“…te Pusi që Lahet Vetë…”
Nga Fatmir Terziu
Në zgrip të ditës nga Ora e Kalasë
dhe kumuritë e kanë zgjuar gurgërimën
Tu-çik! -Tu-kush!
Dhe harku guracak, përsëri! Gurgërima,
zgjohet Lagjja. Gjithkush…
Mjeshtri i Myzyrit, lapsi i parë,
ka një mackë me dy dhëmbë, e cila
nga sënduku stambollí poshtë sefergjenit
i përgjigjet orës,
katër për të katërtat për minutën dhe dymbëdhjetë për sekondën,
çdo sy,
lahet mbi e nën avlli
nga shkëlqimi dhe uji,
gjashtëmbëdhjetë zhurmëza të shkurtëra,
nga goja tek fyti,
jo me zë të lartë,
disa thonë, ai imiton qejfin e zonjës Diti.
Dëgjohen buzët e qeta
duke feksur me një meçe të bardhë
heshtja shëtit mes kasaphanës pa fjalë.
Një gurë e paqtë
nurin nuk e mban për vetveten
por, për të gjithë burstlën e saj.
Dikush gjithmonë gëlltit me etje
në syrin e larë nga fati i legjendës
kjo rrugë të bën për vete, shtrydhet si retë,
vetvetiu ia merr këngës:
“te Pusi që Lahet Vetë…”
E menjëherë, një Diti që të pret
nëse nuk feniks si një dritë
është strukur tek një zemër që troket.
A është nata e ftohtë dhe e errët?
Nata është e ftohtë, por jo e errët.
Reja e hollë gri është bojallisur lart,
mbulon e zbulon mantelin e hollë
por nuk e fsheh qiellin.
Hëna aratiset prapa dhe bymehet plotësisht,
e megjithatë ajo duket edhe e vogël, edhe e shurdhër
nuk ka më gurgullimë.
Nata është e ftohtë, reja është gri:
hapat janë një muaj para muajit gusht,
vera derdhet prush në këtë mënyrë
mbi fikun bufanak me push.
Pusi hesht. Vetëm hesht… si nënshkrim i pendimit
një dihamë larg nga Porta e Kalasë,
ajo kishte parë ëndrra gjithë ditën deri pas perëndimit
për djaloshin e saj të dashuruar,
tashmë mbi pus tej mesnatës po lutet pa fjalë,
për kthimin e të dashurit të saj që është larg.
Ajri është akoma po ai flladi i Ullishtes,
sitet nëpër mjegull dhe re
Ora e Madhe zgjon duke kumbuar me të madhe;
dhe heshtja dredh frikën e saj,
rrugëve me kallpe guri të Egnatias,
mban hijet e veshjeve të mëndafshta të bardha,
dhe mashtron milingonat me flokët e fryra bukur.
Asgjë nuk dyshon në magjinë e qytetit
askush nuk pyet më për Ditin.
‘Fle, zonjëza e ëmbël Ditkë?
Besoj se ka pushuar mjaft, shpirti iu bëftë dritë.’
Në zgrip të ditës nga Ora e Kalasë
dhe kumuritë e kanë zgjuar gurgërimën
Tu-çik! -Tu-kush!
Dhe harku guracak, përsëri! Gurgërima,
zgjohet Lagjja. Gjithkush…
LIBRI:
Një legjendë dhe një fakt, koha shkon përtej kohës në kërkim të një dashurie dhe një trashëgimie. Një këngë është kënduar…, dhe një krismë e largët e një dyfeku prej argjendi e ka ndaluar. Ka heshtur Pusi që lahet vetë… ka heshtur dhe legjenda. Fakti shëtit si të gjitha fatet e tilla në memorje të ngrira. Po si ka ndodhur?
Së shpejti në duart e lexuesit…
Comments