top of page

Terziu me “KOJRILLAT” hapi dyert e një përceptimi të ri ndaj prozës shqip


Sami Hajra

Terziu me “KOJRILLAT” hapi dyert e një përceptimi të ri ndaj prozës shqip FATMIR TERZIU – “KOJRILLAT” (Një roman i shijes e i dijes)

Nga Sami Hajra Ma.sc

Romani Kojrillat i shkrimtarit Fatmir Terziu, fillimisht në vete mbërthen tipin e romanit domethënës e kompleks. Kjo, si nga ana formale e stilistikore, po ashtu edhe nga ana kuptimore e ideore. Ai është domethënës, sepse është tip romani “mbijetues” që e vë hapin përtej traditës moderne, rutinore, si dhe, roman shkencor me plot të verteta historike, shkencore etj.. Gjithashtu është kompleks, për shkak se përpos metodës së kreacionit, është edhe nga ata romanet, që për të përmbushur misionin e tij hulumtues gjashtë vjeçar, ai shfaq ekzibicione kreative, duke u ndërtuar edhe në bazë të disa rregullave postmoderne. Mëtimi për t’a deshifruar romanin Kojrillat nuk është e lehtë, dhe krejtësisht e padobishme, sepse me këtë gjë Rolan Barti do të thoshte: “t’i imponosh atij teksti një shkallë ndalese”. Ndërsa në anën tjetër, kur jemi te eklektizmi i romanit, Niçe, besoj do ndjehej rehat në këtë rast. Romani fillon me ditëlindjen e gjashtë të djaloshit Granit Jetoni, që regjimi monist i ekzekuton të atin. Ngjarjet rendin e vijnë gjer në fund të romanit duke u ndarë në njëzet e pesë pjesë, apo kapituj eklektik, e sinkronizues në mesazhin e dhënë, gjersa Graniti bëhet protagonist romani. Ditëlindja e tij e gjashtë, asocion me gjashtë vite hulumtim të shkrimtarit nëpër bibliotekat dhe arkivat e Londrës, për gjithë këto të vërteta historike e shkencore që Terziu na i paraqet si një mozaik romanesk, me një kreacion të rrallë artistik e unik. Mëse tetëdhjetë vite më parë, në Londër, e shoqja e Xhemil Vlorës, pra njeriut që hapi dyert e shtëpisë për Pavarësinë e Shqipërisë, Madam Zeinep Vlora, u vra në rrethana të mistershme. Edhe sot ende heshtet për vrasjen e saj. Terziu fillimisht hulumton, punon e grumbullon materjale për të shkruajtur romanin dhe me këtë dëshmon se nuk i beson inspirimit, por i rreket punës. Pavarësisht të “vërtetave” brenda romanit, ai (romani) nuk mbetet në tipin e romanit historik. Kapërcen dyert, thyen tabutë, hapë dosjet, hulumton faktet, shfleton të vërtetat dhe konkretizon romanin Kojrillat si vlerë më vete e mjaft tërheqëse. Për dallim nga romanet e tjera modern të letërsisë shqipe, romani Kojrillat mban një qëndrim afirmativ ndaj traditës. Kur letërsia moderne mbështetej në distinksionin e Jakobsonit se poezia është metaforike dhe proza metonimike, në këtë roman, mbi këtë bazë parimore, lexuesi nuk do të kënaqej, ose mbase edhe do të zhgënjehej, sepse David Lodge këtë roman do ta quante: “dhumin i ligjit të Jakobsonit” dhe për shkrimtarin Terziu nuk vlejnë më këto rregulla. Kjo vepër ndërtohet në bazë të elementeve, siç janë: detektivizmi, antidetektivizmi, paranoja, multilingualiteti, shpërndarja në kohë, shumëbotësia e tërë. Janë parime dhe elemente që Fatmir Terziu dhe shkrimtari italian Umberto Eko, kreativisht përdorin teknika dhe elemente të njëjta për romanet e tyre erudite – shkencore. Është interesante: diskursi i romanit Kojrillat ndërtohet në bazë të principit të kombinimeve. Brenda romanit të Fatmir Terziut, gjejmë: diskursin scientik, diskursin politik, diskursin gazetaresk e disa diskurse të tjera, të cilët formojnë një pluralizëm diskursiv. Në saje të ars combinatoria-s, teknikë e domosdoshme e fiksionit letrar postmodern, (ndryshe quhet edhe teknikë e montazhit), ku kombinohen temat, motivet, idetë, diskurset etj., na ofrojnë që Kojrillat të jetë dukshëm një roman sipas prosedeut postmodern. Prosedeu postmodern na e shquan dokumentaritetin dhe funksionalizon, fut e përdor citate brenda tekstit. Dhe te romani i Terziut janë të shumta e të dukshme nga secili lexues e kritik. John Barth, romanin Kojrillat do e quante “letërsi e rimbushur”, term ky që e përdori më 1990 në librin “The Literature of Replenishment”. Do ta quante kështu, sepse Terziu e argumenton bindshëm edhe tezën e Rolan Barthes, i cili thotë se nuk ekziston ligjërimi i virgjër. Fakt ky, të cilin e përdorë edhe Umberto Eko në teori dhe e argumenton edhe në praktikë te romani Emri i trëndafilit. Romani Kojrillat shquhet për origjinalitetin e tij. Mos të keqkuptohemi këtu! Në romanin Kojrillat origjinaliteti nuk nënkupton shpikjen, por autenticitetin. Kjo gjë vjen si rezultat i asaj që: teoria e mimesisit, në antikë e këtej, nënkupton, apo është arti i imitimit. Sipas teorisë ekspresive, arti është krijim. Dhe së fundi, sipas teorisë postmoderne, arti është kombinim. Këtu, Terziu përdor rregullat duke thyer rregullat, përdor teknika, fakte e argumente duke shndritur edhe anën tjetër të tyre. Pra, na jep para vetes një roman, një botë, një univers ku mund t’i kundrojmë fenomenet nga çdo perspektivë analitike, sikurse në pikturat surrealiste, që mënyrat e artikulimit të interpretimeve kalojnë në shtresën e nënvetëdijshme të koshiencës dhe hapen me mijëra mënyra përqasjeje e interpretime, pavarsisht dhe nga qasja e mënyra e kundrimit të romanit. Pra, gjithëherë lë edhe variante të tjera për interpretim. Ngjarja e romanit rrjedh duke u pasqyruar fatkeqësia e gjendjes së Shqipërisë në periudhën e komunizmit. Shpërndarja në kohë e hapësirë, e bën të vetën. Shumëbotësia e thotë të vetën. Paraqitjet, rrëfimet sa nga Elbasani në Itali, sa nga Italia në Shkodër, sa nga Shkodra në Londër, nga Londra në Paris etj., ngjarjet zhvillohen nën presionet e situatave që ta mbajnë frymën pezull. Pastaj, përkujdesja për Granitin nga tezja e tij dhe nga miku i babait të tij etj., etj., janë ngjarje, shumëbotësi, kuptimësi e mesazh, figurë, metaforë. Nga denotacioni na hapen shumë konotacione e shumë botësi. Që të gjitha i ngre në një linjë, i bashkon dhe i unifikon filozofia dhe simbolika e alegorisë së “Ujit”. E “ujta” është lidhja kauzale e frymëzimit hyjnor që i jep jetë romanit Kojrillat. Kojrillat – simbol, një shpend shtegtar, një shpend i paqes e i pafajësisë dhe pastërtisë së dashur e që simbolizojnë edhe anën e errët: kojrillat fluturojnë në shtegtim dhe mbi tokë hedhin glasat. Kojrillat e bardha e të zeza ikin në shtegtim për shpëtim, ashtu siç ishte Kojrilla Zejnep që shtegtoi për në botën tjetër në mënyrë të mistershme e këtu la të këqijat e shtetit, bashkë me zhdukjen e saj mister. Edhe shpendët, kojrillat shtegtuan, ikën e tokës i vjen era glasa. Ky roman është eklektik dhe origjinal në çdo pikëpamje. Është eklektik sepse parafrazon dhe zgjedh ide dhe informacione nga tekstet e traditës dhe të së kaluarës dhe i monton në romanin (apo në tekstin) e vet. Ky roman është original, sepse kombinon autenticitetin artistikisht. Si dhe çfarë ka tjetër të veçantë, është se: përdoret një poetikë që është përdorur rrallë e pak në letërsinë shqipe. Terziu me këtë roman hapi dyert e një përceptimi të ri ndaj prozës shqipe dhe renditet në treshen e radhës së kokave prozaike shqipe. Aspak më i parëndësishëm se dy të parët e fatmirësisht kemi dhe pasues të tjerë që ndjekin këtë këmbëngulësi në ikjen tutje për ta çuar para romanin shqiptar. Në këtë aspekt, Ismail Kadare “eksporton” letërsinë shqipe në botë. Rexhep Qosja importon letërsinë e botës duke na e servirur në letërsinë tonë. Ndërsa Fatmir Terziu ngre dy paralele marrje-dhënie, duke dëshmuar se letërsia shqipe nuk identifikohet vetëm me një apo dy shkrimtarë. Që ajo di të shkruhet edhe në variante të ndryshme e të tjera, duke hapur forma të reja kreative letrare prozaike dhe duke i konkuruar letërsisë botërore me vlerat e letërsisë shqipe. Pra, Fatmir Terziu dëshmoi dhe po tregon edhe tutje se di dhe mundet të krijojë dhe të mbetet model në letërsinë shqipe, duke i dhënë letërsisë edhe një formë të hapur (open forme), siç edhe i dha një model duke pasuruar letrat shqipe edhe më tutje.


33 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page