbeshteti me ndihma, madje u impenjua per organizimin e kryqezates kunder perandorise Otomane, por vdiq ne Ankona, para se te nisehsin anijet me kryqetaret.

Kontributi i Gjergj Kastriotit në luftën kundër hordhive turke, është vlerësuar nga të pesë Papët, me të cilët bashkëpunoi dhe e mbështetën në luftë kundër hordhive turke. Papa Calixtus III në vitin 1457 e quan Gjergj Kastriotin Difensor della Fede dhe e shpalli Kapiteni Gjeneral i Kuria dhe Kapiteni Gjeneral i Selisë së Shenjtë dhe i dha titullin Athleta Christi. Papa Eugenio IV i dha titullin: “Difensore impavido della civiltà occidentale. Papa Pio II, në vitin 1461 theksoi disa herë: “Të marrim shembull nga vepra e Zotit të Albanisë (dalla gesta del Signore dell’Albania), ushtarit trim të Krishtit (Christi Miles Intrepidus). Papa Pali II e shpalli “Gentium Armorum Capitaneus”. (1, 5, 7, 8)

Në vitet 1521 - 1613, ky medaljon ndodhej në sektorin e medaljonistikës të muzeut të Paolo Xhiovio-s. [9] Pas shpërbërjes të muzeut, medaljoni përfundoi në Venecia, çka e nxiti Voltolino-n ta konsideroi prodhim venecian. Pse dhe si ka përfunduar medaljoni në Venecia, askush nuk jep informacion.


4. Medaljoni i Gjergj Kastriotit, me Nr. 66 në koleksionin e Piero Voltolina.

Medaljoni i dytë i Gjergj Kastriotit, me numër 66 në veprën e Piero Voltolina, është e prodhuar në Romë. Në skedën historike Nr. 66 autori Piero Voltolina shkruan:

D/GIORGIO CASTRIOTA

SCANDERBERGVS

(1403 – 1468)

CONDOTTIERO.

EROE NAZIONALE ALBANESE.

Medalja është rrumbullake, me

diametër 46, 3 cm, me portretin në qendër në profil nga e majta.

Për medaljonin Nr. 66, Voltolina bën këtë pershkrim: “Busti në profil nga e djathta, me mjekër të gjatë, me

berretën të ulur përpara mbi ballë,

veshur me mantel i prodhuar me stofë të shtrenjtë”. Portreti i Gjergj Kastriotit është punuar pa delikatesë, evidencohet profili i fytyrës hundashkabë, lehtësisht spikasin buzët, veshi dhe sytë, ndërsa mustaqet dhe mjekra janë punuar ne bllok kompakt, pa rifinitura ondulante, ndryshe nga tre medaljonet e mëparshëm. Në periferi, portreti qarkohet nga korniza në riliev, me emrin dhe mbiemërin:

GEORGIVS CASTRIOTA SCANDEBEGVS.

Në skedën historike per medalionin Nr. 66 autori Piero Voltolina shkruan:

Autori: Anonim

Vendi i prodhimit: Roma.

Armand, III, p 165. E

Diametri: 46, 3 mm

Prodhuar me derdhje.

Metali: AE – C. R. N Milano: përzierje argjendi, kallaj dhe bakri.

Bibliografia e medaljonit: Koleksion i Piero Voltolina.

Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekani, f. 1001

Fan Sotir Noli, Scanderbeg, Lecce 1993.

Në faqen e pasme të medaljonit është mbishkrimi i shkruar në tetë rradhë dhe i kufizuar me kurorë rrethore me gjethe dafine: FI DEI DEFEN-NSOR INDOMITVS ET T-HRACVM DO-MI (NA) TOR INDO-MABILI-S. Metali i prodhimit të medaljonit është marrë në Milano dhe përbëhet nga përzierje argjendi, kallaj dhe bakri, me mbizotërim argjendi. Teknika e prodhimit është me shkrirje dhe derdhjen e metalit, në formën sipas modelit të parapergatitur.

Në skedë Voltolina shkruan: GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBERGVS, ndërsa në fakt në medaljon është gdhendur saktësisht Scanderbegus. Kjo mospërputhje e emrit të gdhendur në medaljon me shkrimin në skedën, është krijuar nga Voltolina, i cili e “deformoi” emrin Skenderbeu, duke e shkruar me prapashtesë Berg - Bergus, njëlloj si shkruhen emrat e fisnikëve flamingë dhe gjermanë. Ky aspekt, iu ka shpëtuar shumë studiuesve të medaljonit, të cilët i kanë përqëndruar komentet në skedën e Voltolina, pa e verifikuar mbishkrimin e gdhendur në medaljon, ku është i saktë: Scandebegus. Studiuesi pasionant, mitikuloz dhe me kompetence te admirueshme Fotaq Andrea, është i pari që e konstatoi këtë mospërputhje, madje sqaron se autorët perëndimorë shpesh, emrin e Skenderbeut e shkruanin me dashje Skanderberg, për ta fisnikëruar më shumë si hero perëndimor. [11, 12]

Ndërmjet kornizës rrethuese dhe buzës periferike të sfondit të medaljes, mjeshtëri ka realizuar një qark me granula të imëta dekorative. Ky medaljon ndryshon nga i mëparëshmi i prodhuar në Venecia, sepse ka përmasa dy herë më të vogla, metali është më pak i çmueshëm, pasi është përzierje me disa metale dhe teknika e punimit është me pak cilësore. Ky medaljon në ndryshim nga katër të parët, në faqen e pasme ka ekstin në tetë rradhë në gjuhë latine:

FI DEI DEFENNSOR INDOMITVS ET THRACVM DOMINATOR INDOMABILIS:

(MBROJTËSI I PANËNSHTRUESHËM I FESË, TRIUMFUESI I PAMPOSHTUR I THRAKËVE)

Teksti është i rrethuar me kurorë gjethesh dafine, pra autori ka përdorur “Corona triumphalis – kurorën e triumfit”, për të shprehur fitoret me nder dhe lavdi të Gjergj Kastriotit, kundër invazorëve turqë. Ky teksti shpreh vlerësime për kontributin e Gjergjit si mbrojtës i krishtërimit dhe për rolin e tij si strateg dhe komandant i shquar në luftimet kundër hordhive barbare turke. Teksti në faqen e pasme të medaljes shpreh dy aspekte thelbësore të kontributit të Skenderbeut si mbrojtesi i rrënjeve kristiane të Europës - Europei, aut qui domine cristiano consentur dhe fitoret e Gjergj Kastriotit dhe popullit shqiptar në luften kunder sulmeve barbare turke.

Nuk duhet të çuditemi pse autori i medaljes ka shkruar “triumfuesi i pamposhtur i thrakëve”. Në kronikat e kohës dhe në shumë vepra të mesjetës, Gjergj Kastrioti njihej Dominus Albaniae - Zot i Albanisë, princi i Albania, princi i Epirit, princi i Maqedonisë, andaj në medalje shkruhet “Triumfuesi i pamposhtur i thrakëve”, i banorëve të Maqedo-nisë të Aleksandrit të Madh, si shkruan Volterrano: “Skenderbeu ishte një burrë, pa pikë dyshimi pasardhës i denjë i Pirros dhe mbante me të drejtë emërin Aleksander”. (8)

Ndonëse, medalja nuk ka vitin e prodhimit, të dhënat teknike, rrethanat historike, sugjerojnë se është prodhuar në vitin 1463, i prodhuar me kërkesën Dozhës të Venedikut - Dei Gratia Dux Venetiarum, për të nderuar Gjergj Kastriotin, sepse atë vit i ishte akorduar titullin “Qytetar Nderi” djalit te tij Gjoni II Kastrioti. të shoqëruar me diplomën e firmousr nga Dozha Kristoforo Moro. Megjithë vakumin e informacionit, portreti i Gjergj Kastriotit në medaljonin me Nr 66, duhet të jetë skicuar sipas portretit te realizuar nga Xh. Bellini, të cilin 90 vjet më vonë e riprodhoi Kristoforo Altissimo.


5. Medaljoni i Gjergj Kastriotit, me Nr. 67 në koleksionin e Piero Voltolina.

GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBEGVS

(1403 – 1468)

CONDOTTIERO.

EROE NAZIONALE ALBANESE.

Skeda e medaljes Nr 67

D/GEORGIVS CASTRIOTA SCANDERBEGVS

GJERGJ KASTRIOTA SKENDERBEGUS.

Për medaljonin Nr. 67, Voltolina bën këtë pershkrim: Busti me mjekër të gjatë, me berretën të ulur përpara, i veshur me mantel të prodhuar me stofë të shtrenjtë.

Autori: Anonim

Vendi i prodhimit: Roma.

Diemtri: 37, 4 mm

Prodhuar me derdhje.

Metali: AE – MC Venecia

Faqia e pasme: lishio

Bibliografia e medaljes. Koleksion i Piero Voltolina.

Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekani, f. 1001

Fan Sotir Noli, Scanderbeg, Lecce 1993.

Medaljoni është prodhuar në një punishte argjendarie në Romë. Metali i prodhimit është marrë në Venecia dhe përbëhet nga përzierje metalesh, me mbizotërim të argjendit. Teknika e prodhimit është me shkrirje dhe derdhje, në formën sipas modelit të parapërgatitur. Medaljoni është rrumbullak, me diametër 37, 4 mm, me bustin në qendër në profil nga e djathta, me mjekër të gjatë, me berretën të ulur përpara (mbi sy) dhe i veshur me mantel. Konturet periferike të medaljonit, janë zbukuruar me granula të imëta, ne formën e një kurore elegante kufizuese. Portreti është punuar me plastikë të spikatur, me shprehje të tipareve të fizionomisë të Gjergjit. Busti shtrihet deri në buzën e poshtëme te medaljonit, i qarkuar me shkrimin kontinua në latinisht: GEORGVSCASTRIOTASCANDERBEGVS i vendosur brenda buzes rrethore, ndryshe nga medaljonet e tjere, me tekstin në kornizën rrethuese.

Medalja Nr 67, sugjeron se artisti i punimit të skicës të portretit te Gjergj Kastriotit, është i njëjti, që ka prodhuar dhe medaljen Nr 66. Megjithë ngjashmeritë, medaljoni Nr 67 ka disa veçori dalluese: metali i përdorur është më cilësor, pasi ka përmbajtje të lartë argjendi, ka diametër rreth 1 cm më të vogël se ai me numër 66, por teknikisht është më cilësore në evidencimin e tipareve fizionomike të portretit të Skenderbeut. Kurora me granula dekorative është në periferi të kornizës, ndryshe nga medaljonin e më parëshme, që e ka në brendësi të mbishkrimit. Busti i Gjergjit është pak më i madh dhe shtrihet deri ne buzën e poshtëme te medaljonit, në ndryshim nga i mëparëshmi, që e ka me vendosje qendrore, të kufizuar me kornizën rrethore. Faqia e pasme e medaljonit është e lirë, pa tekst. Nga prezantimi i këtyre karakteristikave teknike dhe artistike, mendoj se forma e medaljes është punuar nga i njëjti artist dhe është derdhur në të njëjtën punishte argjendarie të Romës, ndofta është riprodhim, për të korigjuar difektet e medaljes Nr 66, për ta prodhuar me cilësi më të lartë. Portreti i Gjergjit në medaljen Nr 67, ka ngjashmëri të dukëshme me miniaturën e dorëshkrimit të Fioccho. (11, 12, 13)

Kodiku “De Magistratibus Sacerdotiisque Romanorum”, i Andrea Domeniko Fioko (Lucius Fenestellae), u kopjua nga një prift domenikan, i cili në faqen 32, shtoi portretin me ngjyra të Gjergj Kastriotit dhe datën 5 nëntor 1465, kur e përfundoi dorëshkrimin.


Miniatura me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeu, në faqen e fundit të kodikut

De Magistratibus Sacerdotiisque Romanorum i 5 nëntorit 1465.

Medaljoni Nr 67 duhet të jetë prodhuar në vitet 1465 - 1466, me porosi të Vatikanit. Sipas “Le cronache Romane, 32”, në fillim të dhjetorit 1466, Gjergj Kastrioti, me veshje ushtari, i shoqëruar nga një grup kalorësish, u nis nga Durrësi me anije dhe pas një qëndrimi të shkurtër në Raguzë, lundroi dhe zbarkoi në Ankona.[31, 32] Në Romë mbërriti në javën e dytë të dhjetorit, si vërtetohet nga një letër e 15 dhjetor 1466 e kardinalit Gonzaga (ruhet në Archivio Gonzaga, in App. Nr. 83) dhe në letrën e I. P. Arrivabenus, që ka qenë i pranishëm, kur Gjergji mbërriti në Romë. Në letrën e 14 dhjetorit 1466, Arrivabenus shkruan [1]: “El S. Scanderbeg gionse qui venerdi 12 dicembre et incontra li forono mandate le famiglie de cardinali. È homo molto de tempo, è venuto e da povere homo. Sento vorrà subsidio”. [Zoti Skenderbeg arrijti të premten më 12 dhjetor dhe për ta pritur kishte dalë familja e kardinalëve. Është burrë i moshuar, ka ardhur si një i varfër. Dëgjova se do të kërkoi mbeshtetje financiare.] (14)

Papa Pali II, e ftoi të rrinte në kuvendin domenikan të Bazilikës së San Marko, por Gjergji preferoi të banonte në shtëpinë e një miku albanez, që banonte në “Trejo”, pranë “Collis Quirinalis”. Miku i tij albanez merrej me importe venash dhe velierash. Sheshi dhe rruga ku banoi Gjergji, sot kanë emrat “Vicolo Scanderbeg” dhe “Piazza Scanderbeg”, ndërsa mbi arkitraun e portës kryesore të ndërtesës ku bujti, ruhet ende afresku me portretin e Gjergjit dhe mbishkrimi “GEOR. CASTRIOTA SCANDERBEG, PRINCEPS EPIRI. AD FIDEM ICONIS REST. ANN. DOM. MDCCCXLIII”. Mbishkrimi thekson se portreti u restaurua në vitin 1843, duke respektuar besnikërisht portretin e vjetër: “Ad Fidem iconis Restauratum”. [14]

Më 24 dhjetor, Gjergji u prit në Vatikan nga Papa Pali II dhe së bashku festuan krishtlindjen. Papa Pali II, u mrekullua me pamjen madhështore, me karizmën dhe dinjitetin e Gjergj Kastriotit. Gjatë pritjes në Vatikan, Papa Pali II e nderoi me titullin honorifik “Gentium Armorum Capitaneus”, i dhuroi “Pilus et ensis” (perkrenare dhe shpatën), si dhe medaljonin. Shpata ishte prodhuar dhe zbukuruar nga argjendari personal i Papës. [11, 14] Kjo shpatë, e llojit “Ensis” (gladius, telum), u dhurohej princave dhe kapedanëve, të shquar në luftërat për mbrojtjen e krishtërimit. [14]


Përkrenaria e Gjergj Kastriotit, në Muzeun Schatzkammer në Vienë


Shpata “Ensis” e Gjergj Kastriotit, dhuruar nga Papa Pali II.

(Ndodhet në Muzeumin e Palazzo Reale të Kapodimonte, Napoli)

Një tjetër dhuratë e Papa Pali II për Gjergj Kastriotin ishte përkrenaria “Pilus” me kokën e dhisë mitike Amalthea në pjesën e sipërme. Koka e dhisë ka kuptim të qartë simbolik. Sipas mitologjisë helene, dhia Amalthea e mori Zeusin foshnje në malin e Idas (Kretë), e ushqeu me qumështin e vet, e rriti, e mbrojti, duke ia fshehur të atit Krono, i cili e kërkonte ta gëlltiste, si kishte vepruar me fëmijët e tjerë. Në shiritin e artë rrethor të përkrenares, ndërmjet 6 rozetave, sejcila me gurë të çmuar në qendër, janë gdhendur inicialet: IN. PE. RE. TO. RE. BT. Këto iniciale janë interpretuar me kuptimin: Jhezus Nazarenus · Princeps Emathie · Rex Albaniae · Terrore Osmanorum · Rex Epirotarum · Benedictat Te. [Jezu Krishti të Bekon Ty, Princi i Matit, Mbreti Albanisë, Tmerri i Osmanllijëve, Mbreti i Epiriotëve]. [7, 35] Shume autorë te huaj dhe shqiptarë, e shkruajnë Regis, por kjo nuk është e saktë, sepse në latinisht Regis do të thotë mbretëri, rezidencë mbretërore, ndërsa shkrimi në perkrenare i dedikohet Gjergj Kastriotit, i cilësuar Mbret i Albanisë - Rex Albaniae dhe Mbret i Epiroteve - Rex Epirotarum. Këtë perkrenare, Gjergji e përdori rralle here në ceremoni zyrtare, në pritje dhe festime, sepse nuk ishte helmetë lufte, andaj nuk e ka përdorur në dy betejat e fundit të jetës së tij.

Po ashtu, janë të njohura faktet, se gjatë takimeve me Papën Pali II dhe me kardinalët, Gjergji iu kërkoi ndihma financiare, mbështetje me forca dhe armë, për të përballuar turqit, që mësynin parreshtur mbi trojet arbërore, sulme që ishin kërcënim real për vetë Italinë dhe vendet e tjera europiane. [4, 19] Kastrioti qëndroi në Romë dy muaj, kohë që e shfrytëzoi për takime me kardinalët dhe fisnikët italianë, si dhe per vizita në zona të tjera. Nga dokumentat në Arkivin e Vatikanit dhe në Bibliotekën Arkixhinazi të Bolonjës, rezulton se në fund të dhjetorit 1466, Papa Pali II e dërgoi Gjergj Kastriotin të vizitonte Peruxhien e Vjetër dhe Assizin. Nga Roma, Gjergji, i shoqëruar nga kalorësit arbërorë, udhëtoi nëpër luginën e lumit Tevere dhe kur mbërriti në Kastello di Kastelleone, ndaloi në fortesën antike të Deruta. Në takimin me banorët, që ishin mbledhur për të përshendetur miqtë albanezë, Gjergj Kastrioti nga kulla Longobarda, u bëri thirrje të bashkoheshin në kryqezatën kundër Perandorisë Osmane.[19, 31] Në nderim të kesaj vizite historike, ne sheshin qendror të fortesës Deruta është monumenti i Skenderbeut me helmetë lufte, i hipur në kal. Gjatë kësaj vizite, Kastrioti u takua me Piero de Medici, Grandukën e Toskanes, i cili, kur dëgjoi rrëfimet për masakrat që kishte kryer ushtria turke, i përlotur i dha një ndihmë financiare bujare. [14, 18]

Rreth takimit të Gjergj Kastriotit me Papën Pali II dhe me kardinalet, Ludwig Pastori, duke iu referuar relacionit të kardinal Gonzaga shkruan: “Gjatë koncistorit sekret të 7 janarit 1467, Papa Pali II vendosi t’i japi Gjergj Kastriotit një ndihmë financiare prej 5000 dukate, si dhe i akordoi tituj honorifikë, i dhuroi një medaljon dhe një relike të shenjtë .“ [31] Këto të dhena përputhen me “Libri dei conti di Papa Paolo II”, pra me librin e llogarive të Papës, që ndodhet në Achivio di Stato di Roma. Sipas kardinalit Gonzaga: Il cardinale Orsini, ostile al Papa Paolo II, si permisse di osservare, che il capo della chiesa, non aveva a temere da alcuna parte”. [14] Kardinali Orsini, kundërshtari i Papa Pali II, pati guximin të theksonte, se kryetari i kishës, nuk kishte arsye të trembej nga askush.” Kardinali Orsini i bëri apel Papës t’i jipte ndihmat Gjergjit, pasi Vatikani nuk rrezikohej nga askush, pra nuk qëndronte justifikimi i Papes, ndërkohë që me Hungarinë dhe Bosjen ishte treguar dorëlëshuar, duke iu dhene ndihma te medha financiare, ashtu si kishte shpenzuar dhjetramijera dukate ari per te zbukuruar pallatin dukal te Venecias. [7, 27, 31]

Ludwig Pastori thotë se medaljoni iu dhurua Gjergj Kastriotit nga vetë Papa Pali II, por nuk shprehet, në se ia dorëzoi gjatë festimit të Krishtlindjes, çka është më bindëse, apo në janar të vitit 1467, gjatë konçistorit nëpërmjet kardinalit Gonzaga. Gjithashtu mbetet një enigëm për t’u verifikuar, çfarë ishte kjo relike e shenjtë që Papa Pali II ia dhuroi Gjergj Kastriotit dhe cilit shenjëtori i përkiste ?!

6. Medaljoni i Gjergj Kastriotit ne British Museum – Londër.

Një medaljon i veçantë me portretin e Gjergj Kastriotit në kameo me varëse të artë, i prodhuar në vitet 1451 - 1455, prej rreth tre shekuj ndodhet e ekspozuar ne pavionin e medaljonistikes në British Museum në Londër. Kameo (varëse medaljon), për herë të parë u bë publik nga Dritan Muka (2007), në vitin 2013 Ilir Seçi i kushtoi një shkrim në portalin “Illyria Albanian American Newspaper”, ndërsa studiuesi Fotaq Andrea e përshkroi dhe e vendosi në kopertinën e librit:“Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës. Album – Antologji. Botuar në Tiranë, në vitin 2017. [12]

Kameo me portretin e Gjergj Kastriotit, ka formë vezake, eshte i lartë 1, 62 inches (4. 11 cm) dhe i gjërë 1 inche (2, 54 cm). Në faqen e pasme të mbështetëses së artë është numëri i serisë: “SLB 176”, i shënuar dy herë, njeri direkt mbi kapakun e artë (shkruar me bojë kine ne shekullin XVIII) dhe tjetri në etiketë letre, me numër serie 373, si objekt i ekspozuar dhe i shënuar me bojë të kuqe. (12, 16, 17)

Portreti i Gjergj Kastriotit është i gdhendur me mjeshtëri në gurë të bardhë të llojit onyx. Busti është ngjitur mbi pllakë të lëmuar guri të zi llave vullkanike, i montuar në brendësi të kornizës të bazamentit të artë. Në buzën e sipërme është vegja unazore për zinxhirin, e salduar me dy këmbëza me formën e zambakut me tre petale (Fleur de Lise).


Kameo me portretin e Gjergj Kastriotit në British Museum – Londër.

Artisti e ka gdhendur me finesë portretin e Gjergjit, të prezantuar me profil në të majtë, me tipare të qarta fizionomike, hundën shkabë, mjekrën e gjatë ondulante, veshur me mantel aristrokratik, me këmishë me jakë të lartë, të zbukuruar me nëntë rradhë palash dhe qëndisje me motive lineare dhe floreale, njëlloj si këmishat e malësorëve shqiptarë. Mbi krye, autori ka gdhendur kurorën, me tre zambakë (Fleur de Lise), simbol mbretëror europian i kahershëm, i pranishëm në ditët e sotme në te gjitha familjet mbretërore. Kjo varëse me portretin e Gjergj Katriotit është prodhuar në Venecia. Historianët dhe studiuesit e jetës artistike veneciane në shekujt XV-XVI, si Bertrand Jestaz, G.Vasari, P.G. Moro Lin dhe Emeric David, kanë vënë në dukje se Venecia e shekullit XV lulëzonte në të gjitha fushat e prodhimit, në të gjitha artet e veçanërisht në artin e gliptikës, në gravurimin e objekteve dhe sidomos në punimet e gurëve të çmuar (kameo).

Kameo me portretin e Skenderbeut, ishte pronësi të Sir Hans Sloan i cili e kishte blerë në Itali në gjysmën e parë të shekullit XVIII, por nuk e tregon as qytetin dhe as emrin e personit që ia shiti, ndersa në shënimet e tij, thekson se kameo ishte prodhuar në mesin e shekullit XV. [16, 17] Sir Hans Sloane, mjek, akademik dhe koleksionist i famshëm, në vitin 1753, ia dhuroi muzeut Britanik të gjithë koleksionin familjar, me artefakte, libra, armë, veshje, dokumenta, mbi 32 000 monedha, medaljone dhe kameo, mes tyre dhe kameon me portretin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. [17]

* * *

Në medaljonet e prodhuara në vitete 1449 – 1466, si tre të herëshmit (i Zagrebit, i Berlinit, i Venecias), ashtu dhe në kameon e Londrës, në miniaturën e kodikut të Fiocco-s, portreti i Gjergj Kastriotit prezantohet me profil nga e majta dhe kjo nuk është rastësi: është pozicioni tradicional i dozhëve të Venedikut, i portreteve të mbretërve, princërve dhe i fisnikëve etj. Në ato vite ekzistonin disa portrete të Gjergj Kastriotit, si dëshmon Frederick Kenner, i cili thekson: “Portreti i parë ka humbur, ndërsa i dyti është kopje, riprodhim i portretit origjinal të mëparshëm dhe kjo kopje është pikërisht portreti, që ndodhet në Firence”. [15] Në fakt dhe portretet e tjerë të realizuar në shekullin XVI, si portreti i Skënderbeut në vaj në galerinë Ufizzi të Firences (riprodhuar nga Kritoforo Altissimo në vitet 1552-1556), portreti Skenderbeut në përkatësi të familjes Currani në Shkoder, portreti i Skënderbeut në veprën “Historia e Skënderbeut” e Barletit në (1510), portreti i realizuar nga Tobias Stimmer Schaffhausen etj, etj., të gjithë e prezantojnë me profil nga e majta.

Në keto gjashtë medaljone, autorët e prezantojnë Gjergj Kastriotin në tre mosha të ndryshme: në moshë të hijshme 50 vjeçare (në kameo); në moshë mbi 50 vjeçare (figurë legjendare në medaljonet 1, 2, 3); në moshë mbi 60 vjeç (miniatura në kodikun e Fiocco dhe medaljonet nr 4 dhe nr 5). Kuptohet se nga viti 1449 deri më 1467, Skënderbeu do të ndyshonte fizionominë dhe s’kish si të shfaqej statik. Është kjo arsyeja që kemi larmi portretesh të Skënderbeut, në mosha të ndryshme, në stile të ndryshme, sipas epokave dhe individualiteteve artistike, që kanë trajtuar portretin e Skënderbeut.


7, 8. Dy medaljonet e përshkruara nga George Francis Hill.

Skeda e dy medaljoneve në Londër, prezantuar nga G. F. Hill, në veprën

“A Corpus of Italian Medals of the Renaissence before Cellini”. Firence 1984

Nuk kam mundur t’i gjej fotografitë e këtyre dy medaljoneve me portretin e Gjergj Kastriotit, të cilat i përshkruan George F. Hill, në veprën “A Corpus of Italian Medals of the Renaissence before Cellini. Firenze 1984, Vol 2, f. 840. [19, 20] sepse në këte katalog nuk jane prezantuar fotot e ketyre dy medaljoneve, por vetëm përshkrimet.

Autori G. F Hill ka prazantuar dy skeda, respektivisht për sejcilin medaljon, por nuk jep të dhëna për vitin e prodhimit, as për autorin, por thekson se janë në Londër:

Medaljoni Nr. 1311 prezanton Gjergj Kastriotin me bust, i hipur në kalë dhe me shpatë (scimitar - jatagan).

Medaljoni Nr. 1312, ka diametër 37, 5 mm dhe ngjan me të parin, por i modifikuar, sepse ka vetëm bustin e Gjergj Kastriotit, pikerisht eshte imazhi i përdorur si ilustrim në veprën e Marin Barlecit “Historia de Vitae et Gestis Scanderbeg”, në ribotimet e viteve 1520, 1575, 1576, 1577. Hill thekson se, portreti i Gjergj Kastriotit në këtë medaljon, ngjanë me portretin në Muzeun Xhiovio, (Paolo Giovio. Elogia Virorum. III, 1596, pp. 95). [6] por nuk specifikon në se ështe sipas portretit të realizuar nga Xhentile Bellini, apo sipas atijTobias Stimmer Schafhausen, që u perdor më pas në botimet gjermane.

Nga këto të dhëna dhe pse nuk janë të kompletuara, Hill konfirmon ekzistencën në Londer të dy medaljoneve të tjerë, njeri me portretin e Gjergj Kastrioti në bust, me shpatë dhe hipur në kalë dhe tjetri i ngjashëm me të parin, por me përmasa më të vogla, me diametër 37, 5 mm, vetëm me portretin në bust të Gjergj Kastriotit, të realizuar sipas pikturës, që ndodhej në muzeumin e Paolo Xhiovio, si e thekson autori George Francis Hill.

Literatura

01. Marin Barleti: Historia de Vita et Gestis Scanderbegi. Epirotum Principis. Bernardino Vitali. Roma. 1510

02. Voltolina Piero: La Storia di Venezia attraverso le Medaglie. Volum I. Milano 1988. F. 85

03. Dorit Raines. “Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione e presenza al Maggior

Consiglio: le case del patriziato veneziano, 1297 – 1797. In Storia di Venezia, I, 2003

04. Marin Sanudo il Giovane. Vitae dei Dogi 1423 – 1473. Venezia 1999, Tom. 1. 183

05. Giuseppe Bettinelli: Dizionario storico – portatile di tutte le venette patrizie famiglie. Venezia, 1780, f. 48

06. Petkoviç P. Arbanashki Pirg. faqe 196-197

07. Enciclopedia Italiana – Treccani: Roma 1929.

08. Olivier de la Marche.Notice historique sur la Maison de Saint-Mauris. Paris 1474

09. Giovannni Musachi: La storia e l‘eredità da generazione a generazione della

famiglia dei Muzaka. Napoli, 1510.

10. Tommaso Indelli. Gli Aragonesi nel Mezzogiorno d’Italia. Università degli Studi

di Salerno. 20. 07. 2016

11. Giorgio Vasari, Adolfo Venturi, Gentile da Fabriano e il Pisanello, Firenze 1896.

12. Paolo Giovio. Elogia Virorum. III, 1596, pp. 95

13. Andrea Fotaq. Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës.

Album – Antologji. Zenit Editions, Tiranë 2017.

14. Andrea Fotaq Kodiku i katërt në bibliotekën kastriotase me portretin origjinal të

Skënderbeut Shqiptaria.com. 24 qershor 2018

15. Ilia S. Karanxha. Skenderbeu autentik dhe modeli i Romes (De Romanorum

Magistratibus) Zemrashqiptare.net: Nentor 2014.

16. Alia Lutfi. Gjergj Kastrioti ne artet figurative te shekullit XV.

Zemrashqiptare.net. pjesa II. Maj 2015.

17. Frederick Kenner: Vjetari i koleksionit te arkidukes Ferdinand i Tirolit. Viena:

vellimi XIX. viti 1898,

18. Dalton M. O., Catalogue of the engraved gems of the post-classical periods in the

Department of British and mediaeval antiquities and ethnography in the British

Museum. Publication London, Printed by order of the Trustees, 1915”.

19. Hind Arthur Mayger., British Museum, Catalogue of Early Italian Engravings,

Section A.1; and Stowen MS. 697. fol. 180, 1940

20. Petta P: Despoti d’Epiro e principi di Macedonia. Esuli albanesi in Italia del

Rinascimento. Lecce, Ediz. Argo, 2000 

21. George F. Hill. A Corpus of Italian Medals of the Renaissence before Cellini.

Firenze 1984, Vol 2, f. 840

Rizzoli L.: L’opera di G. H. Hill sulle medaglie italiane del Rinascimento e l’origine

Padovana della medaglia”. Istituto Italiano di Numismatica. Vol VII. 1932, faqe 128

166 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page