Xheladin MJEKU
TEMPULLI I ABETARES
Adem Abdullahu: ,,ARADHA E SHKRONJAVE”, poemë për fëmijë, botoi ,,Ylberi plus” – Tetovë, 2021
Bota fëmijërore ka veçantitë e saja, prandaj edhe prekja e temave nga kjo kategori është më ndjeshme në çdo aspekt të jetës, që përbëjnë një spektër të gjërë angazhimesh të të rriturve, si prindërit, edukatorët, mësuesit, etj. Çdonjëri prej tyre nga prizmi i vështrimit dhe interesimeve të veta ka obligimet personale në rritjen dhe edukimin e kësaj pjese të shoqërisë sonë, që të kemi breza të shëndosh dhe të ndërtuar në të gjithë parametrat e duhur, si shëndetin, edukimin, aftësimin e të kuptuarit drejtë të lojës, shoqërisë, prindërve, etj.
Adem Abdullahu, pedagog i dëshmuar, krijues letrar, veprimtar i palodhshëm i aktiviteteve kulturore dhe botues, kujdes të veçantë i kushton kryesisht kësaj pjese të shoqërisë, duke u dhuruar kënaqësi leximi, lumturi dhe edukim me veprat letrare që i ka dhënë lexuesit për dekada. Kjo veprimtari shquhet për temat që shtjellon, për çasjen e ngjarjeve në frymën atdhetare, edukative dhe, sidomos, për gjetjet e reja që përmbushin nevojat e lexuesit, si për mënyrën e trajtimit, vlerën dhe mesazhet që transmeton fjala e tij artistiko-letrare.
E tillë është edhe poema për fëmijë ,,Aradha e shkronjave”, që vëmendshëm do të ndalojmë te çdo shkronjë-personazh i saj për të shpalosur sa më shumë njohuri që takojmë brenda librit.
A – ZH personazhet që ia trasojnë rrugën të nxënurit në gjuhën amtare
I prirë për gjetje të temave interesante dhe të dëshiruara për fëmijët, Adem Abdullahu kalon në rolin e ,,ushtarakut”, ku me përkushtim do të ngrisë ,,Aradhën e shkronjave”, që shquhet për temat që trajton, ku takojmë të ndërlidhur bazamentin e elementeve që trasojnë rrugën e nxënjes së diturive gjatë tërë jetës, duke krijuar kështu një frymë dashurie për kultivimin, ruajtjen dhe ndërtimin e vlerave kulturore, letrare dhe pedagogjike, si komponente qenësore që mundësojnë njohjen e rëndësisë së shkronjave, përvetësimin e nxënjes së dijes dhe joshjen e leximit të këtyre moshave dhe më gjërë.
Në takimin e parë me ,,Aradhën e shkronjave” mësojmë se, pavarësisht vështirësive që kanë kaluar duke çarë ,,orteqe, stuhi bashkë,/ i qanë hallet kokë më kokë.”, ato kaherë janë dakorduar, që të krijojnë aradhën e tyre, ku:
,,Këshilli i shkronjave propozoi:
A-ja e para Aradhës t’i prijë,
kapur dora-dorës me shoqe,
të shkojnë në ARDHMËRI!”
(Po aty, fq. 4)
Pas këtij propozimi, shkronjat arrijnë të krijojnë s’bashku Aradhën e tyre, përmes së cilës do të zhvillojnë aktivitetet sipas përcaktimeve të mëparshme, për t’ia dalur të ndërtojnë Tempullin e dijes, gjithnjë duke u përballur me rrugëtime interesante ,,nëpër fusha e kopshte” për të kaluar livadhe e ujëra lumenjësh, ngjitje nëpër vise të larta malore, udhëtime nëpër qytete e vendbanime të ndryshme, dhe kështu ,,pa shkelur vend s’lanë/ s’i pengoi asnjë valë” deri në përmbylljen me sukses të misionin e tyre.
,,Shkronjat në ABETARE,
gur mbi gur ngritën mur...
Aradha bëri punë të madhe,
ngriti KALA më t’fortë se kurrë.”
(,,Kalaja e shkronjave”, fq. 77)
Poema nis me prologun prej tri strofash me nga katër vargje, e pagëzuar ,,Aradha e shkronjave”, sipas së cilës do ta merr titullin edhe vepra, dhe mbyllet me epilogun ,,Kalaja e shkronjave”, për të dhënë tërësinë e zhvillimeve të ngjarjeve në këtë krijim letrar. Brenda kornizave të këtyre ngrehinave që përkufizojnë gjithë veprimtarinë e tridhjetë e gjashtë ushatrë–shkronjave që përbëjnë Aradhën e tërësishme të Alfabetit të shqipes, do të zhvillohen të gjitha veprimet, aktivitetet dhe jetësimi i tyre në pronësinë e përhershme të shkollarëve, që të arrijnë suksese sa më të larta në të gjithë lëmenjtë e jetës.
Kështu, e para nis shpalosjen e veprimtarive të saj shkronja A, si ushtaraku në ballë të Aradhës dhe merr në pronësi gjithçka që fillon me fuqinë e saj, që nga Atdheu e tutje, çdo emërtim, për t’ua hapur rrugën e deklarimeve sipas radhës edhe shkronjave të tjera. Në vazhdimin e bisedave do të përballen me laryshi ngjarjesh, temash, emërtime sendesh, toponime për male, lumenj, fusha të bleruara; pastaj ambiente urbane, rrokaqiej, shkollarë, punëtorë, e çka jo tjetër, që përbëjnë jetën e njeriut dhe mrekullitë e natyrës, pa mos u përballur edhe me fatkeqësi e situata të befasishme atmosferike, si reshje bore, shiu, furtuna, etj.
Nuk mungojnë edhe befasitë mes tyre, kur ndonjëra nga shkronjat do të ngatërrohet në situata të veçanta, për të gjetur pastaj shkas për ta shpotitur shoqet tjera. E tillë do të jetë ngjarja e Ç-së, e cila padashje ,,mbi një kopsht të bukur/ si brumbull u lëshua”. Pas këtij veprimi e akuzuan se u ngatërrua qëllimshëm me bishtin që i rri varur, por ajo në asnjë mënyrë nuk do të zmbrapset në detyrat e saj dhe ,,Që atëherë Ç-ja/ kurrë s’gaboi,/ u rrit, u forcua,/ por bishti i qëndroi” (po aty, fq. 11).
Por, gjatë këtij rrugëtimi ndodhin edhe mrekullitë, sikur në veprimin e radhës me shkrojën D, e cila do të bëj një shërbim të bukur për Dritonin e Drilonen, që ,,ecnin dorë për dore” dhe gjithnjë mendonin për të realizuar çaste të mira, për të shkuar gjatë verës në pushime verore, pastaj sa vinte e u shtohej dëshira që të qerasnin njëri-tjetrin, me ëmbëlsia, me fruta, e pse jo, edhe të qëndronin sa më gjatë në shoqërim, derisa në një çast do të ndodh mrekullia:
,,Një D e një D-tjetër
u bënë dy,
s’kaloi shumë kohë
u kthyen në DASHURI.”
(Po aty, fq. 13)
Nuk janë të rralla edhe ankesat e shkronjave, sidomos atëherë kur harrohen të ftohen në veprim, apo mbesin jashtë funksionit nga pakujdesia e shfrytëzuesve. Një veprim i tillë i ndodh më së shpeshti shkronjës Ë, e cila në mungesë do të lë pa ËMBËLSIRË edhe adhuruesit më të mëdhenjë.
Këtu, si duket Këshilli i shkronjave qëndron kujdestar në çdo rast dhe u ndihmon të gjitha atyre shkronjave që do të kenë vështirësi në kryerjen e detyrave të veta brenda Aradhës. Gjatë rrugëtimit të saj shkronja I do të pëson një humbje. Asaj i bie pika që mbante si kapelën mbi kokë, që vazhdimisht e kishte bartur me vete. Pa një, pa dy, i drejtohet Këshillit dhe me vendim të shpejtë ia kthejnë pikën përsëri, për t’ia shtuar bukurinë, dhe ,,që atëherë ajo/ gëzon lumturinë.” (po aty, fq. 29). Çfarë befasie! Shkronja K di edhe të mllefoset, sidomos kur e shqetësojnë ,,kokëtul e kokëfortë/ dhe kur njerëzit mes veti/ nuk KUPTOHEN në botë”, derisa gjenë kënaqësinë shpirtërore dhe ,,pamasë gëzohet/ kur i prinë kosmosit,/ KOMBIT, kompjutorit/ dhe...kosit!” (po aty, fq. 33).
Në ,,Aradhën e shkronjave”, L-ja del të jetë e fuqishme dhe luftarake. Përveç punëve dhe detyrave të përhershme, ajo do t’iu ndihmoj të veprojnë lirshëm të gjitha bashkëveprimatareve të saj, qëkur ,,LIRINË me të mëdhaja e shkroi”. Për këtë veprim kaq të guximshëm që:
,,L-ja përherë
LIRISË i këndoi,
Ndaj rrugën me LULE
Aradha ia shtroi”
(Po aty, fq. 35)
Në jetën e përbashkët të shkronjave në familjen e madhe të Aradhës gëzimet nuk kanë të mbaruar. Edhe shkronja N do të gëzohet pamasë, meqë ,,Dy N dhe dy Ë,/ se dy nga dy bashkë/ shkruajnë emrin NËNË” (po aty, fq. 41). Nuk do të ndihej e qetë as P-ja, sikur mos ta kishte punën pjesë të veçuar të aktiviteteve të saj. Për këtë veprim ndihet triumfuese, meqë ,,pa lodhur PUNONTE,/ andaj në ARADHË/ flamurin përqafonte” (po aty, fq. 47). S-ja dredharake ,,Si lumi i kaltër/ që shumë S-ja ndërton” ku ,,edhe SYRI i Fatjonës” do të kënaqet kur i shikon, sikur kanë rënë në ujdi të formojnë shoqërinë-shkronjën SH dhe ,,Të dyja dorë për dore/ shkuan te hidrocentrali,/ dritën elektrike kur panë/ sa bukur, SHËNDRITI mali” (po aty, fq. 57).
Kështu do të vazhdojnë edhe shkronjat tjera, që nuk kanë mbaruar ende raportimet në Aradhë, duke u ndier të qeta nën dritën e përhershme të hidrocentralit dhe kënaqësinë e realizimit të detyrave të tyre, derisa në fund të Aradhës po këndonin Z-ja me bashkudhëtaren e saj të përhershme H-në e bukur, që të dyja s’bashku krijonin shkronjën ZH. Sikur kjo e fundit nuk ndihej e qetë, prandaj pareshtur ,,ZH -ja ZHURMËRONTE/ kur prapa shikonte,/ donte mos të jetë e fundit,/ por Aradha marshonte” (po aty, fq. 75).
Në këtë ambient kaq mirë të organizuar ,,Aradha e shkronjave” përherë do të qëndrojë e pathyeshme në rrugëtimin e saj për të ndërtuar Tempullin e madh të Abetares, e cila na mbanë krenar me rrezatimin e saj të artë në çdo shtëpi, pranë çdo familjeje dhe përherë në duart e shkollarëve, që e duan dhe e ,,lëngëzojnë” jetën me frutat e saj prej drite e lumturie drejt ardhmërisë së tyre të begatë.
Tri togjet e Aradhes na shoqërojnë çdoherë
Por jo vetëm kaq mund të themi për ,,Aradhën e shkronjave”. Ajo vjen e organizuar mirë dhe me një përbërje homogjene shkronjash, të cilat mund të sistemohen në tri togje të veçanta, për të funksionuar pastaj si një trup i përbashkët gjatë gjithë aktiviteteve dhe veprimtarive të tyre të përditshme. Prandaj lirisht mund të vlerësojmë se shkronjat e Alfabetit të organizuara në Togun e zanoreve, të bashkëtingëlloreve dhe në Togun e shkronjave dyshe e formësojnë ,,Aradhën e shkronjave”, e cila si një fuqi e përbashkët qëndron përherë kujdestare në ngritjen e vlerave të gjuhës, drejtshkrimit dhe të kultivimit të kulturës kombëtare.
Sipas këtij sistemimi në Togun e parë qëndrojnë ato më të zëshmet, A, E, Ë, I, O U, Y, që nganjëherë ia thonë me zërin e tyre melodik për të krijuar kënaqësinë e dëgjimit, të tjerat (bashkëtingëlloret) paksa më të ngurtësuara, kërkojnë shoqërim të vazhdueshëm në përmbushjen e detyrimeve të tyre në formësimin e fjalëve e fjalive që u obligohen. Por në togun e tretë gjendja është më ndryshe. Aty shkronjat shoqërohen mes vete, për të krijuar bashkë forcën e duhur në arritjen e sukseseve të reja. Të tilla dalin të jenë shkronjat: DH, GJ, NJ, RR, TH, SH, XH dhe ZH. Një bashkëveprim të tillë do ta bën edhe SH-ja, si njëra nga më të sprovuarat në veprimtaritë e saj. Kështu ,,T-ja dhe H-ja/ të shëndosha si THANË/ shëtisnin bregut të lumit,/ buzëmbrëmjeve me hënë”, për t’i përballuar çdo sprove që u del përpara ato vendosin që s’bashku të veprojnë:
,,Mikeshat e reja
Pasi Th-në THEMELUAN,
dorë për dore u kapën
sa herë që THUMBUAN.”
(Po aty, fq. 61)
Pavarësisht situatave, shkronjat asnjëherë nuk e ndryshojnë përbërjen e tyre numerike. Ato, ashtu të bashkuara çdoherë i përmbushin nevojat e komunikimit dhe bashkëveprimit mes vete, duke mbajtur të fortë Aradhën e tyre të patundur përballë furtunave që ua imponojnë situatat e ndryshme.
Duartrokitjet e vlerave
Ishte mrekulli rrugëtimi ynë i përbashkët me ,,Aradhën e shkronjave”, të cilat na mbushën plot vullnet për ecje tutje në rrugën e diturisë, të nxënjes dhe krijimit të një kulture shkrimore sa më të plotë.
Po sikur të ndodhte realizimi i një pjese teatrale, apo i një ekspozite me vizatimet e shumta që e përcjellin këtë lëndë poetike për Tempullin e Abetares dhe Alfabetin shqip?!
Megjithatë, është i pajustifikueshëm trasimi i rrugës së diturisë, mësimit të gjuhës së çiltër e deri në Kryefjalën – Dashuri për jetën, të bukurën, ardhmërinë...
Me duartrokitje i përmbyll këto përjetime brilante, për t’ia lënë hapur rrugën e sukseseve ,,Aradhës së shkronjave”.
Comments