top of page

TENORI TOLI ADHAM PANO




TENORI TOLI ADHAM PANO

Thanas L. Gjika

KUSHËRIRI IM I SHQUAR, TENORI TOLI ADHAM PANO


Midis njerëzve të shquar të fisit tim nga ana e nënës kam pasur kushëririn Toli Adham Pano, tenori i “Korit Lira” i quajtur dhe “Kori Karakteristik i Korçës”.

Ky qytetar i talentuar edhe pse nuk është vlerësuar me tituj nderi prej qeverive pluraliste të pasvitit 1991, për mua është një personalitet i artit që meriton nderime e vlerësime jo vetëm prej fisit të vet, por edhe prej mbarë popullit të Korçës dhe të mbarë Shqipërisë. Me qëllim që të mos harrohet si harrohen qytetarët e zakonshëm, po shkruaj disa të dhëna për jetën e veprat e tij edhe pse nuk jam specialist i muzikës.

* * *

Toli Adham Pano u lind në fshatin Panarit të Korçës më 6 shkurt 1913. Kur ushtria greke (andartët) dogjën fshatrat e Shqipërisë së Jugut më 1914 dhe më 1916, shumica e banorëve të Panaritit, Treskës, Trebickës, Katundit, Stratobërdës dhe Vithkuqit, ashtu si ato të Përmetit e Sarandës, u shpërngulën dhe u detyruan të shkonin ku kishin farë e fis, ose të njohur. Familja e Adham Panos, babait të Tolit u vendos në qytetin e Korçës. Këtu u rrit ky djalosh, i cili më 1929, kur mbushi moshën 16-vjeçare filloi të njihej si këngëtar duke u bërë pjesëtar i “Korit Lira”, që më vonë u quajt dhe “Kori Karakteristik i Korçës”.

Për nevoja familjare Apostoli (Toli) i ndërpreu studimet në “Liceu Klasik Francez” dhe filloi punë si ndihmësrrobaqepës. Dy vjet më vonë shkoi ushtar dhe pasi kreu shërbimin ushtarak në Elbasan u kthye në qytetin e lindjes ku jetoi me zanatin e rrobaqepsit duke u bërë një nga rrobaqepësit më të mirë të qytetit. Pa vonesë ai u aktivizua dhe si korist i “Korit Lira”. Pjesëmarrja në këtë kor ishte vullnetare. Si këngëtarët dhe orkestrantët bashkë me dirigjentin jepnin shfaqje falas për popullin si në qytet dhe në fshatra të ndryshëm të mbarë zonës juglindore të Shqipërisë.

Gaqo Jorganxhiu, me zë basi e baritoni dhe Tole Adham Panua, me zë tenori ishin këngëtarët kryesorë të këtij kori për më shumë se 60 vjet (1934-1994). Tolja u shqua jo vetëm si korist, por edhe si solist në shumë këngë si “Dua më shumë Shqipërinë”, “S' kam ç' e dua pasurinë”, “O moj korçare”, “Kënga e mullirit”, “Dashuria është djallush”, “Muaji i majit”, etj. Një tipar tjetër dallues i Tolit ka qenë dhe ndershmëria dhe qytetaria e lartë. Askush nuk mban mend që ky rrobaqepës të jetë grindur me ndonjë myshteri a qytetar, ose të ketë gënjyer a mashtruar. Zotnillëku ishte tipar i tij me të cilin mburret sot gjithë fisi dhe qyteti i Korçrës.

Regjisori Mevlan Shanaj në vitin 1981 realizoi një film dokumentar televiziv kushtuar “Korit Lira të Korcës”, ku spikat dhe figura e solistit dhe koristit Tole Adham Pano. Kjo ishte e vetmja punë kinematografike ku u përjetësuan deri diku vlerat e këngëtarëve të atij kori. Tenori Toli Adham Pano dhe basi Gaqo Jorganxhiu e arritën kulmin e cilësisë zanore si këngëtarë në vitet 1945-1980, por incizimet e asaj kohe nuk ishin të cilësisë së lartë. Cilësia e këtyre pllakave sot le për të dëshiruar, prandaj ato duhen rigjeneruar me teknikën e sotme.

Këngët e atij kori ishin këngë lirike ku nuk i këndohej partisë dhe udhëheqësit të saj. Për pasojë jeta dhe krijimtaria e këtij kori, e solistëve kryesorë dhe orkestrantëve të talentuar të tij në vitet 1945-1991 nuk morën ndonjë vlerësim si e meritonin. Nuk u shkrua për jetën dhe krijimtarinë e tyre asnjë studim monografik, madje as ndonjë temë për mbrojtje diplome prej studentëve të Institutit të Lartë të Arteve.

Toli Adham Pano u nda nga jeta më 6 korrik 1998, në moshën 85-vjeçare, duke lënë dy vajza e një djalë të martuar e me fëmijë.

“Kori Lira” në ditët e sotme po e vijon traditën. Aty janë zëvendësuar dirigjentët, solistët, koristët dhe orkestrantët e vjetër me dirigjentë, solistë, koristë dhe orkestrantë të rinj, por elementët më të talentuar të së kaluarës së këtij kori duhen vlerësuar me tituj nderi, sepse kështu traditat kulturore e artistike kombëtare pasurohen dhe shpien përpara.

Gaqo Jorganxhi dhe Tole Adham Pano meritojnë të shpallen “Nderi i Kombit”, sepse ata me talentin e tyre të shquar i shërbyen artit shqiptar vullnetarisht për mbi 60 vjet, pa ndonjë investim nga shteti, dukuri e rallë në historinë e artit tonë mbarëkombëtar.

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page