top of page

Tatuazh


Fatmir Terziu

Tatuazh

Tregim nga Fatmir Terziu


Hëna filloi të luaj kukafshehti me retë dhe unë vura re tatuazhin imitues të formës së Shqiponjës në shpatullën e vajzës që ndodhej para meje. Është një perëndim dielli, kur Hëna është atje larg… vetëm gjysma e saj mbetet tej rrugës qiellore ku treten sytë e njeriut e Shqiponja bën detyrën e saj në vëzhgimin e pastër.

“Çfarë do të thotë tatuazhi juaj,” e pyes i qetë.

“Do të thotë që askush ende nuk e ka realizuar plotësisht zogun tim të plotë, i shenjti im zotëron një pjesë dhe gjysma tjetër do t’i përkasë burrit tim,” m’u përgjigj ajo me krenari.

Ajo pastaj shkoi më tutje e më tutje me ngadalë dhe unë u ula në errësirë i ​​vetmuar.

Më vonë, po atë ditë, vajza u kthye. Këtë herë ajo solli ushqim. Dhe në të vërtetë hyri me qesen në dorë edhe në kabinën time. Ajo më buzëqeshi dhe unë vërejta se ka një pikëz, si një xhevahir në mes të ballit. Mendova se ishte thjesht një xhevahir i vetëm, por në fakt lidhej në një pjesë më të madhe të cohës që mbështillej rreth kokës së saj të vogël, në formë zemre. Ajo e kuptoi që unë po shikoja gjithçka që lidhej me të.

“Çfarë po shikon,” më pyeti ajo.

“Juve”, i përgjigjem.

“Mua?” pyeti ajo.

“Po, juve,” i them.

“Për çfarë arsye,” pyeti ajo e habitur.


“Për shkak të bukurisë me të cilën jeni gdhendur … eh, dhe sa e bukur jeni, edhe pa të gjitha xhevahirët që mban ajo cohë e hollë në kokën tuaj”, i thashë.

Ajo ndaloi së foluri dhe unë e pashë që ajo ishte vërtet …, disi e hutuar. Unë e kuptova menjëherë se ajo nuk kishte pritur që unë t’ia them këto fjalë. Në fakt as që e kisha menduar më parë edhe vetë, që unë t’ia them këto fjalë. Nisa të trazoj veten.

“Të tregosh ndjenja ndaj dikujt nuk është me të vërtetë … ashtu…, ashtu si i bëra gjërat unë?!”.

Ajo doli jashtë dhe hyri drejt në kabinën e saj duke e mbyllur atë me një nervozizëm të lehtë. Kur ajo më bëri përshëndetjen, pashë një trishtim të vogël në sytë e saj. U ndjeva më i vetmuar…

Orët kaluan dhe unë më në fund u largova nga ai kënd vetmie për të fjetur. Isha zgjuar nga zhurma e lartë e një vinçi që zhgarraviste kryet mbi një grumbull baterish. E njëjta vajzë m’u shfaq përsëri në kabinën time. Ndjehesha i ngrirë. Shkunda veten dhe i fshiva sytë. Ndjesia më bëri të ripyes veten, nëse ajo më shikonte ende mua në sy, apo dikë tjetër, por jo ishte e lehtë që ta vërtetoje, kjo ishte e vërtetë, ajo më shikonte mua. Edhe unë ia ngula sytë asaj. Ajo ma ktheu me buzëqeshjen tipike në atë fytyrën e saj engjëllore.

“Duket sikur sot është me humor më të plotë,” i thashë vetes.

“Përshëndetje,” më tha ajo me një zë të butë.

Zëri i saj ishte i butë, por i qetë, i lehtë, i freskët dhe ashtu thjesht dërgonte copëza të ngrohta fryme në të gjithë trupin tim. Heshtja kumbonte nëpër ajër sikur të ishte një zog në erë.

“Mirëmëngjes”, i them më në fund.

Ajo tashmë kishte hyrë në brendësi të kabinës sime. Më në fund kisha shfrytëzuar mënyrën se si mund të ndihej nga skicimet e mia nëpër mure.

“Ndoshta do të kem me se të mburrem”, thashë me vete.

“Si quheni,” më pyeti ajo.

“Enigëm … dhe Ju…”, e pyes.

“Misterja,” u përgjigj ajo.

“Çfarë do të thotë kjo?,” e pyeta i habitur ngase ndoshta edhe misterioze vërtet mund të ishte.

“Do të thotë mister i përjetshëm,” u përgjigj ajo.

“Unë duhet të shkoj tani, por do të kthehem të të pyes për “enigmën” tënde,” shtoi ajo.

Ajo doli dhe përsëri unë mbeta vetëm.

Ndërsa u afrova ngadalë në hyrje të asaj ngrehine të madhe metalike që zhytej thuajse padukshmërisht në atë ujësi, pashë në largësi malet e gjera, me dëborë. Ishte aq bukur, por edhe aq ftohtë, me një pamje që dridhjet dhe mornicat më dukej sikur zbrisnin si topltha e shkoptha nëpër tërë trupin tim. Unë buzëqeshja në vetvete. Buzëqeshja zhbirohej si flladi i lehtë e i ftohtë, që fshikullonte nëpër ajër metaliken dhe i bënte të gjitha xixllat e borës yje imitues në qiellin e mbufatur. Në moment më erdhi dëshira të eci në këmbë. Vendosa ta marr këtë aventurë që të eci në këmbë mes asaj bardhësie, duke mos e menduar se kjo mund të ishte një gabim. Ashtu, duke ecur në dëborë shihja gjurmë të çuditshme dhe me forma të ndryshme. Fillova të vizatoj në mendjen time, një hartë të rrugës ku po ecja, me qëllim që të kisha të lehtë kthimin pas në anije. Asnjëherë nuk kisha menduar se do të isha në gjendje të bëja një aventurë, diçka të jashtëzakonshme dhe kaq spektakolare në jetën time.

“Kjo tokë është kaq e ndryshme nga toka ime, dhe unë çuditërisht e dua atë.”, pëshpërita me vete.

Ndërsa po ecja, dëgjoja biseda misterioze të disa njerëzve që flisnin me njëri-tjetrin. Unë kurrë nuk i shoh drejt e në sy njerëzit që bisedojnë me njëri-tjetrin dhe jo më të bëhem kurioz e të di se nga vijnë e për kë bëhen palë këta zëra. Papritur, një shpend misterioz kaloi si shigjetë dhe fishkëlleu mbi kokën time. Më mërmëriti nëpër faqe dhe gjaku filloi të bulojë. Ishte vetëm një ndjesi, një soj shpimi pak i ngrohtë, që përshkoi gjithë fytyrën time. Pastaj, u gjenda në pritën e një grupi fluturakësh që vinin shigjetë nga ajri. Për ta nuk kisha asnjë të dhënë, se ekzistonin në atë vend. Ata më ngritën sa të mund në flatrat e tyre dhe mua më dukej sikur po fluturoj mbi tokë, sikur të isha një re që noton në qiell. Më tutje nuk e di se çfarë ndodhi.

U zgjova në një kabinë që nuk ishte më e madhe se një balonë në një fushë të hapur. Pëshpëritjet e mefshta në lidhje me ngjarjet e ndryshme që ndodhën gjatë harkut të ditës së kaluar, dukej se binin si çafkërrime në ajër dhe paqtoheshin mes asaj kornize të qelqtë që kishte pushtuar një pjesë të murit përballë. Ishte i ftohtë dhe i errët ai vend.

“Ah, më ndihmoni”, bërtita.

“Ndaluni atje”, bërtiti dikush, nga jo shumë larg.

E kuptova, që nuk isha personi i vetëm i bllokuar. Tingulli i gjurmëve më befasoi aq sa më bëri të kërcej. Unë e kuptova me dritën e lehtë, që vinte nga një pishtar, që më afrohej e afrohej pranë e pranë. Pashë një hije, pastaj… pastaj pashë se po më afrohej një vajzë. Ajo ishte e veshur me një fustan kadifeje, ngjyrë kafe, me mëngë të shkurtra, i cili ishte zbukuruar me disa figurina precize. Flokët e saj ishin të gjata, të zeza, që i binin mbrapa në mënyrën më të përsosur që mund të ketë një trup si ajo. Unë e kuptova se ajo duhet të ishte një nga vendaset dhe ajo kishte ardhur për t’u siguruar, që unë kam shpëtuar nga ai sulm grabitqarësh nga ajri. Vajza më vështroi e befasuar, ndërsa unë vazhdoja të qëndroja i ngrirë duke e shikuar atë drejt në sytë e saj xham. Bukuria e saj ishte aq mahnitëse sa nuk mund të them asgjë më shumë. Më në fund e mblodha veten, duke i thënë vetes me një bindje të plotë, se ajo vajzë është pjesë e kurthit që më bëri të bllokohem në këtë vend.

“A jeni i uritur,” pyeti ajo.

Unë nuk desha të përgjigjem, por mendova se nëse nuk përgjigjem ajo do të më shkaktonte diçka më keq.

“Unë nuk jam i uritur,” i thashë.

Dëbora kishte bllokuar gati gjysmën e xhamave të kabinës. Unë kisha ngritur duart e mezi e ndjeja trupin, nga ajo natë e gjatë.

Kishin kaluar disa minuta kur ajo me një çantë në dorën e djathtë u shfaq së bashku me një shishe wiski. Pastaj e hapi kabinën time dhe më tha që ta ndjek. Unë bëra siç tha ajo. Dëgjova një britmë diku jashtë. E shikoja bukurinë e saj në atë trup elegant e të njomë, ndjeja diçka por edhe me frikë, dhe me çudi. Ajo vetëm valëviste dorën e majtë për të më lënë arsye që ta ndjek. Të dy po ecnim nëpër disa tunele të errët ku dëgjoja krisma armësh. Secili prej tuneleve bukoste larg e më larg të gjitha zhurmat, me qëllim që asnjëra të mos dilte në hapësirë. Dëgjoja ulërimat e fëmijëve të vegjël dhe nënave ndërsa armët filluan të shtoheshin. Unë atëherë e kuptova se duhet të ishin miqtë e mi. Më në fund ishim jashtë. Ishim jashtë atyre tuneleve, ishim nën errësirën e yllit që e kishim pritur me muaj të tërë për atë klip dhe aty pashë një nga anëtarët e grupit tim të filmimit se ishte duke vrapuar i mahnitur drejt meje. Ai bërtiti gjithë zell fort duke përmendur emrin tim dhe atëherë e kuptova që isha larguar prej ekipit të xhirimit më gjatë nga sa e mendoja. Më në fund, ata kishin ardhur, jo thjesht për të më shpëtuar, por edhe për të përfunduar atë skenë.

“Mua tashmë do të më duhet që të rikthejë bukuroshen tek vendasit...”, u thashë.

Por ishte më kot, të merrja një përgjigje. Të gjithë kishin shtangur. Edhe kamerat e afërta e të largëta dukeshin si të ngrira. Ajo vetë kishte mbetur si ajo pikëza mes ballit të saj në sytë e mi. Pastaj nata tjetër ishte jashtë skenarit që kisha shkruar. Ajo natë kishte edhe dëborën, edhe freskinë, edhe frikën, edhe misterin, edhe … të gjitha arsyet e tjera, për të më zgjidhur Enigmën time në sytë e saj, pa pritur ndonjë përgjigje prej meje. Por, ajo natë ishte dhe një provë tjetër, edhe për të përfunduar tatuazhin në shpatullën e saj.

Më pyeti vetëm kaq, “A ka shqiponja në vendin tënd?”

“Po,” i thashë: “Shqiponjat e vendit tim do të habiten kur do të shohin enigmën e këtij tatuazhi …”


97 views3 comments

3 Comments


sotir.mimi
sotir.mimi
Jan 12, 2020

S.Athanasi:

Ja një tatuazh për të cilin duhet shtrydhur pak mëndja. Se ato s'Jan përherë ashtu siç duken! Urime, z.Terziu!

S.Athanasi!


Like

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Jan 07, 2020

Tregim që të përthith e mban frymën pezull dhe nxit për më shumë interpretime.

Like

Perparim Hysi Urime dhe suksese!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page