top of page

TETORI I LIBRIT


BAJAME HOXHA-ÇELIKU

NGA BAJAME HOXHA-ÇELIKU

TETORI I LIBRIT


Ministria e Kulturës lançoi iniciativën "Tetori i Librit", në përmbushje të prioritetit të edukimit përmes kulturës. Në këtë kuadër, Ambasada shqiptare në Bruksel, duke iu bashkuar iniciativës, nën moton "Një ditë shqip", zhvilloi një orë leximi maratonë, ditën e premte; në datën 25 tetor 2019, ora 18.

Ftesat qenë të mjaftueshme dhe ambienti u mbush me gaz e hare nga të pranishmit, ku morën pjesë jo vetëm ambasadorja shqiptare znj. Suela Janina, dhe stafi i saj, por dhe ambasadori i Kosovës Bernard Nikaj, me stafin e tij. 

     Ishte një kënaqësi e veçantë. Të gjithë krijuesit mërgimtarë bashkë e për një qëllim: Sa më pranë Shqipërisë të paktën një orë! Megjithëse të gjithë mërgimtarët çdo çast e orë janë me shpirt e me zemër pranë atdheut dhe jetojnë gjithnjë me një shpresë të madhe për një kthim në atdhe, për një kthim në vatrat e tyre, atje ku kanë eshtrat të parët e tyre. Atdheu dhemb, dhemb shumë miqtë e mi, aq sa nuk mund të matet kjo dhimbje. Një takim letrarësh, një takim ku do të lexohej e recitohej vetëm në gjuhën tonë të bukur shqipe. Mbrëmja u kushtohej përgjithësisht autorëve shqiptarë të zgjedhur, nga të pranishmit, si dhe pjesë nga veprat e tyre, mund të zgjidhnin e të lexonin sipas dëshirës.

Mbrëmja qe e ngrohtë, mes entuziazmit të shpërthyer e të një ndjenje të fuqishme gëzimi e kënaqësie shpirtërore. Të bashkuar me ndjenjën e patriotizmit, me dëshirën e zjarrtë, me vullnetin për t'iu përveshur krijimtarisë dhe më tej, dhe në shërbim të atdheut. Të pranishmit nisën të shfletonin librat nën buzëqeshjen e tyre të lehtë, sepse ishte një frymëzim i lartë tepër emocionues. Një mbrëmje fantastike, ku mori pjesë prozatori dhe poeti Lekë Pervizi me të shoqen, Krijuesi dr. prof. Gjovalin Kola, gazetari dhe prozatori Eden Babani me të shoqen, aktorët Anila Dervishi, Luan Doda, shkrimtarja dhe poetja Shqiponja Duro, Shqipe Kaciu, prozatori Jorgji Kote, Sonila Tuci, Silva Reka, Kol Gjeloshaj, shkrimtarja dhe poetja Bajame Hoxha-Çeliku, Jetmira Berdynaj, konsulle në ambasadën e kosovës etj.

Fjalën e hapjes së asaj mbrëmjeje e mbajti ambasadorja shqiptare znj. Suela Janina, Duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për pranimin e ftesave, ajo uroi të pranishmit për arritjet e tyre në krijimtari, si dhe në çdo fushë tjetër të jetës në mërgim. Më në fund, Suela Janina, përpara se t’ua jepte fjalën krijuesve, lexoi nga poeti Fatos Arapi, poezinë “Atdheu”: “Atdhe është dhimbje, është dhimbje/ Një prill i pikëlluar në shpirt/ Atdheu është kryqi, është kryqi/ / E mban e të mban ty në shpirt.../ ... Atdhe yt i vogël i vogël/ ai Hyjnori i pavdekshmi si loti./ kjo përfaqësuese diplomatike e shkallës më të lartë, recitoi bukur e me ndjenja aq sa bëri përshtypje. Dhe duke qenë një vajzë shumë e thjeshtë, e bukur nga natyra, me një trup të brishtë, me një kulturë të gjerë, e cila, që me pamjen e parë fillon e të lë mbresa të fuqishme dhe të mbush me emocione fare pa e kuptuar. Të dhuron fjalën e saj të butë, të mbështjellë bukur me një buzëqeshje të dëlirë. Aftësitë profesionale dhe ato sociale e kanë bërë shumë të njohur, dhe duke qenë e tillë, ka fituar nderimin e të gjithë shqiptarëve të Beneluksit. Dhe që me këto cilësi të saj të jep kënaqësi e të bën ta admirosh.  

       Në këtë mbrëmje të veçantë, u recituan poezi dhe u lexua prozë për disa minuta nga secili krijues, por e para u ngrit Bajame Hoxha-Çeliku dhe recitoi poezinë “Autografi”, marrë nga libri “Loti përmes mjegullës”  Po sjellim disa vargje: 

“E lexova dhe ulem e goditur/ Ku të të mbaj më thuaj/ Në zemër a në duar?”

Më pas me shumë pasion recitoi Shqipe kaciu,  do vazhdonte aktorja Anila Dervishi, me poetin dhe prozatorin Lek Pervizi. Pastaj në prozë pjesë nga librat e tyre lexuan dhe shumë të tjerë, si: Shqiponja Duro, Jorgji Kote, Luan Doda, Silva Leka, Sonila Toci etj. Aty u propozua për herë të parë në historinë e Ambasadës shqiptare, dhe u vendos që të hapej biblioteka brenda ambientit të ambasadës me libra të autorëve shqiptarë në mërgim, si dhe, u dhuruan me kënaqësi brenda asaj mbrëmjeje shumë libra nga të pranishmit. Kjo mbrëmje e bukur, që na ngjalli aq emocione, do të mbetet gjatë në kujtesën tonë.

#BAJAME #HOXHA-#ÇELIKU

31 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page