top of page

TATJANA PARLLAKU ÇARKAXHIU “AMBASADORE PËR PAQE”


Federata e Paqes Universale Shqipëri, vlerëson me titull nderi kryetaren e OBVLP

 

TATJANA PARLLAKU ÇARKAXHIU “AMBASADORE PËR PAQE”

 

 

·       “Në botë numërohen mbi 150 mijë ambasadorë të paqes. Unë ndihem krenare që po i bashkohem më shumë se 1000 ambasadorëve të paqes në Shqipëri e Kosovë që kontribuojnë në sferën akademike, fetare, në shoqërinë civile etj”, tha ndër të tjera kryetarja e OBVLP-së.

 

 

Kryetarja e Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ dhe pasardhësve, Tatjana Parllaku Çarkaxhiu, më 7 Mars të këtij viti përjetoi gëzim të dyfishtë. Si ish-mësuese e lëndëve Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Gjuhë Italiane, Gjuhë Ruse dhe Frënge për 26 vite, mori dhjetra urime për festën e 7 Marsit, ndërsa u vlerësua nga Federata e Paqes Universale Shqipëri me titullinn “MBASADORE PËR PAQE”.

Në ceremoninë festive të organizuar  në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, nga Federata Shqiptare e Grave për Paqe, në bashkëpunim me Komisionin e Grave për Paqe pranë Federatës së Paqes Universale dhe Këshillin e Paqes Tiranë, në sallën “Alfred Moisiu” të Ambasadës së Paqes ku u zhvillua veprimtaria me temë “PËR TË GJITHA GRATË & VAJZAT – TË DREJTA, BARAZI, FUQIZIM” dhe ku morën pjesë rreth 130 zonja të nderuara Ambasadore për Paqe dhe të ftuar të veçantë, Tatjana qe e para që u vlerësua me këtë titull.

Jo rastësisht për ta lauruar me këtë titull ishte përzgjedhur Znj.Manushaqe Shehu, e vetmja grua shqiptare me gradën madhore gjeneralmajor. Ndër të tjera ajo do të shprehej se Tatjana Parllaku Çarkaxhiu e ka meritur këtë titull gjatë gjithë karierës së saj, duke shfaqur dukshëm inteligjencën e rrallë dhe shpirtin e saj human.




Tatjana Parllaku Çarkaxhiu, vajza e gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe “Nderi i kombit”, krenare për  veprën e lavdishme të të jatit, premton se ashtu si Ai, do ta përmbushë me përkushtim të rrallë misionin e amabasadores për paqe.

Përpara zhvillimit të ceremonisë së vlerësimit të 10 zonjave të nderuara të përzgjedhura me shumë kujdes nga organizatorët, me titullin “Ambasador për Paqe”, znj. Manjola Vasmatics prezantoi parimet universale të paqes dhe domethënien e titullit “Ambasador për Paqe”. Më pas, mes emocioneve dhe duartrokitjeve pafund, 10 zonjat e nderuara të cilat u vlerësuan me titullin “Ambasador për Paqe”, që vinin nga fusha të ndryshme si arsimi, gazetaria, shoqëria civile, turizmi, krijimtaria letrare etj, ishin: Znj. Tatjana Parllaku Çarkaxhiu; Znj. Jonida Shehu; Prof. Asoc. Dr. Rudina Rama; Znj. Oltjana Shehaj; Znj. Lela Dardha Kokona; Znj. Floresha Baba; Znj. Esmeralda Mema; Znj. Miranda Bala; Znj. Orjana Çekrezi; dhe Znj. Lili Doda.

 

TATJANA PARLLAKU ÇARKAXHIU, KRENARE PËR MISIONIN FISNIK TË AMBASADORES PËR PAQE


Në fjalën e saj, Znj. Parllaku Çarkaxhiu shprehu kënaqësi të veçantë që ndodhej në Ambasadën e Paqes Universale, të cilën Presidenti Moisiu me të drejtë e ka cilësuar si një aset të çmuar për Kryeqytetin.

“Kjo Ambasadë është qendër e aktiviteteve të paqes në Shqipëri, Ballkan dhe më gjërë për të promovuar vlerat e familjes, lidershipin, qeverisjen e mirë, edukimin dhe trajnimin e të rinjve me vlerat e dashurisë për dijen, njerëzit dhe kombin.

Ballkani ka kaluar sfida të jashtëzakonshme dhe luftëra për përgjakshme dhe është koha për reflektim. Federata e Paqes Universale është një rrjet global individësh dhe organizatash që janë përkushtuar ndërtimin të një bote në paqe, bazuar në vlera morale dhe shpirtërore universale.

Në botë numërohen mbi 150 mijë ambasadorë të paqes. Unë ndihem krenare që po i bashkohem më shumë se 10000 ambasadorëve të paqes në Shqipëri e Kosovë që kontribuojnë në sferën akademike, fetare, në shoqërinë civile etj”, tha ndër të tjera kryetarja e OBVLP-së.

Si pasardhëse veterani dhe Kryetare e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës dhe pasardhësve të tyre (OBVLP) ajo theksoi se nuk është ofiqi që e bën njeriun të dobishëm por është zemra dhe pasioni që e mbajnë atë me energji dhe kontribute.

“Në tre dekada aktivitet intensiv OBVLP u dëshmua para shqiptarëve si Organizata që vlerëson lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, që dënon fort krimet e komunizmit, u bë mbështetje e luftës së UÇK-së dhe në tërësi mbështetëse e çështjes mbarëkombëtare shqiptare. Me punën e më shumë se 10 mijë veteranëve dhe pasardhësve të tyre që militojnë aktualisht në organizatë, ne kontribuojmë në të mirë të demokracisë, drejtësisë dhe të ardhmes së brezave të rinj. Ne mbrojmë traditat luftarake dhe vlerat patriotike të të parëve tanë, dhe në prag të këtij 8 Marsi, unë përkulem me respekt përpara grave themeluese të OBVL-së të cilat janë mentore dhe inkurajim për ne si dhe shëmbull për të vazhduar sot misionin fisnik të ambasadorit për paqe”, tha më tej Znj. Parllaku Çarkaxhiu. Ajo solli në vëmendjen e qindra të pranishmëvë ambasadorë për paqe, zonjat e nderuara Selfixhe Broja Ciu, Zenepe Golemi Ashiku, Liri Belishova, Vera Ngjela Pojani, që në lulen e rinisë u bënë pjesë e Luftës Antifashiste, të cilat të dënuara nga sistemi diktatorial, nuk u thyen por luftuan fuqishëm për triumfin e demokracisë në Shqipëri dhe për aderimin e Shqipërisë në NATO.

“Ne pasueset e tyre premtojmë se do të mbrojmë traditat luftarake dhe vlerat patriotike të të parëve tanë dhe do të punojmë fort për integrimin e Shqipërisë në familjen europiane. Gjithashtu do të punojmë pa u lodhur që brezat e rinj të njohin historinë e lavdishme të popullit shqiptar, të duan jetën, të duan njëri-tjetrin, të vlerësojnë dhe mbrojnë familjet e tyre dhe paqen kudo në botë”, - e përfundoi fjalën e saj përshëndetëse kryetarja e OBVLP-së.

 

Kush është Tatjana Parllaku Çarkaxhiu


Ka mbaruar studimet në degën e Gjuhë Letërsisë, në Fakultetin e Histori Filologjisë, të Universitetit të Tiranës, në vitin 1975.

Ka dhënë mësim në lëndët Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Gjuhë Italiane, Gjuhë Ruse dhe Frënge. Ka monitoruar reformën zgjedhore në Shkollat e Larta dhe Universitete, si dhe gjatë gjithë karrierës të gjatë në arsim ka edukuar brezat e rinj me kurajon, vetëbesimin dhe dashurinë për dijen, duke i inkurajuar në zhvillimin e tyre të mëtejshëm intelektual.

Me moton: “Mësuesit janë ata që krijojne dhe frymëzojnë ëndrrat dhe mëndjet e së ardhmes”, ka ushtruar profesionin e mësuesit me pasion e përkushtim për 26 vite rresht.

Ka punuar për më shumë se 10 vjet si Ndihmëse për arsimin, kulturën, shëndetësinë dhe shkencën, pranë Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ka qenë pjesë e Grupit të Punës në mbrojtje të Monumenteve të Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore të Republikës së Shqipërisë, duke kontribuar në përfshirjen e qyteteve të Gjirokastrës dhe të Beratit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Është aktiviste në mbrojtje të të drejtave të të përndjekurve politikë, fëmijëve, grave, moshës së tretë dhe shtresave ne nevoje. Jam Kryetare e Kryesisë së Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare.

Është dekoruar me Medaljen e Mirënjohjes, dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Dekret Nr. 5429. Datë 23.07.2007 “Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në realizimin me sukses të detyrave të Institucionit të Presidentit të Republikës”.

 

“PËR TË GJITHA GRATË & VAJZAT – TË DREJTA, BARAZI, FUQIZIM”



 

Veprimtarisë festive në sallën komode të Amasadës sëë Paqes në Tiranë me temë “PËR TË GJITHA GRATË & VAJZAT – TË DREJTA, BARAZI, FUQIZIM” ia shtoi kuptimin dhe vlerën moderatori dhe gazetari i mirënjohur z. Defrim Methasani, Kryetari i Federatës së Paqes Universale Shqipëri me mjeshtrinë e fjalës së tij. Fjalët përshëndetëse i mbajtën dy organizatorët e veprimtarisë, znj. Katerina Minolari dhe z. Kastriot Selita, repektivisht Kryetare e Federatës Shqiptare të Grave për Paqe dhe Kryetar i Këshillit Rajonal të Paqes Tiranë. Surprizë e këndshme ishte vlerësimi i znj. Katerina Minolari nga Federata e Paqes dhe ajo e Familjes me çmimin e MIRËNJOHJES për investimin e saj 25 vjeçar në Shqipëri.

Vajzat, zonjat, gratë, nënat dhe gjyshet prezente në veprimtari i përshëndeti me një buqetë këngësh plot energji këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore, tashmë Ambasadore për Paqe, artistja Valbona Halili. Dy zonja të nderuara, Ambasadore për Paqe, Prof. Asoc. Dr. Eva Allushi – Nënkryetare e Asamblesë së Federatës së Paqes Universale Shqipëri dhe Av. Dorina Prethi – Avokate dhe përfaqësuese e grave të reja në politikë, mbajtën një fjalë rasti mbi të drejtat e grave dhe nevojën për më shumë përpjekje për të arritur barazinë e vërtetë mes burrave dhe grave, në kuptimin që ata janë të barabartë në vlerë dhe plotësues të njëri-tjetrit në cilësitë unike të personalitetit dhe karakterit. Pjesëmarrësit i përshëndeti me disa poezi të bukura për gruan edhe poetesha e mirënjohur znj. Zhuljeta Grabocka.

Në fund, Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Grave për Paqe znj. Eranda Haziraj falenderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe i inkurajoi të bënin më shumë për të mbështetur njëri-tjetrin.



 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page